Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kujtojmë Prof. Arshi Pipen në 101 vjetorin e lindjes

| E diele, 01.08.2021, 02:47 PM |


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XXXI.)

Kujtojmë Prof. ARSHI PIPEN në 101 vjetorin e lindjes:

A L B A N I C A

A Quarterly of Albanological Research and Criticism

Editor: Arshi PIPA

27 - nandor - 1993

I dashtun Fric,

...Devocioni juej ndaj At Mëshkallës asht shembullor. Edhe shkrimi asht në rregull, i rrjedhshëm dhe shprehës.

Ka të meta në pikëzim, por ti shkruej, shkruej...se ka me dalë ndonji ... si unë e ka me i rregullue pikat e presat....

Prap, po përsëris ti vetëm shkruej!..

Ju lumtë ju për guximin me i kujtue klerikët katholikë, se ata që pranojnë me shkrue në gjuhën e ndysuar, tue pasë trashigue gjuhën e Bogdanit, të Fishtës e të sa tjerë klerikëve shkodranë e Gegë, ata veçse turpnojnë vetën.

Më vjen shumë mirë me ndigjue se Patër Mëshkalla asht nderue me nji ceremoni e cila qenka incizue prej jush.

Me At Mëshkallën kam pasë miqësi, tue çmue fort karakterin e tij, e të cilit i përshtatet si pak kujt binomi i Fishtës për “Atme e Fé”.

Tue ju urue çka ju don zemra,

Arshi Pipa.

Bashkë me këte letër të Prof. A. Pipës, kam marrë edhe një letër tjetër nga Z. Juljan Çefa, po nga Amerika, dhe po kaq të ngrohtë sa letra e të nderuemit Profesor. Mbetëm mirënjohës!

Melbourne, 2002.

Autori.

Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Mëshkallën:

“...Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.

Në muejn qershor të vitit 1992, me rastin e vizitës së Prof. Arshi Pipës në Shkodër, një grup qytetarësh organizuem një peticion për dekorimin e At Pjetër Mëshkallës. Firmën e parë e mora nga Profesor Arshi Pipa, në muzeun e Shkodrës dhe tue nënshkrue, Ai më tha këto fjalë: “Asht kënaqësi e madhe për mue me nënshkrue këtë peticion për një Burrë të Madh të Kombit tonë si ishte Padër Pjetër Mëshkalla. Sigurisht, Ai ka me u dekorue me Titullin ma të naltë shtetnor, por për artistët ka për të qenë e vështirë me ngritë atë monument, në të cilin mund të shprehet Shpirti i Madh i Këtij Meshtari Katolik!

U lumtë për këte mendim që keni dhe Ju falëmnderës, që më keni nderue me vu firmën e parë për një njeri të madh siç ishte Padër Mëshkalla!”.

Shkoder 1992.

Shenim FR: Figura të mëdha, që vështirë se i vijnë ma qytetit tonë. Një nderim i madh edhe per Popullin e Shkodres.

Sot nepermjet këtij shkrimi perkujtojmë edhe 101 vjetorin që u le i Madhi dhe i paharrueshmi Prof. Arshi PIPA...

Melbourne, 29 Korrik 2021.