E merkure, 24.04.2024, 07:44 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Si jetojnë studentët shqiptarë në Itali. Studimet, puna dhe dashuritë

E merkure, 30.05.2007, 07:04 PM


Është një numër mjaft i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë (nuk dihet me saktësi se sa), që studiojnë, jetojnë dhe punojnë në Itali. Të larguar gati në mënyrë masive më së shumti gjatë 10-vjeçarit të fundit nëpërmjet aplikimeve nëpër fakultetet italiane, tashmë ata janë shpërndarë në të gjitha qytetet universitare të të gjithë Italisë. I gjen kudo. Në çdo fakultet italian, në çdo universitet nga ato private deri tek më të rëndësishmit si “La Sapiensa” apo “La Catolica”, nga Siçilia deri në Trentino e Vale Da Osta. Por bashkë me iniciativat dhe dëshirat e tyre, të shumta janë dhe problemet apo vështirësitë që ka secili prej tyre. Për t’u ndalur tek ato dhe për të bërë një “shëtitje” në jetën e tyre të përditshme, gazeta “Albania” qëndroi disa ditë mes studentëve në Romë. U lidhëm dhe takuam shumë prej tyre, ku përveç shëtitjeve nëpër Romë, mundëm të vizitonim edhe shtëpitë apo konviktet ku ata jetonin. Disa nuk ngurruan që të na tregojnë disa nga eksperiencat e tyre më të bukura, por dhe më të vështira njëkohësisht.

Si jetojnë
Viti i parë ngelet gjithmonë më i vështiri për çdo student shqiptar që ka shkelur tokën italiane. Edhe pse dikujt kjo mund t’i duket si shkaka, Mario nga Vlora, Klodi nga Lushnja, Luiza nga Berati, Jetsoni nga Lushnja, Geri nga Shkodra, deklarojnë pak a shumë për “Albania”-n se “viti i parë ka qenë një ferr i vërtetë”. “Ndërrova 12 shtëpi që më ranë në të 12 cepat e Romës, sa të them të drejtën, kur lëvizja nga një vend në tjetrin me plaçkat në kurriz, humbja dhe orientimin”, - thotë duke qeshur Klodian Staka nga Lushnja. Student në Fakultetin e Jurisprudencës në Universitetin “La Sapiensa” të Romës, Klodi na tregon për 4 vitet e tij në Itali dhe se si mundi të njihet me Marion dhe Renaton, dy miqtë e tij nga Vlora, me të cilët jeton prej 3 vitesh në një shtëpi me qira 1+1. I bërë protagonisti i parë i shkrimit tonë, Klodi më tej vijon: “Çdo ditë duhet të jem në shkollë në orën 09:00. Përpiqem, por nuk është se gjithmonë ia dal të jem në kohë aty. Mundohem të jem i rregullt me leksionet dhe seminaret, të cilat i kemi fakultative, edhe pse shkolla është mjaft e fortë. Qëkur jam aty e deri në momentin kur bëjë ndonjë pushim, më kalojnë rreth 3 orë rresht, që duhet të ndjek shpjegimin e pedagogëve të mi. Ndonjëherë leksionet janë aq të gjata sa i regjistroj me diktofon dhe më pas i hedh në kompjuterin tim portabël. Rreth orës 12:00 më plas koka nga të ndenjurit ulur dhe dal e pi ndonjë kafe, kryesisht me të dashurën time, Amardën, ose me miq të tjerë që janë shqiptarë, por dhe italianë. Mësimi na zgjat deri në orën 16:33 të çdo dite dhe për këtë drekojmë në ambientet e shkollës. Aty ka mensa kolektive ku mund të hash duke pasur teserinën e abonimit, në të cilën shkarkohen pikët nga krediti i bursës apo bonuseve që fitojmë nga provimet e dhëna dhe të marra në kohë (brenda sezonit). Veç se duhet të kesh kujdes, thotë më tej Klodi duke qeshur, pasi po të humbi tesera e mensës, të thahet zorra, ngelesh pa ngrënë.
Çdo ditë në shkollë Klodi shkon me një çantë të madhe, që ai i thotë “zaino”, në të cilën mban kompjuterin “Lap-top”, diktofonin, fishat e kompjuterit, libra, fletore dhe shumë stilolapsa. Bashkë me to mban dhe një radio të vogël xhepi me një palë kufje, për të cilat justifikohet se “më tepër se një orë në ditë na duhet të udhëtojmë me metro ose tramvaj dhe gjatë kësaj kohe është më mirë të dëgjosh muzikë, pasi asnjë s’të flet”.

Universitetet
Në të gjitha fakultetet e ”La Sapiensa”-s do të gjesh një mori studentësh shqiptarë që për nga numri vijnë të dytët pas italianëve. Është komuniteti më i madh i studentëve të huaj në Romë dhe zë një numër të konsiderueshëm në të gjitha vitet akademike. Ata janë aq të shumtë, sa tashmë nuk përbën më çudi fakti që në korridoret e fakulteteve të këtij universiteti të dëgjosh shpesh të flitet hapur shqip. Një pjesë konsiderohen vërtet si studentë që merren shembull dhe që lavdërohen nga stafet akademike. Por shumë të tjerë, bashkë me shkollën, u duhet të lidhin dhe punën, jetesën, por dhe vështirësitë personale apo ndonjëherë edhe ato familjare. Shumë studentë në Romë jetojnë nëpër konvikte që nuk kanë ndonjë ndryshim mjaft të madh nga ato që janë edhe në Shqipëri. Dhoma për dy ose tre persona, banjo kolektive, dushe kolektive si dhe mensat po ashtu. E veçanta është se konsiderohet si mjaft normale jetesa në të njëjtin konvikt si e vajzave, ashtu dhe djemve. Kjo gjë nuk u bën përshtypje aspak as studentëve shqiptarë, që janë mësuar tashmë me këtë gjë që në vendin e tyre shihet ende si diçka absurde. Por kjo i ka bërë më të lidhur njeri me tjetrin dhe më komunikues. Këtë e sheh çdo mëngjes që në çastet se si përshëndeten, kur ndajnë cigaret bashkë, që shpesh u vijnë nga Shqipëria, ndonjë ëmbëlsirë, apo dhe kur pinë kafen në orët pushim. Në këtë mënyrë përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin edhe në mësime, apo dhe deri tek ndonjë para borxh që ia japin shoku-shokut.

Puna
Të detyruar nga kushtet ekonomike të familjeve dhe nga paratë që nuk u mjaftojnë asnjëherë, studentët shqiptarë në Itali nisin shumë shpejt të punojnë. Që të gjithë i dëgjon se si flasin për vendet e punës dhe vështirësitë në to. Dikush punon në një pastiçeri, dikush në një fast-food, dikush shpërndan gazeta dhe dikush tjetër bën kopshtarin. Që të gjithë janë të kushtëzuar të provojnë punësimin sezonal, me qëllim që të stabilizojnë të ardhurat dhe shpenzimet e ditës. Mesatarisht një studenti shqiptar në Romë i nevojiten rreth 30 euro në ditë shpenzime. Këto “nisin” të harxhohen çdo ditë me mëngjesin, kafenë, metronë, cigaret, internetin, drekën, darkën dhe ndonjë shpenzim ekstra për shkollën. Nga të gjithë studentët, në mënyrë kategorike merr vetëm një përgjigje: “Nuk është e mundur që këto shpenzime të mbulohen vetëm nga të ardhurat e familjes apo bursa, prandaj duhet puna”, - thonë ata. Por në realitet edhe puna që bëjnë gjatë një pjese të kohës së studimeve në Itali studentët shqiptarë, përsëri nuk është mjaft e admirueshme prej tyre në raport me lodhjen dhe kohën që u merr. Puna detyron shumë prej studentëve që në një fazë të mirë të vitit shkollor të kenë kohë vetëm 1 orë në ditë për të studiuar. Ka edhe shumë të tjerë që të përfshirë nga puna dhe fitimet sezonale që ajo u jep, arrijnë deri aty sa të humbasin edhe ndonjë vit studimi, por që në mënyrë kategorike nuk ua tregojnë familjarëve.

Jetsoni, studenti shqiptar në Romë, që shpërndan gazetën “Metro”
Student në Itali që prej vitit 2003, Jetson T. nga Tirana është një nga 10 studentët më të mirë të Fakultetit të Arkitekturës Urbane në Universitetin “La Sapiensa” të Romës. Edhe pse disa vite me radhë ka qenë i impenjuar pas studimeve, ku siç thotë dhe ai vetë, “janë tepër të vështira dhe profesorët nuk dinë të tolerojnë”, prej rreth një viti ka nisur edhe një punë. Jetsoni është sot edhe një prej punëtorëve më të mirë të kompanisë “Metro”, që shpërndan gazetën me të njëjtin emër falas në metrotë e të gjithë Italisë. “E nisa këtë punë i detyruar nga mungesa e të ardhurave të mjaftueshme dhe shpenzimeve të larta që ka shkolla këtu. Për t’u bërë një arkitekt i mirë, që të mund të punoj në Itali, më duhet mjaft punë, por dhe shumë shpenzime për libra, pajisje kancelarie dhe pajisje speciale shkolle. Kjo gjë më detyroi që të nisja punën në këtë kompani që shpërndan gazetat e metrosë. Më paguajnë relativisht mirë, por puna është mjaft e lodhshme për mua, pasi çohem që në 4 e gjysmë të mëngjesit për të qenë në pikën e grumbullimit në orën 05:00. Më pas që aty nis të shpërndaj dengjet me gazeta në të gjitha stacionet e metrosë në Romë për rreth 3 orë, para se të nisë fluksi i qytetarëve, që shkojnë për në punë e që i marrin gazetat ‘Metro’ falas. Punoj çdo ditë me Ganon, një afrikan nga Burkinafaso, që i duket se Shqipëria është e njëjtë me vendin e tij”.

Ana, që do të lidhet me një italian për të mos u kthyer në Shqipëri
Ana është studentja 22-vjeçare nga Fieri, që studion në Romë për Shkenca Komunikacioni. Përgjithësisht një karakter i hedhur dhe i shkathët, që në prezantimin e parë që bën me të, ajo të thotë se nuk para i pëlqen që të shoqërohet me shqiptarë këtu në Romë. “Të gjithë miqtë dhe miket e mia janë të huaja. Ka rumunë, çekë dhe pjesa më e madhe janë italianë”, - tregon për gazetën Ana. Ajo vijon duke na sqaruar më tej se, “që në fillim, kur erdha në Romë, u vendosa në shtëpi me tri vajza të tjera, një italiane, një rumune dhe një polake. Më pas fillova të shoqërohesha me to pasi ishin vajza të mira dhe që atëherë mbaj kontakte me shqiptarët vetëm kur jam në shkollë, pasi në jetën private nuk kam lidhje”. Me zell dhe pa ndrojtje Ana tregon se ka dëshirë që pas shkollës të gjejë një punë në Itali, pasi nuk dëshiron të kthehet më në Shqipëri. Këtë gjë e ka vendosur bashkë me Markon, të dashurin e saj nga Modena, që jeton në Romë. “Ai, thotë Ana, është shumë i dashur me mua dhe më ka premtuar të më ndihmojë për t’u stabilizuar në një punë pas shkollës, pasi do të qëndrojmë bashkë dhe nuk do të kthehem më në Shqipëri. Për këtë kam gjetur edhe miratimin e familjes time”. Këtë lloj diskutimi Ana e mban me këdo bashkatdhetar të sajin që ka kontakte, duke e përdor në një farë mënyre edhe si justifikim për të mos u shoqëruar me ta.

Prindërit, të panjohur me jetën e fëmijëve që studiojnë jashtë vendit
Shumë prej prindërve shqiptarë që kanë fëmijët e tyre me studime jashtë vendit, nuk janë në dijeni të faktit se çfarë jete bëjnë realisht fëmijët e tyre atje. Edhe pse dërgojnë shpesh para dhe pako në adresat e tyre në Itali dhe vende të tjera, përsëri e vetmja fjalë që i mban me shpresë është ajo që dëgjojnë nga fëmijët e tyre. Por, pavarësisht nga ajo që dinë apo besojnë prindërit, realiteti është krejt ndryshe. Një pjesë jo e vogël studentësh që ndodhen në Itali, të detyruar nga një ose nga një tjetër rrethanë, lënë shkollën për të punuar. Në këtë mënyrë nuk janë të paktë ata që nga studentë kthehen në emigrantë pune. Ka të tjerë që humbasin fare të drejtën e studimit, por që justifikohen me faktin se gjenden andej dhe që familja nuk është në dijeni të gjërave që bëjnë. Po kështu ka edhe mjaft studentë shqiptarë, kryesisht vajza që të shtyra nga njëra ose tjetra rrethanë marrin rrugët dhe nga konviktore studente kthehen në punonjëse klubesh nate, ose në vajza shoqëruese për pasanikë të ndryshëm. Por, në të gjitha rastet, ajo çka dinë familjet shqiptare të studentëve, është vetëm një pjesë e së vërtetës ose një e pavërtetë e madhe. Të vetmit që flenë të qetë janë një pjesë e prindërve që ose kanë pasur mundësinë të vizitojnë dhe të shikojnë nga afër jetën e fëmijëve studentë në Itali, ose që kanë pranë fëmijëve ndonjë të afërm që i kontrollon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora