Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (VIII)

| E enjte, 04.12.2008, 02:30 PM |


Dëshmi nga një takim i veçantë

 

· "Nëqoftëse qeveria e shtetit shqiptar nuk do të mbështesë UÇK-në, ajo do të bëjë tradhti kombëtare". Fehmi Lladrovci,  Mynih, 28 shkurt 1998, në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë

 

Kushdo që mund të mendonte se çështja shqiptare në Kosovë do të mund të zgjidhej duke lënë mënjanë shtetin shqiptar dhe  strukturat e tij, do të gabonte. Aq më tepër ai do të ishte i gabuar në një situatë lufte, kur porta e vetme kalonte nga  Shqipëria londineze. Ndryshe nga luftërat e tjera në ish-Jugosllavi, ku mes palëve në luftë kundër forcave serbe nuk  qëndronte ndonjë shtet amë, me Kosovën ishte ndryshe. Më shumë se gjysma e bashkëkombasve të tyre shqiptarë ishin në anën  tjetër të kufirit. Me dashje ose pa dashjen e tij, shteti shqiptar u përfshi në rrjedhat e kohës dhe kjo ishte një gjë që  dihej se do të ndodhte.

 

Themelore ishte se si do të përfshiheshin në këto rrjedha. Në drejtimin e tyre apo në të kundërtën e tyre.

 

Në fillimin e vitit 1998, kur socialistët kishin vetëm disa muaj që kishin ardhur në pushtet, ishin ende të kujdesshëm të  merrnin përsipër drejtimin e rrjedhës së tyre. Në radhë të parë, të marramendshëm me hallet dhe problemet që kishte lënë  pas viti i mbrapshtë 1997, ata ende nuk e kishin të qartë vizionin e Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë, dhe si duket, ende nuk  i ishte dhënë drita e gjelbër nga diplomacia ndërkombëtare. Ishin të afërt, por ishin edhe të kujdesshëm.

 

Të dyja palët, edhe strukturat e luftës, edhe të shtetit shqiptar, kërkonin rrugë njohjeje dhe afrimi, por duke mos dashur  të bëhej publikisht asgjë. Në këto rrethana, u takuan për herë të parë në Perëndim, disa përfaqësues të strukturave të  Lëvizjes Ilegale Atdhetare dhe të UÇK-së, me përfaqësues të shtetit shqiptar.

 

Takimi u organizua në qytetin e Mynhenit nga Ramiz Lladrovci, në fundin e muajit shkurt 1998, në mbrëmje vonë, në një nga  hollet e një hoteli, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotin Paskal Milo. Në takim shkuam Rexhë Ibërdemaj, në  atë kohë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe i ngarkuar me problemet e shtypit, të informacionit dhe të  lidhjeve me UÇK-në, Fehmi Lladrovci, unë-Bedri Islami, dhe Ramizi.

 

Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, ishte i interesuar për të pasur konktakte, qoftë edhe  të pjesshme me strukturat e luftës në Perëndim. Ai erdhi në takim i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë të tij dhe nga  ambasadori i Shqipërisë në Bon, Bashkim Zeneli.

 

Duke u nisur nga njohjet e mëhershme, i pari në këtë takim fola unë. Bëra përpjekje për t'i dhënë një pasqyrë sa më të mirë  të gjendjes, përse dëshironim krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me shtetin shqiptar, përse nuk kishte rrugë tjetër tashmë  veç luftës së armatosur. I fola për vizionin tonë për luftën, mendimet që kishim dhe për besimin se shteti shqiptar do të  bëjë detyrën e tij. Meqenëse në atë kohë në Shqipëri qeverisnin mjaft prej atyre me të cilët isha i njohur prej kohësh,  shfaqa besimin se edhe njohjet që kemi do të jenë një shkas më shumë për të besuar se do të bëjmë më tej në të ardhmen.

 

Deri në atë kohë pak prej njerëzve në Shqipëri e dinin se unë isha bërë pjesë drejtuese, e më pas, edhe drejtuesi kryesor i  Lëvizjes Popullore të Kosovës. Zoti Milo më dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here pyeste për diçka. Pas meje foli  Ibërdemaj, i cili i njihte më në detaje çështjet e organizimit të luftës. Përgjithësisht flitej për parime, për  domosdoshmërinë e mbështetjes së shtetit shqiptar në luftën që mund të vinte, shumë më shpejt se sa mund të merrej me mend.

 

Impresioni i parë ishte se në qeverisjen e shtetit shqiptar ose kishte njohje shumë të pakta, ose njohja do të ishte e  përqendruar në dy-tre veta dhe zoti Milo nuk ishte njëri prej tyre. Ai mbështeste mendimin, i cili dukej se ishte zyrtar,  se qeveria ku ai bënte pjesë, mbështeste zotin Rugova, rrugën e tij, se nuk kishte angazhim konkret për strukturat e  luftës. Ai ishte mirëdashës, ishte edhe i trazuar, dëshironte të dinte më shumë, por, edhe me taktin e diplomatit,  ngulmonte se duhej mbështetur deri në fund, aq sa ishte e mundur, mundësia e zgjidhjes së problemit shqiptar në Kosovë pa  luftë dhe dhunë.

 

U shtruan për disa orë me rradhë trajtime të ndryshme. Zoti Milo na bëri propozimin, i cili më çuditi më shumë se gjithçka  tjetër, të pjesëmarrjes së Organizatës sonë dhe strukturave të luftës në zgjedhjet e 22 marsit 1998, duke na thënë se, nëse  fitojmë zgjedhjet, atëherë edhe mbështetja e shtetit shqiptar do të jetë për ne; në të kundërtën, mbështetja do të ishte  për fituesin e zgjedhjeve. U përpoqa t'i tregoja se vetëm fakti se je anëtar i Organizatës do të thotë disa vite në burgjet  serbe, se një organizatë ilegale nuk ka të bëjë me farsën e zgjedhjeve që po përgatitej.

 

E theksoj, ishte dashamir, por hapësira që i ishte dhënë, ishte e ngushtë; ose nuk ishte krijuar ende hapësira e duhur. I  vetmi njeri që nuk kishte folur, edhe pas pesë orë bisedimesh, ishte Fehmiu, që vazhdimisht shkruante në një bllok që  kishte përpara.

 

Kur kishte kaluar ora një e natës, takimi kishte filluar në mbrëmjen e 27 shkurtit dhe kishte hyrë 28-a, Fehmiu kërkoi të  merrte fjalën. Ishte i vrenjtur. "Ne e kemi vendosur të luftojmë, tha ai. Nuk ka rrugë tjetër".

 

Njëri ndër bashkëshoqëruesit e zotit Milo e ndërpreu, duke i thënë pak ashpërsisht: "Nëse keni vendosur të luftoni, atëherë  përse po bisedojmë"?

 

Fehmiu e pa me cep të syrit, një herë nuk deshi t'i përgjigjej, por pastaj i tha shkurt: "Nuk po të drejtohem ty. Ti mbaj  vendin tënd. Kam ardhur të flas me zotin ministër, për të cilin kam respekt. Pra, do të luftojmë, kjo është e vendosur. Nuk  ka rrugë tjetër, vazhdoi ai, duke iu drejtuar zotit Milo. Problemi është se çfarë do të bëjë qeveria e shtetit shqiptar. Se  çfarë do të bëjë populli shqiptar, atë e dimë. Pra, ju çfarë do të bëni: do të ndihmoni apo nuk do të ndihmoni"?

 

Zoti Milo filloi të argumentonte edhe një herë se shumë probleme mund të zgjidheshin pa shkuar deri tek lufta. Ishte  mirëkuptues, dëshironte të mirëkuptohej.

 

Fehmiu vazhdoi:

 

"Lufta është më afër se sa mund të mendoni ju. Është krejt afër. Ne presim që qeveria e shtetit shqiptar të bëjë detyrën e  saj. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam asnjë e keqe t'i vijë asaj, por kjo është në të mirën e krejt kombit. Nëse ju nuk e  bëni detyrën tuaj dhe e pengoni luftën çlirimtare të vëllezërve tuaj në Kosovë, atëherë ju do të bëni tradhti kombëtare. Ne  do ta fitojmë luftën edhe pa ju, por nëse shkon puna deri këtu sa të kryejmë punët me Serbinë, do t’u kthehemi atyre që  tradhtuan. Rrugë tjetër nuk ka".

 

Pas këtyre fjalëve, ishte e vështirë të vazhdoje më tej.

 

Ministri Milo tha se punët nuk do të shkojnë deri këtu dhe më pas ai u dëshmua se e kishte për zemër mbështetjen e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës. Shumë rrugë diplomatike janë hapur përmes tij ose janë organizuar përmes tij dhe Agim Fagut,  ambasadorit shqiptar në Londër. Kam patur gjithnjë mendimin se ai ka qenë një ndër njerëzit më sinqerisht të interesuar në  klasën politike drejtuese në Shqipëri për përkrahjen politike, diplomatike dhe në struktura të tjera të Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës.

 

Ai e përsëriti edhe një herë se punët nuk do të shkojnë deri këtu, se për të gjitha do të informojë shefin e qeverisë dhe  shokët e tij të kabinetit dhe se do të gjenden rrugët e nevojshme për të mbështetur njëri-tjetrin. Ishte i emocionuar,  ndoshta edhe nga fakti se ne folëm shumë sinqerisht me të, iu hapëm për shumë probleme dhe e donim ndihmesën e tij.

 

Kur po ndaheshim, ne qëndruam fare pak me njëri-tjetrin dhe ai më pyeti se cili ishte njeriu që kishte folur aq hapur. I  tregova. Më tha sinqerisht se këta njerëz e meritojnë lirinë. Më tha se do të bëjë gjithçka është e mundur për të hapur  rrugët e duhura. Pastaj më tha se edhe mesazhin e fundit, ashtu siç e kishte marrë, do ta çonte tek shefi i qeverisë.

 

Tre muaj më pas, kur kryesoja përfaqësuesit e LPK-së në takimet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, njëri prej  tyre më tha se mesazhin e takimit të Mynihut e kishte marrë dhe e kishte vënë në mendime, natyrisht për të mirë, shtoi pas  pak. Ky ishte Fehmi Lladrovci, njeriu që fliste hapur e burrërisht, edhe kur fjalët dukeshin se ishin të rënda.