E enjte, 28.03.2024, 08:58 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Edi Rama është naiv në raport me Serbinë

E enjte, 29.07.2021, 07:00 PM


Blerim Latifi:

Po e nisi këtë tekst me një koincidencë historike e cila rastësisht m'u kujtua:

29 korrik 1913: Konferenca e Londrës e Fuqive të mëdha njeh shtetin shqiptar, por duke lënë jashtë tij Kosovën, që i jepet shtetit serb, pasi ky e kishte pushtuar me dhunë në vjeshtën e vitit 1912. Jashtë shtetit shqiptar mbetet edhe qyteti më i madh shqiptar i asaj kohe, Shkupi.

29 korrik 2021: kryeministri i Shqipërisë dhe kryeministri i Serbisë nënshkruajnë në Shkup, tani kryeqytet i një shteti sllav, iniciativën "Ballkani i hapur" dhe bëjnë thirrje që e kaluara të lihet pas. E kaluara në këtë rast nënkupton historinë e Kosovës nga viti 1912 deri në vitin 1999, e gjitha e mbushur me terror e akte gjenocidale, të kryera nga shteti serb mbi gjysmën e kombit shqiptar.

Pra, na kërkohet që të lëmë pas këtë histori, ta harrojmë atë për hir të një iniciative të kotë, e cila po bëhet thjesht dhe vetëm për të zëvendësuar në mënyrë iluzore integrimin europian që tanimë duket aq i largët për shtetet e Ballkanit perëndimor.

Na kërkohet të lëmë pas të kaluarën, në kushtet kur shteti serb që është përgjegjësi i krimeve të saj jo vetëm që i mohon ato, por çdo ditë kujdeset që të na tregoj dëshirën e tij për t'u kthyer në vendin e krimit dhe nuk lë gjë pa bërë që ta minojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në këtë situatë është e pamoralshme të na kërkohet t'i besojmë Serbisë dhe shefit të saj autoritarist.

Ne mund të dukemi si jodiplomatikë, jopragmatistë, jokonstruktivë, joaktualë, njerëz që shikojmë nga e kaluara ose që jetojmë diku në një univers paralel, por në realitet ne vetëm po respektojmë diçka që është e pashmangshme dhe e domosdoshme për qenien tonë: të vërtetën e vuajtjeve tona njëshekullore, mbi të cilat mbështetet arsyeja e vetme pse Kosova e ka meritur lirinë dhe pavarësinë. Solzhenjicin tek "Arkipelagu Gulag" e ka një shprehje të goditur: Nëse jeton në të kaluarën e humbet njërin sy, por nëse e harron të kaluarën do t'i humbësh të dy sytë!

Edhe një gjë: unë nuk pajtohem hiç me ata që e quajnë Ramën kolaboracionist ose proserb, e me të tjera epitete të ngjajshme. Rama nuk është i tillë. Nuk ka nevojë të jetë ose të bëhet i tillë. Ai është thjesht një kryeministër i Shqipërisë që nuk e njeh Serbinë, e as diktatorin e saj të ri. Ai është naiv në raport me Serbinë dhe ky naivitet bazohet në bindjen e gabuar se në Serbi njerëzit, politika dhe gjërat kanë ndryshuar për mirë.Serbia ndryshon veç atëherë kur kombi shqiptar aftësohet për t'ia thyer dhëmbët çdo agresioni të mundshëm serb mbi Kosovën. Por që t'ia arrijmë asaj dite, na duhen burrështetas të vërtetë, e jo politikanë të cilëve mendja u punon veç për pushtetin e tyre personal dhe të shpurës që u shkon pas.

__________

Bullgaria e ka bllokuar Maqedoninë. Serbia hapur, ditën dhe natën, pa u ndalur kurrë, punon kundër shtetit të Kosovës. Duke mos u mjaftuar me kaq, Serbia vazhdon të fus hundët edhe në Mal të Zi dhe në Bosnjë, e cila sot i ka pothuajse të gjitha tiparet e shtetit të dështuar. Greqia kartonin e kuq në Bruksel e mbanë në gadishmëri për ta përdorur kundër Shqipërisë. Vetë Maqedonia e dobët me dekada s'ka lënë gjë pa bërë që demografinë shqiptare atje ta defaktorizojë përmes stimulimit të ndryshimit të identitetit të shqiptarëve nga një komunitet i vjetër etnik në një komunitet të ri fetar, me orientim themelor oriental dhe joeuropian.

Ky pra është Ballkani sot: disa shtete që shfrytëzojnë përparësitë e tyre për t'ua zënë frymën fqinjëve më të dobët. E këta tre, me këto fotografi që na i servirin herë pas here, vazhdojnë të luajnë farsën e bashkëpunimit miqësor në Ballkan.

___________

Dola për një shetitje në freskinë e natës bregdetare. Nga larg vinte zhurma e muzikës e lëshuar në ndonjërin nga ato restorantet verore që hapen në plazhe.Nuk po u besoja veshëve: një kangë nga turbofolku serb ishte lëshuar në volumin maksimal të zërimit.Pastaj papritur kanga u ndërpre. Pasuan disa sekonda heshtjeje dhe ja nisi prapë muzika, veç tash kanga ishte shqip dhe ajo i këndohej Qorr Ilazit. Mbase dikush nga klientët kosovarë kishte ndërhyrë tek kujdestari i muzikës që jepej në restorant. Mbase pronari i tij ka pasur ndonjë klient serb aty. Mbase është në pyetje fakti se në Shqipëri nuk e kanë averzionin që ne në Kosovë e kemi ndaj muzikës serbe. Kush e di si është puna? Një gjë megjithatë e kisha të qartë në ato momente: nëse kanga e Qorr Ilazit po këndohej në versionin klasik, deri në mesin e natës nuk do të kishte nevojë për t'u lëshuar ndonjë kangë tjetër.Kur pasi isha larguar aq sa kanga më nuk po dëgjohej qartë, Qorri ende nuk e kishte kaluar kufirin në rrugën e tij drejt Prishtinës ku do ta kryej heroizmin në stilin e Silvester Stalones.

___________

Qetësi e plotë. Pastërtia në nivel të duhur. Deti dhe plazhi fantastik, në çdo pikëpamje. Dhe një gjë tjetër esencialisht e nevojshme: anonimiteti i plotë. Askënd s'po e njoh dhe askush s'po më njeh. Pra, liri e plotë nga detyrimet rutinore të përshëndetjes me të njohurit. Të pushosh do të thotë të çlirohesh përkohësisht nga diktatura e përditshmërisë jetësore. Tani edhe kamarieri e ka mësuar llojin e kafes që pi dhe, sapo ulem në tavolinë, ma sjell pa fjalë espresson e pashmangshme dhe largohet në punën e tij. E vetmja gjë që po më pengon është ky telefon i mallkuar, të cilin s'po gjej forcë ta hedh tutje. Telefoni, ky opium i ri për popullin!

___________

Se njehi pushim pa u ngjitë n'male! Edhe atë n'pikë t'zhegut.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora