E enjte, 28.03.2024, 12:06 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano IV)

E enjte, 04.12.2008, 05:08 PM


Nikollë Lesi

 

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano

 

Nano: O me mua, ose me Ilirin!

 

Kisha dëgjuar plot bëma nga mazhoranca socialiste gjatë viteve pas '97 ës, por që të vinte puna ku kryeministri dhe zv/kryeministri i një shteti të mos komunikonin me njëri tjetrin këtë nuk e kisha menduar apo dëgjuar. Paradoksi ishte se rrinin në një kabinet , në një parti dhe në një sallë mbledhje qeverie. I kisha parë Nanon dhe Metën shumëherë në marrëdhënie tepër të ftohta, porse njëri ishte në qeveri e tjetri diku në parti ose shëtiste jashtë shtetit gjatë kohës që qeveriste kundërshtari.

 

Ishte maji 2003. Meta kishte kërkuar shpjegime për disa gjëra që ndërkombëtarët ia kërkonin atij si ministër i Jashtëm, por që ishte njëkohësisht edhe numri dy në qeveri. Nano i vendosur për ta acaruar e denigruar nuk e pyeste në asgjë. Çdo projektvendim vinte direkt e në qeveri dhe zv/kryeministri vihej para faktit të kryer. Bisedimet e fshehta në Bejrut të Izraelit në qershor 2002 kreu socialist i kishte shkelur me këmbë. Emëronte e ç'emëronte zv/ministra apo drejtorë të rëndësishëm pa e pyetur, të paktën edhe formalisht në telefon. Duke qenë ministër i Jashtëm zoti Meta e kalonte gjysmën e muajit jashtë në vizita zyrtare të detyrueshme. Puna e ministrit të Jashtëm është sa në njërin avion në tjetrin. Nga Europa në Azi e kudo që shteti shqiptar ka interesa politike dhe ekonomike. Roli i ministrit të Jashtëm është i rëndësishëm, pasi është dora e djathtë e një kryeministri. Bile për ta acaruar siç kam mësuar shumëherë nga jeta parlamentare i bënte mbledhjet e qeverisë në ditët që Ilir Meta ishte në vizitë jashtë shtetit. Në ditët e tjera as që nuk komunikonte me zëvëndësin e tij. Duke qenë personalisht nga natyra njeri që rri pa paragjykime me tjetrin, duke mos dashur t'ia dijë nëse është i djathtë apo i majtë pija kafe apo bisedoja me politikanë të gjitha krahëve. Ndërsa me Ilir Metën kisha një miqësi se ishte me miqësor me median se sa të tjerët. Dhe për të qenë i sinqertë deri në fund nuk do të them tani se "bisedonim vetëm për sportin apo bujqësinë"! Mes miqsh shkon gjuha atje ku dhemb dhemballa. Natyrisht që kemi biseduar , edhe për Nanon, edhe për Berishën, por dhe për vetë pozicionin e tij në qeveri. Raportet tona kryesocialisti Nano i dinte përbukuri. Ndaj një ditë maji të 2003 më ulet si rastësisht në tavolinën time në kafenë e parlamentit. Isha me Ben Blushin.

 

Ç'thotë miku ynë i përbashkët ?! thotë dhe më zgjat një puro. Kisha disa oshilacione me Nanon për hir të kritikave që bënte gazeta "Koha Jonë" . E respektoj për arësyen se kemi kaluar kohë të turbullta me njëri tjetrin, porse gjithsesi jam i bindur se kam qenë tepër korrekt me të në momentet që ai ishte në burg apo kur nuk kishte pushtet. Në ato momente, pra kur i kishte zbritur "kalit të pushtetit", kam qenë afër tij, i bindur se kishte të drejtë në shumicën e rastëve. Në ditët e mbretërimit Nano të harron, nuk të njeh nëse nuk ka ndonjë interes financiar apo politik të mirëfilltë. Pra kthehet si në pyetjen "Ku jemi parë bashkë?!". Tashmë e kisha njohur gjysmën e portretit Nano. Por kishte prapë punë të njihja pjesën e rrezikshme të tij. Dhe, përveç kuriozitetit si gazetar në profesion më mundonte ideja që të bindja vetveten që nëse kam vepruar mirë apo keq që po distancohesha përditë nga ky njeri me emrin Fatos Nano.

 

Para tij ishte kongresi i PS në fundviti. Frikësohej nga ideja se mos kandidonte personalisht Meta për postin e kryetarit të PS së. Në një përleshje të vertetë do të kthehej kongresi. Këtë gjë e dinte zoti Nano më mirë se sa vetë Iliri. Kryetari e vuri gjithçka në shërbim të kongresit. Emërimet, shkarkimet, deklaratat, dhuratat në pronat shtetrore për klane të caktuara financiaro politike. Ishte në ethe. Nuk e thoshte, por dukej në mënyrën se si vinte e ulej, si kërkonte miqësi e afërsi.

 

Iliri ! A është mirë? I thuaj të më bëj një telefon futi kunjin dhe bëri sikur fliste më Blushin.

 

Nuk jam sekretari i Metës! Dakort ? Bashkë punoni, bashkë i keni bërë lëmsh punët. Hajt, shendet ! dhe u ngrita i nevrikosur pa i dhënë dorën.

 

Prit ore, pse nxehesh? e urtësoi zërin kryesocialisti Ti shquhesh për gjakftohtësi! më futi kunjin tjetër, duke e ditur se pikërisht këtë të keqe të temperamentit e kisha dhe nuk mund ta hiqja në moshën ku kisha kapërcyer të 40 vitet. E kisha "zbutur" , por prapë mbetem fajtor në këtë pikë. Ben Blushi, me të cilin kemi punuar bashkë në gazetën "Koha Jonë" në vitet '96 '97 gjeti mënyrën për të më ulur në tavolinë.

 

E lemë nesër një takim bashkë? foli si për të thyer heshtjen kryeministri Nano Ky është numri im i ri i celularit- më tha dhe ma shkroi në një copë letër. U largua ai para meje nga tavolina.

 

Kujdes! Kij mendjen tha ministri Blushi.

 

Të nesërmen në mengjez shkova si zakonisht tek Grand Hotel për të pirë kafen e ditës. Nuk kishte kaluar shumë kohë kur ia mbërrin drejtori i kabinetit të kryeministrit Dritan Shano. E kisha njohur këtë djalë që në vitin 1992 kur shkonim tek shtëpia e Gramoz Pashkos. Me Aleksandër Frangajn, Frrok Çupin dhe Armand Shkullakun rrinim pasdite tek Pashko dhe Shano ishte si një "roje" e Gramozit. Ishte djalë i mirë. Na sherbente në mënyrë korrekte, atëhere. Kishte bërë karrierë ky djalë ;nga "roja" e Gramozit në vitin 1991 tek drejtor kabineti i kryeministrit Nano në vitin 2003.

 

Kryeministri të pret sonte për tu takuar u fut direkt në bisedë Shano.

 

Ku ? pyeta. Doja të bindesha në vetvete nëse jam unë gabim apo ai është po Nano që thonin shokët e tij.

 

Ku të duash ti!

 

Si rregull kryeministri e cakton orën dhe vendin insistova që të fliste me të në telefon. Dritani u çua dhe seç bisedoi nuk e di, por u kthye shpejt.

 

Caktoje ti më tha kryeministri foli i vendosur drejtori i kabinetit Në daç në vilën e tij , në daç në ndonjë restorant të fshehtë . Ku të duash.

 

Ore unë nuk e kam të fshehtë takimin. Pse të shkojmë si në ilegalitet? Në zyrën e tij në kryeministri do të vij në orën 20.00 i thashë Dritanit.

 

Ok.

 

Darka erdhi shpejt. Në 19 .55 shkova tek dezhurni i kryeminstrisë. Rregullat janë rregulla Duhen zbatuar, ndaj nuk kisha pse të shkoja si "çlirimtar" dhe të më prisnin me "lule". I ngjita shkallët një e nga një, pa u ngutur. Në koridor më priti Shano. Ndërkohë i thotë sekretares gjithë shqetësim.

 

Shpejt! I thuaj shefit se erdhi zoti Lesi. Nxito! fliste Shano. I hodha një vështrim pikëpyetës, por më shumë po pyesja veten:" Ore ç'estradë po luajnë këta me mua?". Unë nuk isha as ambasadori amerikan që pritet që në shkallën e parë të ndertesës së kryeministrisë. Aq me tepër e njihja shumë mirë Fatosin. I kisha kërkuar njëherë takim në dhjetor të vitit 1997, asokohe ishte prapë kryeministër. Doja të më ndihmonte të merrja një kredi në Bankën e Kursimeve, pasi isha në hall ekonomik, meqënëse redaksinë e gazetës ma kishin djegur me 2 mars 1997 shikasit dhe policia. Nuk e di edhe sot me apo pa urdhër të Berishës.

 

A e dini ç'përgjigje më kishte dhënë Fatosi kur e takova në hyrje të hotel Rognerit bashkë me Finon e Malajn.

 

Aha, këtë hall ke ti?! Tako Kristinën ! dhe kishte ikur i shoqëruar nga shpura e rojeve të shumta. Nuk më dha kohë që ta pyesja se ç'është kjo Kristina. Atë darkë mendova se Kristina do të ishte ndonjë drejtoreshë banke apo krediti, apo edhe më tej zv/ministre e Financave. Kisha fjetur plot endërra të bukura atë dhjetor të ftohtë të vitit 1997. "E takova vetë zotin Nano ! Më premtoj se do të më ndihmoj për gazetën e djegur" i kisha thënë gruas, Natalisë. Por kur kisha pyetur të nesërmen Ben Blushin e Vladimir Prelën, asokohe këshilltarë të zotit Nano se "kush është kjo Kristina që duhet të takoj?", Blushi ishte shkulur së qeshuri.

 

Si të tha, tako Kristinën?! pyeste dhe përgjigjej prapë duke u gajasur Ben Blushi.

 

Pse, ore çke? isha nxehur me Benin.

 

Ama Kristinën! E paske zgjidhur hallin! thoshte nuk pushonte se rrekuri së qeshuri.

 

Dëgjo Niko! ndërhyri Vladimir Prela, një burrë i thinjur, por plot gjallëri. Ladi kishte punuar tek unë në gazetën "Koha Jonë" si shef i rubrikës së jashtme Ne punojmë me të dhe kur don të heq qafe ndonjë i thotë tako "Kristinën!" Pra, ka tallur….

 

Trapin! ndërhyri Beni dhe vetëm gajasej Kristina është sekretare e tij në parti. Ç'punë ka ajo me bankën dhe kredinë tënde?! Të gjithë atje përfundojnë tek "Kristina" theksoi Beni dhe më në fund u bë serioz.

 

Ma ka futur domëthenë ? pyeta kot së koti, pasi pikë gjaku nuk më kishte mbetur në fytyrë. Kisha katër vite që e ndihmoja pasi ishte burgosur me pretekste politike. Një fytyrë me vinte e një tjetër më shkonte. Një duf i madh më ishte mbledhur në grykë.

 

Po pse më gënjeu? Të paktën të më thoshte që nuk bëhet iu drejtova Vladimirit.

 

Më dëgjo mua ndërhyri Beni Shite gazetën! Kaq tu desh sa u bëre deputet. Më i rëndësishëm je zv/drejtor dogane me Gëzim Bletën se sa drejtor gazete në kohën e Nanos.

 

Të gjitha këto mu kujtuan brenda pak sekondave kur po prisja të hyja tek Nano në maj 2003. "Kujdes ! " më kishte thënë prapë Blushi dje në kafenë e parlamentit. Ai e njihte më mirë se kushdo Fatos Nanon. Dhe u përgatita. Hyra brenda në zyrën e tij .

 

Hajde mirësevini zoti Lesi. Keni pa ardhur qëkur ishte Meta këtu në këtë zyrë u fut në lojë direkt kryeministri. "Kujdes !" më shoqëronte në çdo fjalë e lëvizje Si të ka ecur gazeta? Po lejen e ndertesë së gazetës e more nga Edi Rama? E zgjidhim! pyeste dhe përgjigjej po vetë. Akoma nuk po e merrja vesh se ku donte të dilte ai. Një hall e kishte, këtë e dija, por pikërisht se ku i "pikonte" çatia ende nuk po e nuhasja. Pas djegies së gazetës në 1997 kisha blerë një ndertesë dhe i shtova disa kate për median. Por , për dreq, e kisha blerë me dokumenta ipotekimi fallso. Noteri e avokati më thonë se leja e ndërtimit dhe toka është në rregull me vulë të njomë. Firmosa nga nxitimi dhe pagova lekët me kontratë për dy vite rrjesht. Rastësisht mësoj se ishte gjithcka e fallsifikuar nga shitësi. Mbeta me gisht në gojë ! Por kjo është histori, e cila me shoqëronte sa herë hapja debate me drejtuesit e shtetit apo të qeverisë., përdorej nga pushteti të më bënte presion për të ulur dozën e kritikave për mënyrjen e qeverisjes. Pushtetarët harronin se me cilin kishin të bënin; nuk doja t’ia dija fare për këtë histori “pengu”. Përkundrazi mbetesha më stoik kundër praktikave të padrejta të qeverisë. Ndërsa po mendoja këtë në pak minuta një zë si nga fundi i një qoshe të errët u dëgjua:

 

ZotiShano! – dhe thirri drejtorin e kabinetit nëpërmjet sekretares. Hyri Dritan Shano.

 

Çdo problem që ka zoti Lesi do ta mbash shënim.Më thuaj mua nëse ndonjë ministër bën yçkla. Edhe me Edi Ramën do ti thuash në emrin tim që të mos ia vonoj kaq shumë lejen e ndërtesës së "Koha Jonë". Dakort? Na sill dy xhin foli prerë kryeministri Ah, dhe një kafe për zotin Lesi. Apo je për një darkë bashkë tek "Piaza" ? fliste kaq i shpenguar zoti Nano, aq sa prapë mu kujtua ajo e Blushit "Kujdes!".

 

Si mund të merremi vesh bashkë ? E kam problem qëndrimin tënd prapë fliste, ndërsa unë ende nuk kisha thënë , të paktën një fjalë. Donte të krijonte atmosferë miqësore pas atyre replikave në parlament mes nesh, e sidomos kritikat në gazetën "Koha Jonë" ndaj tij. Po vinte Kongresi i PS së dhe hija e Metës i copëtonte zemrën . Kongresi vendoste për kryetarin, për KPD në. Kryetari ishte edhe kryeministër. Pra gjithçka ishte në dispozicion të kongresit. Thirreshin kryetarët e PS së në rrethe, u jepej premtime, doganierë, toka; ftoheshin pronarë mediash televizive apo të shkruara. Çfarë donin e merrnin. Thesi ishte hapur!

 

Me jep një cigare thashë, duke u ngritur nga vendi dhe zgjata dorën tek një paketë cigaresh.

 

Mos u ço! Ngrihem unë për miqtë- e në pak sekonda cigarja mu ndez me një cakmak të florinjtë.

 

U krijua një heshtje që po zgjaste. Pinim xhin dhe asnjëri nuk po e thyente akullin. Ajo puna e "Kristinës" seç më kujtohej herë pas here kur e shikoja në dritë të syrit.

 

Unë këtu nuk kam ardhur as për Edi Ramën e as për njeri tjetër e theva më në fund heshtjen Kemi qenë dikur miqë…

 

Jemi prapë. Ou sa herë zihemi në të dy aq më shumë afrohemi tek njëri tjetri ndërhyri gjithë gjallëri Nano.

 

Mirë, mirë, por unë shërbetor në oborr nuk të bëhem! Por me mua ke gabuar. A jeni ju apo dikush rreth jush që fut pyka këtë akoma nuk po e zbuloj…

 

Jo, ka keqkuptim më ndërhyri pa më lënë ta mbaroja idenë e nisur Nuk pyes unë asnjëri. Emini (Barçi) më ka folur mirë për ty. Djalë kurajoz ! Ndërsa Agimin (Isakun) nuk e pyes tha Nano dhe mu afrua tek karrikja tjetër, që ishte mu ngjitur. Ai është pa dinjitet. Ashtu përkulet Agimi. Një ditë i hodha në kokë, mu në Rogner, tavllën e duhanit, pasi më kërkoi që ta largoja Arta Daden nga ministre. Donte të bëhej vetë minister kulture. Mendova se nuk do të vinte më në zyrë, por erdhi.

 

Edhe mua më vjen keq për ndërlikimin e marrëdhenieve tona. Unë e di se ti do ta fitosh kongresin, pasi i ke të gjitha në dorë nxitova t'ia prisja hovin e masakrës ndaj Agimit. Nuk më krijonte një shije të mirë nxirja që po i bënte Isakut ashtu para meje. Në fund të fundit, ndonëse ai fliste keq për mua, por përsëri ishte shkrimtar dhe nuk mund të denigrohej ashtu. Atij i duhej hequr veshi, por jo leshrat e gjata të kokës.

 

Pse Iliri nuk do të kandidoj? më pyeti rrufeshëm

 

Nuk e di saktësisht.

 

Ju jeni miqë dhe ngriti një gotë xhin, duke e rrokullisur në fytin e leshtë.

 

Po të jetë si Nikollë do të ndihmoja me të gjitha mënyrat për të punuar pro jush për kongresin, por mos harroni se unë jam pozicionuar politikisht dhe dalëngadalë po shkoj, sipas programit politik të partisë ku jam zgjedhur. Nuk mund të luaj me dy bythë ! Përderisa pranova të zgjidhem në krye të demokristianëve më duhet të jem korrekt me ata dhe publikun- ndërhyra.

 

Eh, ç'të plasi bytha për parti! Pse unë për PS po punoj?! Jo, ore! Rregullojmë punët tona këtë rradhë. Boll dhashë për socialistët me burgun tim. Tani do të fitoj atë çka nuk e shijova në katër vitet e burgut foli më tension dhe u ngrit për tu ulur në karrige e kryeministrit.

 

Më lidh me Mustafa Xhanin! bërtiti në telefonin e sekretares. Mori papritur një pamje krejt tjetër. Tamam zyrtare.

 

Alo, o Tuç! (kështu i thërrisnin Ministrit të Shendetsisë). Nesër të bëni konfirmimin e vendit të punës të gruas së Nikollë Lesit. Qartë ? Hajt, natën e mirë ! dha urdhërin dhe më shikoi mua, si për të më thënë se shtetin e rrotulloj unë si të dua. Në çast çdo gjë ta zgjidhë. Mesazhi ishte i qartë. Po më dilte prapë thënia e Blushit "Kujdes!"

 

Ndërsa me atë shalëgjatin, Edi Ramën do ti them Besnik Dervishit që ta mbërthej si ministër. Ai i ka ca dokumenta Edit në dorë dhe i bën presion sa herë të dojë. Ndertesa jote e medias do të legalizohet urgjent foli dhe me shikoi në dritë të syrit - Me Edin nuk flas për momentin. Sikur e luan paksa bythën ai , por do t'ia kopsis pas kongresit. Do ta ndajë përgjysëm. Një pjesë do t’ia jap Saliut ta hajë , kurse pjesën tjetër Sollakut.

 

A mund të kërkoj diçka zoti Nano? iu drejtova dhe ndërkohë piva kafenë si për të larguar ndonjë efekt të xhinit që ma kishte dhënë dopio.

 

Fol! Çfarë do? Kam detyrim ndaj teje dhe Aleksandër Frangaj. O, se harrova , si është Martin Leka ? Bëji të fala. Po Frrok Çupi? A, po është tek ATSH ja fliste dhe nuk i durohej deri sa të dilte tek sebepi i takimit.

 

Unë nuk kam asnjë hall. Nuk dua asgjë. Më mjafton miqësia që kemi, por me mua mos përdor shantazhin. Unë në paqe humb ,ndërsa në luftë fitoj ka thënë në një libër Preç Zogaj fola pak i shpenguar.

 

Lëre mos më përmend mua atë Preç që më përkulet tre herë në ditë vetëm që ta bëjë ministër kulture- u nxeh kreu i qeverisë.- Ore ai Iliri sikur po përgatit diçka. E vertetë ? bëri një pyetje të rrufeshme. Dhelpra mbetet ashtu siç ka lindur dhelper.Më zgjati prapë një cigare puro Janë cigare të shkëlqyera. Ja, merre një pako dhe u ngrit. Hapi sirtarin. Nxori një pako me cigare puro.

 

Nuk e di, por mendoj se duhet ti rregulloni marrëdhëniet me të. Me aq sa di ai nuk don sherr me ty, megjithatë bashkë po punoni ia thashë duke ditur se ai tani e shan dhe pas pak e fton për marrëveshje të fshehtë. Kisha eksperiencë në këto çështje.

 

Unë me atë shkërdhatë bashkë?! Atij do t'ia fus në b….. deri në fund këtë rradhë. Mbaje mend, zoti Lesi u nxeh kryeministri kryetar, aqsa nuk po kuptoja se si i erdhi mënjëherë inati. Ishte e qetë biseda dhe nuk gjeta asnjë arsye që të bërtiste ashtu. Me një fjalor të egër, fjalor lufte . Filloi të ecë nëpër sallën e madhe të zyrës së tij. Shante. Thithte cigaren. Prapë ecte plot nervozizëm.

 

Të mos e zgjasim mua drejtua dhe qëndroi përballë në këmbë Do të jesh me mua apo Metën në këtë duel për në Kongresin e dhjetorit ? Fol ! Me dy bythë mos më luaj mua! bërtiste dhe ecte plot nervozizëm. Ndërkohë edhe unë u nxeva. Kishim hasur kokë për kokë. Ai me presion në moment dhe unë nuk e zgjata. U ngrita. Fola plot zjarr, me atë temperament që manifestoja;

 

Epo atëhere do të ndihmoj Metën me gazetën time! e mbylla pritjen e tij për një përgjigje.

 

A më hani trapin ti dhe Meta! bërtiti kryeministri.

 

Të ma hash ti ! fola dhe nuk i dhashë as dorën. Dola plot tërsellëm. Sekretaret, Dritani dhe shoqëruesit e kryeministrit nuk po kuptonin asgjë. Kisha hyrë duke qeshur e dola plot nerva.

 

Kështu përfundoi takimi im me kryeministrin kokë me kokë. Pas kësaj filloi lufta e hapur. Bile krejt e hapur. Ai shfrytëzoi çdo gjë që kishte në dorë si kryeministër.Më solli kontrollet tatimore në “Koha Jonë”, padi në gjykatë e në Prokurori, bllokoi dhënien e lejes së ndërtesës të gazetës e cfarë nuk bëri. Por dhe unë çfarë zotëroja; parlamentin, mitingjet dhe median.

 

 

Nano: Mos shkruaj për Xhoanën!

 

Ishte fundmaji 2003. Tashmë “ambasadat” i kishim tërhequr. Pritej luftë e hapur nga Fatos Nano ndaj meje dhe medias “Koha Jonë”. E kishte provuar njëherë në dhjetor 2002 me një urdi kontrollorësh tatimor, por kishte dështuar. Natyrisht që urdhërova në fundvitin 2002 që pjestarë të stafit tim mediatik t’i inçizonin dhe fotografonin tetë kontrollorët e degës së tatimeve të Tiranës e të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Republikës. Kishin ardhur me urdhër të posaçëm nga kryeministri Nano në shenjë hakmarrje, pasi kisha përmendur bizneset e gruas së tij, Xhoana Nano. Si deputet i kisha kërkuar ministrit të Financave zotit Kastriot Islami që të më raportonte në parlament se nga i kishte marrë miliona e miliona kjo grua që ngrinte biznese të llahtarshme, ndërkohë që isha i bindur që shfrytëzonte pushtetin e kryeministrit. Pra, dyshoja se ishte shpërdorim detyre dhe fshehje e detyrimeve fiskale ndaj shtetit. Në pikën “fshehje e detyrimeve fiskale ndaj shtetit” donte edhe zoti Nano në fundvitin 2002 që të më zinte në kompaninë mediatike “Koha Jonë”, ku unë jam pronar që nga 11 maj 1991. Iu hapa katër kanatësh portat e kontrollit, shikuan e verifikuan çdo gjë për mbi dy javë. Grupi i kontrollorëve nuk po gjente asgjë nga ato që ishte urdhëri që “të kapni dokumenta dhe t’a çoni për ndjekje penale". Skema ishte hartuar në mënyrë perfekte në restorant “Piaza”. Ishte thirrur Shpetim Idrizi, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve të Republikës ( viti 2002 ) dhe Mark Nikolli Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Ndertimore. Shpetimi për kontrollin e medias, kurse Marku për ndërtesën e gazetës, ku kishte vetëm gazetarë. Pak a shumë e njëjta skemë si në vitin 1992 1993 kur qeveriste PD, por asokohe operacionin anti Koha Jonë e drejtonte Blerim Çela, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Edhe atëhere Blerim Çela kishte bërë kallzim penal për mua si botues i gazetës. Nuk isha deputet dhe mënjëherë më morën të pandehur. Grupi hetimor asokohe në vitin 1992 drejtohej nga Prokurori i Përgjithshëm Alush Dragoshi. Prokurorët ishin Vaskë Simeoni dhe Petrit Fusha. Qendrova i pandehur dhe me detyrim paraqitje çdo të martë dhe të enjte. Nga halli mësova hilet e një gazetari hetues. Duhej që ato të cilat mi thonin në hetim se “nuk ka gjë për ty, por na kanë urdhëruar atje lart” t’ia transmetoja publikut. Sa herë hyja në zyrën e prokurorëve hetues më kontrollonin se mos i inçizoja. Atëhere takova Frrok Çupin, i cili më gjeti një stilolaps që inçizonte. Ma kishin sjellë në majë të hundës hetuesit. Kishin dy vjet që më mbanin në hetuesi e presion dhe në koifidencë më thonin “është urdhër nga lart për ty. Do të mbajmë të pandehur!”. Mendova djallëzinë dhe ua futa bukur. Isha bërë si i shtëpisë në Prokurorinë e përgjithshme. Mora kasetofonin e gazetarit në xhep. Kasetafonin në çantë ma morën, por nuk iu shkoi mendja se kisha tjetrin në xhaketë në formë stilolapsi rregjistrues.

 

Nuk ka asgjë në dosje “- fliste Petrit Fusha, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

 

Hiqe masën si i pandehur thosha i mërzitur.

 

Ç’të heqim a derëzi! “ ndërhynte Vaskë Simeoni, prokurori tjetër Të heqim veten nga puna po të mbyllim çeshtjen penale ndaj teje si i pandehur?!

 

Ama. Ia kishe fut bukur sot Berishës për atë që tha në Fushë Krujë. Keni gazetë të fortë. Lexohet. Unë për vete e marrë fshehurazi më foli hetuesi Petrit Fusha.Të nesërmen e botova të plotë në gazetën “Koha Jonë” inçizimin e bërë. Plasi skandali. Të detyruar nga botimi dhe ndërhyrja e ambasadës amerikane mënjëherë ma mbyllën çështjen dhe dola si njeri i lirë, pas dy vjet hetimi. Pra kështu ua punova edhe kontrollorëve tatimorë të dërguar nga Fatos Nano në dhjetor 2002. Kishin kontrolluar dhe bërë rrëmujë gjithçka në dokumentat financiarë të medias “Koha Jonë” dhe nuk kishin gjetur atë çka donte kryeministri të hakmerrej ndaj meje. Kisha pyetur botuesit dhe pronarët e mediave të tjera nëse po kontrollohen edhe ata. Më kishin thënë “jo”. Kur e nxori gazeta “Koha Jonë” këtë fakt mënjëherë çuan ca njoftime kontrolli në disa gazeta problematike për qeverinë, por nuk kontrolluan. Blendi Fevziu , drejtor i gazetës “Korrieri” më thotë në telefon se “erdhën nja dy veta pas zhurmës tënde. Ashtu siç erdhën nxitimthi edhe ikën pa kontrolluar gjë. E kanë me ty, Nikollë!”. Natyrisht që këtë e dija. Mbaruan kontrollin. Nuk thonin as mirë e as keq. Nuk ua mbante. Atëhere i inçizova me njërëzit e mijë pa e ditur asnjëri prej tyre. Dëgjova qyfyre e gallatë, aq sa ia vlen t’ia japësh emisionit të shumëshikuar “FIKS FARE”.

 

Ç’ti themi drejtorit ! debatonin njëri me tjetrin Ai e don në tepsi kokën e Nikollë Lesit. Aman, ç’na gjeti. Do të na pushojnë nga puna fliste tjetri. Pra e kishte provuar zoti Nano të ma fuste, por kishte dështuar. Po të shkruash apo edhe flasesh në kafene ndonjë fjalë për bizneset e gruas së tij, Xhoanës, të përvelon. Nuk don t’ia dijë për ligj apo moral. Të bën copë me të gjitha forcat. I errësohen sytë. Dizekuilibrohet. Eh, si e ka ndryshuar kjo grua Nanon që ne kemi njohur dikur. Ishte njëri i mirë atëhere, Fatosi . Duke qenë në një shoqeri demokratike e jo në një sulltanat, ku sulltanesha mund të bëjë ç’të dojë ndaj kërkoja që çdo biznes politikanësh apo i fshehur pas grave të tyre të zbardhet apo të hetohet. Ndryshe, siç kam deklaruar në parlament, mafia do të zaptojë krejt parlamentin dhe politikën. Deri diku e ka zaptuar.

 

Akoma nuk po më hiqej nga mendja ftesa e Nanos dhe acarimi i tij. Ndërkohë që e kisha respektuar për hir të vuajtjeve në burg apo edhe për momentet që ishte me të drejtën. Kisha shkembyer mesazhe. Plot. Ai i ka ruajtur, por dhe unë ruaj plot në memorien e celularit. Aparatin me mbi 40 mesazhe të tija, ku ofron kompromis, para, pushtet, kulisa, presion, fyerje etj e kam hequr nga perdorimi dhe e mbaj në kasafort si diçka që do të më duhet ndonjë ditë. Duke i menduar këto një ditë pas takimit kokë me kokë me Nanon (maj 2003) më telefojnë dy ministra të kabinetit të kryeministrit zotërinjtë Agron Duka, ministër i Bujqësisë dhe Ben Blushi, ministër i Pushtetit Vendor. Telefonatat ishin me distancë kohore prej 10 minutash. Siç duket ishin bashkë.

 

Nikollë dua të takoj urgjent. Kam një mesazh për ty foli Beni. Nga tonaliteti i zërit e kuptova se ishte i mërzitur dhe kishte diçka serioze. Me Benin, siç kam treguar, kam kaluar momente jashtëzakonisht të vështira e ku mund të na ikte koka në vitet 1996 1997. Falë Blushit, pas qershorit të vitit 1996, kryetari Nano, i cili ishte i burgosur gjeti forcën për të përballuar dyshen Pellumbi Dokle, të cilët ia bllokuan kryetarit çdo mundësi komunikimi me partinë dhe publikun. Ishte pikërisht Beni që gjeti menyrën për të shkallmuar këtë dyshe të rrezikshme për Nanon. Natyrisht që çelësi ishte gazeta “Koha Jonë”. Por Blushi ishte kryeredaktor i gazetës në këto vite.

 

Ngjitemi në katin e dytë kërkoi Agron Duka. Nga hyrja e katit të parë të Grand Hotel shkuam diku në katin e dytë. E pashë se diçka të rëndësishme donin të më thonin. Asnjëri nuk po hapte bisedën. Hezitonin. Realisht që kisha muhabet edhe me Dukën, porse e kisha njohur në momentin që hyri në parlament si deputet në vitin 2001. Kurse me Benin që në vitin 1991.

 

A ka mundësi që ta na dëgjosh njëherë o burrë! foli Beni, tek i cili e kuptoja në cep të syrit se e kishte seriozisht.

 

Çka ndodhur? ndërhyra, pasi nuk më durohej sa ti binte rrotull.

 

Çke ore që merresh me gruan e kryeministrit? Ç’dreqin do? mu lut Beni.

 

A, për këtë keni ardhur! E mbyllim këtë bisedë thashë dhe iu lashë të kuptonin se nuk tërhiqesha nga publikimi i gjithçkaje që lidhet me familjen kryeministrore Nano. .

 

A më dëgjo mua Nikollë! Unë jam biznesmen. Kam hyrë këtu rastësisht dhe jam penduar. Isha mirë. Punoja me njërëzit e mijë dhe nuk kisha probleme. Tani natë për natë në televizor del emri im, siç thotë Berisha “Duka i krimit!” e ngriti zërin në skaj trishtimi A e di ti që nuk dua t’ia dijë as për Nanon e as për Berishën, pasi jetoj vetë, por politika të merr në qafë. Të dua të mirën. Kujdes, vëlla! Nano ka gjithçka në dorë. Mund të të kurdisë ndonjë gjë dhe pastaj të rroftë gazeta. Më dëgjo mua se ti nuk ke njëri që të mbron lutej ai.

 

Ou, po këtu jeni strukur “ballista”! Nuk me ikni mua tha dhe ul në tavolinë Nard Koka, kunati i Agronit dhe mik personal i Nanos.

 

Nard, na lërë, të lutem, që të rrijmë me Nikon - u nxeh Agroni dhe ia bëri me shenjë që të largohej mënjëherë.

 

Çarë thua more ! Kamarier me sill një kafe bërtiti Nardi si për ta na thënë se “as që dua të iki”. Shikova Benin. Kishte ulur sytë. Agroni tymoste. Nardi qeshte. Vinte direkt nga vila e kryeministrit Nano. Ai i kishte treguar se ku janë dy ministrat e tij.

 

Zoti Lesi! Unë jam biznesmen. Jam mik i Nanos. E kam ndihmuar me shpirt kur asnjëri nuk i hapte telefonin. vazhdonte të fliste pa ndaluar Koka i Durrësit.

 

Futu në temë Nard! ia ndërpreva ligjeratën proNanos.

 

Kryeministri të pret tek vila. Don një bisedë me ty. Një aktmarrëveshje nxitimshi foli Nardi. Në të vertetë vila e kryeministrit ishte vetëm 20 metra larg vendit ku ne po pinim kafenë.

 

Për çfarë aktmarrëveshje e ke fjalën? iu drejtova atij që kishte ardhur i fundit në tavolinë.

 

Nano do nga ti, që të jetë i garantuar, një aktmarreveshje me shkrim, ku të shkruhet: "Se sot me datë kaq e aq nënshkruasit Fatos Nano, kryetar i PS së dhe Nikollë Lesi, kryetar i PDK së dhe botues i “Koha Jonë” ranë dakort për sa më poshtë (ndërkohë Nardi më lexonte ato çka i kishte shkruar Nano):

 

1 Palët bien dakort të bashkëqeverisin në koalicion me aleatët e tjerë të së majtës progresive dhe properendimore deri në 2005.

 

2 Gazeta “Koha Jonë” do të mbështesë hapur zotin Fatos Nano për kandidaturën e tij për kryetar të PSSH së.

 

3 Gazeta “Koha Jonë” nuk do të shkruajë asnjëherë shkrime kritike që përmendin emrin e Xhoana Nanos.

 

Në këtë moment ndërhyra duke parë Nardin.

 

Ore, ka lajthitur kryeministri apo po luan ndonjë shaka ti Nardi? pyeta i çuditur. Nuk kisha dëgjuar asnjëherë një aktmarreveshje të tillë, ku të futej partia dhe gruaja e kryeministrit. Mendova se kryeministri nuk duhet të jetë mirë. Atëherë e kuptova pozicionin e vështirë të Benit dhe Agronit. Ata ishin stepur, pasi kishin ardhur për një gjë tjetër, më moderne në komunikim. Por Nano, duke mos i besuar asnjërit prej tyre kishte nisur Kokën. Por u futa në lojë shpejt, pas turbullimit që më krijoi teksti i servirur për nënshkrim.

 

Dakort! Më sillni një letër të bardhë të fillojmë për ta shkruar nga fillimi, pasi do të ndryshojë disa gjëra, por do ta firmos thashë, duke ditur se djallëzia e Nanos ishte përfekte. Tepër përfekte. Nardi u ngrit nga tavolina dhe dëgjova ndër të tjera që po i thoshte, dikujt, natyrisht Nanos se “po e firmos!”. Fillova të shkruaj tekstin me shkrimin tim, siç e donte kryeministri, porse bëja, si për të qenë dakort, ndonjë ndryshim të vogël. E mbarova. Nuk e kisha firmosur. Blushit po i dilnin djersët. Agroni pinte cigare. Nardi fliste me kryeministrin.

 

Ta firmosë në fillim kryeministri! thashë dhe e futa letrën në xhep.

 

Firmose ti njëherë dhe shkoj unë tek Nano e ta sjellë me firmë të tij. E fotokopjojmë u ngrit Nardi i gatshëm të shkonte 20 metra përtej tek vila kryeministrore, ku e priste Fatos Nano.

 

E kush është garanti që nuk ka ndonjë lojë provokova menjëherë.

 

Nano!

 

Ore, lëre atë! Me garanto ti Nardi?-pyeta për të provokuar edhe unë me të njëjtën monedhë.

 

Për nder nuk të garantoj tha Koka Nano nuk është garant për dy fëmijët e tij që ka me Rexhinën e jo më të jetë për ty. Atij Xhoana i bën ligjin dhe më shikoi në dritë të syrit. Nxora nga xhepi i brendshëm letrën. Fillova ta grisë nga pak e nga pak. Pastaj nxora çakmakun dhe e dogja çdo fije letre, pasi mendova se mund të merret dhe ngjitet për tërë natën dhe të nesërmen e shikoja të botuar në ndonjë gazetë që “Nikollë Lesi i kërkon kompromis Fatos Nanos” !. Nano e donte me shkrimin tim dhe nesër të thoshte në media se është Lesi që e ka kërkuar nënshkrimin e kësaj aktmarrëveshje dhe e ka shkruar me dorën e tij. “Ja ç’fytyrë është Lesi! Me kërkon aktmarrëveshje !” donte ti tregonte opionionit publik.

 

E kujt donte t’ia fuste Ai ! Tashmë e njihja Nanon.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora