E premte, 19.04.2024, 08:09 AM (GMT+1)

Mendime

Sazan Gjomemo: Pas sendërgjimit të agresionit ndaj heroit tonë kombëtar

E premte, 05.12.2008, 02:02 PM


Pas sendërgjimit të agresionit ndaj heroit tonë kombëtar

 

Nga Sazan Gjomemo

 

Erdhi Mesia, madje me bibël në dorë, bashkë me Gjon Pagëzorin. Djaloshi zviceran, Oliver Jens Schmitt, autori i një monografie për Skënderbeun, dhe kthyesi i tij në shqip, studiuesi, i pjekur tashmë në moshë, Ardian Klosi, të gjithë këta së bashku, na bëjnë me dije se kanë bërë zbulimin e madh: Gjergj Kastrioti nuk është Skënderbeu historik që ne njohim, Prijësi i Madh i shqiptarëve në shekullin e XV, atlet i krishtërimit, por një feudal i vogël, që endet i humbur diku midis maleve, që nuk e ka mjaft të qartë, madje edhe se çfarë kërkon e çfarë bën. Përfundimi që ka arritur Schmitt-i në librin prej 550 faqesh është se Skënderbeu e nisi ndërmarrjen e tij njëzetepesë vjeçare për t’u hakmarrë për babanë e vrarë nga sulltani, me qëllim që të shkatërronte perandorinë e, ndoshta më pas, mbase ndërtonte një shtet apo mbretëri arbërore. Si tek Homeri: Agamemnoni ngre lakedemonasit, akejtë, mirmidonasit, itakasit, etj, për të shpaguar nderin e kunatës, Helenës së bukur, të shkatërronte Trojën dhe të bëhej ç’të bëhej. Nëse do të kishte shkruar një roman me fabulën e mësipërme mund të kishte qenë i suksesshëm dhe mund t’i afrohej Blushit. Siç thotë autori, në këtë përfundim e udhëhoqi zbulimi i një dokumenti, që e bëri të ndryshonte karakterin e librit, të cilin e kishte përfunduar më përpara. Në dokumentin, që është një leter që dy njerëz të Dukës së Milanos i dërgojnë zotërisë së tyre, shkruhet se një i deleguar i Skënderbeut i ka thënë Papës se ai e kishte nisur luftën kundër Turqisë si një hakmarrje për babanë që i kishte vrarë sulltani. Dokumenti mban datën 10 Shkurt 1454, dhjetë vjet pasi Skënderbeu kishte filluar kryengritjen, ndërkohë që kishte arritur shumë fitore, kishte përballuar me sukses rrethimin e parë të Krujës dhe ishte shpallur “Atlet e Kampion i Krishtërimit”. Ishte bërë i njohur, pra, edhe qëllimi i luftës së tij, édhe fitoret e tij, aq sa e gjithë bota e krishterë i kishte drejtuar sytë me shpresë vetëm tek ai. Çfarë logjike e ç’nevojë do e shpjegonte këtë dërgatë të Skënderbeut te Papa? As nuk mund të besohet që delegati i Skënderbeut të ketë bërë ndonjë lajthitje, sepse ai dërgonte te Papa dhe te cilido fetar tjetër të shquar të kohës dhe përkrahës të zjarrtë të çështjes së tij si: Peshkopin e Drishtit dhe të Durrësit. Pal Engjëllin; At Dhimitër Frangun, At Pjetër Perlatin, At Pal Kukën etj; por edhe fisnikë e gjeneralë të tjerë të denjë, si Tanush Topia, Vrana Konti, Zaharia Gropa, Vladan Jurica etj, të cilët nuk do të pranonin të luftonin nën Skënderbeun për një motiv të tillë, jo më ta përçonin atë te Papa.

Logjika të thotë se dokumenti de Curte-Trivulzio, nëse nuk është një e dhënë e qëllimshme dashakeqe, ndonjë tjerrje e diplomatëve venecianë etj, do të ketë qenë thashethem i thjeshtë në ndonjë kafene të Romës, që ashtu siç do të ketë entuziazmuar diplomatët e dukës, entuziazmoi edhe autorin e monografisë. Një krijues serioz dhe një historian i skrupullt do të mendohej mirë përpara se të ndryshonte karakterin e librit dhe të heroit të tij, duke u nisur vetëm nga një e dhënë, të cilën edhe vetë duhej ta dyshonte e ta peshonte duke parë edhe thjesht datimin. Por kjo është punë dhe detyrë e tij. Të dhëna të sakta historike vërtetojnë të kundërtën. Vëllai i Sulltan Mehmetit u vra në vitin 1451, kur Skënderbeu kishte shtatë vjet që luftonte kundër Turqisë. Kush e vrau princin turk? E vrau vëllai i tij, Mehmeti 19 vjeçar, për të likuiduar një pretendent për fronin dhe u shpall vetë Sulltan Mehmeti i Dytë. Për informacion, por edhe për argument: pas vrasjes i njëjti sulltan nxori një dekret i cili u quajt “Ligja e Vëllavrasjes” ku jepte lejen ligjore që, “për të mirën e shtetit, ai prej bijve të mi të cilët Perëndia i ka besuar sulltanatin mund të vrasë vëllezërit e vet…” . Dhe ndodhi që i biri i tij, Bajaziti, vrau të vëllanë, pretendentin kryesor, dhe të dy vëllezërit e tjerë bashkë me fëmijët. I biri i Bajazitit, Selimi, bëri të njëjtën gjë e kështu me radhë. Në shekullin XV e deri në fund të shekullit XVI u vranë rreth gjashtëdhjetë princa të familjes Osmani nga i afërmi i tyre që erdhi në fron. (Georges Castellan, “Histori e Ballkanit”, f.89,101,103,115, Tiranë 1991).

Gjon Kastrioti nuk u vra nga sulltani, por pati një vdekje të natyrshme dhe në vend të tij si subash i Krujës u dërgua i biri. Kjo vërtetohet nga dy dokumente të defterit turk për Sanxhakun e Shqipërisë të vitit 1438, në të cilat Skënderbeu, me cilësinë e kësaj detyre, urdhëron ndryshime dhe regjistrime pasurish në fshatrat Donjan, Moknar dhe Mamurras duke nënshkruar me emrin Skënderi, i biri i Gjonit (Iskander Joanoglu). Të njëjtën gjë vërteton edhe historiani italian da Lezze, i nisur nga burime të tjera (Burime të Zgj. për Hist. e Shq. V.2, f.281-282). Nuk mbetet asgjë nga fabula e autorit të monografisë. Bie edhe premisa apo baza mbi të cilën ai ka mbështetur logjikën për të arritur përfundimin mbi karakterin vetjak të luftës së Skënderbeut dhe të gjithë kryengritjes shqiptare të shekullit XV. Premisa e gabuar që e udhëhoqi në një përfundim të pasaktë, detyrimisht do ta çonte dhe në analiza e komente jo të sakta në vazhdimësinë e librit, çka duket se edhe ka ndodhur. Nga një pasazh i botuar në gazetën “Panorama” te datës 11 Nëntor 2008 nuk është e vështirë te kuptohet sesa jashtë kohës është autori, kur në shekullin XXI vazhdon ta shpjegojë historinë me tezat e huazuara nga Homeri, pa dyshuar aspak se mund ta ketë bërë me qëllim që ta ulte figurën e Skënderbeut. Një Skënderbe homerik dhe ala Vilhem Tel mund t’i jetë dukur më intrigues, dhe nuk ka menduar se një konceptim i tillë do të ishte i papranueshëm për historianët shqiptarë e të tjerë, që e njohin më mirë e më thellë problemin. Dhe sigurisht nuk mund të thuash që libri do të jetë krejt pa vlera, për më tepër pa e lexuar. Në fund të fundit do të mbetet vlera e dokumenteve që me mundim ka mbledhur autori zviceran, disa prej të cilave të panjohura më parë. Është e drejta e studiuesve të tjerë shqiptarë e të huaj që të nxjerrin përfundime të tjera, të ndryshme dhe të kundërta nga Schmitt-i.

Një libër i vetëm as e ul as e ngre më lart Skënderbeun nga piedestali mbi të cilin është vendosur dhe qëndron me meritë të padiskutueshme. Qëllimi nga nisemi për të shkruar nuk lidhet me vetë librin. Ajo që nuk lë përshtypje të mirë është përpjekja e kërryesit të librit dhe veçanërisht e kthyesit të tij në shqip, për të na krijuar mendimin se kjo monografi është e vërteta në instancë të fundit për figurën dhe luftën e Skënderbeut, me një prirje të dukshme për të mohuar rolin dhe rëndësinë e veprës së tij të pakrahasueshme me ndonjë tjetër. Autori është gjithsesi më i rezervuar, mjaftohet me paraqitjen e zbulimit homerik (“O muzë, këndo Mërinë…”), me vërejtjen se nuk i pëlqejnë monumentet tona dhe me një qëndrim jo fort modest tek këshillon sesi duhet bërë historia e Skënderbeut në veçanti, por edhe historia në tërësi….. Te tjerat i merr përsipër kthyesi Klosi me një artikull (fjalim progamatik) në gazetën “Shekulli” , më 10.11.2008. Si në këngën labe, në fillim kërryesi, ai që e thotë i pari, pastaj kthyesi dhe hajde iso, burra. Siç shkruan, pas përkthimit të monografisë “Skënderbeu” të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, i ndriçuar tashmë, ka marrë të lexojë librin e klasës së katërt të shkollës 9-vjeçare dhe ka kuptuar se është krijuar një “sendërgjim njëqindvjeçar”, që rëndon në psikikën e njëmbëdhjetëvjeçarëve shqiptarë, ata mashtrohen dhe keqedukohen me mitin e Skënderbeut.

Dhe uron e orienton që “…botimi i kësaj monografie, me vështrimin e saj depërtues shumëplanesh me dokumentacionin jashtëzakonisht të bollshëm që sjell, me analizën kritike të biografëve të parë e modernë të Skënderbeut, me zbërthimin e skënderbejadës nacionaliste-komuniste të sjellë dalëngadalë në vendin tonë një Skënderbe që hyn e rri brenda figurës reale, si shenjë e hapjes sonë drejt vetvetes dhe fqinjëve(!), si vajtje në vend e kujtesës historike, çka mund të lexohet edhe të “harresës historike”. Kjo nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe nëse në artikullin e Klosit nuk do të bëhej krejt e qartë se me “zbërthim të sendërgjimit” kuptohet shkurorëzimi i Skënderbeut, dhe se Skënderbeu “real” që na ofron ai nuk ka asnjë gjë të përbashkët me Skënderbeun e vërtetë real historik, jo në kuptimin e ndjeshmërisë patriotike të shqiptarëve por, para së gjithash në rrafshin shkencor e historik. Ideja e “zbërthimit të sendërgjimit” ngjan me një lloj të ri revolucioni kulturor-proletar, ku librat me citatet e Mao Ce Dunit zëvendësohen me librin e shokut Schmitt. Batërdi! Të rrëzohen mite, monumente, buste, shtatore, të digjen libra. Klosi i propozon edhe kryeqeveritarit t’u mbyllë gojën historianëve zyrtarë. Që në krye kritikon historianët zyrtarë se në librin e klasës së katërt e trajtojnë Skënderbeun si Hero Kombëtar të shqiptarëve në të tri shtetet ku janë shpërndarë shqiptarët. (Aty kanë qenë shqiptarët pa lerë diell e hënë, zoti Klosi). Kjo është sa jologjike edhe e papërgjegjshme në të gjitha pamjet. Skënderbeu është realisht Heroi Kombëtar i shqiptarëve jo vetëm në të tri shtetet por kudo ku ndodhen, prandaj i kanë ngritur monumente në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup e gjetkë. Ata vetë e kanë vendosur.

Pastaj gjen fajtorët. “Sendërgjimin” e krijuan rilindësit dhe historianët zyrtarë (kupto komunistë) gjatë njëqind vjetëve që nga Naimi, Noli, deri te Kadareja. Mund të thoshte edhe pesëqindvjeçare; por ka arsye që nuk e thotë, sepse nuk ka se si të shpjegojë “indoktrinimin” atdhetar të rilindësve të parë shqiptarë të Barletit dhe të At Dhimitër Frangut, që janë edhe autorët e parë që shkruan nga një histori të Skënderbeut, në të cilat u bazuan të gjithë të tjerët, të vetmit që e njohën Skënderbeun dhe që nuk kishin asnjë arsye të jepnin një Skënderbe jashtë përmasave të tij. Ata shkruan që vepra e tij reale të mos humbiste. Frangu ishte bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe e shoqëroi atë në vizitën te Papa në vitin 1466. Midis atyre që krijuan “sendërgjimin” ishte edhe imzot Noli, - sqaron Klosi, - sepse në “Historia e Gjergj Kastriotit - mbretit të shqiptarëve (Boston 1921)”, “të cilit aq iu errën sytë para sajesës “Anonimi i Tivarit” të priftit falsifikator Biemmi dhe ndërtoi Skënderbeun e tij mbi këto fantazi”. Papërgjegjshmëria e Klosit shkallëzohet në ngjitje, jo aq sepse shpall për herë të parë “naivitetin” e Nolit, dhe akuzon për gënjeshtar një prift të nderuar, i cili nuk kishte asnjë interes të shpikte e të shpifte për interesat e shqiptarëve, por për faktin që Fan Noli aq i përgjegjshëm në punë shkencore e ka vërtetuar që “Anonimi i Tivarit” është pikërisht shqiptari i madh, Peshkopi i Drishtit dhe i Durrësit, i mirënjohuri Pal Engjëlli, këshilltari besnik dhe udhëheqësi shpirtëror i Skënderbeut, dhe, “sikundër na thonë Fallemerayer-i dhe Hopf-i, kronikani i Raguzës Luccari përmend një histori të Skënderbeut prej Pal Engjëllit”. (Fan Noli, Hist. e Gj. Kastriotit f.106, Athinë 1998). Zoti Klosi ndoshta nuk e di, por Noli punoi për historinë e Skënderbeut më shumë se tridhjetë vjet, aq sa ka jetuar deri tani Schmitt-i dhe afërsisht sa gjysma e viteve të vetë Klosit. E nisi punën që në vitin 1912, e ripunoi dhe e botoi tri herë, të parin botim në vitin 1921 dhe të fundit më 1949, duke e ndryshuar, madje përcaktimin “mbret” në kryezot. Një njeriu që nuk i di mirë çështjet për të cilat shkruan, Fidia, piktori i lashtë grek do t’i thoshte “këpucar, gjyko për këpucët”. Tek lexon përgjegjësinë e rilindësve për krijimin e sendërgjimit, të kujtohet filmi “Të Mjerët” sipas librit të njohur të Viktor Hygoit, skena ku djaloshi Gavrosh, në moshën e njëmbëdhjetë vjeçarëve të sotëm shqiptarë, përpara barrikadës së kryengritësve, mbledh fishekët e ushtarëve të vrarë duke kënduar e duke ngacmuar ushtarët që gjuanin, se për ato që po ndodhin “Fajin e ka Volteri” që “ i ngriti popujt nga ai gjumë”, - do të shkruante Naim Frashëri më pas, fajtor edhe ai për krijimin e sendërgjimit. Ah, ky Volteri! Dyqind e ca vjet përpara se të lindnin Klosi dhe Schmitt-i, guxoi dhe shkroi: “Sikur të kishin luftuar perandorët e bizantit si Skënderbeu, Kostandinopoli nuk do të kishte rënë në duart e turqve”. Sigurisht edhe rilindësit duhen parë me sy kritik, por jo ta godasësh kështjellën e tyre me gurë e broçkulla të tilla, sepse muret e asaj kështjelle janë shumë të forta, ashtu si të kështjellës së Krujës së Skënderbeut. Dhe ato leksione të kthehen mbrapsht.

“Zbërthimi i sendërgjimit” ose rrëzimi i skënderbejadës nga Klosi nis me një çështje ushtarake. Duke analizuar tekstin e klasës së katërt dhe me duart në fytin e historianëve zyrtarë na thotë se, “më 1443 Skënderbeu iu drejtua Krujës dhe e çliroi” dhe bën vërejtjen e vet, “ Skënderbeu nuk e çliroi Krujën, por e mori me një ferman të rremë…” Në të vërtetë një kështjellë mund të çlirohet edhe me sulme dhe përleshje ushtarake, por edhe me prerjen e ujit apo bllokadën e urisë, edhe me një ferman të rremë. Një qytet që i merret kundërshtarit me çfarëdolloj forme quhet qytet i çliruar.

Ky ishte fillimi i sulmit për “zbërthimin e sendërgjimit” nga ana e zotit Klosi. Po të vazhdojmë me terma ushtarakë, më pas ai nis bombardimin e kështjellës skënderbejane me gjyle si prej topave të dy sulltanëve që nuk e morën dot me gjalljen e Skënderbeut. “Më 28 Nëntor 1443 u shpall zot i principatës së pavarur të Kastriotëve me qendër Krujën” dhe Klosi sqaron se Kastriotët nuk kanë patur ndonjëherë principatë të pavarur. Dhe në vazhdim hedh kryegjylen e gjëmës së madhe: “§shtë gabim i madh t’i quash principata sundimet e familjeve arbërore pasi të parët e tyre do të quheshin princa…. Prandaj edhe Skënderbeu zgjodhi për flamur ( të kuptojmë si simbol për flamurin) shqiponjën dykrenore bizantine sepse vetëm Bizanti i shpërndante titujt dhe askush nuk do të guxonte ta shpallte veten princ, siç vëren me “saktësi” Schmitt-i” (gjithmonë në shenjë godet ky Schmitt-i !)

Ta shohim në këndvështrim gjuhësor. Edhe në fjalorin dygjyhësor të njëmbëdhjetëvjeçarëve shqiptarë e zviceranë fjala “princ” përkthehet - sundues, zotërues, kryesor. Nëse mësuesi pyet: Çfarë do të thotë princ? Ata do të përgjigjen: Sundues, zotërues, kryesor. Dhe anasjellas. më zbërthyeshëm: Princ është ai që qëndron në krye të rendit, të njerëzve e të punëve në hapësirën ku sundon, siç ishte Skënderbeu. Përse të mos i quajmë princa sunduesit shqiptarë dhe sundimet e tyre principata. Kuptohet, në rrafshin shkencor e historik të teorisë së shtetit çështja nuk është kaq e lehtë, ka pikëpyetje e diskutime të pranueshme. Por tek e vërteta nuk shkohet me një mohim të thjeshtë. Për të depërtuar në të duhet analizë e thellë, jo me metoda të ngrira skolastike, as me snobizëm, veçanërisht për atë periudhë disi të errët të historisë së Shqipërisë, kur nuk janë të mjaftueshme edhe vetë dokumentet, por edhe kur mjaft prej tyre janë formuluar e shkruar nga njerëz, qofshin edhe historianë të cilët përfaqësojnë shtete e forca, interesat e të cilave shkonin përkundër atyre të shqiptarëve. Një historian i huaj, aq më tepër nje zviceran, vendi i të cilit nuk ka përvoja negative si Shqipëria mund të gabojë lehtë në gjykimin dhe analizat e tij, por një studiues shqiptar duhet të mendojë mirë përpara se të flasë e të shkruajë për të tilla çështje, jo në kuptimin e ndjeshmërisë patriotike, çka lë për të dëshiruar, por thjesht në kuptimin historik. Nuk mund ta trajtosh në një shkrim të tillë këtë çështje por, sa për ngacmim, le të hyjmë pak në bizantin e kohës kur lulëzuan principatat shqiptare, pra edhe të Kastriotëve. Bizanti, ku përfshihej edhe Ballkani, kishte hyrë në procesin më të thellë të zvetënimit, në fazën e fundit të atij degradimi që zgjati disa shekuj. Ishte copëzuar e copëzohej në vazhdimësi në perandorira, mbretërira, në despotate e principata që secili nismëtar i tyre i shpallte dhe i drejtonte si e mendonte dhe sa i kishte këllqet e forcat në një kuptim të gjerë. Shumica e këtyre ndarjeve në procesin shekullor të shkërmoqjes nuk ia merrnin dorën Bizantit. Kur u krijuan principatat shqiptare, për saktësi që në shekullin XIV, Bizanti e kishte humbur pusullën për të mos e gjetur më kurrë. Ndërsa kur Skënderbeu shpalli principatën e tij të pavarur dhe veten princ të epirotëve, Bizanti i Schmitt-it dhe i Klosit “kishte ngrënë kum te bova”, - siç i thonë në Vlorë. Bashkë me pusullën kishte humbur edhe vulën. Nuk kishte më perandori bizantine. Bizantit, i tkurrur në Kostandinopolin e rrethuar nga turqit, që ishin bërë zotër të asaj hapësire që dikur ishte quajtur perandori bizantine, priste me ditë dhe me orë fundin e tij të pashmangshëm, çka edhe nuk do të vonohej. Qyteti i famshëm, Roma e dytë, që e nisi jetën e vet me lavdi me Kostandinin e Parë, do të mbaronte me turp nën Kostandinin e Nëntë. Kujt t’i kërkonte leje dhe vulë Skënderbeu, Sulltanit apo Kostandinit? Kostandini po mbytej në Bosfor, kurse Sulltanin Heroi shqiptar e kishte “bërë def”. Ai e shpalli edhe principatën e pavarur me qendër Krujën, edhe veten e shpalli princ. Skënderbeu shkroi edhe në përkrenaren e tij të lavdishme “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - Princi i epirotëve”. Dhe askush nuk guxoi të bënte gëk. Vetëm Klosi me Shcmitt-in nuk e pranojnë. Fushata e përgatitjes me artileri të mësymjes për “zbërthimin e sendërgjimit” vazhdon. Duke mohuar e kundërshtuar gjithçka që kanë vendosur historianët zyrtarë në tekstin e thënë, Klosi radhit të gjitha ato që nuk kishte dhe nuk bëri, sipas tij Skënderbeu, pa dhënë as më të voglin argument përveç thënies shumë të përsëritur, siç vëren “me saktësi” Schmitt-i, duke shtrembëruar ndoshta edhe atë: “Lidhja nuk ishte etnike dhe kombëtare e atdhetare. Skënderbeu nuk ishte i të njëjtës sërë me fisnikët e tjerë shqiptarë. Autoriteti i tij si i parë ishte i përkohshëm. Nuk kishte oborr, oborrtarë, vasalë. Nuk kishte kryeqytet. Nuk kishte aparat administrativ, as diplomatë. Nuk kishte Këshill të Princave, Këshill të Luftës, gjykatë e gjykim. Nuk ishte komandant i përgjithshëm apo kryekapedan” (Hapu dhe të futet!). Prirja për mohim pa analizë është e dukshme dhe ndoshta s’do të kishte nevojë për koment.

A ka vend për diskutime në të gjitha këto? Sigurisht. Nuk ka dyshim se autorët e tekstit apo historianët zyrtarë, siç i quan Klosi, kanë bërë edhe teprime, edhe pasaktësira relative, edhe politizime, të ndodhur ndoshta edhe para vështirësive për ta dhënë si figurën edhe kohën komplekse të Skënderbeut, në një tekst shkolle për fëmijë të moshës njëmbëdhjetëvjeçare. Por, kur Klosi e shtron problemin në kuptim krejt negativ dhe kur brohoret me bam bam e tam tam, se me monografinë e re çdo gjë u sqarua, se Mesia erdhi dhe Biblën ua solli, mësojeni përmendësh, këndojeni si në kishë. Kur të nguc në këtë mënyrë të vjen t’i thuash: “Mos na kërko delet para se çobanin / Mos na kërko nderin para se mejdanin”.

Sigurisht që ka vend për diskutim, por jo të çështjeve që janë më se të qarta. Të mohosh karakterin atdhetar të kryengritjes është diçka më shumë se e pakuptimtë. Kur njerëzit e një kombi mblidhen për të luftuar kundër një pushtuesi, apo kur ngrihen në kryengritje për të shporrur një pushtues, për këtë nuk ka fjalë tjetër veç fjalës atdhetare. Vetëm Klosi mund të na gjejë një fjalë tjetër. Nëse karakterin kombëtar, sipas Klosit, ia prish prania në të e Stafan Cernojeviqit me të bijtë, duhet ditur se ata nuk erdhën në Lezhë si malazezë, por si kunati dhe nipërit e Skënderbeut, ishin bashkëshorti dhe bijtë e Marës, motrës së Heroit. Sa për dytësinë në sërë, çka sipas Klosit, Kastriotët e përmirësuan me martesa të zgjuara të Gjonit dhe të Skënderbeut,si do të shpjegohej nxitimi i familjeve më të larta të merrnin kush e kush më parë bijat e Gjonit? Balshajt Jellën, Muzakajt Vllajkën, Topiajt Mamicën, Aranit Komnenët (një degë e Topiajve) Angjelinën, Cernojeviqët, Marën. Ndërsa se sa fisnik ishte Skënderbeu, u kujtojmë Klosit, Schmitt-i dhe kusjtdo tjetër, le të lexojnë letrën që Skënderbeu vetë i dërgon Johanes Antonius de Orsin-it, princit të Tarantos. (Bur. të Zgj. për Hist. e Shqip. V.II, f. 329-331). Në fund si shpjegohet që sunduesit shqiptarë e zgjodhën Skënderbeun kryekapedan të tyre në Lezhë. Kishte apo nuk kishte shtet Skënderbeu? Kjo është çëshjta. Duket se këtu bien të gjitha gjylet e Klosit. Sipas tij, “Skënderbeu nuk kishte, sepse nuk kishte mbretëri dhe nuk ishte mbret, siç gënjejnë historianët zyrtarë; nuk kishte as kufij, as kryeqytet, as vasalë, asnjë përbërës të shtetit”. Papërgjegjshmëria shkon në rritje paralel me cektësinë e mosdijen.

Noli nuk bën pohime të thjeshta kur me argumente vërteton se Skënderbeu e ndërtonte shtetin ditë për ditë me masat që merrte, që nga organizimi i ushtrisë, te veprimtaria ekonomike, te politika, te diplomacia etj. Ishin masat centralizuese që ndërmerrte Skënderbeu për të përqendruar sa më shumë pushtet në duart e tij, që i bënë disa individë, anëtarë të Lidhjes, si Lekë Dukagjini dhe vëllezërit e Donikës, kunetërit e kryezotit tonë dhe ndonjë tjetër të afërm të tij, që të ftoheshin e të tërhiqeshin përkohësisht nga Lidhja dhe jo fantazitë e Klosit. Nëse masat e tij përqendruese nuk i pranuan disa individë të familjeve të mëdha, (karakteristikë botërore në të gjitha rastet kur një sundues, monark ose jo, ka arritur në përmasa të tilla), në rastin e Skënderbeut i pranuan familje të tjera të njohura dhe sidomos feudalët më të vegjël, të cilët ishin jo thjesht vasalë, por edhe besnikë të Skënderbeut. Sepse përbënin sekretin, zemrën e shtetit, të ushtrisë, të ekonomisë dhe të fitoreve të tij.

Argumenti kundër që sjell Klosi është ai që Skënderbeu e vari sundimin te Mbreti i Napolit, i cili kurrë nuk e quajti veten mbret të Shqipërisë. Traktati i Gaetës, ku u nënshkrua vasaliteti i Skënderbeut, është një dokument të cilin, ashtu si edhe shumë të tjerë, historiani duhet ta lexojë edhe midis rreshtave; të lexojë, madje edhe faqen e pashkruar pas tij, dhe ta ballafaqojë me marrëdhëniet e njëmendta që ndërtoi Skënderbeu me Alfonsin dhe me të birin, Ferdinandin, i cili e quante Skënderbeun “baba”. Në kuptimin e pastër historik Alfonsi, mbreti i Napolit dhe i dy Sicilive, synonte të linte një perandori mesdhetare, e cila të ishte edhe trashëguese e ish-perandorisë bizantine, ndërsa Skënderbeu - i ndodhur në atë kohë midis dy armiqve, midis Turqisë dhe Venedikut, - ndiqte dhe bënte politikën dhe diplomacinë e tij. Ai traktat tregon më shumë zotësinë e Skënderbeut për të ndërtuar shtetin sesa të kundërtën.

Skënderbeu nuk ndërtoi shtetin që do të quhej mbretëri për shkak të shumë kushteve dhe arsyeve; por nuk mund të gjendet asnjë argument që ai nuk ishte kryezot dhe kryetar i një shteti të pastër në principatën e tij të drejtpërdrejtë, në hapësirën midis Dibrës dhe detit dhe midis lumit Drin dhe lumit të Tiranës, në krahinat e Dibrës, Matit, Krujës, Mirditës, Çermenikës dhe Tiranës, kufij që herë pas here, sipas gjendjeve kohore, shtriheshin deri në kufijtë që përcaktojnë historianët zyrtarë e më gjerë. Shteti i Skënderbeut kishte edhe “kufijtë” e vet shpirtërorë që lidheshin me karakterin e veçantë të luftës së tij. Le të përmendim vetëm Labërinë, banorët e së cilës ishin jo vetëm nga luftëtarët më të shquar të tij, por edhe pas vdekjes së tij thirrën të birin, Gjonin, dhe ndërmorën një tjetër kryengritje disavjeçare. Shteti në kuptimin teorik ka parime të caktuara, por në periudha të ndryshme historike ka pasur edhe karakteristika të veçanta, ashtu si edhe në vende e kombe të ndryshme ka pasur perceptime dhe praktika të ndryshme për qenien, llojin dhe mënyrën e funksionimit të tij. Historianët më të njohur qysh nga lashtësia kanë zbuluar se, pas pushtimeve të mëdha romake, si edhe pas sundimit bizantin e turk, shqiptarët bënë përpjekjet e tyre për të ruajtur vetëqeverisjen, duke u tërhequr në male, atje ku nuk i arrinte dot pushtuesi. Dhe vazhdonin jetën sipas traditave të tyre. Skilyksi, një historian grek i shekullit V para Krishtit, shkruan se kaonët, thesprotët dhe molosët jetonin nëpër katunde dhe qeveriseshin pa mbretër. Tuqididi, duke shkruar për një betejë të luftës së Peloponezit, në librin e tij me të njëjtin emër vë në dukje se “… nga barbarët ishin njëmijë kaonë, të cilët qeverisen pa mbretër, në krye të të cilëve ishin Foti dhe Nikofori, që rridhnin nga fisi i parë. Bashkë me kaonët merrnin pjesë edhe thesprotët, të cilët qeverisen, gjithashtu, pa mbretër”. Skënderbeu, që rridhte nga fis i parë, njohës i mirë i historisë dhe i traditave e psikologjisë të popullit të vet, që e quante veten epirot, ndoshta me ndërgjegje ndërtoi shtetin e “Prijësit” që nuk quhet “mbret”, atë lloj shteti që, për atë kohë, do të ishte më i pranueshëm për shqiptarët që kanë prirjen për ta quajtur secili veten mbret.

Ndoshta kjo është e vështirë që të kuptohet nga ata që e vështrojnë kështjellën e tij shtetërore nga jashtë, veçanërisht për një të ri që nuk ka ende përvojën e duhur në lëmin e historisë dhe që nuk ka mundësi të njohë me hollësi psikologjinë dhe veçoritë e tjera të shqiptarëve; por një studiues shqiptar duhet të jetë më i përgjegjshëm përpara se të bëjë mohime të tilla krejt të pabaza. Sidoqoftë Bajroni do të ketë kuptuar shumëçka kur shkroi me frymëzim për Shqipërinë: “…Shqipëri ku lindi Iskanderi /Dhe Iskanderi tjetër që i dërrmoi / Përherë armiqtë me kordhën e tij kreshnike…”. Shteti i Skënderbeut ndoshta nuk ishte plotësisht i arrirë, por ishte një shtet që i dërrmoi armiqtë e tij.

Skënderbeu jetoi në kohë të jashtëzakonshme dhe rastisi të ishte edhe vetë i jashtëzakonshëm. Prandaj edhe shkroi një epope të jashtëzakonshme, aq sa të pasmit u mrekulluan derisa édhe disa studiues e historianë të mos e kuptonin. Dokumente mund të mbledhë çdo studiues, apo cilido që e quan veten të tillë, kushdo që shkruan. Por për të arritur në përfundimet e duhura, të sakta, shkencore e të bazuara historikisht, mbase edhe ai duhet të jetë paksa i jashtëzakonshëm, siç ishte Noli. Barra e rëndë e studimit të veprës së tij kërkon ta tërheqësh pas vetes për vite të tëra pune të mundimshme dhe të mos harrosh për asnjë çast thënien e madhe të Fallmerayer-it, studiuesit kritik, ashtu si edhe Noli, të cilin Klosi na përmend, çuditërisht, si një nga “argumentet” e tij për të ulur nga froni dhe nga piedestali Skënderbeun. Duke kritikuar autorë të mëparshëm dhe duke pohuar gjithsesi vlerat e Skënderbeut ai arriti në përfunimin: “Gjergj Kastrioti është një nga luftëtarët më të mbaruar, më faqebardhe dhe më të mëdhenj të botës. Sa ishte gjallë e ruajti lirinë e kombit. Këtë nuk mundi t’ua linte trashëgim stërnipërve, ashtu si nuk mundën edhe të dy bashkatdhetarët e tij të dëgjuar, Pirro dhe Ali Pasha. Po këta i kapërceu jo vetëm në madhështinë e vërtetë, por edhe sepse u tërhoq nga fusha e veprimeve midis famës dhe shkëlqimit, si mundës i kurorëzuar me dafina, i cili u thye vetëm pas vdekjes”. Sipas kësaj thënie të Fallmeryer-it Skënderbeu, në kundërshtim me atë që thotë Klosi i nisur nga analizat e librit të Schmitt-it, bëri luftë atdhetare, kishte edhe shtet, ishte edhe i tërë kombit.

Ky është Skënderbeu ynë, real dhe historik. Dhe çdo libër tjetër i çdo karakteri që mund të dalë nëse do të arrinte tek e vërteta historike, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do t’ia rriste madhështinë. Ky Skënderbe na hapi me lavdi përpara botës, qysh përpara pesëqind vjetësh. Dhe askush nuk ka krijuar të ashtuquajturin “ sendërgjim” që u dashka zbërthyer që të hapemi sot para vetes dhe fqinjëve(!).

Hapja nuk bëhet duke rrëzuar shtylla të tilla që nuk janë aspak mite, por realitete, si Skënderbeu Kombëtar dhe Gjuha e Njehsuar Kombëtare. Lavdi Zotit që ka ndriçuar mendjet e atdhetarëve dhe të historianëve, të cilët kanë lënë gjurmë nëpër arkiva dhe nëpër biblioteka, në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe që, në çastet më të vështira, janë ngritur njëzëri kundër mendimeve denigruese dhe antikombëtare ndaj atyre që duan të përbaltin gjithçka është mbrojtur me gjak e me flijime. Ja përse edhe Skënderbeu mbetet fatlum dhe nuk mund të denigrohet dot.

 

*Autori është studiues dhe përkthyes



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora