E shtune, 20.04.2024, 12:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Emin Azemi: Libër që sjell një përvojë të re në traditën tonë

E enjte, 19.08.2021, 06:20 PM


LIBËR QË SJELL NJË PËRVOJË TË RE NË TRADITËN TONË

Si mjeshtër i ngjyrave dhe i tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi ka ditur të nxjerrë një portret, pak  a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor, të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i është dashur të ndjekë disa linja rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën” në shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ky libër.

Nga Emin AZEMI

E kisha lexuar dikur më herët, dhe nuk e di pse më kishte mbetur në një skutë të kujtesës, një thënie e shkrimtares dhe eseistes kroate Dubravka Ugreshiq: “Të prodhosh libra, s’do të thotë të prodhosh letërsi”. Mirëpo, derisa e lexoja dorëshkrimin e Gani Bytyçit “Kuvendim i pambaruar me Anton Nikë Berishën”, që për mua nuk ishte ndonjë e papritur, pasi që në njëfarë mënyrë edhe vetë isha bërë bashkëpjesëmarrës i tërthortë në procesin e këtij libër-bërjeje, megjithatë m’u desh t’i bëja një përshtatje thënies së shkrimtares kroate.

Disa tema e ide kishin kaluar nëpër një proces krijues, edhe pa u bërë ende libra”.

Ky do të ishte, afërsisht, varianti i përmbysur i thënies së Ugreshiqit, që do t’i shkonte pak a shumë natyrës së krijimit të këtij libri, dhe nuk do të them asgjë të re nëse zbuloj, tashmë kur ai ndodhet në duart e lexuesit, pra edhe në duart e kryeprotagonistit tonë – prof. Anton Nikë Berishës,  se kam lundruar nëpër një ndjeshmëri të ngrohtë e tepër miqësore në momentin kur shkrimtari dhe piktori, Gani Bytyçi, kishte vendosur të ndante me mua një fshehtësi, që duhej ta dinim vetëm unë dhe ai.

Pra, ishim marrë vesh me Ganiun që të thyejmë një rutinë në traditën e shënimit të ditëlindjes së studiuesit, shkrimtarit e mikut tonë të dashur, prof. Anton Nikë Berishës, duke i dhuruar atij një libër dedikues për ditëlindjen e tij, i cili do të ndërtohej mbi një proces të natyrshëm bashkëbisedimi në mes tij dhe Ganiut. Pra, kjo ishte ajo “dhurata” (torta) në formë libri me të cilin ne donim disi të ndërhynim, pak a shumë, në mënyrën e tryezës së një feste, që njeriu e shënon një herë në vit.

Ndoshta, fillimisht, edhe Ganiu nuk e ka pasë idenë se bashkëbisedimi me prof. Antonin, mund të të nxirrte në një vokacion shkrimi që krejt pahetueshëm të grishë të bësh libër, prandaj isha munduar që ta inkurajoj, që sipas një ritmi dhe ecurie jo të rëndomtë, të fillojë ta ndërtojë strukturën e librit të tij, bazuar në ato detaje që atij do t’i bënin përshtypje nga bisedat telefonike me prof. Antonin, e që ende, për shkaqe objektive, nuk e ka përmbyllur harkun e plotë përmbajtësor.

Mbase krejt kjo ide u ngjiz duke ia bërë një “tradhti” të vogël prof. Antonit: ai nuk po e dinte se bashkëbisedimi me të do të shndërrohej në një materie të strukturuar tekstore që do të futej brenda kopertinave të një libri.

Nuk është hera e parë që libra të tillë bëheshin mbi modele të ngjashme bashkëbisedimi, por rrallë herë kishte ndodhur që bashkëbiseduesi të mos dinte se po bëhej subjekt i një libri. Pra, prof. Antoni jo vetëm që nuk e dinte se Ganiu me të po bënte një “xhiro të gjatë shëtitjesh” nëpër tema e ide, nëpër vepra e autorë, nëpër kohë e hapësirë, që nga Aristoteli e deri te Mikelangjeloja, që nga Antika deri te Renesanca, që nga De Rada deri te Anton Pashku, por ai as që mund ta merrte me mend se në një distancë disa mijëra kilometërshe, përmes telefonit, po jepte “leksione falas” nga  çështje të studimit të letërsisë, nga estetika, nga filozofia e arti. Dhe, Ganiu, si një “student i përkushtuar”  po shënonte në shiritin e kujtesës dukuritë më të qenësishme të bashkëbisedimit për arsye se çdo imtësi, çdo ndërhyrje dhe çdo mikrongjarje atij do t’i hynte pastaj në punë për të ngritur në këmbë atë krijesë që më vonë do të merrte formën e librit.

Gjithsesi, ky bashkëbisedim nuk do të mund të ishte kreativ e intelektalisht i mbathur mirë  për nga përmbajtja dhe stili, sikur të mos ekzistonte që në thelb të gjakimit edhe një prirje e vetë autorit për të nxitur e shkoqitur tema e ide që atij i janë dukur më me vlerë e më të rëndësishme.

Mund ta marrim me mend se si para çdo bashkëbisedimi, atij i është dashur të sistemojë në kutinë magjike të laboratorit krijues dijet teorike  dhe përvojën e tij  krijuese, në mënyrë që biseda të plotësonte disa nga kriteret për t’u konsideruar të denjë për t’u përfshirë e për të bërë pastaj një libër.

Meqë e kam ndier nga afër drithërimën e asaj që prodhonte ngacmime tek autori pas çdo bashkëbisedimi me prof. Antonin, nuk e kam pasur vështirë ta distancoj për pak çaste Ganiun  nga qarku i ngushtë i subjektivizmit që krijon miqësia, dhe ta krahasoj me një Cvajg, Kapuçinski, Falaçi etj. të cilët gjatë procesit të ndërtimit të subjekteve e profileve njerëzore në reportazhet e tyre brilante, kishin përdorur letërsinë si një “daltë” pa të cilën nuk do të formësoheshin disa nga pasazhet brilante të rrëfimit. Edhe tek Ganiu, ngjashëm, letërsia u përdor si një “daltë” për të nxjerrë nga shiriti i gjatë i bashkëbisedimit bërthamat më të pastra fabulore, që u modeluan sipas një arkitekture të menduar mirë tekstore.

Metodologjia e bërjes së këtij libri është bazuar në formën e një ditari që autori e thurte për çdo ditë, duke krijuar një pëlhurë të gjerë rrëfimi. Si mjeshtër i ngjyrave dhe i tonaliteteve që dalin prej tyre, Gani Bytyçi  ka ditur të nxjerrë një portret, pak  a shumë të panjohur, por tepër të ngrohtë e njerëzor,  të prof. Anton Nikë Berishës. Atij i është dashur të ndjekë disa linja rrëfimi për të sistemuar gjithë “armaturën” në shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ky libër.

Një prej atyre shtyllave, sipas Ganiut, ka qenë ideja që përmes bashkëbisedimit me njërin nga studiuesit dhe shkrimtarët më të shquar bashkëkohor të letrave shqipe, Anton Nikë Berishën, të përçojë tek lexuesi disa nga përvojat krijuese dhe dijet teorike letrare të tij. Kjo del pahetueshëm edhe nga qëllimi i autorit që bashkëbiseduesin e tij ta quaj një “enciklopedi e gjallë letrare”, i cili në tryezën e punës  mbante shkrimtarët e preferuar, ose “mbretërinë e tij letrare”.

I rrethuar nga kjo mbretëri, prof. Antoni në sytë e Gani Bytyçit dilte një eruditi për arsye se “sa herë të flasësh me të, ai nxjerr një detaj nga jeta, një varg nga poezia, një nuancë nga kuptimi”.

Një shtyllë tjetër mbi të cilën rëndon pesha e përsiatjes filozofik e estetik të këtij libri, është ideja e autorit që përmes bashkëbisedimit kreativ me prof. Antonin të depërtohet edhe në vet procesin e ndërlikuar të krijimit. Ky mbase është edhe një përfitim mjaft domethënës edhe për letrarët e rinj, të cilët do të mund të mësonin detaje të panjohura nga përvoja krijuese e hulumtuese e prof. Antonit, sepse ai gjatë bashkëbisedimit kishte nxjerrë disa nga “sekretet” e tij të të shkruarit, por dhe të autorëve që ai i kishte njohur personalisht.

Një përfitues i kësaj “shkolle krijimi” del të jetë edhe vet autori i këtij libri, Gani Bytyçi, i cili edhe e pranon se gjatë bisedës me Profesorin (gjithkund në libër e shkruar me germë të madhe), ai kishte mësuar gjëra me vlerë që do t’i shërbenin në përvojën e mëpastajme krijuese, po njëherit edhe vetë e dëshmon një dije e aftësi për t’i thënë e shtruar gjërat.

Ky libër, që përmban në vete elemente të kronologjisë dhe ditarit, i shkruar me pasionin e autorit që është tepër kureshtar për fshehtësitë e padukshme të artit dhe të gjithë asaj që e bën një vepër të plotë për nga përmbajtja, ideja, teknika e krijimit, do të shënojë edhe një sukses në eseistiken tonë bashkëkohore.

“Sa herë që bisedoja me Profesorin, doja që ai të fliste më shumë”. E thotë këtë autori i librit, teksa depërton në shtresat më komplekse të problematikave që ai i mbarështonte gjatë bashkëbisedimit, duke i dhënë prof. Antonit edhe një atribut me plot meritë – atë të “ciceronit” në eksplikimin e hapësirave të paana të letërsisë, të artit, të estetikës e të filozofisë.  Pra, autori dëshironte që “Profesori të fliste më shumë”, ndonëse, siç e thotë ai, “kur flasim me Profesorin, asnjëherë nuk e dimë se kur fillonte biseda dhe kur mbaronte”.

Gani Bytyçi, përmes këtij libri, sjell një përvojë të re tekstore, që do t’u shërbejë edhe autorëve të tjerë për t’i shndërruar komunikimet e tyre me krijuesit në testamente shpirtërore.

Këtë angazhim intelektual e krijues të autorit, Gani Bytyçit, do duhej kuptuar edhe si mirënjohje për përkushtimin e pareshtur dhe punën e madhe të Anton Nikë Berishës, në fushën e krijimtarisë dhe të studimeve letrare. Them kështu edhe për faktin se mos vëmendja shoqërore e institucionale ndaj njerëzve të dijes është shndërruar në një ‘infarkt’ të ndërgjegjes sonë kolektive, e cila assesi nuk mund të shërohet nëse nuk fillojmë ta bëjmë mirënjohjen pjesë të mendësisë sonë civile. Pra, me të drejtë Gani Bytyçi, nxjerr një klithmë njeriu të shqetësuar, në formë të dilemës intelektuale se “përse ne sikur kemi frikë nga mirënjohja dhe nga ndriçimi i punës së të tjerëve?”

Në përmbyllje do të doja të shpreh edhe njëherë kënaqësinë e të qenit tërthorazi pjesë e një procesi krijues, të cilin autori me shumë sukses e kurorëzoi, duke na sjellë një kontribut me vlerë në kulturën e respektit dhe konsideratave ndaj prof. dr. Anton Nikë Berishës.

Shkup, 5 gusht 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora