Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Maturantët ndahen nga shkolla të lyer me vezë dhe miell

| E enjte, 31.05.2007, 06:08 PM |


Përleshja me vezë dhe miell ka ndarë edhe këtë herë maturantët e Tiranës me njëri-tjetrin, mësuesit dhe shkollën. Tradita që ka nisur prej disa vitesh (e huazuar nga të rinjtë amerikanë) e të laparosurit me ushqime, pas gjimnazit “Petro Nini Luarasi” ka përfshirë edhe shumë shkolla të tjera të mesme të kryeqytetit. Por në disa shkolla kësaj shfaqjeje i janë shtuar edhe elementë të tjerë si salca e domateve apo dhe grisja e librave në oborrin e shkollës dhe në fund nuk kanë munguar as zëniet me kalimtarët e rastit dhe marrjet në polici të të rinjve. Që në orët e para të ditës së djeshme, dhjetëra maturantë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi” kanë ardhur në shkollë jo me çanta me libra si zakonisht, por me qese të mbushura me miell dhe vezë. Grumbullimi i të gjithëve në oborrin e shkollës i dha startin edhe një beteje të vërtetë që mund të quhej “epopeja e vezës”. Të ndarë në grupe dhe pa dashur të dinë për bërtitjet e mësuesve, të rinjtë pa dallim nisën të qëllojnë njëri-tjetrin me vezë, miell, madje edhe me salcë domatesh, duke u kredhur në një mënyrë që ngjante me festat e karnavaleve. Festa dhe rrëmuja e tyre ka përfshirë mandej edhe të gjithë fasadën e shkollës, rrugën, dyqanet, makinat dhe nuk ka kursyer as kalimtarët e rastit. Kësaj lloj shfaqjeje të çuditshme iu bashkuan më pas edhe dhjetëra gazetarë e paparazë, të cilët kanë rënë pre e goditjeve të shkujdesura të adoleshentëve të ekzaltuar.

Ndërhyrja e policisë
Është dashur ndërhyrja e policisë që të qetësohej situata dje në disa shkolla të mesme të kryeqytetit. Rituali tashmë i përvitshëm i luftës me vezë dhe miell ka bërë që mësuesit t’i kishin marrë masat që më parë duke bërë që pranë shkollave të dislokoheshin më tepër efektiva policie se zakonisht. Por asgjë nuk ka mundur të ndalë furinë e adoleshentëve që nuk kanë kursyer as makinat e policisë dhe vetë policët duke i goditur me vezë. Por kjo ka bërë që disa maturantë të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” dhe të gjimnazit “Asim Vokshi” të përfundonin në komisariatet e policisë. Ndërkohë, situate, edhe pse është qetësuar me largimin e adoleshentëve nga territoret e shkollave, ka vijuar përgjatë gjithë rrugëve të kryeqytetit, ku gjurmët e vezëve dhe miellit shiheshin edhe shumë larg shkollave. Po kështu, edhe fasadat e institucioneve arsimore pas mbarimit të kësaj beteje ishin bërë për t’u lyer nga e para. Në fund të “epopesë të vezëve” bilanci ka qenë: maturantë të gëzuar por të bërë pis kokë e këmbë, qytetarë të tromaksur dhe të ndotur, si dhe shitësa të kënaqur që kishin shitur që në orët e para të mëngjesit të gjitha vezët dhe prisnin furnizimin e radhës.

Boshatisja e shkollës
Edhe pse duhen ende disa ditë që shkollat të mbyllen përfundimisht duke ia lënë vendin sezonit të ri të provimeve, nxënësit nga ana tyre ia kanë dhënë fundin edhe pse në rrugë zyrtare fundi nuk është lajmëruar ende. Kështu, ka rreth 1 muaj që shumica e gjimnazeve në kryeqytet duken shumë të heshtura, kjo për faktin e thjeshtë se nxënësit nuk po shkojnë fare në shkollë por në baret dhe pub-et afër tyre. Ata shkojnë në shkollë, por vetëm sa për t’u paraqitur aty dhe jo për të ndenjur e për t’u bërë pjesë e mësimit. Kjo vërtetohet edhe nëse sheh një regjistër, i cili nxin nga notat e këqija dhe mungesat, të cilat kanë marrë rreshtim për një. Mësuese Irma në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” thotë lidhur me këtë fenomen: “Gjimnazistët dhe kryesisht maturantët nuk bëjnë vetëm mungesa teke, sepse po e vendosën nuk shkojnë fare gjatë gjithë ditës, duke mos u paraqitur fare në mësim duke mos zhvilluar asnjë orë”. E ndërkohë më të shokuar përpara këtij fakti ngelen prindërit, të cilët kujtojnë se fëmijët e tyre shkojnë në shkollë. Por, kur përballen me faktin e regjistrit, aty e kuptojnë se fëmija e tyre nuk shkon më në shkollë.

Klasat e boshatisura
Duket e çuditshme, por në këto ditë mësuesit ankohen në drejtori për boshatisje të klasave nga nxënësit. Këta të fundit në grup organizohen dhe lënë orët e mësimit për t’u larguar ku e di se ku. Tashmë as mesazhet që u dërgohen prindërve nga ana e mësuesve kujdestarë nuk “pinë më ujë”, pasi janë vetë adoleshentët që vendosin për veten. Kryesisht pjesa më e madhe e nxënësve dezertojnë 2-3 orë ose gjithë ditën duke bërë që numri i mungesave të jetë rekord. Edhe pse kjo do të ishte koha ideale për të rregulluar notat, ata as që mundohen fare për këtë gjë. Muzika në afërsi të shkollave, e cila vjen nga lokalet, duket se i josh më tepër nxënësit sesa një shpjegim i temës së ditës, që bëjnë mësuesit e lëndëve përkatëse. Kjo ikje masive i ka sigurisht pasojat mbi kurrizin e tyre dhe të gjitha do të reflektohen në fund, ku secili prej nxënësve teston veten për njohuritë që ka.

Baret, foleza e gjimnazistëve
Ajo që të bie në sy është ikja masive e nxënësve në baret dhe kafenetë e shkollës. “Është më mirë në kafe, aty argëtohesh më shumë sepse muzika është e mirë dhe shoqëria gjithashtu”, - thotë Aldo, nxënës në vitin e tretë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Ai vijon më tej duke justifikuar veprimin e tij se, “në bar nuk ke një mësues që të lodh me ekuacione, me ligjet e fizikës apo me histori që kanë ndodhur në shekujt e kaluar”. Ky duket se është kthyer në një mendim të përgjithshëm që karakterizon të rinjtë e gjimnazeve, të cilët duket se janë më të interesuar të argëtohen sesa të studiojnë, edhe pse kjo është në të mirë të tyre. Koha e lirë kalohet mirë vetëm duke pirë një kafe me shoqërinë, pasi mësimet vijnë në plan të dytë ose në plan të tretë. Ndërkohë, nxënësit që studiojnë dhe nuk duan t’i lënë orët e mësimit konsiderohen nga shokët si ‘peshkopët’ e shkollës dhe njerëz “demode” ose “hutaqë”.

Ervin Koçi