Kulturë
Kadri Tarelli: Suedezi i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët
E enjte, 12.08.2021, 07:11 PM
PER KETTISEN
Suedezi i dashuruar me
Shqipërinë dhe shqiptarët
Nga Kadri Tarelli
Kam
qenë i pranishëm në pritje dhe përcjellje të vizitorët që vinin dhe vazhdojnë
të vinë nga Suedia, ku përfshiheshin drejtues arsimi, drejtor shkollash, mësues
shqiptarë e suedezë, kryetar komune, shkrimtarë, gazetarë, prindër dhe grupe
nxënësish, etj, etj. Duke nderuar veten, mund t’i përmend me emra, pasi atyre u
takon nderi i mikut: Peter Loberg (n/kryetar komune), Gylsen Ozdekan
(Drejtoresha e arsimit për rajonin Boras), Per Kittssen, drejtor i shkollës
“Fjardingskolan”, Znj. Tuulla Elfstrom, drejtore e shkollës “Sandaredskolan”
dhe dy mësueset, Annet Ekelund e Sonja
Person. Më pas në kohë, një takim i rrallë me dy shkrimtare suedeze, Anna Mattsson, dhe Britta Stenberg.
Po vazhdoj
edhe me personalitete të tjerë, si i palodhuri Sokol Demaku, mërgimtar shqiptar
nga Drenica e Dardanisë, mësues, veprimtar, shkrimtar, anëtar i lidhjes së
shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, poet, drejtues i revistës “Dituria”, i
radios dhe TV. në gjuhën shqipe në Boras. Më tej Sadulla Zendeli-Daja, leksikograf dhe
hartues fjalorësh dy gjuhësh Shqip-suedisht, Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës
letrare artistike “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, Bajram Muharremi, poet
dhe n/kryetar i kësaj shoqate, Hamit Gurguri, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të
Suedisë, Kadrije
Meniqi, drejtore e shkollës Vushtri, Kosovë. Më e vonuara nga të gjithë, është
stiliste Emine Hoti, çikë dardane, banuese në Norvegji, etj, etj. Unë, tashmë në
rolin e gazetarit, të gjitha vizitat dhe takimet i kam përcjellë me shkrime, në
shtypin lokal dhe atë qendror.
Ndjesë
nëse kam harruar dikë, por dua të ndalem te miku ynë i përbashkët, Per
Kettisen, drejtor i shkollës “Fjardingskolan” në Borras, njeri i këndshëm, vizionar
dhe i përkushtuar ndaj shkollës dhe arsimit, sepse për shumë vite, deri sa doli
në pension, ishte vizitor i përhershëm i Durrësit tonë, madje shpesh edhe dy
herë në vit.
Nuk
po analizoj në rrethanat që krijuan atë lidhje shkollash, në viti 2007, më pas vizitat
e ndërsjellta mes “Fjardingskolan” në Boras të Suedisë dhe shkollës “Demokracia”
në Durrës. Është një lidhje që po vazhdon gjatë, madje edhe në këto kohë të
vitit 2021, ndryshe nga shumë lidhje të shkollave të tjera, që u venitën, u
ronitën dhe u harruan, disa edhe pa nisur veprimtaritë e përbashkëta. Se cilat
janë shkaqet e jetëgjatësisë në marrëdhëniet mes dy shkollave, mund të bëjmë një
listë të gjatë, por mendoj se në themel të saj qëndron drejtori e më pas
kolektivi i mësuesve që e mbështet, duke qenë të bindur në dëshira që
ndërthuren.
Mbaj
mend bisedat me kolegun Avdyl Buçpapaj, ish drejtor i shkollës “Demokracia”, tani
drejtor i shkollës jopublike “Planetary”, kur thoshte: “Suedezët janë të interesuar të njohin traditën e shkollave tona,
sidomos në lëndën e matematikës, pavarësisht se ata ndoqën me kujdes edhe mësime
në kopshtin para-shkollor pranë shkollës, më tej edhe mësim në ciklin e ulët. Më
pas vizituan shkollën e fëmijëve me probleme autizmi dhe disa shkolla 9-vjeçare
të Durrësit.
Në këtë shumatore vizitash, përfshihen
biseda dhe takimeve me punonjës të pushtetit vendor dhe drejtues të jetës arsimore
në Durrësit, për t’u njohur më në brendësi me sistemin tonë arsimor. Ndërsa ne,
veç kënaqësisë për të realizuar një ëndërr, duke vizituar një vend tjetër si
Suedia, vend i dalluar me emër në botë, në fushën ekonomike, dhe sidomos të
demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të marrëdhënieve mësues-nxënës, shkollë-komunitet,
pavarësia dhe vartësia e shkollës nga organet drejtuese më lart, etj.
Ngjitur me këtë kënaqësi dhe interes,
ishte edhe të njihnim nga afër jetën dhe shkollimin e fëmijëve të mërgimtarëve
shqiptarë (kryesisht nga Kosova), të vendosur në atë vend të largët, por tepër
miqësor me shqiptarët. Vajtja jonë atje, ndjekja e mësimit, herë-herë mësuesit
tanë dhanë vetë mësim, dhurimi i librave të shkruar në shqip për bibliotekën e
shkollës, biseda me ata, si shqiptarë të të njëjtit gjak, ishte një lloj
bashkëveprim qetësues për vocërrakët që na shikonin në dritë të syrit”.
Sa për
drejtor Perin, si njeri dhe drejtues i aftë, tashmë në pension, drejtor Avdyli
i përmbledh të gjitha veçoritë, duhet thënë i skalit me fjalë të shkurtra, por
që flasin shumë. Ai thotë: Peri ishte një
drejtor profesionist. Në dukje njeri i qetë, vëzhgues i imtësive deri në
detaje. Vështirë ta bëje emocional. Ishte fjalëpakë, por dëgjonte me shumë vëmendje.
Vlerësues i saktë i situatave të krijuara gjatë punës. Krijues i marrëdhënieve
njerëzore me kolegët, mësuesit dhe nxënësit. Në dukje natyrë e ftohtë, mbase
kështu janë nordikët. Drejtues që e vlerësonin mësuesit dhe nxënësit, sepse
ishte nxitës dhe mbështetës i nismave dhe veprimtarive që i shërbenin edukimit të
fëmijëve me norma qytetarie të shoqërisë suedeze. I pasionuar pas gjuetisë me
armë gjahu. Kishte një koleksion armësh gjuetie. Çdo vit organizonte “Java e
gjuetisë”.
Unë i
besoj plotësisht drejtor Avdylit dhe jam në një mendje më të sepse si mësues e
drejtues i hershëm. e di mirë se cili është roli i drejtuesit vizionar, siç
ishte drejtor Peri. Mjafton të përmend një ftesë dhe takim në Tiranë me
shkrimtarin Viron Kona, atëherë drejtues i gazetës “Mësuesi”. Gjatë bisedës,
duke pirë kafe, Vironi po tregonte për disa nga librat e tij për fëmijë, në
veçanti për librin “Eh… More Bubulino!”, i vlerësuar me çmim nga UNICEF.
Drejtor Peri nuk priti përfundimin e fjalës, por u tha mësueseve që e
shoqëronin dhe Sokol Demakut, që shërbente edhe si përkthyes: “Ky libër meriton të përkthehet në suedisht.
Është me interes për fëmijët tanë”. Kaq mjaftoi që pas pak kohësh, libri u
përkthye dhe zuri vend ndër librat e pëlqyer për shkollarët e vegjël suedez.
Në një
bisedë me Gëzim Metalia, sot drejtor i shkollë 9-vjeçare “Shaqe Mazreku”, në
Durrës, me kënaqësi thotë: Sa mirë që po m’i kujton ato kohë të bukura dhe
mikun tim Perin. I njoh të gjithë personat që kanë vizituar shkollat dhe
institucionet e Durrësit, veçanërisht ish drejtorin e shkollës “Fjardingskolan”
të Borasit, Per Kettisen. Që në vizitën tonë të parë në Suedi u bëmë miq, pasi
unë flisja anglisht, kështu që merreshim vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Isha
n/drejtor i shkollës “Demokracia” dhe më bënte përshtypje disiplina në punë, përkushtimi
dhe thjeshtësia e tij, si njeri dhe drejtues. Vishej shumë thjesht dhe
komunikonte thjesht, pa shumë fjalë.
Nuk e
teproj kur them se ishte i thjeshtë, pasi pata rastin të shoh nga brenda edhe
shtëpinë e tij, që ishte ndërtuar vetëm me dru, pa shumë orendi (vetëm të
nevojshmet), edhe ato prej druri. I pëlqente gjuetia dhe zotëronte një
koleksion armësh gjuetie. Madje më ka dërguar edhe dy video me pamje nga
gjuetia e drerëve. E shijonte alkoolin, por pinte shumë pak, edhe në të ngrënë nuk
e tepronte. I pëlqeu rakia shqiptare dhe sidomos gatimi dhe ushqimi shqiptar.
Nuk e përmbajti veten dhe u mrekullua nga gatimet e mjeshtrit durrsak Xhep
Keçi, në lokalin në Currila. Ishte vizionar dhe njohës i arsimit, mbështeste
nismat e mësuesve, qofshin ata suedez apo edhe të kombësive të tjera, siç është
rasti i shqiptarëve.
Një tjetër
bisedë me Zabit Rexhepin, n/drejtor i shkollës “Demokracia”, që shprehet: Me
grupin e shkollës “Demokracia”, kemi vizituar Suedinë, më pas i pranishëm në
çdo takim këtu në Durrës. Si n/drejtor, meqenëse mbuloj ciklin e ulët, isha i
pranishëm në organizimin e veprimtarive në shkollë, kështu që kam qëndruar
gjatë me drejtor Perin dhe mikeshat mësueset suedeze. Miku ynë Peri, ishte
njeri që donte të dinte për vendin tonë, në veçanti për arsimin. Interesohej
për kulturën, historinë dhe traditat. Shikonte me vëmendje natyrën e qyteteve
dhe vendeve që vizituan këtu tek ne. I pëlqente deti, sidomos pasditet dhe
perëndimin magjik të diellit në Currila. Grupi suedez çdo herë që vinte në
Durrës, rrinte disa dit, kështu që ata u mësuan me jetën e Durrësit dhe me
durrsakët. Ai e ndjente dhe e vlerësonte mikpritjen shqiptare kudo që shkonte,
si në institucione ashtu edhe në mjediset publike. Ata vizituan disa shkolla të
qytetit, por punën me klasën, mësuesit dhe nxënësit, natyrisht e kryen në
shkollën tonë. Me qëndrimin e tij, fitoi respektin e këshillit të mësuesve, të
nxënësve dhe të atyre prindërve që bashkëpunuan me të. Edhe umb, besoj nuk jam i
vetmi, e vlerësuam atë si njeri punëtor, fjalëpakë, i disiplinuar, i kujdesshëm
dhe i shoqërueshëm me të gjithë. Per Kettisen përshtatej shpejt në shoqërinë që
e rrethonte. Ishte dashamirës dhe korrekt.
Duke
menduar se portreti plotësohet më bukur nga miqtë dhe të njohurit, u ndala në
një bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin Viron Kona, i cili i ka vizituar disa
herë Suedinë dhe, që në fillimet e njohjes, vazhdon të presë e përcjellë miq
nga Suedia. Ai shprehet:
“…..Sapo u ndava me lexuesit e mi të vegjël dhe pas pak çastesh u
ndodha në zyrën e drejtorit Per kettisen. Sytë më shkuan menjëherë te statuja e
Gjergj Kastriotit, që ndodhej në tavolinë, në krah të kompjuterit, ashtu siç ma
kishin përshkruar nxënësit në takim. Një statujë, e tëra e bardhë, tërheqëse
dhe e bukur, madje, teksa e shihja në atë zyrë plot dritë dhe aq larg vendit
tim, ajo statujë e vogël, m`u duk nga më të bukura që kisha parë ndonjëherë për
Skënderbeun.
Ne shqiptarët që arritëm ta njohim
drejtor Perin, nuk e harrojmë kurrë atë njeri fisnik me zemër të madhe e me
shpirt të bukur. Ne i jemi mirënjohës, sepse ai na ka qëndruar shumë pranë sa
herë kemi shkuar në Suedi, na ka ndihmuar ne, por ka ndihmuar veçanërisht
fëmijët shqiptarë, nxënës të shkollës “Fjardingskolan”, të cilin ai e drejtoi
vite të tëra me sukses të plotë.
Drejtor Per Kettisen në komunikim me ne,
ka shfaqur vazhdimisht vlera të rralla kulturore, karakter të spikatur human,
thjeshtësi, dije dhe kulturë, kujdes dhe komunikim të ngrohtë, natyrshmëri.
Duket sikur gjithçka e mirë e njerëzore, është derdhur në portretin dhe
karakterin e tij. Por ne e duam edhe sepse për ne shqiptarët, ai ka dashuri dhe
respekt të veçantë. Sot, Per Kettisen është në pension, por sa herë shkoj në
Suedi, më duket se ai do të më dalë përpara buzagaz, i qeshur dhe i veshur me
bluzën ku është stamposur shqiponja jonë e flamurit dhe do të më thotë: ”Ti
Viron, s`qëndron dot larg Suedisë sonë, ashtu sikurse unë, s`qëndroj dot larg
Shqipërisë suaj krenare, që për ne suedezët është një perlë e vërtetë...”.
I urojmë
kolegut, drejtor Per Kettisen, të gëzojë shëndet të plotë dhe jetë të qetë e të
lumtur.
Nderim
për suedezin Per Kettisen, i dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët!
Kadri Tarelli
Durrës. Gusht 2021.
Shënim: Fotot e gazetave suedeze, i
dërgoi Zabit Rexhepi. n/drejtor i shkollës “Demokracia”. Durrës.