E marte, 16.04.2024, 03:12 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Çfarë mësimi sociologjik na jep rasti i Afganistanit?

E shtune, 21.08.2021, 07:38 PM


Çfarë mësimi sociologjik na jep rasti i Afganistanit?

Nga Blerim Latifi

Shtetformimi dhe kombformimi janë megjithatë dy gjëra të ndryshme. Dhe fati i të parit në shumë e shumë raste e situata varet nga fati i të dytit.

Nuk mund të ndërtosh shtet modern, në kuptimin institucional dhe ideologjik të kësaj fjale, aty ku nuk ekziston kombi dhe ku besnikëria më e lartë e njerëzve është besnikëria ndaj fisit e krahinës, siç është rasti i Afganistanit.

Amerikanët janë të prirur t'i njëjtësojnë shtetformimin dhe kombformimin, sepse bazohen në modelin e tyre të formimit kombëtar, por nëse një gjë na mëson sociologjia e historia është fakti se modelet politike nuk funksionojnë si modelet matematikore.

Diku duhet ndjekur rruga tjetër: kombformimin para shtetformimit. Në një vend ku grupet e ndryshme etnike nuk besojnë se i takojnë një kombi të përbashkët, është e vështirë të mbahen në këmbë institucionet e shtetit modern. Ato mund të mbahen për njëfarë kohe me diktatin e forcës, por sapo ky diktat hiqet, shemben edhe ato.

___________________

Pse kur vdes dikush njerëzit vrapojnë t'i thurin lavdata nga më të mëdhatë emrit të tij, ia përshkruajnë të gjitha virtytet e mundshme dhe derdhin lotë të rremë në funeralin e tij, ndërsa kur është gjallë as që u bie në mend për të?

Në librin "Rënia", përmes protagonistit të tij, i famshmi Albert Kamy e ka një përgjegjje:

"Po a e dini pse jemi gjithmonë më të drejtë dhe më shpirtgjërë me të vdekurit? Arsyeja është e thjeshtë: me ta s'ka detyrime...Edhe në na detyrofshin për diçka, kjo lidhet me atë që ne duhet t'i kujtojmë, mirëpo ne harrojmë shpejt...Kështu kisha një mik që i shmangësha në shumicën e rasteve.Të mërziste disi, ngase bënte shumë moral. Mirëpo kur ishte në grahmat e fundit s'lashë asnjë ditë pa i shkuar.Vdiq i kënaqur prej meje, duke më shtrënguar duart".

E tillë është hipokrizia njerëzore!

___________________

Krahasimi i koncertit në Leposaviç me koncertin ne Korçë është i palogjikshëm, absurd. Sepse thelbi i problemit nuk është tek këngëtarët, por tek ata që u kanë bërë ftesë atyre.

Në Korçë janë shqiptarë që e kanë ftuar një mik të Karaxhiqit për të kënduar.

Ndërkaq, në Leposaviç janë çetnikë serbë që i kanë ftuar disa çetnikë tjerë për të kënduar. Është kaq e thjeshtë për t'u kuptuar.

Është krejtësisht e kuptueshme të mos pajtohemi që në qytetin e shkollës së parë shqipe të përformoj një pevaç serb, me këngët e të cilit kanë marshuar kriminelët serbë, që pasi na i mbyllën shkollat shqipe në Kosovë, provuan të na çrrënjosin komplet prej saj.

Po ashtu nuk duhet pritur tjetër gjë nga serbët e veriut, përveç demonstrimit të dëshirave të tyre për ta rikthyer pas rrotën e historisë.

A duhej ta ndalte policia e Kosovës hyrjen e këtij grupi muzikor në Kosovë?

Po, duke marrë për bazë qëndrimet e tij për shtetin e Kosovës.

Pse pra nuk janë ndaluar?

Me gjasë shkaku lidhet me faktin se ministrat përkatës kanë filluar të merren më shumë me çështjet e fushatës elektorale dhe nuk kanë kohë të merren me atë se kush hyn e kush del në territorin e Kosovës.

Kur neve na binë në kry votat, i harrojmë edhe babë e nanë, e lëre më punët e përditshme të shtetit.

___________________

Një nga tekstet më interesante në historinë e filozofisë është kapitulli i Luftës për Pranim në "Fenomenologjia e Frymës" e Hegelit.

Dy subjekte luftojnë për t'ia imponuar vullnetin njëra-tjetrës në një betejë të pamëshirshme për jetë a vdekje. Fatin e betejës e përcakton raporti i subjekteve me vdekjen. Subjekti që është pushtuar nga frika e vdekjes dorëzohet, pranon nënshtrimin dhe jetën në skllavëri. Për të mjafton të mbes gjallë edhe në kushtet e jolirisë.

Subjekti që nuk ka frikë nga vdekja i shkon deri në fund rrezikut dhe duke rrezikuar gjithçka e fiton luftën dhe bëhet padron i humbësit të saj. Ky pastaj do të bëj jetën e skllavit deri në ditën kur do ta mposhtë frikën nga vdekja, psikologjinë e skllavit. Hapi i parë drejt lirisë është pikërisht çlirimi nga kjo psikologji.Në fundin e luftës për çlirim ai e kupton se vetëm ai që si tutet vdekjes në luftë, e fiton lirinë dhe vetëm ai që e fiton lirinë me mundin e tij, e di se si ruhet ajo. Sot ne diskutojmë dhe grindemi se kur dhe si nisi UÇK-ja. Ajo nisi ne atë moment kur disa nga mesi ynë e mposhtën frikën nga milici serb që na tundte nga mëngjesi në mbrëmje flamurin e skllavërisë.

___________________

ZENDAGI MIGZARA

Në shumë raste letërsia ia del ta thotë të vërtetën e një vendi a shoqërie, më mirë se shumë studime shkencore e raportime mediale, të marra së bashku. Këtë mund ta themi edhe për romanin “Gjuetari i Balonave” të shkrimtarit afgano-amerikan Khaled Hosseini.

E pata lexuar shumë vite më parë këtë roman, por ngjarjet e fundit në Afganistan më nxitën që t’i rikthehem edhe një herë leximit të tij.

Drama e cila rrëfehet në roman dhe stili me të cilin autori e ka shkruar atë, të bëjnë që ta lexosh me një frymë. Përmes fatit të personazheve dhe kontradiktave që shfaqen në karakteret e tyre, autori ia del të na japë gjithë pamjen e tragjedive të njëpasnjëshme të popullit afgan. Ai ka zgjedhur të na rrëfej fatin e tre fëmijëve afganë, sepse janë pikërisht fëmijët, bashkë me gratë, viktimat më të mëdha të këtyre tragjedive, rrënimit të projektit për një Afganistan modern, pushtimit sovjetik, luftës civile dhe sundimit të talebanëve.

Drama e romanit mbyllet me të rënien e këtij sundimi pas ndërhyrjes amerikane në vitin 2001 dhe, lexuesit, që ka ndjekur hap pas hapi vuajtjet e personazheve, në fund i jepet ndjesia e shpresës për një të ardhme paqësore të Afganistanit.

20 vite më pas kjo shpresë duket se është rrënuar përsëri: amerikanët janë tërhequr, shteti i ngritur mbi themele moderniste ka rënë, talebanët janë rikthyer dhe bashkë me ta edhe ankthet e fëmijëve e grave të Afganistanit, për të cilat i flet botës "Gjuetari i balonave".

Në këtë situatë të papritur autori i romanit mbase s'ka se çfarë të shtojë tjetër për ngjarjet e reja në atdheun e tij, përveç asaj thënies së vjetër afgane, e cila përsëritet vazhdimisht gjatë romanit, si një klithmë dëshpërimi për vuajtjet që ia lënë vendin njëra tjetrës përgjatë një cikli të së keqës që nuk përfundon kurrë: Zendagi migzara. Jeta vazhdon. Edhe kur gjithçka në të dhe rreth saj është ferr.

___________________

Talebanët disi më kujtojnë FARC-un ( Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë):  prodhues droge, guerilë fshatare e maleve të pashkelura, besimtarë fanatikë në ideologjinë e tyre dhe të bindur se po luftojnë për një rend të ri moral në botë.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora