E shtune, 27.11.2021, 05:36 AM (GMT)

Kryeshkrim » Zejneli

Xhelal Zejneli: Federata Ballkanike

E marte, 03.08.2021, 07:30 PM


FEDERATA BALLKANIKE

Ide e majtistëve, e socialdemokratëve, e socialistëve dhe e komunistëve si dhe interes i Bashkimit Sovjetik në Ballkan

Nga Xhelal Zejneli

Federata Ballkanike apo Konfederata Ballkanike ka qenë projekt politik i bashkimit shtetëror të vendeve të Gadishullit Ballkanik. Gjatë historisë, për Federatën Ballkanike janë angazhuar kryesisht majtistët e vendeve përreth. Kjo ide, në radhët e tyre, sot e kësaj dite i ka përfaqësuesit e vet.

Historia e idesë së Federatës Ballkanike dhe prapavija politike - Gjatë periudhës së ekzistimit të Perandorisë Osmane ka ekzistuar tërësia gjeografike unike, pa kufij të brendshëm. Në shekullin XIX krijohen shtetet kombëtare dhe vendosen kufijtë ndërshtetërorë.

Shtetet kombëtare të sapokrijuara në Ballkan kanë ndjekur strategjinë e zgjerimit të territoreve të veta. Në shekullin XIX, në jetën politike të Ballkanit “kombi” është kuptuar si një bashkësi etnike e cila përsëri duhet të kompozohet nga pjesët e veta historike – para-osmane.

Greqia duhej të bëhej “Greqi e Madhe”, Bullgaria – “Bullgari e Madhe”, Serbia ndërkaq, “Serbi e Madhe”. Një politikë e tillë i përjashtonte pakicat kombëtare dhe ishte e ndërlidhur me pastrime etnike.

Lindja e idesë së Federatës Ballkanike - Ideja e Federatës Ballkanike u zhvillua gjatë shekullit XIX brenda lëvizjes socialdemokrate të vendeve të Ballkanit, si një alternativë ndaj ekspansioneve kombëtare të shteteve të sapoformuara. Pionierë të kësaj ideje ishin Hrristo Botevi (1848-1876) në Bullgari dhe Svetozar Markoviqi (1846-1875) në Serbi. Njëri prej ithtarëve të parë të Federatës Ballkanike, Svetozar Markoviqi, paralajmëroi se populli serb jeton i përzier me popujt e tjerë të Ballkanit, pa kufij gjeografikë dhe etnografikë të përcaktuar qartazi, ndaj po qe se synon të krijojë një Serbi të Madhe, do t’i duhet të luajë rolin e pushtuesit. Me fjalë të tjera, të shndërrohet në pushtues tokash të huaja. Në vitin 1893 u themelua në Selanik VMRO-ja (Внатрешна македонска револуционарна организација – Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase) e cila kishte për qëllim çlirimin dhe bashkimin e tërë Maqedonisë (së Egjeut, të Pirinit dhe të Vardarit), e cila do të bëhej pjesë përbërëse e Federatës Ballkanike.

Në vitin 1894 u themelua në Francë “Lidhja e Konfederatës Ballkanike”, në të cilën morën pjesë socialistët grekë, bullgarë, serbë, rumunë dhe armenë. Kryetar i Lidhjes u zgjodh socialisti grek Pavlos Argyriades, i cili e mbështeste autonominë e Maqedonisë brenda Federatës Ballkanike, si një zgjidhje e mundshme e çështjes maqedonase e cila shkaktonte mospajtime midis Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë.

Federata Socialiste Ballkanike - Në fillim të shekullit XX, një numër i madh partish komuniste vendore e pranojnë krijimin e Federatë Ballkanike si qëllim politik të tyre. Me këtë, rritet përkrahja e kësaj ideje.

Në vitin 1909, në Selanik, “Asociacioni Socialist i Punëtorëve”, i përbërë kryesisht prej hebrenjve, bashkohet me dy grupe socialiste bullgare. Me këtë, u formësua “Federata Socialiste Punëtore e Punëtorëve Otomanë”, e cila u shpërbë në vitin 1913.

Në janar të vitit 1910 u mbajt në Bullgari kongresi i parë i partive socialdemokrate të Ballkanit, në të cilin morën pjesë pjesëmarrës nga Serbia, nga Bullgaria, nga Rumania, nga Turqia, nga Mali i Zi, nga Maqedonia. Morën pjesë edhe përfaqësues sllovenë dhe kroatë që ishin nën Austro-Hungarinë. Pjesëmarrësit e kongresit u pajtuan se krijimi i bashkëjetesës ë përbashkët të kulturave dhe të kombeve të ndryshme, ka për detyrë t’i heqë kufijtë e vënë. Të ashtuquajturën çështje kombëtare e caktuan si një të drejtë demokratike të çdo populli për realizimin e bashkimit të tij politik dhe kombëtar.

Ata konsideronin se e vetmja zgjidhje e mundshme e të gjitha çështjeve kombëtare të popujve të Ballkanit, në rajonet e Gadishullit Ballkanik, tejet të përzier në pikëpamje kombëtare dhe fetare, është shteti federativ i përbashkët.

Federata ballkanike komuniste - Revolucioni i Tetorit në Rusi, e cila krijoi një shtet pa simbole kombëtare, e forcoi internacionalizmin revolucionar në Ballkan. Internacionalja e Tretë e sapoformuar (e njohur si Internacionale Komuniste apo shkurtimisht Kominterna) i tuboi në radhët e veta socialistët revolucionarë të të gjitha viseve të Ballkanit. Kominterna e pranoi krijimin e federatës ballkanike si bazë të politikës së saj ndaj Ballkanit. Federata komuniste ballkanike, deri shpërbërjen e saj në vitin 1939, u nënshtrohej interesave të Bashkimit Sovjetik.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ekzistuar nisma e ndërlidhjes së luftërave “nacionalçlirimtare” të partizanëve të Jugosllavisë, të Shqipërisë, të Bullgarisë dhe të Greqisë.

Svetozar Vukmanoviq Tempo (1912-2000), si delegat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe i Shtabit Suprem të UNÇJ (Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë), në vitin 1943 veproi në Maqedoni për formimin e Shtabit ballkanik, në funksion të luftës nacionalçlirimtare të përbashkët të popujve të Ballkanit dhe bashkimit të ardhshëm në Federatën Ballkanike.

Pas Luftës së Dytë Botërore, midis autoriteteve komuniste të reja – të RPF të Jugosllavisë, RP të Bullgarisë, të RP të Rumanisë dhe të RP të Shqipërisë, me pjesëmarrjen aktive të BRSS-së (Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike), u shqyrtua bashkimi në Republikën Federative Ballkanike, e cila do të përfshinte edhe Greqinë, po qe se në luftën civile greke do të fitonin partizanët. Në këtë kohë Josip Broz Tito punonte me të madhe për krijimin e Federatës Ballkanike. Jugosllavia u jepte ndihmë partizanëve grekë dhe vepronte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.

Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë dhe të Bullgarisë, Josip Broz Tito (1892-1980) dhe Georgi Dimitrovi (1882-1949) punuan në projektin e bashkimit të të dy shteteve në Republikat Federative Ballkanike. Si lëshim për palën jugosllave, autoritetet bullgare u pajtuan të pranojnë dallimin midis kombësisë dhe gjuhës bullgare dhe maqedonasve e gjuhës maqedonase. Ky ishte një prej kushteve për Marrëveshjen e Bledit të nënshkruar midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, më 01 tetor 1947. Në nëntor 1947, nën trysninë e Bashkimit Sovjetik, Jugosllavia dhe Bullgaria nënshkruan edhe marrëveshje miqësie. Qeveria bullgare përsëri ishte e detyruar që qëndrimet e veta t’ua përshatë interesave të Bashkimit Sovjetik në Ballkan.

Pas rezolutës së Informbirosë në qershor të vitit 1948, me të cilën u dënua veprimi politik i Titos, marrëdhëniet e RPF të Jugosllavisë me vendet e tjera socialiste u ndërprenë. Me këtë u ndërprenë edhe bisedimet për krijimin e një lidhjeje ballkanike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora