Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Ik në shtëpi

| E diele, 08.08.2021, 07:28 PM |


Ik në shtëpi

Nga Edison Ypi

Po zbrisja nga Guri i Kamjes.

Kur s'kisha bërë as 1 kilometër, anës rrugës një djalë te të tridhnetat me një çantë në sup ikte teposhtë.

Ndala dhe e pyeta nëse dëshironte të vinte me makinë për ku ishte nisur.

Më falenderoi. Hyri, u ul.

Shkonte në Pogeadec. Ishte nga një katund i thellë i Gorës mes asaj humbëtirës oqeanike me më tepër male se kokrrat e orizit të pilafi, nja një orë me makinë mbi një rrugë mesjetare në perëndim të Gurit të Kamjes.

Llaf e muhabet, e pyeta gorarin nëse ishte lodhur duke ardhur nga katundi deri aty.

Jo, tha, nuk jam lodhur. Nga katundi deri te Guri i Vaporrit, kështu e quajti Gurin e Kamjes, erdha me kalë. Aty i thashë kalit "ik në shtëpi" dhe kali iku.

E pyeta nëse qe i bindur se kali e kuptoi çfarë i tha, iku në shtëpi, nuk e ngatërroi rrugën, nuk u rrëxua në ndonjë humnerë, apo nuk e vodhi ndonjë hajdut.

U habit. Dhe disi u ofendua.

Jo, tha, këto që thua ti nuk mund të ndodhin në katundin tim. Kali e kupton fare mirë çfarë i thotë i zoti. Kali nuk e humb kurrë rrugën. Kali nuk rrëxohet në asnjë greminë. Për ta vjedhur as që bëhet fjalë. Nuk guxon kush ta vjedhi kalin. Kali merr urdhëra vetëm prej të zotit. Nëse i afrohet dikush tjetër, e godet me shkelm ose e kafshon me dhëmbë.

Deri në Pogradec bëra gjithatë muhabet me Gorarin. Kishte qënë kurbetli në Greqi. Në një manastir në Grebene. Ndoshta "Qeraxhi në Grebene".

Ama mendja më mbeti te kali i katundit që kupton dhe ikën në shtëpi me një fjalë goje nga i zoti.

Ti thotë e ëma ose i jati një fëmije qyteti "ik në shtëpi", fëmija kupton Noc Rrokun. Ikën në disko ose në kafene. Kurrë në shtëpi.

Mësuesit apo pedagogut as në mendje i vete të ketë aq autoritet mbi nxënësit apo studentat sa të guxojë ti thotë ndonjërit prej tyre "ik në shtëpi". Nëse gjithsesi ndodh që ja thotë, nxënësi e pyet mësuesin se në cilën gjuhë ja tha ato fjalë.

Të iki në shtëpi një politikan të cilit elektorati i thotë me votë, "ik në shtëpi", politikanin tonë, ky mesazh kaq i qartë e ofendon, dhe veç përdridhet e pështillet pas kolltukut si gjarpëri rrotull trupit të kaprollit, e në shtëpi kurrë nuk shkon.

Me sa duket më i sjellshmi, më inteligjenti, dhe më i qytetëruari ndër ne qënka kali.

Bereqaves dhe aq.

Ka dhe më keq.

Thuaj shyqyr që nuk është derri ose gomari.