Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Dingu: Ju tregoj natën e masakrës së Tiranës

| E enjte, 04.12.2008, 06:53 PM |


Kadri Dingu
Historiani dhe veterani rrëfen natën e 4 shkurtit të vitit 1944 në kryeqytet    

 

Nga Erion Habilaj

 

Gjashtëdhjetë e dy vjet më parë, në Tiranë është ngrysur “Nata e Shën Bartolemeut” shqiptar. Një nga masakrat më të dhimbshme franceze, është zhvendosur në realitetin shqiptar, duke u gdhirë me 84 njerëz të vrarë nga pushtuesit gjermanë. Katër shkurti i vitit 1944, në librat e historisë së Shqipërisë është shënuar me emrin masakra e Tiranës. Për Kadri Dingun, historianin dhe njeriun që e ka përjetuar vetë atë masakër, ajo s’është gjë tjetër veçse një natë e Shën Bartolemeut shqiptar. Në rrëfimin e tij, Dingu kujton se si ndodhi masakra ku u vranë 84 njerëz dhe u prangosën 500 të tjerë. Ai tregon edhe se kush shërbeu si shkak për këtë masakër, si dhe lojën që përdorën gjermanët, duke e quajtur masakrën në dokumentet e tyre një “operacion të grupeve nacionaliste kundër forcave të tjera antifashiste”.

 

Masakra gjakatare e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ka mbetur në kujtesën e popullit si një nga ngjarjet më të egra çnjerëzore e pushtuesve nazistë dhe e shërbëtorëve të tyre kuisling, një krim monstruoz që i rëndoi popullit tepër. Atë natë dimri të ashpër, krisma të llahtarshme, të qara fëmijësh e britma nënash deri në agim. Duke tërhequr zvarrë nëpër rrugica e kanale u pushkatuan barbarisht 84 njerëz. U arrestuan dhe u internuan edhe mbi 500 të tjerë. Kudo pellgje gjaku, kufoma të rinjsh komunistë e patriotësh antifashistë e të tjerë njerëz të pafajshëm, punëtorë, druvarë deri edhe tre italianë ish-ushtarë të strehuar nga tiranasit pas kapitullimit dhe dy antifashistë malazezë të nxjerrë nga burgu. Të tilla akte terrorizmi masiv, në ato vite, i praktikonin shpesh nëpër qytetet e Evropës. Masakra e Tiranës, me aq pak banorë në atë kohë për makabritetin dhe numrin e të vrarëve dhe të arrestuarve nuk kishte precedentë. Nazistët, nuk e ndërmorën këtë siç e kishin zakon për reprezalje ndaj ndonjë aksioni gueriles, por papritmas nëpër të gjithë qytetin. Ai qe një terrorizëm masiv për qëllime politiko-ushtarake të pushtuesit dhe të tradhtarëve, të cilët në planin strategjik dhe po prisnin edhe ndonjë zbarkim të aleatëve në bregdetin Adriatik e kombinonin dhe këto vrasje masive me operacionin e madh të dimrit në shumë zona të Shqipërisë që kishte për qëllim të likuidonte forcat e UNÇ. Pra, me këtë po terrorizonin me djegie, vrasje e pushkatime edhe popullin për ta larguar nga lufta ANÇ.

 

Skenari i masakrës

 

Nga dokumentet arkivale, nga kujtimet e shumë veteranëve që përjetuan këto ngjarje, nga tregimet e disa pjesëtarëve të familjeve të kësaj masakre, si dhe deponimet e bëra nga disa ish-kryepleq të lagjeve të Tiranës që u morën me forcë rezulton: për këtë masakër çnjerëzore nazistët kuisling-ballistë që më parë kishin hartuar një skenar në një takim që ishte bërë më 16 janar 1944, në zyrën e ish-kryeministrit të qeverisë kuislinge, Rexhep Mitrovicës, ku në të kishin marrë pjesë vetë kryeministri, Xhaferr Deva, ish-ministri i Brendshëm, Hysni Dema, komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti ish-prefekt i Tiranës dhe një oficer i Gestapo-s gjermane. Objektivi kryesor që synonte të realizonte në këtë operacion terrorist ishte që t’i jepej një goditje e rëndë asgjësuese organizatës së Partisë Komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Kjo do të bëhej si kundërpërgjigje që pësuan forcat ushtarake gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë operacionit që bënë në muajin nëntor 1943 -janar 1944 kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Të arrestoheshin dhe të pushkatoheshin personat që përfshiheshin në listat e hartuara nga policia sekrete, në to në radhë të parë figuronin emrat e drejtuesve të qarkorit të Tiranës me në krye Gogo Nushin dhe të tjerë, aktivistë të rinisë komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, të gruas antifashiste, nacionalistë, patriotë dhe pjesëtarë të njësiteve guerile. Operacioni do të mbahej shumë sekret dhe do të fillonte në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944 dhe do të përfundonte në ora 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Ky operacion do të drejtohej nga Xhaferr Deva dhe Kadri Cakrani. Në këtë operacion terrorist, forcat e Gestapo-s gjermane nuk do të merrnin pjesë, pasi në një dokument të Komandës së Përgjithshme të Korparmatës së 21-të gjermane, thuhej: “Grupet nacionaliste sot natën do të ndërmarrin një kundër-reaksion. Të gjithë pjesëtarët e trupës gjermane në postat e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj grindjeje. “Ky ishte një mashtrim, që synonte t’i paraqiste forcat gjermane të ardhura në Shqipëri jo si pushtuese, por si kalimtare, si nevojë e sigurimit të krahëve të forcave gjermane në jug të Ballkanit dhe të sigurimit të rrugëkalimit të këtyre forcave për në veri të Evropës. Por më vonë, në dokumentet gjermane të zbuluara, vërtetohen se në krye të këtij aksioni ka qenë oficeri i Gestapo-s gjermane Haufmanlangen, përfaqësues personal i Hitlerit në Shqipëri. Forcat që do të merrnin pjesë në këtë operacion përbëheshin nga xhandarmëria dhe policia sekrete kuislinge, nga forcat e regjimentit mercenar “kosovar”, që kishin ardhur në Shqipëri për ta shpëtuar atë nga regjimi komunist dhe nga forcat e armatosura të Ballit Kombëtar. Në krye të tyre ishin: Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi, Xhelal Staravecka, Seit Matja dhe drejtues kryesor të organizatës së Ballit Kombëtar të Tiranës, Halim Begeja, Halil Mëniku, Seit Dumneri, Arif Merepeza, Osman Kazazi, Ziçe Hatipi dhe të tjerë. Operacioni filloi në orët e para të 3 shkurtit, ku disa grupe terroriste kanë tentuar të bëjnë atentat kundër qeverisë, personaliteteve të larta shqiptare, kundër Xhaferr Devës, Kadri Cakranit dhe kanë sulmuar automobilat e tyre me bomba dhe revolverë. Duke marrë shkas nga këto atentate të inskenuara, Xhelal Staravecka dhe Kadri Cakrani me agjentët e tyre në Tiranën e Re, arrestuan qytetarë të pafajshëm, të cilët ishin duke shkuar nga puna në shtëpitë e tyre dhe i pushkatuan. Duke filluar nga ora 02.00 e natës dhe deri në mëngjesin e ditës së 4 shkurtit, bastisën qindra shtëpi, u arrestuan mbi 500 qytetarë, prej të cilëve 84 u pushkatuan. Shumica e të pushkatuarve ishin antifashistë, aktivistë të Frontit Nacionalçlirimtar, të rinj dhe punëtorë të thjeshtë. Nga të pushkatuarit pati dhe me kombësi italiane, si dhe 4 të burgosur politikë malazezë, që me gjakun e tyre lagën rrugët e Tiranës.

 

Rrëfimi i nënës së Fadil Radës

 

“Isha vetëm në shtëpi me djalin e vogël, Fadilin, se dy djemtë e tjerë, Ademi dhe Isufi, ishin partizanë. Në orën 02.00 të natës, xhelatët e armatosur thyen derën dhe më morën Fadilin. U ngjita pas djalit tim, por katilët më shtynë dhe më shkëputën nga ai. “Lidheni qenin”, bërtisnin Qazim Mulleti dhe Osman Kazazi dhe mua më përplasën në fund të oborrit, ku dëgjova për herë të fundit zërin e Dilit tim të shtrenjtë, duke më thënë: “Nënë, shko në shtëpi”. Për dy ditë radhazi nëna me bukë në gji, kërkova nëpër Tiranë, që të gjeja djalin dhe t’i jepja për të ngrënë, por nuk e gjeta . Ah, unë e zeza! Pas dy ditësh shokët e tij ma sjellin trupin që e kishin gjetur në një gropë jashtë Tiranës, në rrugën e Elbasanit, por nënëzeza nuk e njohu Dilin, se e kishin copëtuar xhelatët. Qava dhe lotët për të nuk më thanë kurrë”. Kjo nënë trime tiranase ka qenë e arrestuar nga kuestura në vitin 1943, kur u vra Xhorxhi Martini, të cilin e kishte strehuar të plagosur në shtëpinë e saj. Ndërsa trupat e dy vëllezërve, Maliq dhe Haki Huta, aktivistë të rinisë komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, nuk janë gjetur. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku janë varrosur. Në një bisedë që kam bërë me vëllain e tyre për nënën, Mehmet Shkëmbi, kam mësuar se ai ka qenë së bashku me vëllezërit e tyre në shtëpi natën e 4 shkurtit 1944, kur ata u arrestuan. Ai tregon: “Ishte ora 03.00 pas mesnatës, kur dhjetë xhandarë me në krye Osman Kazazin dhe një farë kapter Selimi, goditën me qytat e pushkëve dhe me të thirrura kërkonin që ta hapnim derën. Në shtëpi ishin baba, nëna, dy motrat dhe tre vëllezërit. Shtëpia dhe rruga e Kazanëve ishte e rrethuar nga forcat e xhandarmërisë dhe ne nuk kishim mundësi të dilnim nga rrethimi. Në fillim hezituam ta hapnim portën, por pasi dëgjuam zërin e ish-kryeplakut të lagjes, Xhemal Zela, e hapëm. Me një egërsi shtazore ata hynë në shtëpi dhe na arrestuan të tre vëllezërve, na lidhën duart dhe i thanë babës se do të na çonin te Xhaferr Deva.

Prindërit dhe motrat kërkuan që të na lironin, qanin dhe na ngjiteshin pas trupit për të na mbrojtur, por xhelatët i shkëputën me forcë. Në të dalë të portës, Osman Kazazi më tërheq dhe më shkëput nga dy vëllezërit dhe me zë të lartë më thotë: “Ti Met shko te pleqtë, se nuk je djalë i Hutëve, ty të ka sjellë plaka me vete”. (Osman Kazazi e njihte familjen tonë, sepse xhaxhai ynë ishte martuar me tezen e tij). Atë natë, bashkë me të dy vëllezërit e mi, arrestuan edhe Fadil Radën dhe Islam Allën, që i kishim komshinj. Gjatë gjithë ditës së 4 shkurtit 1944 kërkonim se mos i gjenim vëllezërit të gjallë apo të vdekur, por më kot. Në mbrëmje, një miku ynë nga fshati Farkë na solli lajmin se sipas thënieve të një ushtari gjerman, që ishte nga Kaukazi, në pyllin e Saukut, në një gropë, kanë hedhur shumë trupa të pushkatuar. Këtë ia tha edhe Qazim Mulleti dhe Osman Kukaleshi babait tonë kur shkoi t’i takonte ata për lirimin e vëllezërve. Më 5 shkurt 1944, ne dhe disa familje të tjera shkuam dhe e gjetëm gropën, por trupat e të pushkatuarve i kishin hequr. Fundi i gropës ishte mbuluar me gjak dhe aty ishin hedhur shumë sende të të pushkatuarve, si këpucë, xhaketa dhe sende të tjera. Aty gjetëm xhaketat e dy vëllezërve dhe letërnjoftimet e tyre”.

Kjo familje i dha luftës tre djem dëshmorë: Ramiz Hutën që ra në fushën e betejës në çetën e Pezës dhe Haki e Maliq Hutën, të pushkatuar më 4 shkurt 1944. Po atë natë, kriminelët me Osman Kazazin arrestuan edhe dy intelektualët antifashistë, Ramiz Trenin dhe Sitki Çiçon, të cilët i pushkatojnë te mulliri i Fagëve në rrugën e Dibrës afër Medresesë. Të gjithë personat e tjerë të arrestuar, që nuk u pushkatuan, u burgosën në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, midis të cilëve fare pak u liruan, pasi paguan qindra napolona flori, të tjerë u burgosën ose u dërguan në kampet naziste të vdekjes. Nga ky operacion terrorist, forcat mercenare të qeverisë kuislinge dhe të Ballit Kombëtar nuk mundën të zbulonin asnjë bazë ilegale të LANÇ-it dhe nuk mundën të arrestonin asnjë anëtar të Komitetit Qarkor të PKSH-së dhe të Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Në këtë situatë të rëndë, Partia Komuniste shpërndan në Tiranë traktin e saj, ku dënon terrorin e 4 shkurtit 1944. Në traktin e shpërndarë, midis të tjerave thuhej: Populli i Tiranës! Armiqtë duan të përkulin qëndresën tënde me terror, mblidh forcat tuaja dhe me vendosmëri vazhdo luftën tënde heroike. Gjatë ditëve të 5 shkurtit 1944 e më vonë u bënë varrimet e disa të pushkatuarve të identifikuar me banim në Tiranë. Në kushtet e një terrori shume të egër, në varrimet e tyre morën pjesë shumë qytetarë të Tiranës. Aty mbi varret e arkivolet e tyre, u fol nga aktivistë të Partisë Komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar të mbuluar me flamuj kombëtar, të cilët u betuan se do të merrnin hakun dhe se do të luftonin deri në fund për çlirimin e atdheut, për të cilin këta martirë dhanë jetën. Të njëjtat manifestime politike u bënë edhe në rrethe të tjera të vendit. Në ditët që vijuan më pas për të përligjur këtë krim makabër, i tërë kori i reaksionit bërtiste sheshit se “Duam gjak”. Më 4 shkurt 1944 i damkosi përfundimisht me vulën e tradhtisë regjencën kuislinge me në krye Mehdi Frashërin, qeverinë kuislinge të Rexhep Mitrovicës, Ballin Kombëtar e Legalitetin si terroristë dhe bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë. Dha këta bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë, duke mos u ngopur me gjakun e martirëve të 4 shkurtit, në përpjekjet e tyre për të mposhtur popullin e Tiranës, më 23 shkurt 1944, në orën 11.00, arrestuan 4 antifashistë, luftëtarë trima. Pasi i torturuan, po atë pasdite, në orën 16.00 i pushkatuan afër ish-xhamisë së Zajmit, ku sot është ngritur lapidari i tyre. Ata ishin 4 ilegalë dhe kërkoheshin nga policia sekrete e qeverisë së asaj kohe dhe nga Gestapoja. Zbulohen dhe spiunohen nga Gëzim Latifi. Operacioni i arrestimit të tyre u drejtua nga Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi dhe Said Matja, të cilët i pushkatuan të 4 të rinjtë me duart e tyre në mes të rrugës. Pas 4 shkurtit 1944, populli i Tiranës, duke përballuar me dhimbje të thellë humbjen e bijve të tij, tregoi edhe një herë shpirtin luftarak të pamposhtur, duke forcuar edhe më tej unitetin rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe rriti në një shkallë më të lartë pjesëmarrjen në luftë për çlirimin e vendit. Kështu, njësitet guerilje rritën aksionet ndaj forcave pushtuese gjermane dhe qeverisë kusilinge. Shumë të rinj u hodhën në radhët partizane. 4 shkurti 1944 është një ngjarje që tregon dhe do të tregojë fytyrën e vërtet të pushtuesve gjermanë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo natë e zezë ka hyrë në historinë tonë si nata e Shën Bartolemeut shqiptar.

 

Kush është Kadri Dingu

 

Kadri Haxhi Dingu, lindur në Mars 1927 dhe banues në qytetin Tiranës, nga një familje autoktone zejtare. Pasi kreu shkollën fillore 1938, punoi si çirak në dyqanin e babait të tij. Deri më 1943 punoi si punëtor në ndërmarrjen italiane “Stacioli”. Që prej vitit 1942 lidhet me LANÇ-in. Shtëpia e tij ka qenë gjithmonë qendër mbledhjesh apo strehë për partizanë të sëmurë dhe plagosur. Pas zbulimit nga agjentët e kuesturës së veprimtarisë së tij, ai detyrohet të largohet në shkurt ë 1943, dhe në prill të po këtij viti futet në rrallët e çetës së Pezës dhe më pas në Brigadën e III. Plagoset në operacionin e Dimrit 43-44. Pas çlirimit merr pjesë në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi. Pas vitit 1949 punon si drejtues i sektorit të ekonomisë pranë Bashkisë së Tiranës. Në vitet 1951-1957 punon si kuadro drejtues në Komitetin e Partisë së rrethit Tiranë. Kreu pa shkëputje nga puna Universitetin Dyvjeçar të Marksizëm Leninizmit si dhe tre vjet të Fakultetit Ekonomik. Dërgohet me studime në Moskë ku mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1960. Në vitet 1960-1965 punon si sekretar i Komitetit të Partisë rrethi Lushnjës. Në vitet 1966-1967 është drejtor i kuadrit në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës. Në vitet 1968-1989 është pedagog në katedrën e historisë së PKSH në fakultetin e shkencave politiko-juridike të Universitetit të Tiranës ku dhe del në pension. Është dekoruar me medalje dhe urdhra të ndryshëm. Mban titullin “Doktor i Shkencave Historike”, është dhe një nga themeluesit e gazetës “Kushtim Brezash” dhe bashkëpunëtor aktiv i saj.

 

Lista e 30 prej të pushkatuarve më 4 shkurt 1944

 

1.Ramiz Treni

2.Sitki Çiço

3.Xhemal Sojli

4.Harito Harito

5.Dr. Stefan Pano

6.Fadil Rada

7.Mali Huta

8.Sulejman Vrapi

9.Haki Huta

10.Gjergj Legisi

11.Islam Alla

12.Fiqiri Gërblleshi

13.Ali Visha

14.Viçenca Apoli

15.Raxhioner Ravesi

16.Gjergj Marangozi

17.David Kohe

18.Mina Thome

19.Vangjel Capo

20.Vasil Muzina

21.Petro Prifti

22.Sokrat Tako

23.Mihal Koço

24.Dhimitër Toma

25.Emrullah Korja

26.Todi Shkurti

27.Osman Boriçi

28.Kurt Uka

29.Lake Kolonja

30.Hasan Çeliku

TO, Janar 2008