E shtune, 18.09.2021, 05:26 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

29 nëntori festë e përbashkët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë

E enjte, 04.12.2008, 07:37 PM


Zbulohet “ligji nr. 134, dt. 5.11.1945”: “28 nëntori është dita e çlirimit të Shqipërisë”.

Nga Dr. Vasfi Baruti

Shqipëria me dy festa Çlirimi! Nga viti ’92 çdo fundnëntori populli e politika, qeveritarë, ligjvënës e veteranë, të gjithë ndarë dysh: të djathtë festojnë 28 Nëntorin: Dita e Flamurit dhe Çlirimit, të majtët 29 nëntorin: ditfesta e Çlirimit! Dhe debati bëhet për ditën e çlirmit të Shkodrës, më 28 apo 29 nëntor, kurse ditfesta e çlirimit e vendosur më 9 nëntor 1945 kishte qëllime politike për t’u njësuar me festën e Jugosllavisë, dhe aspak e kushtëzuar me ditën e çlirimit të Shkodrës.

Pas çdo rotacioni politik ndryshon dhe ligji për ditën e Çlirimit, njësoj si vendi të çlirohej nga një regjim pushtues i huaj! Forca politike e djathtë sapo erdhi në pushtet, me votën e shumicës qeverisëse fshiu me të drejtë nga kalendari tradicionalizmin e festës të 29 nëntorit dhe vendosi: 28 Nëntori Dita e Flamurit dhe e Çlirimit, dhe riktheu traditën kombëtare njëvjeçare (28 nëntor 1944 - 28 nëntor 1945), veçse me argumente të pamjaftueshme historike. Të majtët me Ligjin nr. 8253, dt. 30. 10.1997 rikthehen në tradicionalizmin historik të E. Hoxhës: “29 Nëntori dita e Çlirimit”. Me ardhjen e të djathtëve në pushtet (2005) s’ndodhi çka pritej, siç qe deklaruar për shtatë vjet në festat e nëntorit se do rivendosej 28 Nëntori i Tretë historik. Qeveria Berisha nuk ndryshoi ligjin socialist për 29 Nëntorin, e njohu si dita e çlirimit, por e la jashtë protokollit zyrtar për t’u kremtuar si e tillë, dhe njëzetetetënëntoristët mbeten kundërshtarë të vendosur: 29 Nëntorin e duam festë zyrtare. Sigurisht loja politike me ditën e çlirimit do riluhet kur socialistët të vinë në pushtet, 29 nëntori do të rivendoset, siç dhe është bërë publike prej tyre! Kjo lojë s’duhet të ripërsëritet, koha ka ardhur, dokumentet e të vërtetës të pamëshirë janë zbuluar. Ligji nr.134, dt. 5.11.1945 prej mëse 60 vjet mezi pret të fitojë lirinë e dhunuar, dhe Ligji është në fuqi: 28 Nëntori, dita e Çlirimit të Shqipërisë.

Në debatin për vendimin e Qeverisë për rishkrimin e historisë së vërtetë, historianët e politikës së majtë (Prof. Paskal Milo, Prof. Pëllumb Xhufi e Co) për të shpjeguar se ky vendim është politik e me pasoja të këqia për historiografinë tonë bashkëkohore, për argument marrin “ndryshimin nga Berisha të ditës së çlirimit nga 29 në 28 nëntor.” Por le t’i qasem argumentit të profesorëve të historisë, atij të ndryshimit të ditës së çlirimit nga 29 në 28 Nëntor, dhe t’i vemë përballë të njëjtin argument, atë të ndryshimit të ditës së çlirimit, veçse në të kundërtën, nga 28 në 29 Nëntor, siç edhe ndodhi brenda katër ditëve nga 5 në 9 nëntor ’45.

Nuk mbaj meritën e zbulimit i pari të dokumentit arkivor me Ligjin Nr. 134, dt. 5.11.1945, sepse dokumenti është zbuluar para meje nga Akademia e Shkencave, madje është cituar dhe ligji por duke censuruar ditën e çlirimit; po ashtu, Ligji ka qënë në dorë dhe të ish-presidentit, siç edhe e ka pohuar në një farë mënyre, por ishte në konflikt interesi me të; Ligji njihej edhe nga drejtori i mëparshëm i Muzeut, sigurisht edhe nga historianë të opozitës, aq aktivë në debatin e sotëm kundër rishkrimit të historisë së vërtetë, e të gjithë Ligjin Nr. 134 e mbajnë në fshehtësi, madje dikush i ndërroj pozicionin për të vështirësuar shumë gjetjen e tij. Prej kohësh një debat i kotsëkotë sepse dita e Çlirimit është saktësuar me ligj më më 5 nëntor 1945.

Në debatin për shkrimin e historisë historianët e politikës (Prof. Pëllumb Xhufi e Prof. Paskal Milo) për argument të të këqiave që vinë nga vendimi i Qeverisë për rishkrimin e historisë (ndërhyrja e politikës) i referohen shembullit të tyre klasik të “ndryshimit nga Berisha të datës së çlirimit nga 29 në 28 nëntor”; dhe t’i qasemi argumentit (ndërhyrjes së politikës) dhe shembullit (ndryshimit të ditës së çlirimit) që i referohen profesorët me të njëjtin argument (politika) dhe me të njëjtin shembull (ndryshimi të ditës së çlirimit por nga 28 në 29 nëntor). Prurja e historisë vjen me një leksion për profesorët e politikës (që cituam): Akti i parë i mistifikimit të dokumentit është Ligji Nr. 134, dt. 5 nëntor 1945 për ditën e çlirimit nga 28 në 29 nëntor; dhe institucioni i parë shtetëror i falsifikimit të historisë është Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, në Seancën e 5-të të Mbledhjes së 14-të, të 9 nëntorit 1945.

E vërtetë e pamëshirë!

Më 5 nëntor 1945 bëhet Mbledhja e 14-të, seanca e I, e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtare, dhe kryetari Dr. Omer Nishani konstaton se në mbledhje ishin anëtarët e Kryesisë: “Kolonel Baba Mustafa Xhani (nënkryetar), Hasan Pulo (nënkryetar), Koço Tashko (sekretar), Sami Baholli (sekretar), Gjeneral-Major Bedri Spahiu, Gjeneral-Major Dali Ndreu, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, Gogo Nushi, Prof. Gjergj Kokoshi, Kolonel Haxhi Lleshi, Kolonel Islam Radovicka, Kolonel Kristo Themelko, Manol Konomi, Dr. Medar Shtylla, Gjeneral-Major Myslim Peza, Nako Spiru, Ollga Plumbi, Qirjako Harito, Kolonel Ramadan Çitaku, Spiro Koleka, Gjeneral-Major Spiro Mojsiu, Kolonel Tuk Jakova. Në mbledhje mungojnë “Gjeneral-Leitnant Koci Xoxe (nënkryetar), Dr. Gaqo Tashko (ministër i Bujqësisë e pyjeve), Kolonel Hysni Kapo, Liri Gega, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Siri Shapllo e Dr. Ymer Dishnica.” [FAKSIMILE 1] Siç shihet, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar formohej nga krerët më të lartë ushtarakë e politikë të luftës e pas lufte, dhe vetë ministrat e Qeverisë Hoxha.

Në rend të ditës mbledhja e Kryesisë ka diskutimin e disa projekt-ligjeve, e i dyti vjen projekt-ligji mbi “Amnisti dhe falje për fajet ordinere të kryera deri në çlirimin e Shqipërisë.” Hartuesi i projekt-ligjit, Manol Konomi (ministër i Drejtësisë), ditë Çlirimi të Shqipërisë shënon 17 nëntorin me argument se është dita e çlirimi të Tiranës kryeqytet. Diskutim kryesor në mbledhjen e Kryesisë bëhet për ditën kur është çliruar Shqipëria, dhe diskutojnë: Manol Konomi, Gjergj Kokoshi, Qirjako Harito e Tuk Jakova, kurse E. Hoxha s’mund t’i kundërvihej të gjithëve ndaj dhe u bashkua me të gjithë, sepse më 28 nëntor 1944 në fjalimin para popullit të Tiranës e gjithë Shqipërisë i detyruar prej faktit të kryer (nga “Komisioni qëndror i organizimit festimit të 28 Nëntorit”) deklaroi: 28 Nëntori është dita dy herë e shënjtë, dita e Flamurit dhe e çlirimit, por që në kokë kishte plan tjetër, siç shihet pas katër ditësh.

24 anëtarët e Kryesisë pa asnjë përjashtim përkrahë propozimin e Qirjako Haritos: “... data 17 nëntor të bëhet 28 Nëntor 1944. (përkrahet)”; dhe nga të gjithë me unanimitet pranohet mendimi i Tuk Jakovës: “Sh. Tuk Jakova thotë se kur shkoi okupatori prej Shkodre nuk ngeli ma ushtri e huaj në ndonjë vënd të Shqipërisë prandaj duhet të bëhet 28 nëntor 1944 (Pranohet).” [FAKSIMILE 2] Janë 24 gjeneralë, kolonelë, ministra që bashkohen në një mendim: 28 Nëntori është dita e Çlirimit të Shqipërisë! Eshtë vendim i Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar: me votën e tre nënkryetarëve dhe sekretarit të Kryesisë, është vota e Kryeministrit E. Hoxha (komisar i shtabit të Luftës), vota e Spiro Moisiut, komandant i Shtabit të Luftës, vota e Tuk Jakovës, komisar i Divizionit të Dytë që Shtabi i Përgjithshëm e ngarkoi me detyrën ushtarake për çlirimin e Shkodrës, e gjithë anëtarëve të tjerë të Kryesisë; fjalët përkrahet dhe pranohet tregojnë se vendimi (“28 nëntori, dita e çlirimit) është i njëzëshëm i gjithë udhëheqjes politike e ushtarake të Luftës e pas luftës, e Qeverisë Hoxha! Përkrahja dhe pranimi unanim i propozimit të Tuk Jakovës (28 Nëntori dita e Çlirimit) nga 24 qeveritarë të Qeverisë Hoxha, nga Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar (organ ligjvënës) a s’është argument më shumë i pakontestueshëm që t’i jepet fund përqeshjes së historisë me dy data çlirimi, një turp kombëtar pa të ngjashmen e vet në historinë e kombeve të qytetëruara! Ç’dokument tjetër duhet t’u ndryshojë mendje për mbarë njëzetenëntënëntoristëve veteranë, politikanë e historianë të majtë?! Po, është edhe një dokument ligjor i pashfuqizuar deri sot: Ligji nr. 134, dt. 5 nëntor 1945.

Argumenti ligjor!


Mbledhja e Kryesisë për diskutimin e ditës së çlirimit dhe neneve të tjera të amnistisë përfundon me miratimin e Ligjit nen për nen: “Këndohet Ligji dhe pranohen nen për nen si vijon: Neni 1. Amnistohen të gjitha fajet ordinere të kryera deri edhe ditën e 28 Nëntorit 1944...” [FAKSIMILE 3] Mbledhja e Kryesisë miratoi Ligjin nr.134, dt.5.11.1945 dhe neni 1, rreshti i dytë saktëson ditën e Çlirimit: “28 Nëntor1944.” Përderisa togfjalëshi (“dita 28 Nëntor 1944”) i Ligjit 134 nuk është shfuqizuar, dhe nuk është shfuqizuar as më 1945 dhe as deri sot, atëherë togfjalëshi “dita 28 Nëntor1944”, dita e Çlirimit, ka fuqi ligjore edhe sot. Kjo e vërtetë ka edhe mbështetje kushtetuese: Nenin 178, pika 1 e Kushtetutës: “Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.” Që do të thotë se saktësimi i ditës së Çlirimit (28 Nëntor 1944) në Ligjin 134 dt. 5.11.1945 është në fuqi, dhe është marrëzi ligjore të vihet në dyshim nga politika e politikanë dhe historianë të politikës së majtë. Përderisa Ligji Nr. 134 dt. 5.11.1945 që saktëson ditën e çlirimit më 28 nëntor nuk është shfuqizuar edhe pas 21 tetorit 1998, kur u miratua Kushtetuta, do të thotë se është formal, i paqënë Ligji nr. 8235 dt.30.7.1997 që cakton 29 Nëntorin dita e Çlirimit; se Ligji nr. 8235 është i kundërligjshëm përderisa është marrë pa u shfuqizuar më parë Ligji nr. 134 dt. 5.11.1945; dhe se Ligji nr. 8235 bën kaos ligjor sepse në të njëjtën kohë për ditën e Çlirimit ka dy ligje në fuqi që kundërshtojnë njëri-tjetrin!

Akti i parë i mistifikimit të dokumentit.


Historia e mistifikimit të dokumenteve shtetërore nis me dokumentin e ditës së Çlirimit: Ligji N.r 134, dt. 5 nëntor 1945, me protagonist kryesor kryeministrin Enver Hoxha, dhe institucioni i parë që i vuri vulën institucionit të falsifikimit të historisë është Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar.

Midis 5 nëntorit (kur u diskutua e miratua me vota unanime Ligji Nr. 134) dhe datës 9 nëntor (kur u ridiskutua dita e çlirimit) mistifikohet ligji 134, dhe siç shihet në faksimile të dokumentit arkivor ndryshon 8-ta dhe lexohet 29 Nëntor. [FAKSIMILE 4] Mistifikimi i datës së çlirimit nga 28 në 29 Nëntor bëhet në fshehtësi nga Kryesia e Këshillit Antifashist përderisa procesverbalet e Kryesisë (nga 6 në 8 nëntor, e deri 26 nëntor) janë në vijimësi dhe në asnjë prej tyre nuk ka asnjë shënjë për diskutimin e ndryshimit të datës nga 28 në 29 nëntor. Dhe po ashtu, asnjë faqe e procesverbaleve të mbledhjeve të Kryesisë nuk mban vulën e Kryesisë, dhe kjo e Ligjit 134 është e vetmja faqe dokumenti që përfundi saj ka vulën e Kryesisë së Këshillit, por edhe vetë vula përbën një tjetër fshehtësi (vulosje e vjedhur) përderisa vula nuk mban as një sigël të kryetarit apo të një nënkryetari të Kryesisë së Këshillit Antifashist. Dokumenti i mistifikuar botohej në Gazeta Zyrtare nr. 71, 13 nëntor 1945. [FAKSIMILE 5]

Kush ishte më interesuar për ndryshimin e datës së çlirimit, dhe në fshehtësi kaq të madhe? Enver Hoxha e as kush tjetër ishte tejet i motivuar për të njësuar festën e çlirimit me atë të Jugosllavisë së Titos, ishte po E. Hoxha ai që e publikoj për herë të parë 29 Nëntorin festë e përbashkët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë (29 nëntor ’47), ishte po E. Hoxha flamurmbajtësi i vetëm për bashkimin e Shqipërisë me federatën jugosllave të Titos. Janë të gjitha argumentet (15 faksimile burimore) për të besuar se me dorën e vet Enveri ndryshoi datën e çlirimit nga 28 në 29, dhe për këtë po i referohem edhe një argumenti specifik: Në fjalimin para popullit të Tiranës, më 28 nëntor 1944, që në fillim të metingut Enveri deklaroi: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shënjtë: dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar.”[Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare 1944:30 nëntor.] Kurse ribotimi i fjalimit redaktohet duke hequr fjalën “e çlirimit” dhe zevendësuar me fjalën “e Pavarësisë”: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shënjtë: dita e Pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar.” [E. Hoxha, vepra 1: 1968:605] Redaktimi i fjalës “e çlirimit” është në akord të plotë me ndryshimin e ditës së çlirimit në Ligji Nr. 134, të 5 nëntorit ’45 ndaj dhe aktori e regjizori i vetëm i mistifikimit të Ligjit është E. Hoxha. Në shëmbullin e argumentit të ditës së Çlirimit është gjithë historia e Luftës, që nga themelimi i Partisë, Konferenca e Pezës, Konferenca e Parë e vendit e deri Plenumi Dytë i Beratit, nëntor ’44, po ashtu edhe homerizimi i Luftës dhe legjendarizimi i E. Hoxhës, që s’është veçse figura më negative e Luftës.

 

“29 nëntori festë e përbashkët e Shqipërisë dhe Jugosllavisë”!

Kishin kaluar katër ditë nga mbledhja e Kryesisë Këshillit e 5 nëntorit, dhe në këto ditë janë bërë dhe disa mbledhje të tjera të Kryesisë, kurse më 9 nëntor Kryesia e Këshillit Nacional-Çlirimtar bën seancën e 5-të të mbledhjes 14-të. Kryetari i Kryesisë, Dr. Omer Nishani, në hapje të mbledhjes bën praninë e antarëve të Kryesisë: “Kolonel Baba Mustafa Xhani (nënkryetar), Hasan Pulo (nënkryetar), Koço Tashko (sekretar), Sami Baholli (sekretar), Gjeneral-Major Bedri Spahiu, Gjeneral-Major Dali Ndreu, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, Gogo Nushi, Prof. Gjergj Kokoshi, Kolonel Haxhi Lleshi, Kolonel Islam Radovicka,, Kolonel Kristo Themelko, Manol Konomi, Dr. Medar Shtylla, Gjeneral-Major Myslim Peza, Nako Spiru, Olga Plumbi, Qirjako Harito, Kolonel Ramadan Çitaku, Spiro Koleka, Gjeneral-Major Spiro Mojsiu, Kolonel Tuk Jakova. Mungojnë: Gjeneral-Leitnant Koci Xoxe (nënkryetar), Dr. Ingj. Gaqo Tashko (ministër i Bujqësisë e Pyjeve), Kolonel Hysni Kapo, Liri Gega, Prof. Sejfulla Malëshova, Prof. Siri Shapllo, Dr. Ymer Dishnica.” [FAKSIMILE 6] Rendi i ditës i Kryesisë është Projekt-Ligji mbi të kremtet zyrtare (i pa shfuqizuar deri sot).

28 Nëntori, dita e pavarësisë dhe e çlirimit.


Në Projekt-Ligjin për të kremtet zyrtare nuk është shënuar dita e Çlirimit, e diskutuar katër ditë më parë dhe vendosur me unanimitet 28 Nëntori, edhe e sanksionuar në Ligji nr. 134 të 5 nëntorit. Bedri Spahiu, i mbështetur në vendimin e 5 nëntorit që 28 Nëntori shpallej dita e Çlirimit, bën një propozim të mençur shumë: “Dita e 28 Nëntorit konçidoi me çlirimin e Shqipërisë, d.m.th. me rënien e Shkodrës, prandaj propozoj që emërtimi i festës së 28 Nëntorit të bëhet: Dita e Independencës dhe e çlirimit të Shqipërisë.” [Shih faksimile 6] Besoj se Spahiu vetmevete mund të ketë hequr paralele me Ismail Qemalin që Flamurin e Pavarësisë mund ta ngrinte edhe para ose pas 28 nëntorit, dhe e ngriti më 28 nëntor për të bashkuar në një dy 28 nëntorë (e 28 nëntor 1443.) Nuk ka gjetje më domethënëse se propozimi i Spahiut për të bashkuar në një tre 28 Nëntorë dhe për të ardhur në 28 Nëntori i Tretë 1944, veçse kjo gjetje me ndërdije historike kishte marrë jetë një vit më parë, më 28 nëntor 1944, dhe Spahiu është i motivuar t’i japë frymën e ligjit në Projekt-ligji për të Kremtet Zyrtare. Propozimi i tij “nuk përkrahet”, shkruhet në procesverbalin e mbledhjes, dhe megjithatë Bedri Spahiu kërkon që të hidhet në votë (dhe mori pesë vota pro) ndoshta për të parë në sy E. Hoxhën me votën kundër, apo për t’i kujtuar atij deklaratën që ai bëri më 28 nëntor ’44 që e shpalli 28 nëntorin ditën dy herë të shënjtë, dita e Flamurit dhe e çlirimit, por E. Hoxha nuk mund të bashkohej me propozimin e Bedri Spahiut, sepse ishte i përcaktuar qartë në rrugën e bashkimit me Federatën e Titos e njësimi i festës së çlirimit që bëhej në mbledhje të Kryesisë ishte diktuar nga emisarët e Titos.

Vërtet meritojnë të identifikohen e nderohen pesë votat pro propozimit të Spahiut që nuk pranuan kompromis me E. Hoxhën për të vërtetën historike, dhe pesë guximtarët janë: Qirjako Harito, i cili bëri propozimin i pari që dita e çlirimit të jetë 28 nëntori, Tuk Jakova i cili e mbrojti propozimin e bërë, Manol Konomi hartuesi i Ligjit të 5 marsit, Gjergj Kokoshi që ishte mjaft aktiv në debat me R. Çitakun në diskutimin e 9 nëntorit, dhe vetë Bedri Spahiu autori i propozimit. Guxuan por katër prej tyre më pas e pësuan keq për njërën a tjetrën arsye, ndoshte dhe vota pro e tyre për 28 Nëntorin mund të ishte një arsye me të tjerat.

Kulisat e E. Hoxhës.

Mbas votimit të propozimit të Spahiut “Bëhen pesë minuta pushim dhe pas pesë minutash seanca hapet.” Aq sa është shkruar në procesverbalin e mbledhjes nuk kishin kaluar as dhjetë minuta dhe kërkohen pesë vetëm pesë minuta pushim, dhe siç zhvillohen ngjarjet më pas ato pesë minuta i mjaftonin E. Hoxhës për të vënë në lëvizje besnikë të tij. Ndodhi ajo që pritej dhe plani i Hoxhës triumfoi. 28 Nëntori dita e Çlirimit ishte vendosur me unanimitet katër ditë më parë, dhe Ramadan Çitaku me njëherë pas pushimit ringre problemin e ditës së Çlirimit të Shqipërisë dhe rihedh për diskutim ditën kur është çliruar Shqipëria, për të cilën të cilën më 5 nëntor dha votën pro 28 nëntorit, dhe mesa kishte dëgjuar Shkodra qënkej çliruar pak pas mesnatës të 29 nëntorit. (FAKSIMILE 7) Asnjë nga diskutantët nuk foli në mbështetje apo kundër Çitakut se kur është çliruar Shkodra, më 28 a 29 nëntor, kur me vota unanime më 5 nëntor kishin vendosur 28 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë. Kryeministri Hoxha, Kryesia e Këshillit Antifashist, koka politike dhe ushtarake që kishte marrë në dorë fatet e vëndit, të gjithëvë nuk u mbetej një pikë dinjiteti e morali, por edhe tejet frikacakë pasi nuk guxuan të shfuqizojnë nenin 1 të Ligjit 134, të 5 marsit që përcaktonte 28 nëntorin ditë të Çlirimit. Pafytyrësi e madhe që 18 gjeneralë e kolonelë, me komandant e komisar të Shtabit të Luftës (E. Hoxha-S. Moisiu), gjithë Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar dhe qeveria Hoxha më 5 nëntor votojnë 28 Nëntorin ditë e Çlirimit dhe ndërrojnë mendje kaq shpejt e pa asnjë argument historik votojnë: “29 Nëntori përvjetori i Çlirimit të Shqipërisë”! [FAKSIMILE 8] Një tufë horra politikë me kryehorr E. Hoxha, ca të tjerë frikacakë e ca servilë, gjithë bashkë baltosën e mohuan vetveten për interesa të ulta politike të E. Hoxhës, dhe lanë pas atë absurd historik të 29 Nëntorit të Çlirimit e atë debat çdo fundnëntori e deri sot?! Politika, sa e qelbur politika, ama politika antikombëtare! E rëndë, por shumë e vërtetë.

Enveri i lutet Titos për bashkimin me Jugosllavinë!

Përderisa “28 Nëntori çlirimi i Shqipërisë” u vendos nga të gjithë në diskutimin e 5 nëntorit dhe u sanksionua edhe me Ligj nr. 134, domosdoshmërisht që ka një arsye madhore për të ardhur në këtë prapaskenë politike neveritëse nga kryeministri Hoxha. Ishte ndërhyrja e emisarëve të Titos që dita e çlirimit të njësohej me atë Jugosllavisë dhe ka shumë argumente burimore, që fillojnë zyrtarisht me Kongresin e Përmetit që shpalli bashkimin e Shqipërisë me Konfederatën e Titos, dhe me plot të tjera deri te letra e Enverit dërguar Titos më 17 mars 1948) me lutje për bashkimin sa më parë me Jugosllavinë: “Fundi i vitit 1948 do të na gjejë të bashkuar që të tre shtetet në një federatë. ...Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë në vendin tonë punohet me të gjitha forcat, por çështja që ne duhet të marrim inisiativën e parë për të kërkuar këtë gjë. ...ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit, do të dëshironim të na jepeshin disa sqarime më plotësuese që ju i shihni të arsyeshme...” [AQSH, F 14/AP, D. 4, 1948] Por ka dhe argumente burimore specifike që dëshmojnë historinë e festës së 29 nëntorit, derisa Enveri e shpalli atë zyrtarisht festë të përbashkët me Jugosllavinë e Titos më 28 nëntor 1947; është histori e turpshme që filloi më 9 nëntor, vijoi më 27, 28 e 29 nëntor ‘45, vazhdoi më 29 nëntor 1946 e përfundoi më 29 nëntor 1947, kur u shpall publikisht me redaksionalen: “29 Nëntori festë e dy popujve tanë” [Z. Popullit 1947:29 nëntor], dhe 10 dhjetori me parrullën politike me shkronja të mëdha në Bashkimi: “Rroftë Bashkimi dhe vëllazërimi i popullit tonë me popujt e Jugosllavisë së re.” Megjithatë njëzetenëntënëntoristët nuk lëvizin nga e vetja e 29 nëntorit!

Argumente historike.

Argumenti i diskutimit në Seancën e I-rë të 5 nëntorit dhe Ligji nr.134 i 5 nëntorit ’45 është shprehja më e koncentruar e të vërtetës historike të 28 Nëntorit të Çlirimit. Por historia është shkencë ndaj kërkon dhe argumente historike të ngjarjes së çlirimit dhe në tërësinë e tyre ato i ka studimi “28 Nëntori i Tretë (në faksimile)”, i cili vjen me 80 faksimile që s’kanë nevojë për koment sepse faksimilet flasin vetë, dhe përvjohen shumë qartë tre argumente: së pari, Komision pluralist më 27 nëntor ‘44 publikoi programin e festimit të 28 Nëntorit dita e Flamurit dhe Çlirimit, që në Tiranë u festua dy ditë, një dita e Flamurit dhe dita tjetër e Çlirimit të vendit, dhe festa e 28 Nëntorit u kremtua në gjithë vendin, edhe nga shqiptarët matanë kufirit; 28 Nëntori u njoh i tillë për një vit, madje u festua e më 28 nëntor ’45 në gjithë vendin, përveç Tiranës ku u kremtua e 29 nëntori; 28 Nëntori i Çlirimit hyri në dokumentacionin e shkollave (tekstet e këndimeve); së dyti, të gjitha burimet dokumentare janë dëshmi e pamohueshme se gjermanët u larguan pa luftë nga Shkodra mbrëmjen e 28 nëntori, edhe fuqitë Aleate janë me burime se Shqpëria u çlirua më 28 nëntor, lajmin e jep dhe Radio Londra në emisionin e mbrëmjes së 28 nëntorit; edhe dokumentet gjermane saktësojnë largimin nga Shkodra më 28 nëntor; së treti, 29 nëntori është vendim politik dhe vepër e keqe vetëm e Enver Hoxhës, me burime të shumta nga Lufta e deri ato më të fundit, derisa u çkurorëzua me Titon.

Eshtë e një opinion i bërë publik e në media që redukton në hiç ditën e Çlirimit e debatin për të, meqë nga ajo ditë nis pushtimi i vendit nga armiku i madh komunizëm! Që komunizmi ishte armik i rrezikshëm si dhe fashizmi, është një opinion që njihet, edhe viktimat e komunizmit janë shumë më shumë se viktimat e nazifashizmit gjatë luftës. Nën këtë argument të mohosh ditën-ëndërr për shqiptarët, atë të çlirimit nga nazifashizmi, kjo s’është e drejtë. Çdo vend pjesëmarrës në luftën antifashiste ka një ditë çlirimi dhe e kujton që mos kthehet kurrë; dhe në përvjetorë të mëdha blloku Perëndimor dhe ai Lindor, sipas mënyrës së tyre, ditën e fitores mbi fashizmin e kujtojnë me ceremoni të mëdha si ndodhi e më 2004 (Shqipëria, përfaqësuar nga AQSH, u pasqyrua me turp.) Shqipëria një rast i veçantë me dy ditë çlirimi apo pa ditë çlirimi!

Historia zyrtare e shkruar në dhjetvjeçarin e fundit për Luftën e pasluftën është me atë metodologji, me ato kritere e parime politike të monizmit kur historia shkruhej nga politika. Politika dhe historianë të opozitës bëhen barrikadë për rishkrimin e historisë së vërtetë me kritere bashkëkohore. Paradoksale të deklarohet hapur programi zyrtar i PS-së për qëndrimin ndaj historisë: “Shqiptarët duhet të mësohen të numërojnë në mënyrë demokratike, që do të thotë nëse dikush e ka lënë te dyshi, paardhësi duhet ta fillojë te treshi dhe jo më te njëshi.... Pra historia duhet të plotësohet, nuk është se mungon historia e Shqipërisë që të lindë nevoja për ta rishkruar.” (25 gusht 2007). Kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Ylli Popa, e quan të kryer detyrën akademike të shkrimit të historisë së Luftës me vëllimin e parë dhe të dytë, i cili prej tre vjet është mbaruar e s’po del në dritë, e si i pari e i dyti shkruar me metodologjinë e E. Hoxhës, si dhe shumë zëra të historisë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (dy vëllime), që ka shkuar në shtyp a është gati. Politikanë e intelektualë nga fronti i opozitës i bien fort kambanave politike dhe japin alarmin: “Rishkrimi i historisë do të sjellë tensione politike.”, që më së pari të dëgjojnë historianët që do rishkruajnë historinë apo tekstet shkollore të historisë kombëtare, të dëgjojnë e nxjerrin mësime jete: kujdes, tension i lartë! Një trysni psikologjike sheshit që historia të shkruhet nga “treshi” e jo nga “njëshi”, dhe një nga meraket e mëdha janë dhe datat simbol, veçanërisht dita e çlirimit, të mbrohet 29 Nëntori.

Rekomandim.

Mbështetur në Neni 178, pika 1 e Kushtetutës: “Ligjet dhe aktet normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.”; dhe mbështetur në dokumenta arkivore të Mbledhjes së 14-të të Seancës I-rë të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të datës 5 nëntor 1945, të cituar më parë

Konstatoj:

Në përputhje me Nenin 178, pika 1 të Kushtetutës, Ligji Nr. 134, dt. 5.11.1945 (Neni 1, rreshti i dytë), që përcakton 28 Nëntorin dita e Çlirimit, është Ligj në fuqi edhe sot sepse nuk është shfuqizuar; dhe përderisa Ligji Nr. 155, dt. 9.11.1945 nuk ka shfuqizuar ligjin nr. 134 të 5 nëntorit për ditën e çlirimit dhe përderisa Ligji Nr. 8235, dt. 30.10.1997 nuk ka shfuqizuar ligjin nr. 134 të 5 nëntorit, për rrjedhojë njëheresh në fuqi janë dy ligje për ditën e Çlirimit: Ligji nr. 134 i 5 nëntorit ‘45 që nuk është shfuqizuar deri sot dhe gëzon legjitimitet dhe Ligji nr. 8235 i 30 nëntorit ’97, i mbivendosur arbitrarisht e i kundërligjshëm. Prandaj, në të drejtën e Neni 178, pika 1 të Kushtetutës kam të drejtë ligjore të


Kërkoj:

1. Shfuqizimi i Ligjit Nr. 155, dt. 9.11.1945: paragrafi a, pika 2: “Përvjetori i Çlirimit të Shqipërisë është 29 Nëntori”;

2. Shfuqizimi i Ligjit nr. 8235, dt. 30.10.1997, të Kuvendit që përcakton 29 Nëntorin dita e Çlirimit nga nazifashizmi gjerman;

3. Rivlerësimi i Ligjit Nr. 134, dt. 5.11.1945 për ditën e Çlirimit: 28 Nëntor 1944 dhe botimi në Fletore Zyrtare;


Përfundim.

Mbledhja e 14-të, Seanca e 5-të, e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar”, e 9 nëntorit 1945 shënon krijimin e parë të institucionit shtetëror të falsifikimit të historisë. Shfuqizimi i Ligjit Nr. 155 (9.11.1945) paragrafi a, pika 2 dhe i Ligjit Nr. 8235 dt. 30.10.1997, i bëjnë NEKROLOGJINË ditëlindjes së institucionit të falsifikimit dhe aktit të parë zyrtar të falsifikimit të historisë, dhe po ashtu aktit falsifikator të fundit: Ligji nr. 8235, 30.10.1997. Dhe s’ka dyshim se vjen një ditë që shqiptarët i urojnë mirëseardhjen 28 Nëntori i Tretë, dhe 29 nëntor mos ardhsh kurrë se nëmove Flamurë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora