Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Dy vëllezër nga Mitrovica në kampet dhe burgjet e diktaturës enveriste

| E merkure, 04.08.2021, 08:02 PM |


Dy vëllezër nga Mitrovica në kampet dhe burgjet e diktaturës enveriste

Nga Kastriot Dervishi

Bahri Hysen Dërgutaj, i vitlindjes 1934, nga fshati Bronsiku i Mitrovicës dhe vëllain e tij Dërguti, i vitlindjes 1938, erdhën në Shqipëri në vitin 1956 Regjimi komunist i vendosi në Llakatund të Vlorës. Pak javë më vonë, duke mos duruar kushtet që gjetën tentuan të arratisen në Greqi, por u kapën. Gjykata e Qarkut Vlorë, me vendimin nr.52, datë 15.10.1956, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi Bahriun me 4 vjet dhe Dërgutin me 18 muaj heqje lirie. Të dy vëllezërit ndanë nga njëri-tjetri. Dërgutin e çuan në Çermë të Lushnjës e më pas në Seman.

Bahriu shkruan nga Semani më 2.2.1960 një letër për Enver Hoxha, se ishte përgatitur të riatdhesohej pa dëshirën e tij. Përveç dozave të naivitetit dhe zhgënjimit të thellë, në këtë letër gjejmë edhe këto fjalë: “Por sot të them të drejtën më vjen shumë keq dhe më të vërtet e quaj veten shumë fatkeq, sepse kur unë erdha të gëzoj dhe ta shijoj atë që dikur e quaja me imagjinatën time, jetë dhe lumturi, ndodhem i izoluar nga të gjitha, në kampin e emigracionit në Seman, me ata njerëz që presin me u kthye në Jugosllavi”.

Më 17.5.1960 zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti, jep opinion të keq për ta si “agjentë të zbulimeve të huaja”. Kjo letër ka si rrallë herë një shënim të E.Hoxhës, i cili duket që as ia ka ngenë “vëllaut nga Kosova”, madje kërkon marrjen e masave teksa i shkruan shokut Llazi: “Të gjitha këto kërkesa që më vinë (dhe që janë të organizuara), duhet të tërheqin vëmendjen e organeve të Sigurimit për përgatitjen e ndonjë gjë faji nga ana e tyre”.