Kulturë
Mevlud Buci: Libër arkiv për traditat, fisnikërinë dhe vlerat
E merkure, 11.08.2021, 06:27 PM
NJË LIBËR ARKIV PËR TRADITAT, FISNIKËRINË DHE VLERAT
Nga
Mevlud Buci
Rrezatuese
dhe tërheqëse, e thjeshtë dhe e madhërishme, e bukur dhe mbresëlënëse, një arkiv
tradite, fisnikërie dhe vlerash njerëzore është pamëdyshje libri publicistik i
të përkushtuarit të pendës, Hamdi Hysuka. Cilido lexues, a çdo studiues që
lexon e gjykon me sytë e zemrës e të mendjes, do të meditonte a vlerësonte
realisht tematikën dhe shtjellimin e problemeve, të cilat pasqyrohen me mjeshtëri,
humanizëm e korrektësi në librin publicistik “Gjerdan fjale”.
Më fort
se kurrë në kohët që kalojmë, publicistika, libri i ditës, merr rëndësi të
veçantë, sidomos si ky i penëndriturit Hysuka, ndërkohë kur shumë ngjarje,
figura e dukuri jetësore mbeten nën hije, si i thonë, kur fshatra, zona a lagje
janë pa muze, pa dëshmi të pasqyruara qartazi për brezat tanë.
Trinomi i
z. Hysuka: tradita (kulturë), fisnikëri dhe vlera përshkon gjithë librin “Gjerdan fjale” prej 376 faqesh, botuar
në maj 2021. Autori ka punuar me pasionin e gjeologut që gjen minerale të
çmuara, që gërmon në tokën e shtrenjtë me pasion e frytshmëri. Ky autor i mirënjohur,
ish-Normalist shembullor, krahas mësuesisë e drejtimit arsimor, krahas shembëllimit
si veprimtar organizator e krijues, botues i disa librave poetikë, ka gdhendur
në udhët e jetës tradita, fisnikëri e vlera, të cilat vërtetë janë dëshmi e
pasionit, e zotësisë, dëshmi e atdhetarisë, e shpirtit human, janë gjerdani i
shndritshëm në kulturën e popullit të Matit, të kombit e më gjërë.
Në caqet
e një shkrimi, si ky i yni, kurrësesi nuk do të analizohej krijimtaria e gjërë
e të palodhurit Hysuka. Theksojmë se për këtë nuk do të mjaftonin një apo disa
libra. Libri më i ri “Gjerdan fjale” është
vërtetë arkiv, një muze vlerash, traditash e fisnikërie. Pse? Në çdo shkrim
lexuesi a studiuesi i zbulon nëpër gjetjeve, të të shkruarit thjeshtë e me
argumente, të të shkruarit me shpirt e qartësi, me barrën e rëndë prej
misionari e vizionari të kohës.
Publicisti
Hamdi Hysuka shpërfaq gjurmët dhe vlerat e kulturës, të figurave, të jetës, të
diturisë e mbi të gjitha të shpirtit të fisnikëruar njerëzor. “Autori i librit publicistik “Gjerdan fjale”,
-shkruan studiuesi e krijuesi i talentuar Gjokë Dabaj, -ka bërë një punë të madhe, të përditshme, të lodhshme, por të domosdoshme,
veçanërisht për kohën tonë, kur punë të tilla pakkush po i zë me dorë. Cilësia
e parë e tij, si gazetar, por edhe si njeri, është kjo: Duke qënë matjan i
Matit, është njëkohësisht edhe shqiptar i i krejt Shqipërisë, nga Prekazi e
presheva, në Margëlliç e Paramithí...”
Autori
Hysuka me përkujdesje, saktësi e pasqyrim ka bërë kritikë reale (analizë e përshkrime)
për shkrimtarë, artistë, këngëtarë, valltarë, ngjarje, mbresa e mbi të gjitha
ka pasqyruar me pasionin e bletës gjurmët e kulturës, momente të jetës,
tradita, të cilat përbëjnë arin e këtij libri publicistik. Është krenari
legjitime jo vetëm për autorin Hysuka, por edhe për të gjithë ne e ata që do të
vijnë, ajo që citon të madhin, të paharruarin Dritero Agolli, i cili ka thënë: “Kombi shqiptar fillon nga Mati”.
Një poezi
është brilante, testament dashurie, një tre strofsh hymn, krijuar me zjarr
zemre, me shkulme malli për vendlindjen, Shëlliun e Matit:
Me freskinë djaloshare / drejt Shëlliut i çoj sytë,
pa dyshim them hapur fare: / -Si Shëlliu s’ka të dytë!
Në shkrimin “Skënderbeu, krenaria e kombit” autori Hysuka gdhend me mjeshtërinë
e tij prej gazetari e studiuesi vlerat e kësaj figure legjendare, na pasqyron
me gjetje krejt të re virtytet, qëndresën, vlerat dhe jehonën e Skënderbeut,
deri te poezia e Kadaresë me titull “Portreti
i Skënderbeut”. Te “Gjerdan fjale” shpërfaqet historia, tradita, jeta, fisnikëria, ku
z. Hysuka përshkruan dhe argumenton se poezia nis me Budin e Gurit të Bardhë,
gdhend fakte për martirin e fjalës (Pjetër Budin, autori MB), ku midis të
tjerash shkruan: “Në kuadrin e 23
prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit, më 23 prill 2016, në Gur të Bardhë e
Klos u përkujtua 450-vjetori i lindjes së shkrimtarit të parë shqiptar, Pjetër
Budi. Veprimtaritë nisën me vizitën në Gur të Bardhë, vendlindja e Budit, ku ka
trashëgimtarë të Budëve të vjetër. Pas ndërrimit të fesë nga katolikë në
myslimanë ato quhen Bode. Studiuesi Behar Gjoka, së bashku me grupin
organizator, trokitën në shtëpinë muze të lindjes, ku u pritën nga zonja e shtëpisë,
Sofie Bode. Një nga pasardhësit, Osman Bode, rrëfen se “kjo derë që nga Pjetër
Budi i madh, sot ka gjashtëmbëdhjetë breza trashëgimtarësh”.
Ra në sy
mënyra tradicionale e pritjes, ku veç të tjerash shquhej veshja specifike e
gruas gurabardhëse, e trashëguar qytetëse me elementë dallues, që e bëjnë të zërë
vend të veçantë në fondin e artë të
veshjeve tona kombëtare. Detajet përshkruese si dhe fotot dëshmojnë fakte,
ngjarje e vlera të traditës. Çdo shkrim që lexon të ngjall krenari, të bën të
meditosh e mbi të gjitha të mëson gjëra të reja, të le mbresa të thella. Që në
titull, “Gjerdan fjale”, metaforë
mjaft e goditur e te çdo nënkapitull (pesë të tillë, autori MB) te çdo shkrim
me vlera publicistike e studimore, lexuesi gjen tituj të goditur, mjeshtërorë e
sintetizues, pas të cilëve shpërfaqen ngjarje, episode, fakte, emra e përshkrime
frymëzuese, të cilat ngjajnë me prushet në acar, që ngrohin zemrat e lexuesit,
që gurgullojnë fisnikëri njerëzore, thjeshtësi e realizëm në jetën tonë, në
gjurmët e brezave, në vlerat e çmuara të provave për jetën, për kulturën, për
atdhetarinë.
Janë të
një bukurie e realizmi të veçantë shkrimet “Më
shumë se grada e tituj pëlqente mbiemrin”, kushtuar guvernatorit dhe
komandantit të përgjithshëm të Tripolit, Rexhep pashë Matit, “Ndihmesë në fushën e albanologjisë”, “Mes
kolegëve danezë”, “Krenaria e detarisë shqiptare”, kushtuar komandantit të
FLD Abdi Mati, nderi i ushtrisë dhe krenaria e Matit, “Ky është Gjokë Dabaj”, “Kjo
Shqipni la lindun burra”, kushtuar patriotiut të madh, Shahin Toçi, “S’iu tremb vdekjes për të drejtën”,
kushtuar emigrantit qëndrestar, martir i përkushtimit për jetën, punën, të
drejtën, birin e Matit e të shqiptarisë, Flamur Pisli, “Vlera natyrore e historike e Varoshit” etj, pasqyrojnë me argument
ngjarje, fakte, si dhe nëpërmjet përshkrimit realist e frymëzues portretizon me
korrektësi figura të ndritura, të cilat janë lavdia e Matit, nderi dhe fisnikëria
e kombit dhe e brezave tanë.
Nëpërmjet
krijimit e frymëzimit, fragmenteve e gjetjeve artistike, fakteve e saktësimeve,
publicistika e gazetarit Hamdi Hysuka merr vlera për lexuesit, për kohën, për
njohjen sa më mirë të traditave, të kulturës, të vlerave. Autori i këtij libri,
i shkruar me përgjegjësi e humanizëm, rrok tema të rëndësishme, shpërfaq vlera,
dukuri e ngjarje, ku autori u jep atë çka vlejnë, çka rrezatojnë e meritojnë. Tërheqin
vemendjen shkrimet “Historiku i himnit
kombëtar”, “Aksioni i parë luftarak i çetës së Matit”, “Dita e të paharruarve”,
ku saktëson 172 dëshmorët e paharruar të Matit historik. Autori, krahas përshkrimit,
u kushton dhe vargje, të cilat mbartin idenë e përjetësisë e të heroizmit të dëshmorëve,
krenarinë legjitime të atyre që vijnë në tokën tonë të regjur me luftra, të
njomur me gjakun e dëshmorëve:
Zemrat na rrahin pranë lapidarëve,
flladi magjepës nëpër lirishta harliset,
pranverat do ulen dhe në prag të dëshmorëve
shkundin mozaikë lulesh me mall për viset...
Këtë mozaik përjetësisht do ta mbledhim
dhe në kurora do ta lidhim çdo 5 Maj,
tokës së shtrenjtë me nderim do ia falim
si dekoratë në gjoks të lapidarëve të saj...
Libri “Gjerdan fjale” na dhuron ide, mesazhe e
portrete për figura që mbartin vlera, na pasqyron integrim kulturor dhe
artistik, hulumtime letrare, vlera trashëgimie të artit folklorik, arkiv të
pushtetit të katërt.
Gjetjet në
rrokjen e temave, pasqyrimet e përshkruara me thjeshtësi, qartësi e mjeshtëri
artistike na japin vërtetë një libër arkiv, libër publicistik muze, me plot bukë,
me përmbajtje të argumentuar, ku autori Hysuka shpërfaq bukur e krenarisht botën
shqiptare, dritën njerëzore të pendës, rrezatimet e botimeve letrare, forcën
dhe madhështinë e kulturës, të artistëve, të folklorit të popullit.
Pas
rileximit të librit publicistik “Gjerdan
fjale” (edhe letrar e studimor, autori MB) të vjen më mendje thënia
filozofike e rilindasit të madh, Sami Frashëri: “Mos shiko çka ke fituar, shiko çka ke bërë, sepse pasurinë që ke
fituar do ta humbasësh kur do të vdesësh, se mirësitë që ke bërë do të
qëndrojnë në botë dhe shumë kohë, dhe do të bëjnë të përmendesh për të mirë”.
Autori
Hamdi Hysuka ka punuar me pasion e korrektësi, ka gdhendur materiale, ka përshkruar
e studiuar, ka bërë një punë pasionante me shpirt misionari për traditat,
fisnikërinë, kulturën, vlerat; ka përthithur nektarin e jetës, ka dritësuar
figura e ngjarje, vlera të botimeve, ka sintetizuar me mjeshtëri, ide, analiza,
probleme që lartësojnë lulturën, artistët, botuesit, udhët e jetës, provat e
atdhetarisë, të figurave të ndritura nga Mati, kombi ynë e më gjërë. Është
vërtetë pikant, tërheqës e i mirërealizuar shkrimi “Reformator i fjalës poetike”. Autori udhëton që te Budi, Mjeda,
Asdreni, Shiroka, te Fishta, Konica, Noli, Migjeni, arbëreshët Jeronim de Rada,
Gavril Dara (i riu), Anton Santori, Zef Serembe, më tej Esad Mekuli, poeti i
parë dhe më i njohur i Kosovës, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rifat Kuka, Eqrem
Basha, Sabri Hamiti e deri në kohën e sotme. Autori Hysuka argumenton me
kompetencë e realizën “shkallën e lartë e
ndjeshmërinë poetike”, “vokacionin poetik krejt i veçantë dhe origjinal”, “çdo
varg një figurë artistike (përkthime të Lasgushit të madh, autori MB), “mos e pifshim këtë gotë”. “Lasgush
Poradeci, -shkruan autori Hysuka, -qe
optimist për një çlirim të shpejtë të Kosovës dhe për bashkimin tonë në një
shtet të vetëm”. Lasgushi është poeti i dhimbjeve, gjithnjë për t’u bërë
fli e tyre, “e nëse dhimbjet venë e vijnë,
/ jam gati të vuaj më, / kush më njohu dhembshurinë, / s’pati njohur kurgjë...”
Shkrimet “Nderim për poetin Esad Mekuli”, “Libri, udhërrëfyes
në jetë”, “Autoriteti i kritikës letrare”, “Art poetik me vlerë të përhershme”
(ku autori pasqyron antologjinë e poezisë matjane), librin testament të
krijuesve mbarëkombëtarë e më gjërë, te konkurimet në festivalin e poezisë “Muza Poetike Budiane”, shkrimet “Festë e fjalës budiane”, “Poetë që u njohën
pa u parë” mund të quhen pa mëdyshje tribunë e baçevanëve të krijimtarisë,
bij të pendës që hijeshojnë “Gjerdanin e
fjalës”. Hulumtimet letrare kushtuar Aleksandër Moisiut, mbresat e krijimet
për Driteroin, “Ushtarak edhe poet”
për të paharruarin e të talentuarin Hysni Milloshi, “Ambasador i përjetshëm i Rusisë në Shqipëri” (për librin e Vasil
Premçit për Eseninin), “Koha i dha emër”
kushtuar poetit Basir Bushkashi (Eseninit të Matit, autori MB), shkrimet për
poetin çam Namik Selmani dhe librin e tij “Gurra
e Budit”, “Bukuria e mesazhit të një
amaneti” kushtuar shkrimtarit Skënder Tuna, shkrimet për Bashkim Frangun,
Jolanda Lilën, dr. Sali Kurtin “Mjeshtër
i Madh”, për Isak Gutën, Trandafile Mollën, Bajram Canametin, Kasam
Shaqirvelën e plot të tjerë janë thesarë në duart e çdo lexuesi dashamirë i
letrsisë, dritare për cilindo studiues e mësues të letërsisë, një kurorë që
bleron dituri e fisnikëri për kohën e motet që vijnë, Autori i përkushtuar
Hysuka analizon dhe argumenton mjaft bukur libra të autorëve Drita Llukovi (Aliaj),
Xhavit Gasa, Gëzim Buna, Jani Thanas Caci, Hasan Pasha, Shefqet Merra, Faik
Xhani, Riza Doda, Skënder Xhika, Shyqyri Koçi, Valbona Xhepi, mendimet dhe
analizat, idetë e mesazhet që jepen qartë e kuptueshëm nga autori, i cili shpërfaq
qartazi atë që kërkon analiza e një vepre letrare. Pasqyrimet mjeshtërore për
vlera trashëgime të artit folklorik dhe arkivi i pushtetit të katërt përmbushin
në plotësi tematikën dhe vlerat e këtij libri publicistik. E veçanta e librit
është stili letrar-publicistik, përshkrimet, gjetjet artistike, të shkruarit
thjeshtë, bukur e me kompetencë, pasqyrimi i traditave kulturore, letrare e mbi
të gjitha gjurmët e atdhetarisë e të fisnikërisë.
Libri
publicistik “Gjerdan fjale” është
gjerdan i jetës, gjerdan i dritës së krijuesve, gjerdan i shpirtit dhe
mençurisë së popullit, gjerdan që gdhend fjalën dhe vlerat, libër që përcjell
mesazhe fisnikërie, kulture e vlerash, libër arkiv për brezat.
Mevlud
Buci,
studiues,
poet, publicist