E enjte, 25.04.2024, 06:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Sala Ahmeti: Vetëm një popull i qytetëruar komunikon, në nivel kombëtar, me një alfabet dhe me një gjuhë të njësuar

E premte, 05.12.2008, 06:21 PM


Prof. Sala Ahmeti: Vetëm një popull i qytetëruar komunikon, në nivel kombëtar, me një alfabet dhe me një gjuhë të njësuar

 

Nga Flora Durmishi

 

Kombet, në kujtesën dhe historinë e tyre, kanë ngjarje e data të shumta të cilat, i kujtojnë e festojnë, për shkak të rëndësisë që kanë. Por në mesin e tyre, ka data që janë me vlerë të veçantë. I tillë është, për shqiptarët, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Sivjet ishte 100 vjetori. Ky përvjetor, i madh, u shënua në të gjitha hapësirat ku i thonë bukës bukë, e ujit ujë. Kam ftuar, për një bashkëbisedim, profesoreshën Sala Ahmeti, pedagoge në Universitetin e Prishtinës, edhe për faktin se në studimet e saj i ka kushtuar vëmendje Kongresit të Alfabetit. Profesoresha ime e dikurshme, mikja ime e sotme, faleminderit që iu përgjigjët ftesës.

 

Profesoreshë, fillimisht na thoni, ju lutem, një vlerësim të shkurtër për rëndësinë e Kongresit!

 

Jam e nderuar që do të flas për një ngjarje madhore për shqiptarët, ndoshta ndër ngjarjet më të rëndësishme për kombin shqiptar. Kongresi i Manastirit, për shqiptarët, është një monument, është themel i pavarsisë së shqiptarëve, i pavarësisë politike dhe i pavarësisë kulturore. Natyrisht, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresi i Manastirit apo Kongresi i Alfabetit, siç e quajnë disa, është ngjarja më madhore për shqiptarët, sepse në rrethana shumë të pavolitshme, në kohen kur shqiptarët nuk kishin një qendër prej nga mund të drejtoheshin kërkesat për organizime të ndryshme, në rrethana të tilla, të organizosh një manifestim aq madhështor, në të cilin do të marrin pjesë intelektualë, ndër më të shquarit e kohës, patriotë, dhe atdhetarë të shquar, dhe njerëz dashamirës të kulturës dhe të gjuhës shqipe, në rrethana të tilla, të organizohet pra, diçka aq madhështore, është për t’u krenuar. Dhe natyrisht, rëndësia e Kongresit të Manastirti, s’pari është kombëtare. I gjithë ky manifestim, organizimi, vendimet që janë marrë, janë bërë për arësye të arritjes së një marrëveshjeje politike për çeshtje të gjuhës, të alfabetit dhe shkollës shqipe, që do t’i paraprinin pavarësisë së Shqipërisë.

 

Profesoreshë i patë përgjigjet e të rinjëve të Prishtinës, në anketën që bëmë me ta. Siç e patë numri më I madh I tyre nuk e dinë se ku është mbajtur Kongresi I Manastirit, kur është mbajtur dhe pse është mbajtur! Është për të të ardhur keq,sigurisht. Si mendoni ju, a ia vlen të komentohen apo jo?

 

Është mirë të komentohen pak. Përgjigjet që dhanë të rinjtë nuk janë të kënaqshme, por arësyeja nuk është te ta por te ne. Ne duhet ta qortojmë veten pse nuk kemi arritur ta kultivojmë më shumë, te të rinjtë, ndjenjen e dashurisë për disa vlera madhore që ka kombi. Dhe ato vlera, ne duhet t’i promovojmë sa më shumë. Një ndër vlerat më të rëndësihme të një kombi është gjuha madje, për shqiptarët edhe më shumë! Sepse kombi shqiptar s’pari identifikohet me gjuhën, me vlerat morale dhe etike dhe traditën kulturore, kurse feja është një vlerë periferike e cila, nuk ka ndikimin e drejtëpërdrejtë në identifikimin e kombit. Dhe, çdo gjuhë, kudo në botë, do të jetë e vlefshme vetëm kur është e shkruar dhe e dokumentuar. Për të qenë e shkruar dhe e dokumentuar s’pari duhet të kesh alfabetin. Dhe shqiptarët nuk kanë rreshtur së vepruari për të pasur një gjuhë të shkruar. Ne nuk kemi dokumente, për fat të keq, dhe nuk e dimë prej kur është shkruar gjuha shqipe. I kemi vetëm prej mesjetës e këndej, e ato, një kohë, pastaj për arësye që dihen, me roberinë turke, kanë ndërruar rrethanat dhe është dashur një ringjallje edhe kulturore, për të arritur një marrëveshje kombëtare, për të pasur një alfabet. Përgjigjet e të rinjëve janë të tilla çfarë ne kemi bërë për ta.

 

Unë nuk do të fajesoja vetëm shkollat, janë edhe mediat ato që kanë fajin e tyre, do të thosha, sepse vetëm kur shënohen përvjetorë bëjmë një lajm të shkurtër dhe nuk merremi më shumë me realizimin e dokumetarëve ose emisioneve të vecanta përmes të cilave të rinjtë do të informoheshin. E them këtë ngaqë të rinjtë rrijnë sot shumë gjatë para ekranit të televizorit.

 

Po ke të drejtë!

 

Profesoreshë, ky përvjetor jubilar u shënua në mënyrë madhështore. Ju keni dhënë ndihmesën tuaj duke u paraqitur me një studim me titull “Aspekti kombëtar I zgjidhjes që dha Kongresi I Manastirit.” A mund të na thoni dy tri fjalë rreth kësaj teme?

 

Kongresi i Manastirit, aspekti kombëtar, ka qenë qëllimi I organizimt të këtij Kongresi sepse gjithçka që është bërë aty, ka qenë në funksion të aspektit kombëtar edhe pse, ta zëmë, njëri prej alfabeteve që u pranua, siç është alfabeti I stambollit, që në aspektin shkencor ishte më cilësor se sa alfabeti tjetër, por arësyet pse u mor alfabeti shqip, d.m.th. ky që e kemi sot, latin, ishte aspekti kombëtar i zgjidhjes sepse, shqiptarët nuk donin të kishin një alfabet i cili, do të identifikohej as me alfabetin sllav, as me alfabetin grek e as me alfabetin turk, por donin të krijonin një alfabet, që do t’i qëndronte kohës dhe që do të ishte ndryshe nga alfabetet e popujve që kishin robëruar shqiptarët, d.m.th. edhe aspekti kulturor, edhe aspketi poltik, janë në funksion të kombëtares madje, për këtë çështje, në atë kohë kanë shkruar dhe kanë dhënë vlerësime edhe institucione në krejt Evropën, edhe në Turqi edhe konsuli anglez edhe konsuli austriak edhe vlerësime në shtypin turk në shtypin sllav, serb, kroat etj. Dhe, këto vlerësime kanë qenë se, Kongresi i Manastirit, d.m.th. siç pohohej në këto shkrime, i tejkalonte përmasat e një kongresi të alfabetit. Ai ishte një veprim i krahasueshëm me |bashkimin kombëtar dhe me kushtrimin për çlirim. D.m.th. ky Kongres dhe veprimet që ndodhën pastaj, siç ishte hapja e shkollave shqipe, që ka qenë njëra prej kërkesave të Kongresit, synonte që të arrinte ndërgjegjësimin se alfabeti dhe gjuha e përbashkët janë vlera kulturore që nënkupojnë civilzuesen, për një popull. Vetëm një popull i qytetëruar komunikon, në nivel kombëtar, me një alfabet dhe me një gjuhë të njësuar dhe këtë qëllim e arrit Kongresi i Manastirit. Zhvillimet e ngjarjeve që ndodhën pastaj, pas Kongresit, dëshmuan se as vetë pjësmarrësit, që kanë qenë të parnishëm në atë Kongres, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë madhore të vendimeve që kishin marrë për historinë kulturore dhe politke, të shqiptarëve. Për këtë ndoshta, më shumë, ishin shqetësuar kundërshtarët e këtij manifestimi, sepse atyre u pengonte emancipimi cilësor i shqiptarëve. Emancipimi arrihet vetëm me alfabet, me gjuhë, me shkollë. Kundërshtimet vinin, sidomos, nga klesi, ai I krishterë edhe mysliman I cili, përpiqej që me metoda të sofistikuara dhe me metoda të papara, mundoheshin ta plazmonin identitein shqiptar. Por, tanimë ishte bërë e qartë sepse shqiptarët, bashkë me luftën për alfabetin, bënin edhe luftën për pavarësi! Bashkë me luftën për alfabetin bënin edhe luftën për shkollën laike shqipe e cila, do t’i zvetënonte ndikimet shqiptare. Për alfabetin shqip u bë edhe një polemikë e paparë edhe në parlamentin turk. Mua më vjen keq që deri tani nuk I kam parë, këto veprime të deputetëve shqiptarë që kanë qenë në parlamentin turk.

 

Ata ishin arësyeja që erdhi deri te nderprerja e mbledhjes së parlamentit  apo jo?

 

Po pikërisht këtë desha të them. Në një nga seancat e parlamentit turk, erdhi deri te ndërpreja e séancës  për shkak të kundërshtimeve të shumta në mes të deputetëve. Dhe njëri prej deputetëve, më të zellshëm dhe më të guximshëm I cili, dëshmoi se më shumë është atdhetar, më shumë është idealist se sa politikan, ishte Hasan Prishtina. Unë do të doja ta jepja një citim nga fjalimi që kishte mbajtur Hasan Prishtina, në parlamentin turk.

  

Patjetër, është me interes edhe për lexuesit.

 

Hasan Prishtina do të pohonte aso kohe,  citojmë: “Çështja e alfabetit nuk është e një natyre, si mendojnë disa, se mund të trajtohet shkel e shko, për shkak se zgjidhja nuk mund të kryhet sipas dëshirës ose mosdëshirës së tyre, të disa deputetëve. Ajo mund të zgjidhet vetem nga pikëpamja atdhetare.” Këtë e thotë në parlamentin turk, e jo duke thënë se ne e duam apo nuk e duam këtë zgjidhje. Ata, në të njejtën kohë, e kishin bërë edhe një peticion për t’iu kundërpërgjigjur një peticioni tjetër që proklamonte një alfabet tjetër, me shkronja arabe. Në atë peticion pohohej se, ata, dilnin në mbrojtje të alfabetit shqip. Ky peticion u botua më, 24 janar 1910, në një nga gazetat turke në të cilën, përveç tjerash, thuhej se lloji i shkronjave nuk ka kurrfarë lidhje me fenë kurse kundërshtarëve për këtë çështje u thoshte se, çështjen duhet ta kenë në gjuhë ata që kanë gjuhë dhe ndjenjë shqiptare. Pohimet e Hasan Prishtinës dolen si profetike…

 

Po, sepse pas 4 vjetësh me këtë alfabet u nënshkrua  Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë apo jo! Profesoreshë, në këtë 100 vjetor, a u zbardh ndonjë gjë që nuk e kemi mësuar deri tash në shkollë ?

 

Shiko, në këtë përvjetor, u vërtetua se vendimet e matura dhe largpamëse i qëndrojnë kohës. Në Kongresin e Manastirit u morën vendime, me shumë maturi, me largpamësi dhe me një konsesus, që është model edhe për ne sot. Për të arritur një qëllim, një synim, shumica e pjesëmarrësve hoqën dorë nga kërkesat e tyre, që i kishin me ngulm, për të arritur një qëllim. Dhe ai qëllim ishte  njësimi I alfabetit.

 

Dhe të gjithë ne, pjesëmarrësit e atij Kongresi, duhet t’i kemi pikë reference

 

Po absolutisht!

 

Profesoreshë, unë e kutjoj si sot, kur ju, na thoshit, ne studentëve,  se dialektet e pasurojnë Gjuhën Shqipe. Pa ta, gjuha shqipe do të ishte shumë e varfër por edhe se duhet të komunikojmë me një standard.

 

Shiko, njësimi I alfabetit nënkupton edhe njësimin e gjuhës. Secili popull që synon të ketë një qytetërim, të një shkalle më të lartë, në nivel kombëtar, duhet të komunikojë me një standard. Kodifikimi, standardi, nënkupton civilizuesen dhe askush nuk thotë as nuk mund të mohojë se dialektet nuk janë pasuri. Ato janë pasuri, por dialektet i japin gjuhës standarde, në vazhdimësi, elemente të reja të cilat, do të kodifikohen. Pastaj, standardi është formuar te shumica e popujve të qytetëruar, në mënyra dhe në rrethana të ndryshme por, askush nuk mund të thotë se ky dialekt është më i mirë ose ai është më i mirë. 

 

A ka mundësi të ndryshohet standardi I shqipes, profesoreshë?

 

Standardi i shqipes mund të plotësohet, mund të pasurohet, por ajo është e arritura më e madhe pas Kongresit të Drejtshkrimit, që kanë bërë shqiptarët. Mos t’i rrënojmë vlerat më të mira, që mezi i kemi bërë! Unë nuk pajtohem me ata që thonë se, atë e ka bërë komunizmi. Për alfabetin e shqipes, qindra vjet kanë vepruar intelektualë dhe patriotë shqiptarë. Për standardizimin e gjuhës shqipe, qindra vjet kanë punuar dhe vepruar rilindasit, iluministët dhe të tjerët. Pastaj është bërë finalizimi I një përpjekjeje dhe i një lufte të gjatë. Dhe, shqiptarët , të gjitha përpjekjet i kanë bërë me moton “një komb, një gjuhë, një alfabet”. Natyrisht, gjuha, si organizëm I gjallë, zhvillohet vazhdimisht sepse norma nënkupton edhe ngurtësimin. Ne nuk jemi kundër ngurtësimeve dhe kundër plotësimeve, por ato duhet të bëhen me konsenus, me marrëveshje. Jo me arrogancë dhe jo në mënyrë të dhunshme. Shikoni, gegë edhe shkodranët janë. Tash, ne të themi se nuk jemi shqiptarë. E çka janë shkodranët!? Edhe ata janë shqiptarë. Shqiptarët e Maqedonisë me çfarë alfabeti edhe me çfarë gjuhe standarde duhet të përfaqësohen nesër? Kjo është një e arritur shumë e madhe! Kufijtë politikë, nuk është mirë të na ndajnë edhe në planin kombëtar, dhe të na ngushtojnë vlerat që i kemi. Përkundrazi, në kohën e sotme, kur kudo në botë flitet për globalizimin, për integrimet, e ne, të bëjmë parcializime, ose pjesëzime, ose copëzime të një kombi të vogël, nuk më duket ide e mençur, e pjekur dhe e matur.

 

Profesoreshë faleminderit shumë për kohën që ndatë me ne. Uroj që të rinjtë ta kenë mësuar, tashmë, se çka është Kongresi i Manastirit, kur është mbajtur ai, pse është mbajtur etj.

 

Faleminderit juve!

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora