E merkure, 30.11.2022, 05:59 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: E quajta Derr, s'i bëri asnjë përshtypje!

E shtune, 21.08.2021, 03:35 PM


Bole

Nga Edison Ypi

E quajta Derr, s'i bëri asnjë përshtypje.

I thashë Kafshë, s'i lëvizi qerpiku.

I radhita një varg me epitete kundërmonjëse si kaka, shurra, bajga, nuk u tund.

Pastaj ja zbraza n'lule t'ballit fishekun e fundit mespërmes kafkës. I thashë ti je Sharlatan. Meazallah.

Budallait që kam fatkeqësinë ta njoh, i është tiposur se Shqipërisë, për çdo çorbë që gatuan vetë, ja ka fajin Amerika dhe Ambasadorja. Dhe bam e bum budallai dit' e natë duke zhgarravitur hajvanllëqe në Fejsbuk. Pa pikën e turpit. Me pika, me presje, fjal' për fjalë si në librat e shokut kurvi që i ka lexuar me laps në dorë.

I kam thënë kaq herë budallait: Mysafiri dhe miku që po përgojon të ka falur dy shtete. Kjo që po bën është turpi më i madh. Fëlliqësinë e padëgjuar e bëjnë vetëm faqezinjtë, tradhëtarët, mercenarët, spiunat, hajdutët, parazitat, injorantët. Një maskarallëk të tillë e ndalon rreptësisht çdo Kod moral, çdo Kanun zakonor. Kanunet dhe Kodet, poshtërimin e mysafirit, prerjen në Besë të mikut, që budallai në fjalë i ka buk' e djathë, e dënojnë rëndë.

Fol o gur, fol o mur.

Duhet një zgjidhje për ti frenuar zorzopët e lëshuar nga zinxhirët.

Çfarë të bëj me të sëmurin psiqik që as e vras dot, por as të gjallë nuk dua ta lë ?

Kaloi ca kohë.

Kur, një ditë, seç mu tek, vajta i thashë në surrat:

O Bole !

Ngriu. U shushat. U mek. J'u morrën ment. Iku duke belbëzuar.

S'u pa nja një javë.

U bëra merak.

E gjeta ku ishte fshehur.

E mora me të mirë. E pyeta si je shëndet etj.

Dëgjo, tha, më quaj çfarë të duash. Kusur mos më lër. Më shaj si të vij në mendje me fjalët më të rënda. Më thuaj edepsëz, qurre, qebësirë, gëlbazë, mut, mut muti, mut i mutit të mutit. Ama, nuk e di pse, po më the Bole, më erren sytë, më bllokohen veshët, më thahet pështyma, më ikën oreksi, më trazohen zorrët, më lënë fuqitë, më ngrijnë gjymtyrët, më ndal zemra, më bllokohet mushkëria, s'më punojnë gjëndrat. Është i vetmi cilësim që nuk e duroj dot. Është e vetmja fjalë që më fut në varr.  Më mirë më vrit se të më thuash Bole.

I thashë Boles,

-Do zhgarravisësh më postime kurviste në Fejsbuk me Amerikë imperialiste, ambasadore guvernatore, dhe carlliqe të tjera ?

-Jo jo, kurrë, pa merak, vetëm Bole mos më quaj më. Nuk e duroj dot. Më vret. Më varros.

Kisha goditur në shenjë.

Mu hap Qielli.

As Ajnshtajni në momentin kur formuloi relativitetin, as Newtoni kur zbuloi gravitacionin, as Sala kur bërtiti: This is a miracle of freedom, s'mund të jenë ndjerë më të lumtur se unë atë çast pas atij pushkatimi me 1 fjalë të vetme që i bëra një idioti.

Mesa duket fjala Bole kishte qënë pika që derdhi kupën, grimca që shkaktoi rezonancën.

Zbulim i rëndësishëm lokal por edhe planetar përderisa e ka thënë Umberto Eco se prej halabakëve të Internetit vuan e gjithë dynjaja.

Mrekullia që ndodhi me Bolen që është më budallai, nuk mund të mos veprojë me inferiorët e tij, bastardët bytha, Loqa, Koqa, Mullaqa, dhe të tjerë të këtij kallëpi. Për rrjedhojë, zbulimi në fjalë nuk është vetëm lokal dhe planetar, por edhe universal.

Gjeje pikmbështetjen e levës së Arkimedit për ta lëvizur Botën, thembrën e Aklit për t'i vrarë dhe varrosur rrezilët - cilësimin specifik për secilin budalla. Thuaja ! Dhe e ke shkatërruar përgjithmonë. Ky është thelbi i zbulimit që ndodhi rastësisht.

O Zot sa e thjeshtë paska qënë. Si mijëra bombat atomike të arsenalit të frikshëm të superfuqive që janë në gjendje ta hedhin në erë planetin qindra herë brenda pak minutash, por të gjitha i flak në hale një virus mikroskopik që arratiset nga një laborator.

Sikur më falën botën. Sikur më ra Llotaria e Kinës. Ashtu u ndjeva.

Vulgarëve të Internetit ju gjet vaksina.

Gjeji secilit cilësimin që e tmerron. Plasja në fytyrë ! Me faqeziun që merret me Amerikën dhe Ambasadoren, ke mbaruar punë.

Nëse cilësimi tingëllon si pseudonim, aq më mirë. I kanë qef pseudonimet rrugaçët tanë.

Megjithatë, s''është e kollajtë ta çarmatosësh halabakun e Internetit me 1 fjalë të vetme.

Duhet të dish disa gjëra paraprakisht.

Çfarë libra lexon ? Çfarë filma kqyr ? Çfarë ëndërra sheh ? Çfarë e bën të qajë ? Çfarë e zgërdhin ? Cilat aroma ja ka qef hunda ? Çfarë ha ? Çfarë pi ? Çfarë muzike dëgjojn ?

Mblidhi përgjigjet. Futi në trurin tënd si copat e mishit në tenxhere. Zjeji mirë e mirë. Lëre rë ftohet. Hiq kapakun. Nga tenxherja, bashkë me avullin, si te përrallat e Aladinit, do çfaqet me gërma të arta fjala magjike me efekte shkatërruese.

S'ka mënyrë tjetër.

Pa arritur një numur kritik, vulgarët e Internetit, komuniteti i faqezinjve brenda të cilit Bolja ime është një kokrrizë rëre, nuk janë të rrezikshëm, nuk përbëjnë problem.

Ama nëse hordhia e budallejve që përgojojnë Amerikën dhe Ambasadoren, shtohet si numur, nuk është më "cilësi", bëhet "sasi", dhe si e tillë, shdrrohet në statistikë, në diçka që nuk arsyetohet, vetëm numurohet, çka, nëse ndodh, nuk zhduket kurrë më. Hordhia e halabakëve pavdeksohet. Bëhet dukuri natyrore. Si Tepelena, Laçi, Mamurrasi, Zavalina. Sëmundja hyn në fazë endemike. Tiparet individuale s'luajnë asnjë rol. Hordhia shndrrohet në turmë anonime haxhiqamiliste, fryhet si lumë kur sapo nis shiu, rrëmben e çon në det gjithçka që i del përpara.

Po ndodhi, hiç s'ke ç'u bën, u rruan bishtin, do bëhet si thonë ata, shejtanbudallenjtë injorantë eksperta për gjithçka.

Ta promuovojmë sa të mundim asgjësimin e budallejve dhe budallallëkut përmes kurës psiqike me fjalën e vetme asgjësuese për çdo rrugaç.

Koha nuk pret.

Boll prodhuam vrasësa, Myslym Shyra, Asim Zenela, Kajo Karafila.

Tash e tutje të prodhojmë bomba verbale me 1 fjalë për të hedhur në erë idiota Interneti, gomerë rrjetash sociale.

Të futemi ku askush s'ka kuturisur. Në trurin e shpupurisur të budallait. Ta gjejmë atje cilësimin që Bolen dhe zuzarët e tjerë i çmend, i trondit, i hesht, nga rruga e Djallit i largon, në rrugën e Zotit i fut.

Përndryshe, le t'i themi Bujrum Mesjetës që hordhia e injorantëve na e ka sjellë te pragu.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora