E premte, 26.04.2024, 02:02 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Noli: Sulmi ndaj rrugës Durrës-Prishtinë, hibrid reminishencash të pista

E enjte, 04.12.2008, 03:20 PM


Sulmi ndaj rrugës Durrës-Prishtinë, hibrid reminishencash të pista

 

Nga Kastriot Noli

 

Në përmbajtje, tranzicioni politik shqiptar është i lidhur ngushtë me trashëgiminë politike dhe shoqerore të lënë nga sistemi i terrorit komunist. Në sjelljen politike të tranzicionit në shumë raste ka dominuar e është promovuar sulmi si vlerë, pavarësisht se pse, si dhe mbi çfarë parimesh.

Shembujt janë të shumtë dhe të gjithëllojshëm. Në thelb produkti ka qenë i njëjtë: luftë e ashpër për të eleminuar kundërshtarin politik, për të mbijetuar vetë dhe jo rrallë, hakmarrje e ashpër sapo rasti të sillte mundësinë për një gjë të tillë. Pak ose aspak është marrë në konsideratë dëmi që i sillet vendit përmes shkatërrimit të vlerave të individit dhe demotivimit kolektiv për të marrë përsipër një përgjegjësi kombëtare.

Rezultati final: kohë e shkuar dëm, institucione që punojnë mbi fjalë dhe jo ligje, ligje që interpretohen sipas fuqisë, dëshirës apo interesit të momentit, ritme të ulta zhvillimi, përçarje politike, konsensus i arritur shumë rrallë si dhe qytetare partizan të fituesit apo humbësit të radhës. Kemi kontribuar të gjithë për këtë nga pak, por disa më shumë se të gjithë të tjerët së bashku.

Arritëm të shënojmë një ndryshim kursi pas zgjedhjeve të vitit 2005. Punë dhe investime që po bëhen në gjithë vendin, në rrugë, shkolla etj, etj. Arritjet janë konkrete: Ftesë për antarësim në NATO, firmosje të MSA-së, ambient më i favorshem se kurrë më parë për biznes, stabilitet politik dhe makroekonomik, rritje ekonomike me ritme të larta të qëndrueshme. Qartësisht të gjitha këto duhen parë vetëm si fillimi i rrugës që kërkon akoma shumë për t’u bërë e plotë.

Në mes të të gjitha arritjeve që mund të jenë të interpretueshme për masën, formën, cilësinë, radhën, përputhshmërine me prioritetin, përqasjen politike apo preferenciale, merita dhe arritja më e madhe në planin e brendshëm ka qënë vendimi për ndërtimin e rrugës së shekullit, rrugës Durrës-Prishtinë dhe përkatësisht segmentit Rrëshen-Kalimash.

Për këtë rrugë kishte më parë një taksë për të cilën nuk u bë kurrë transparencë se ku shkoi, si u përdor, kush e mori, pse nuk përfundoi në destinacion. Kishte një projekt-ide, kishte shumë propagandë, por kishte shumë pak veprim konkret.

Kemi ndërkohë vëndosmërinë dhe shpejtësinë e qeverisë aktuale në marrjen e vendimit për ndërtimin e saj. Historia do ta vlerësojë më shumë sesa ne sot, këtë vendosmëri.

Fatmirësisht skepticizmi nëse do bëhej apo jo, ku do të merreshin fondet, ka marrë përgjigje dhe besoj shpejt do marrë edhe pamjen përfundimtare. Skepticizmi po mbetet vetëm në mendjet e nxehta të disa politikanëve ziliqarë, që kanë hyrë në politikë për inat të dikujt apo vetëm për të fituar tendera e për të bërë para, por pa ide se çfarë është më e mira për vendin, pa vizion për interesat kombëtare, pa mendim për të mirën e qytetarëve.

Kjo vepër madhështore ka autorë. Autorët e saj janë qeveria shqiptare dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm kudo që janë. Kjo vepër ka edhe autorë edhe emra individualë, të cilët e ardhmja do t’i bëjë gjithnjë e më prezent dhe do t’u japë vendin që meritojnë në histori.

Por kjo vepër ka edhe kundërshtarë. Kjo vepër ka edhe interesa ekonomike dhe politike të prishura. Kjo vepër ka kundërshtarë edhe politikanë dështakë që tmerrohen nga arritjet e të tjerëve. Në tërësinë e saj kjo vepër ka kundërshtar kryesor reminishencën negative të vjetër dhe të re e cila di të bëjë politikë vetëm me goditje të kundershtarit politik, por sigurisht më të njejtin qëllim, që të mbesin në parlament apo në parti, që të mbesin në lista aparatçikësh partiak apo shtetëror, që të pengojnë të tjerët që mund dhe dinë të qeverisin ndryshe, të dëmtojnë sa të mundin këdo që bën ndryshe dhe është “jashtë” tyre. Por të gjithë llojet e kundështarëve të kësaj vepre madhështore duhet të kuptojnë - E keni humbur betejën përfundimisht! Shqiptarët po ju kuptojnë.

Nëse shkoni larg apo afër në ëndrrat për të mbijetuar apo jetuar mirë në politike, kjo është çeshtja juaj, por mundësisht bëjeni me një metodë tjetër dhe jo duke goditur e sulmuar pjesën më të mirë të vlerave e veprave të vendit tuaj. Ky që keni zgjedhur është rasti dhe vendi i gabuar, por edhe mënyra e gabuar. Natyrisht ju godisni me idenë se po investoni larg për vete, por ju po godisni vetveten. Muri i cinizmit që ju ndjek nga pas kudo, po ua kthen mbrapsht armën tuaj të fëlliqur të xhelozisë dhe po përgatit rikoshetin, si te vetmen metodë për t’iu bindur se jo vetëm po veproni gabim por, se ky gabim është aq i rëndë saqë do t’u ndjekë përgjithmonë në faqet e sotme e të nesërme të historisë së kombit. Përpjekja juaj për të nxjerrë nga politika apo për të shkatërruar politikisht ata që ju prishin rehatin e të bërit politikë vetëm për vete, në të vërtetë po bën të domosdoshme ecjen apo mbetjen në politikë të atyre që kanë vendosur për fatet e kësaj vepre me vlera të pazëvendësueshme për vendin dhe të ardhmen tonë te perbashket.

Ndërsa ju që po e shihni rrugën si shans i humbur nga politika juaj e papërgjegjshme, lufta ndaj saj e shton papërgjegjshmerinë tuaj. Ndaj, merreni një mësim të mirë nga pluralizmi, pasi ky i fundit është shansi për vlera të shtuara, por edhe shans i humbur përfundimisht, siç është rasti juaj. Ndërtimi duhej të kishte ndoshur më parë, por për hir të mungesës së vizionit tuaj po ndodh kaq vonë, ndaj më mirë bashkëngjitjuni rrugës që na shërben të gjithëve se sa të ecni rrugicave të interesave të ngushta që në shumë raste nuk janë aspak interesi i qytetarëve të cilët pretendoni se përfaqësoni.

Rruga Durrës-Kukës zë një vend të padiskutueshëm në listën e arritjeve më të mëdha të kombit shqiptar, aq sa ajo mund të renditet pas emrit dhe figurës legjendare të Gjergj Kastriotit, Alfabetit të Gjuhës Shqipe, luftës për pavarësi dhe fitimit të saj, çlirimit të vendit, rënies së komunizmit, mbështetjes për pavarësi dhe pavarësia e Kosovës, marrja e ftesës për antarësim në NATO. Kjo rrugë është e këtij dimensioni dhe fatmirësisht kjo pranohet nga të gjithë. Rruga Durrës-Kukës do shërbejë si “alfabeti” infrastrukturor i integrimit mbarëkombëtar me vepra reale. Kjo aortë e infrastrukturës moderne shqiptare do të mbesë në histori dhe do të krijojë mundësi që të festohet në përvjetorët e saj, natyrisht edhe nga nipërit apo stërnipërit e vetë kundërshtarëve qofshin këta “të procedurës” së ndjekur gjatë miratimit apo atyre që “nënvlerësojnë” nevojën e ndërtimit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora