Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Maliqi: Personaliteti i shumëfishtë i Timo Mërkurit

| E marte, 03.08.2021, 06:00 PM |


PERSONALITETI I SHUMËFISHTË I TIMO MËRKURIT

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Të jesh njëherësh ekonomist mjaft i mirë, por edhe krijues i shumëfishtë si Timo Mërkurit nuk është e lehtë. Studimet ekonomike atij i dhanë idenë e bilancit, të suficitit dhe deficitit buxhetor, konceptin e analizës ekonomiko-financiare dhe praktikat e tyre në realitetin e Shqipërisë. Ndaj ai e kuptoi shpejt dhe mirë se me fjalën nuk duhet tepruar, teprimi sjell proliksitet, por edhe strukturat elipsoide *mungesore apo konciziteti i tepruar krijon probleme dhe keqkuptime, Ai gjithashtu e kuptoi mirë se të gjitha analizat në parim janë njësoj, por në fusha e ndërmarrjet përkatëse ka ndryshime të vogla strukturore, terma e fjalor të ndryshëm, por rrugët janë po ato.  Ndaj Timo është kaq i saktë në përdorimin e fjalës!

Timo Mërkuri u shfaq së pari si poet lirik, qysh në moshën shkollore, por një poet i veçantë ama, pa ujra në poezi, metaforik e simbolik njëherësh. Një poezi sintetike, pa tepri, por do të thosha se është në gabim kush thotë se ajo është hermetike. Poezia e Timos është shumë e kuptueshme për njerëzit mendje hapur, si argument mund të merrja dhjetëra shembuj, por po mjaftohem me disa tituj librash, p.sh. libri i parë titullohet “Bulevardi i dhimbjes”, i dyti “Loti i detit”, cilido e kupton se për çfarë arti është fjala. Nuk ka nevojë për statistika, se rrugët dhe bulevardet tona ende janë të përgjakura prej ngjarjeve të ’97-tës, prej krimit dhe prej aksidenteve rrugore. Kështu, jo vetëm rrugët, por edhe deti qan nga mijëra të mbytur gjatë shtegtimit në rrugët detare apo tokësore të fatit.

Timo mblodhi si Thimi Mitko, De Rada, Fatos Mero Rrapaj e Veis Sejko këngë burimore me tituj të gjetur e mbresëlënës, si: “Iso more djema”,“Te Lisat në Shënkoll”, “Gjerdan i këputur” , “Ku hardhia pikon vesë” etj. Mbledhja e lëndës folklorike të krahinës së tij dhe botimi i 5 librave me këtë lëndë të pasur e të çmuar gojore popullore në të vërtetë është themeli i vërtet ku u mbështet ngrehina e tij studimore, ajo i dha atij lëndën e parë, sensin e masës  dhe figuracionin fin të pa konsumuar nga të tjerë. Me këto e mëkoi gjyshja dhe i ati, se nëna i vdiq shpejt. Kjo e mbron atë edhe nga kopjimi. Ne kur flasim për artin jonian në kuadrin e krijuesve jugorë të paktën numërojmë si  të parë atë që ka botuar më herët, por në të vërtetë ai është poet proliks dhe i ndikuar nga poezia e Ricosit, të përkthyer dhe kopjuar keq nga italishtja. Timua  në këtë kuptim është më i pastër dhe me sintetik.

Mbledhja dhe qasja shpirtërore ndaj folklorit bëri që ai të shkruajë dhjetëra shkrime e disa libra për iso polifoninë dhe veçoritë e saj në raport me këngët polifonike të popujve të tjerë. Për Timo Mërkurin isoja është deti ku noton kënga polifonike. Ndaj ai këmbëngul tek ky thelb dallues, i cili ndikoi në pranimin pa rezerva të iso polifonisë si vlerë e veçantë krijuese dhe u pranua prej UNESKO-s si i tillë. Vëreni si i titullon librat e tij në këtë fushë arti, ku studimi dhe krijimi letrar përbashkohen: “Madhëria e saj – kënga iso polifonike”, “Shenjtëria e isos”, “Vesa mbi këngë”, apo “Identiteti isopolifonik”.

Ne nuk mund të rrimë pa përmendur edhe veprat e tij poetike dy gjuhëshe si Poezi shqip-greqisht apo “?????? ??? ????????”-“Lotët e Detit”, si arritje të vlefshme. Por Timo e ka provuar penën edhe në vepra në prozën e gjatë si tek novela “Thomai  që mbolli kripë”, një qesëndi apo satirë e lehtë me disa tipa dhe karaktere. Ai ka botuar edhe vepra në fushën studimore si për shembull: “Epoka që verbon poetët”, “Kur flasim për artin jonian”,  “Vajza e valëve” për Neço Mukën dhe sprovën “Honestra e këngës himarjote”  apo artikujt për Lefter Çipën dhe Këngën Pilurjote, ashtu si ka shkruar pa rreshtur për këngën iso polifonike gjirokastrite, zagorite, përmetare etj. dhe veçoritë krijuesve të korifenjve të kësaj kënge etj.

Shpesh unë dhe Timo Mërkuri kemi një qasje shpirtërore me krijuesit nga Kosova dhe Serbia jugore, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi  etj. natyrisht këtu përfshihen edhe preferencat individuale kjo është arsyeja, që rrallë jemi përafruar në emra apo autorë të njejtë, përjashto Albina Idrizin ktijimtaria e së cilës ka admirimin e të dyve.

Ndaj këtu, objekti kryesor imi në fakt është libri më i fundit i Timo Mërkurit, një libër studimor me një varg shkrimesh rreth disa veprave letrare të krjuesve të Kosovës Lindore “Letërsia si shpëtim nga “Rrufetë zeusiane””, botim i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu, Gjilan 2021. Në këtë libër Timo  Mërkuri, por edhe ne të tjerët, theksojmë se poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri në kufij të skajshëm artin e tyre në poezi dhe në prozë, ndaj është e pasur me metafora dhe simbole dhe e parë mnë këtë këndvështruim, kjo letërsi nuk është aspak hermetike dhe moderniste.

Në këtë kuptim Pavarësia e Kosovës do të thosha unë e “dobësoi” artion poetik  në figuracionin shprehës, pasi në të u turrën grafomanët, që nuk i bashkon asgjë me artin poetik.  Të gjitha shkrimet e Timos për këtë poezi apo prozë e pasurojnë ndjeshëm artin tonë studimor në tërësi, por edhe në thellësi. Le të thonë disa se “ata që morën pjesë në Kongresin e gjuhësisë të 1972-shit nuk kishin formim të plotë gjuhësor apo letrar”, kështu mund të thonë edhe për Timo Mërkurin se nuk është shkolluar për gjuhë dhe letërsi, por le ta provojnë të maten me të! Ai i qaset më tepër në këtë drejtim poetit, prozatorit dhe studiuesit Fatos Arapi (ekonomist si Timua në profesion.) por unë do të thosha në rastin e Timos atë që pohon Ndue Ukaj tek studimi i tij “Koha për një gjuhë të qartë”:

“Përgjatë viteve të fundit, ne e kemi injoruar atë çka është esenciale për një shoqëri: pushtetin e gjuhës, dhe mundësitë e pakufishme që ka ajo për të formësuar të vërtetat politike, kulturore, ekonomike e sociale. Kemi injoruar mundësitë që ka ajo për të ndikuar te tjerët: te formimi i botëkuptimeve dhe bindjeve për çështje specifike të shoqërisë. Për pasojë, kemi trilluar autoritete të rreme, që bazohen te forca e ndëshkimit,..”

Timo Mërkuri  e bën analizën e krijimeve duke depërtuar brenda shkrimit dhe duke qenë aktiv dhe jo si soditës nga jashtë. P.sh në analizën e poezisë “Çoje vetullën Idriz Seferi” i drejtohet poetit Sabit Rustemi me fjalët. “Shihe pak me vëmendje, o Sabit Rustemi, shihe Idriz Seferin.Me ato vetull të ulur mbi sy ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit, por po sheh diku më larg...” fq. 61 dhe vazhdon: Ndaj sulu vrik në Prishtinë e ngrije atë flamur miku im dhe me ‘të, së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit, e më mbrapa ngrije te vendi më i lartë i Prishtinës. Nisu si plumbi, se je më pranë, ndaj mbërrin më shpejt, e unë po. nisem sa ora e të mbërrij tek të jesh me flamur në dorë. Dhe ashtu sup më sup do shndërrohemi në shqiponjën dykrenore të atij flamuri. Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vetull Idriz Seferi, do t’i ndrijnë sytë e do të këqyrë me dashuri. Fq 63

Timo Mërkuri shkruan gjatë për poetin Sabit Rustemi. Ai është mjaft i njohur ndër ne, boton në gazetat letrare në Shqipëri, organizon takime poetike, manifestime e konkurrime në kuadrin e klubit letrar “Beqir Musliu”, na ka ftuar në Gjilan dhe ne e kemi ftuar në Sarandë, por këto i them unë, pasi në kuadrin e analizës poetike nuk kanë pesha specifike të posaçme. Kur Timoja qëndron tek poeti Sabit Rustemi thotë: . Kjo ndjenjë dukej se reflektohej në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E diela e dashurisë…

Le të jetë kjo dita e faljeve / për mëkatet që nuk i themi/ E diel e dashurisë/qoftë çdo ditë… teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le pa atë që ma more…dhe…Hyjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturimi/kam jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua fq 17

Përkundër kësaj dukurie, Timo thekson se përmbledhja dyvellimëshe e Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti”, e mbushur me krijimtarinë gati dyzet vjeçare të autorit, është si  një pyll vetëm me pemë e fidanë dashurie. Është rasti i parë në letërsinë shqipe që jepet një përmbledhje e tillë vetëm me poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepsëse. Fq 20 të librit të tij.

Timo Mërkuri thekson atë që duket se është thelbi i kësaj eseje për artin, se në Malin e Çepurit e ka selinë poezia e Sabitit si Apoloni në Olimp.

… Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër faqe lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në çdo lule / peme e flatër zogu… sepse edhe vendi ku takohen të dashuruarit është i shenjtë ose shenjtërohet me dashuri: …Çepuri/deri n’atë kupë të qiellit shpërthen/për Ty moj Peri… Aty ku takohemi/në cilëndo botë/përmes të përzjarrtës dashuri/diell të ri krijojmë…

Timo thekson se poezia e Sabutit na thotë se të krijosh një diell të ri do të thotë të krijosh një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm dashuria dhe e shpreh kështu magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni poezinë e tij, më të bukur do t’ju bëjë, ju siguroj unë, na këshillon Timo në fq. 20. -

Poeti i këndon dashurisë si një ëndrre të bërë realitet vetëm për të personalisht dhe për rrjedhojë, ka  bindjen se ai, i dashuruar, do jetojë përjetësisht, se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e përjetësisë dhe Timo Mërkuri citon në librin e tij vargje të shumta të poetit:

… Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë pa ne/e dashur…Ajo ëndërr që nuk po e shoh/dashuria ime është. /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast po e jetoj…ti je e paprekshmja ime/…ëndërr që nuk shihet/e një jetë të tërë kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrre/na mërdhinë fjalët/ / E dashur/acar fjalësh mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë / është krijuar nga dashuria… fq 26

E pra, s’paska droje ky bard të flasë për dashurinë, madje dhe vetë Zotit i qëndron përballë

”Nëse asht mëkat/me dashtë/mos më fal o Zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat” madje dhe në mot të hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërrue/dhe ty dhe ty moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj m’i shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri /përfiton syve me pranverë” prandaj i thotë vashës … “Laj sytë me një puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme uji/tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”. Fq 29

4. (Kujtesë e harruar)

Në kulmin e terrorit serb në Kosovë ishte Sabit Rrustemi poeti që guxoi të shkruajë kundër Titos poezinë  “Plakja e Zeusit” me vargjet fshikulluese kundër tij si: Po plakesh /Tash asgjë nuk të kujtohet/ As lëngu i ançarit/ Humbe lumit të madh i vockël/ As zot/ As yrnek/ Kot bëhesh servile/ Fëmijë reprize /Ushtron cacitjen /Me shkopin mashtrues/ Prej ballit kodër/ Vëngër vështron/ Presat e vdekjeve kah ndërrojmë fq 49 Plakja e Zeusit

Timo Mërkuri shkruan e sqaron pse poeti Mirko Gashi është një autor gati i panjohur tek ne në Shqipëri, sepse ai nuk është lakuar e lëvduar nga kritika e kohës. Po ku qëndron sipas Timos merita e tij. Përmes një kinse “lojë fjalësh” e një figuracioni që më shumë i ngjan lojës së gjetheve të lisit kur fryn era, poeti shkruan një manifest rezistence e proteste, sa të thellë nga mendimi, sa të fortë nga guximi aq dhe vizionar nga qëllimi…

Ashtu i lidhur/i thoshte grigjës në Golgotë/qëndro ime bijë qëndro im birë/për fenë dhe kombin/ju jeni martirë….Në oborrin e Isës/pleq e të rinj/plaka  e të reja/Shikojnë/ pentagramin e ylberit/ dëgjojnë/ cicërimën e ngjyerave/Përroi i Maksimit/u shterr nga zilia… fq 9-10

Varr varr e varr/Istukë Gostivar e Tivar / Po ji gëzuar/mos rri me lot/sonte niset hëna e plotë / Nëpër guaca po fle gaca/sonte niset hëna e plotë…ose… Sonte është Nata e madhe/Betoven tani e di/si lindi/Oda e Gëzimit… Në bebëzën time/hyri më parë shqiponja / prej bebëzës vetëton vetëtima…fq 10

Timo Mërkuri zbërthen faktin  se janë dy elemente që e kanë ndihmuar Mirko Gashin në shmangien e ndëshkimit të policisë serbe  për artin e tij poetik: Së pari gjuha që e përdor poeti është një gjuhë e thjeshtë, gati e zakonshme e qytetarëve të thjeshtë, por që ai diti ta “punojë” si një dru lisi, që gdhendet bukur për një portë shtëpie a tavolinë dhome. Ai realizoi me fjalorin e thjeshtë atë art që nuk e kishte realizuar askush. Gjuha e thjeshtë në vargjet e tij përthyhet në shtatë drita, siç përthyhet rezja e diellit në prizëm duke na dhënë një “ylber” ndjenjash e mendimesh. Lexuesit jo vetëm e kuptojnë gjuhën e poezive të tij, por edhe e admirojnë dhe e përvetësojnë, ndërkohë që shteti kalonte indiferent pranë poetit dhe fjalorit të tij të “rëndomtë”. Në këtë indiferencë pushtetore ka luajtur rolin e saj edhe paraqitja prej bohemi e  poetit.

Së dyti ka ndikuar logjika e “fshehjes” sipas së cilës vendi më i mirë për të “fshehur” diçka të shtrenjtë është vendi “para syve” ku të tërë e shohin, por nuk e kuptojnë. Mirko Gashi jo vetëm që i publikonte poezitë e tij në organet e shtypit, po edhe i deklamonte ato në grupe shokësh në kafene dhe vende publike. Ata që e kuptonin poezitë i shkruanin nëpër fletoret e tyre, ndërsa ata që kishin misione suverjimi, nga që s’kuptonin gjë nga vargjet e tij, qeshnin me këtë bohem zhurmaxhi dhe largoheshin. Fq 12-13

Në analizën e poezisë së poetes Albina Idrizi Timo Mërkuri zbërthen botën e femrës kosovare në ato vite të vështira  të të qënit femër, të të qënit nënë::

Biri im /Jam nënë, dhe/ më qeshet kur gëzohesh ti/ më dhemb atje ku lëndohesh ti.../ Jam nënë, dhe/ mund të fal /atë që nuk falet../. Se jam nënë/ vetëm se jam nënë….

Kur mendon se këto vargje, oqeanike për nga dashuria që mbartin, vijnë nga Gjilani, një qytet i vogël i Kosovës së porsadalë nga ferri (i luftës dhe i shtypjes), gjëja e parë që konstaton është zemra e madhe e autores,  fq 65

E lodhur jam /si drenushë e plagosur/ plagën e thellë duke lëpi/ njësoj si imi popull… fq 65

Kurdo që të kthehesh/ ngado që të vish /ti eja/ dhe në timen jetë /Nëse nuk mundesh dot/ ...në rreze përvidhju/ ditëve me diell... apo në pikë shiu shndërrohu/ ditëve me shi fq 67

Timo Mërkuri më ka folur para disa kohësh për poeten Peso Pemza, më ka folur veçanërisht me konsiderata që i thekson edhe në shkrimin për të, ku faktin që ajo shkruan në dialektin gëgë e sheh si pasuri e letërsisë kur thotë: Standardizimi i gjuhës nuk do të thotë braktisja e dialekteve, aq më tepër kur këto dialekte rrëzëllejnë pasuri gjuhësore, fonetike e poetike në jetën tonë. Aq më tepër kur dialekti gegë i ka dhënë historisë së letrave shqipe kryevepra qysh në hershmëri të jetës së kombit tonë. Eposi i Kreshnikëve është një mal që nuk fshihet dot nga historia dhe që vazhdon të dëshmojë metaforikisht forcën e Mujit dhe bukurinë e Tanushës. “Lahuta e Malcis” gjëmon kushtrime dhe “Vaji i bylbylit” na pikon në zemër. Ndërsa Migjeni ecën i trishtuar shtigjeve malore se nuk mundi të gjejë në qytet një palë opinga për Lulin e Vocër [...] dhe citon një seri vargjesh të kësaj poeteje:

“Sa herë vizatoj një fëmijë/trishtohem/se një vijë e tepërt/mund ta bëjë të duket plak…fq. 80 baba ka hi n’uj/o voglush/s’don me i ra tamom/moshës që ka/ shtratit i rrudhet si jetimët /u menu qysh jo/për mangët e kmishës qe i teprojnë/prej se u rralluen përqafimet/ baba n’gjys ditës gëzohet/kur hija i vogëlohet. Fq 81më çoi deri në kënetë ky shi/tani e di si vajtojnë kallamat/në erë/dhe si është malli për ty..fq 81 tani kur lexoj poemën e një zogu/bindem/se në çdo fluturim drejt qielli/ai merr me veti një gjysmë lisi/sa herë që sheh zjarrin e diellit në të sosun/më parë nuk e dija/se perënditë/zgjidhkan trupa të vegjël me flatra/për banim/mu sikur dashuritë fq 81t’pata sheju si lisin plak n’vjeshtë/që e shtrijnë gjon e gjat/si djalin ma t’mirë t’fisit që e vrasin për gjak/kallxo/n’cilin rremb t’ra peni i kuq/që mbetëm pa krushq…fq 84 etj.

Por të më falin Timo Mërkuri dhe Peso Pemza, pasi unë nuk arrij ta kuptoj këmbë-nguljen e të shkruarit në dialekte a të folme, qoftë të Hekuran Halilit që vjershëron në çamërisht apo të Pesos në dialektin gegë. Atyre iu duket sikur fitojnë simpatinë dhe duartrokitjet e lokalistëve, por ndërkaq humbasin lexuesit në masë të madhe. Ne s’mund të kthehemi mbrapa 100 vjet në kohë për të folur gegërisht apo toskërisht!

Tre shkrime të plota i kushton Timo Mërkuri jo më vetëm poetes, por tashmë edhe prozatores së talentuar  me origjinë nga Tërnova e Bujanovcit, Albina Idrizit: Shenjtëria e fjalës, Përsëri erdhi marsi dhe Një roman ndryshe…Qysh në kontaktin tonë të parë me Albinën, në Manifestimin e zhvilluar në Gjirokastër më 2011, konstatuam talentin e veçantë të saj. Timo Mërkurit i bëri përshtypje qysh atëherë talenti i saj në poezi e në prozë, ndaj qysh atëherë shkroi shkrimin “Drenusha e plagosur” për vëllimin poetic “Dashuruar me diell” krahas një seri shkrimesh të autorëve të tjerë nga Saranda, Shqipëria, Kosova, Serbia Jugore dhe Bosnja.

Dhe të shkruash për prozën e saj nuk është aq e lehtë pasi Albina e hymnizon, e shenjtëron dhe e lartëson fjalën edhe në aspektin polisemantik e ligjërimor, por edhe në aspektin estetik.  Jo thjesht se e para ishte fjala te Ungjilli sipas Gjonit, as pse fjala është e bukur dhe e shenjtë, se ajo ka ëmbëlsi jetëdhënëse,  se duke folur e lëmë mbrapa hijen e pritjes. Fjala mund të jetë e paktë, por kuptimplote. Libri bëhet kështu altari i fjalës së shenjtëruar të Albinës.

Përsëri Mars është romani që tërhoqi vemendjen e të gjithëve, por edhe të Akadamikut Rexhep Qosja, edhe vëmendjen vlerësuese të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është një vepër kundër lakmisë dhe egoizmit të paskrupullt. Timo Mërkuri diferencon karakteret e personazheve, bën përqasje me “Shpirtrat e vdekura” të Gogolit apo “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Qëllimi i përqasjes mbetet evidencimi i saktë i veprës së Albinës. Të ndërtosh varrin për së gjalli mbetet një ansurditet dhe një makabritet i çuditshëm. Ky është paradoksi i jetës dhe i vdekje.

“Për një mëngjes ndryshe” titullohet romani më i ri  i shkrimtares, një roman për temën e gjithmonshme të letërsisë – për dashurinë. Por, e veçanta kuptimisht e rëndësishme dhe arstistikisht e dukshme e këtij romani është dashuria prej autores e quajtur figurshëm “ndryshe” dhe kjo ndryshe do të thotë: dashuri me përkushtim moral shumë nderimmeritues. Protagonistja e romanit Ema dashurohet në një të ri, student, me emrin Guri, të cilin rrethanat e kobshme jetësore në mërgim e bëjnë të varur prej drogës. Dhe këtë varësi ai do ta sjellë edhe në vendin e vet, kur të kthehet prej emigrimit, natyrisht në sajë të këmbënguljes së pandalshme të Emës. Përkushtimi i Emës ndaj Gurit dhe fëmijës që ka me të, më në fund ia kthejnë jetën dhe kuptimin dashurisë midis tyre. Timua na thotë se leximi i kësaj vepre  krijon efektin e ajrit dhe të dritës dhe kjo në thelb është magjia e krijimit të Albina Idrizit.

Sarandë, më 3 gusht 2021