| E merkure, 04.08.2021, 07:45 PM |
IKJA NË HESHTJE E NJË
ARTISTI TË SPIKATUR
Nga
Vangjush Saro
Është
ndarë nga jeta piktori Kosta Raka, një emër i spikatur i grafikës dhe sidomos i
karikaturës shqiptare, ilustrues i një numri të madh librash. Vizatimi i tij
ishte i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, me linja të qarta, plot humor dhe ironi,
shumë komunikues, realist po ashtu. Ai ka marrë disa çmime ndërkombëtare.
Ndërkombëtare. Por tash për tash, mediet shqiptare janë fokusuar vetëm te
politika dhe… koketat. Dhe nderimet bëhen me hile, sipas njohjeve. (Një farsë e
vërtetë!)
Kosta
ishte një artist i pafjalë, i pabujë. Modestia e tij binte në sy pothuaj më
shumë se punët e tij. Kjo nuk do të thotë se mediet shqiptare (përjashto
gazetën e njohur e dinjitoze “Telegraf”) duhej të heshtnin. Po ashtu edhe
njerëz të zhanrit, që në raste të tjera, në mënyrë hipokrite, bëjnë “të
përvëluarin”… Por ndër ne, me sa duket, do të vendosë gjithnjë… influenca në
shoqëri, miqësia, rrethi familjar, të njohurit dhe jo vlerat e vërteta e
talenti. Është për të ardhur keq që, gjithashtu, mjeshtri i madh i karikaturës
shkon i panderuar nga institucionet, të cilat nuk kanë lënë “mangë” e këngëtar
dasme pa lançuar. (O ç’mjerim!)
Personalisht,
e kam njohur Kostën gjatë kohës që bashkëpunonim në revistën “Hosteni”; një
medie ku lindën dhe u rritën disa artistë e shkrimtarë me emër. Po personalisht,
i jam mirënjohës për ilustrimet e goditura të dy prej librave të mi: “Polic
Këmbëvogli” dhe “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”. Pavarësisht fatit dhe
sjelljes së institucioneve, pavarësisht komedisë me nderime të supozuara,
krijimtaria e mirë dhe protagonistët e saj do të jetojnë, për të treguar se
arti nuk ka lidhje kulisat, me tallavanë dhe tablotë e përditshme mediokre e pa
klas.
Lamtumirë,
Kosta!