E marte, 19.03.2024, 11:57 AM (GMT)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (II

E merkure, 03.12.2008, 12:09 AM


Besnik Dizdari
Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (II)

Nga Besnik Dizdari

II.

Më 10 qershor 1959 opinioni sportiv shqiptar është informuar se kryetari i Komitetit Olimpik të Republikës Popullore të Bullgarisë, gjenerali Stoicheev - njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO) - i kishte dërguar një telegram Komitetit Olimpik Kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë që përmbante vetëm këto 11 fjalë:

"Komiteti Olimpik Shqiptar u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Urime. Përshëndetje.
Gjeneral Stoichev"

Një gjeneral anëtar i CIO-s. Një gjeneral bullgar i cili njofton Shqipërinë se është bërë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO ose KON në shqip). Një ushtarak i lartë i kampit komunist – provë tjetër e militarizimit të sporteve në këto vende. Por, në fund të fundit, Shqipëria anëtare e CIO-s.

Ka qenë një kohë parësore e miqësisë shqiptare - sovjetike kur vetëm pak ditë më parë Shqipërinë e kishte vizituar Nikita Hrushovi dhe politika ishte vërtet po aq parësore edhe në sport. Aq sa në editorialin kushtuar këtij pranimi, më fort se shpirt olimpik, do të gjesh ditirambe për Bashkimin Sovjetik, gëzim për përjashtimin e Taivanit nga CIO, se sa knaqësi për pranimin shqiptar. Absurditeti vazhdon më tej kur ky pranim lidhet edhe me 15-vjetorin e Çlirimit, mirënjohje për delegacionet olimpike të vendeve të demokracive popullore si një kundërshtim i shteteve të tjera të lidhura, siç thuhet, "pas qerres amerikane". Qysh ditën e parë të pranimit të tij, Komiteti Olimpik Shqiptar i mëshonte politikës sa mundte, mu asaj që statutet e CIO-s janë munduar ta mënjanojnë në të gjitha kohërat.

Ndodhemi kësisoji mbas destalinizimit, por po ato dit Këshilli i Ministrave nxjerr vendimin për organizimin e një veprimtarije të emërtuar politiko-sportive, Spartakiadën e Parë Kombëtare; dhe nga ana tjetër, pa shumë ceremoni, mbas pak ditëve, në një veprimtari sportive shfaqet papritmas Vasil Konomi, presidenti i sapozgjedhur i Komitetit Olimpik, por me funksionin tjetër, ate të kryetarit të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve në Ministrinë e Arësimit e të Kulturës! Dhe i bëhen tre “funksione”: Kryetar i BFSSH, Kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, Kryetar (president) i KOKSH! Ku dy të parat janë kopje e keqe e njëra tjetrës - një e vetme. Dhe shì në këte ditë të ftohtë janari nis dhe historia e dyshimtë e lëvizjes olimpike shqiptare. Atij Komiteti Olimpik i cili përmbi gati një vit nga themelimi nuk i ishte dëgjohet askund emri deri në ditën e 10 qershorit 1959, kur gjenerali bullgar Stoichev, njofton me telegramin e tij, pranimin e KOKSH të RPSH në CIO.

Dhe mandej përsëri heshtja, heshtja fantastike për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, çka do të thoshte dhe largim dinak prej detyrimeve që kërkonte integrimi i tij në CIO. Shqipëria komuniste kishte frikë për të qenë de facto pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), i cili drejtohej nga "qerrja amerikane" e Avery Brundage-s. Shqipëria kurr për plot 34 vjet, deri më 1992, nuk do të mbante në këmbë strukturën e Komitetit Olimpik të saj. Historia e emërimit, "zgjedhjes", çemërimit apo shkarkimit të krerëve të lëvizjes olimpike shqiptare e njinjisueme me BFSSH-në, është provë e rrallë dyshimesh, arrogancash që Shqipëria ka treguar ndaj lëvizjes olimpike.

Vasil Konomi – Presidenti i parë i KOKSH dhe periudha e tij

Vasil Konomi kishte lindur më 1911 në Seman të Fierit. Përfaqëson një nga figurat më të shquara të drejtimit të sporteve në Shqipëri, jo vetëm për shtatë vite që punoi në këte sektor, por dhe për faktin se i takoi të ishte Presidenti i parë i Komiteti Olimpik Shqipar, por mbi të gjitha sepse ai la përshtypje të një drejtuesi serioz, i panashëm, dashamir i madh i lëvizjes sportive dhe njerëzve të saj - çka olimpizmi i kërkon tejet. Të gjtha këto përforcohen edhe më tej, kur kujton se në ç'periudhë i takoi atij të drejonte. Periudha e Regjimit komunist, për të cilin edhe ai ashtu si dhe shumë të tjerë, kishte luftuar e sakrifikuar në vitet e luftës partizane. Ky i ri me preadhje nga Palasa, çuditërisht do ta gjente formimin e tij në Gjimnazin e Shkodrës. Madje në Shkodër ai do të gjejë edhe formimin sportiv, duke u bërë një sportist i shquar i rangut kombëtar. Më 1932, në Kampionatin e 4-t Kombëtar të Atletikës së lehtë, nën fanelën e SK Vlorës, ai fiton titullin e Kampionit Kombëtar të Shqipërisë në hudhjen e topit me dorezë (çekiçi i kohës) me 38.35 metra dhe është rekordmen kombëtar, titull dhe rekord që do t’ia rrëmbente më 1933 (40.56 metra) as më shumë e as më pak, përveçse ai që do të bëhej piktori i madh evropian Ibrahim Kodra, i cili merr pjesë nën fanelën e klubit “Kosova” të Kukësit. Ndërkaq, në Lojërat Ballkanike të Zagrebit (Atletikë e lehtë). Konomi vesh fanelën e kombëtarasit. Eshtë atlet i hudhjeve si pjesë e një Kombëtareje historike nën fanelat përuruese kuq e zi me shqiponjën në gjoks, së bashku me Kristo Isak, Feti Dizdari, Koço Dhrami, Ibrahim Dizdari, Nevruz Nivica, Minella Anastasiadhi, Sabit Çoku, Ahmet Ashikja, Sandër Kraja, Mark Temali, Selman Stërmasi, Fori Stasa, Ilia Likoka, Gaqo Gogo, Mendu Agolli, Ramadan Kazazi, Ragip Lohja, Filip Sosi, Nebi Faslliu të udhëhequr prej të paharrueshmëve Dr. Vasfi Samimi dhe Prof. Luigj Shala.

Mbas mbarimit të Gjimnazit ai shkon për studime në Greqi, i ndërpret ato, merr pjesë në të ashtuquajturën Kryengritje të Fierit, dënohet me 16 vjet burg në mungesë dhe bëhet një protagonist i një akti guximi moral dhe sportiv krejt të rrallë. Mbas disa orë notimi nga porti i Vlorës arrin te një anije italiane, e cila e dorëzon në policinë e Brindisit e prej aty në Jugosllavi, ku statusi i studentit të mjekësisë në Selanik, i bën autoritetet jugosllave t'ia dorëzojnë autoriteteve greke. Ndërron fakultet duke vazhduar studimet për në drejtësi. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ai kthehet në Shqipëri ku përfshihet në Lëvizjen partizane për çlirimin e vendit, duke qenë anëtar i PKSH qysh më 1943 dhe duke mbërritur madje deri Komisar i Brigadës II Sulmuese - një post mjaft i lartë në atë mjedis. Edhe këtu do të ketë përsëri një tjetër akt guximi. Kur Brigada II merr urdhërin për të kaluar në Jug, në ditët e një dimri të egër mbi Shkumbin, Vasil Konomi demostron kurajo të madhe me shembullin e tij, duke kaluar i pari lumin përmes një litari të lidhur në dy brigjet. Dhe mbas tij të gjithë të tjerët.

Mbas Luftës, kryen detyra deri diku të rëndësishme, por pa u ngjitur kurrnjiherë në të lartat e mëdha, për çka mund t'ia lejonin meritat. Eshtë zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës, ku bëhet mbështetës i madh i krijimit të klubit të parë studentor në Shqipëri, klubi që do të merrte emrin "Universiteti" (më mbas "Studenti") kryetar i të cilit është mu Vasil Konomi. Prej këtu mbërrin te Kryetar i BFSSH (Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë) dhe kryetar (president) themelues i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke qenë në treshen ideatore dhe organizative të themelimit të tij, siç e treguam në kapitullin e parë të kësaj historie, botuar të martën e shkuar këtu në "TemA".

U zgjatëm disi në këto rradhë biografike të këtij personaliteti të sporteve shqiptare në vitet e vështira të Regjimit komunist, jo thjesht për histori, por për t'ia bërë të njohur sidomos brezit të ri këte themelues të shquar të organizimit dhe të olimpizmit modest të sportit shqiptar. Do të mbahet mend si njeriu që i dha një shtytje sportit dhe ndonëse vinte nga aparatet e partisë, gëzonte respektin e një liberali dhe njeriu të drejtë, sidomos prej kuadrove të vjetër të sporteve. Nuk merrej me vogëlsira.

Vasil Konomi ishte në krye të sportit shqiptar nga viti 1958 deri më 11 gusht 1965 kur ndahet nga jeta në moshën 54 vjeçare, duke u përcjellë me respektin, jo thjesht të Partisë dhe Regjimit, të cilit ngado që ta marrësh ai i përkiste, por mbi të gjitha, me respektin e madh të shokëve të tij të shkollës e sidomos të sporteve. Iu bënë homazhe në sallën e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe në lamtumirë mbajti fjalimin Ministri i Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deliana. Të dukej se atë nderim që nuk ia kishin dhënë plotësisht për së gjalli, po ia blatonin me lamtumirën e tij. Në nekrologjinë e të tij të gjërë, kishte më shumë emra të jerarkëve komunistë se sa të njerëzve të sportit, siç shihet nga kjo listë firmuesish të saj të rradhitur kësisoji nga shtypi: Abdyl Këllezi, Anton Mazreku, Beqir Balluku, Kiço Ngjela, Kiço Karaguni, Kolë Paparisto, Lame Konomi, Loro Boriçi, Pandi Allabashi, Manush Myftiu, Ramiz Alia, Rrapo Dervishi, Sabri Pilkati, Spiro Koleka, Spiro Moisiu, Thoma Deliana.

Në vitet 1958-1965 që drejtoi, dhe kur ke parasysh periudhën e një kalimi të vështirë të Shqipërisë nga tutela sovjetike tek ajo kineze, nga një liberalizëm i vogël për shkak të destalinizimit të Bashkimit Sovjetik te majtizimi i skajshëm revolucionar i pakompromis i Kinës së Mao Ce Dunit, Vasil Konomi ia arritit që deri diku të ruante një baraspeshë drejtimi që kujtohet. Nuk i harroi sidomos shokët e tij të vjetër të sporteve të viteve '30, qoftë dhe shumë prej tyre me probleme jo të vogla biografike dhe përndjekjeje të pamshirshme prej Regjimit. Autori i këtyre rradhëve kujton sidomos dy personazhe të mëdhej të fisit të tij, të paharrueshmit kollosë së sportit shqiptar, Feti e Ibrahim Dizdari, të cilët tek Vasil Konomi jo njëherë gjetën mbështetje, çka për atë kohë nuk qe pak.

Në gjykim të temës sonë, edhe në rastin e Konomit, do të gjejmë po fatin e të gjithë të tjerëve të cilit do të vinin mbas tij: po aq sa fillim themelues do të fillojë edhe ajo që kemi titulluar: "zhdukja” e këtij Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

1960: Prania befasuese e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Romës

Mbas pranimit të Shqipërisë si anëtare e CIO-s, siç treguam më sipër, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe bashkë me te edhe ushtrimi i një autoriteti të olimpizmit, siç mund të ishte Vasil Konomi, duket se merr fund me ngjarjen e shtatorit 1960, kur krejt papritmas Shqipëria bëhet e pranishme në Lojërat Olimpike të Romës - çka mbas pranisë së saj zyrtare në Lojërat Olimpike të Berlinit 1936, përmes ministrit të Arsimit të Mbretërisë, Nush Bushati, (shih "Futbolli Shqipar - MAGAZINE, Nr 181-182, 27 gusht 2008), kemi të bëjmë me dukjen e parë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Mbasluftës. E kujtoj si sot intervistën e tij të shkurtër në Radio Tirana menjëherë mbas khimit nga Roma dhe vetëm kaq.

Befasia e gjithë kësaj pjesëmarrjeje të paprecedent shfaqet më 17 gusht 1960 në faqet e shtypit të kohës përmes një lajmi me titullin po aq befasues: "Një delegacion i vendit tonë do të marrë pjesë në Sesionin e 57-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”, përmes të cilit njoftohet se:

“Me ftesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), një delegacion i vendit tonë do të marrë pjesë në Sesionin e 57-të të KON-it, që do të mbahet në Romë prej datës 20-24 të këtij muaji. Delegacioni kryesohet nga shoku Vasil Konomi, kryetar i Komitetit Olimpik të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kjo ëshë hera e parë që vendi ynë përfaqësohet në sesionet e KON-it mbas pranimit të Komietit Olimpik të RPSH në rradhët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, në Sesionin e 55-të. Delegacioni ynë do të asistojë gjithashtu edhe në Lojnat e 17-ta Olimpike të cilat do të zhvillohen në kryeqytetin italian nga 25 gushti deri më 11 shtator të këtij viti si dhe në disa kongrese të federatave sportive ndërkombëare që do të mblidhen gjatë kësaj periudhe.”

Eshtë një njoftim që mund të konsiderohet sensacional për nga kahja historike. Ndonëse po ashtu i shkurtër, vendosur në fund të faqes së gazetës "Sporti popullor", duket si i shuar përballë shkrimeve që iu kushtohen edukimit fizik të punëtorëve, jehonës për të shkuar me rekorde në Kongresin e 4- të PPSH, sportistëve të Kombinatit të Tekstileve “Stalin” që do të shkojnë në Kongres me duar plot, zotimeve të reja të atletëve për nder të Kongresit apo të lulëzimit të sportit në RDP të Koresë dhe të ndeshjeve miqësore të basketbollistëve të rinj kinezë në Shqipëri të cilët do t’i presë Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri - Kinë, Abdyl Këllezi, i shoqëruar nga kryetari i BFSSH, Vasil Konomi, pa ia përmendur asesi cilësimin si kryetar (president) i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar!

Delegacioni olimpik shqiptar ëshë nisur për në Romë më 22 gusht 1960, dhe kjo duhet konsideruar data historike për ne, e pranisë olimpike shqiptare Mbaslufës së Dytë Botërore. Dhe ndërkohë që lexuesi pret diçka më tepër për praninë modeste të delegacionit shqiptar në Romë, gazeta vendos në krye të faqes Komunikatën “e përjashtimit nga Komiteti Qendror i PPSH për gabime të rënda në vijën e Partisë të shoqes Liri Belishova, sekretare e KQ të PPSH” si dhe “përjashtimin nga KQ i PPSH, por dhe nga Partia, të Koço Tashkos për veprimtari armiqësore kundër Partisë”.

Megjithate, sporti vazhdon jetën e tij, mbrenda e jashtë Shqipërisë, dhe për hir të Olimpiadës së Romës, “Sporti popullor” nën drejtimit e kryeredaktorit Osman Palushi, ato dit botohet nga një në dy herë në javë. Sot na duhet të pranojmë se këte shtator 1960, kjo gazetë ishte ndër më të hapurat dhe të pasurat në historinë e saj. Gjithçka lidhej me ambicjet e Bashkimit Sovjetik në këte Olimpiadë të Romës, çka në këto vite të duelit midis dy kampeve dhe sistemeve, atij kapitalist me në krye SHBA dhe këtij komunist me në krye BRSS, edhe dueli sportiv midis tyre kishte fund e krye një mbrapaskenë politike. Në këte kah propaganda shqiptare çuditërisht është në kulm të saj, ndonëse dënimi i Liri Belishovës dhe Koço Tashkos, nuk ishte kurgjë tjetër përveçse veprimi i parë i fillimit të asaj që për edhe nja bukur 30 vjet të tjera, do të njihet si lufta ideologjike kundër revizionizmit sovjetik, hrushovian apo brezhnjevian qoftë!

Olimpiada e Romës ndërkaq, do të ishte një triumf i papamë i sportit sovjetik.

Bashkimi Sovjetik fiton gjithsejt 103 medalje përballë vetëm 71 të SHBA dhe 43 medalje ari përballë 34 të SHBA. Mbas fitores në Olimpiadën e Melburnit, kjo ishte hera e dytë rradhazi që BRSS triumfonte në duelin olimpik amerikano-sovjetik, duke e bërë gjithë kampin e shteteve komuniste të kalonte në delir propagande. “Fitore e shkëlqyer e sportistëve sovjetikë” buçet shtypi i Shqipërisë. Dhe për të kupuar gjithë mârrinë e trajtimit të pafré politik të këtij suksesi sportiv, mjaftojnë këto rradhë panegjeriku të njëanshëm ideologjik që gazeta jonë, për hir të së vërtetës, mjaft e dashur sidomos për ne, gjimnazistët e vitit 1960, i rreshton si të dala prej një gryke pushke:

“Megjithë përpjekjet e imperialistëve dhe shërbëtorëve të tyre për të prishur atmosferën e lojnave dhe idenë olimpike për paqen dhe miqësinë, Lojnat e 17-ta Olimpike të Romës u kurorëzuan me sukses si përsa i përket rezultateve të larta sportive ashtu edhe për forcimin e mirëkuptimit dhe të marrëdhënieve miqësore midis sportistëve të të gjitha vendeve... Kjo është me të vërtetë një rrugë e lavdishme për sportin sovjetik që dëshmon edhe një herë akoma epërsinë e sistemit socialist mbi atë kapitalist edhe në lëmin e kulturës fizike e sporteve si dhe faktin që fiskultura e sporti në Bashkimin Sovjetik janë bërë pronë e milionave dhe mjeshtria sportive ngrihet me ritme të shpejta. Këto suksese do të ishin edhe më të mëdha po të konkuronin edhe sportistët vëllezër të RP të Kinës, të cilëve padrejësisht dhe krejt në kundërshtim me frymën olimpike, nuk iu dha e drejta të marrin pjesë në lojnat dhe aktivitetet e tjera zyrtare botërore.”

Të duket se Shqipëria, i vetmi vend i kampit komunist që nuk kishte dërguar asnjë sportist në Olimpiadë, ishte kreu i propagandës së fitores së bujshme sovjetike.

Për Shqipërinë atje ishte vetëm kryetari i KOKSH, Vasil Konomi, i cili sapo kthehet, më 19 shtator 1960, organizon një takim me kuadrot e fiskulturës të kryeqytetit për t'iu treguar “atyre mbi zhvillimin e Lojnave të 17-ta Olimpike, mbi punimet e Sesionit të 57-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar”. Gjëja më e çuditshme është se shtypit i shpëton ndërkaq, një “gabim i madh”, kur shkruan se takimi u zhvillua në sallën e “Sportklub Tiranës”. Ishte hera e parë mbas 15 vjetëve që përmendej “Sporklub Tirana” e “borgjezisë së kohës së Mbretërisë”, siç ishte përcaktuar me kohë prej Regjimit, e zevendësuar me “17 Nëndori”. Ngjarja tjetër është se mu në këte ditë Shqipëria protestonte për mospranimin prej Qeverisë Greke të pjesëmarrjes së saj në Kampionatin Ballkanik të Atletikës që do të zhvillohej në Athinë, çka konsiderohet “një akt armiqësor i qeverisë greke ndaj RP të Shqipërisë”.

Kështu, ngadalë e ngadalë, viti olimpik 1960 po mbyllej duke mbetë në histori prania e parë zyrtare e olimpizmit shqiptar Mbaslufës, ndonëse për të marrë pjesë me sportistë, asaj do t'i duheshin edhe 12 vjet.

Viti 1960 për Shqipërinë e vogël, megjithate do të mbyllej përmes një veprimtarie të pasur sportive ndërkombëtare të kategorisë miqësore mbrenda kampit komunist. Partizani i Ushtrisë Popullore fiton dy herë në dy takime boksi të paharrueshme me Honvedin e Budapestit 6-4 dhe 5-4. Vjen Kombëtarja e RD Gjermane në volejboll për meshkuj dhe dy herë 3-2 për te ndaj Shqipërisë në dy ndeshje të mëdha për kah niveli, formacion gjerman që do 'i dorëzohet në ndeshjen e tretë Partizanit 1-3. Mandej janë dy ndeshjet e futbollit Petrolul - Dinamo 2-1 dhe Partizani - Petrolul 5-0 në Stadiumin "Dinamo" (“Selman Stërmasi") para rreth 15.000 shikuesve. Viti ka ndërkaq, edhe skuadrën e fundit të Bashkimit Sovjetik që viziton Shqipërinë para prishjes së madhe. Eshtë Admiraltejec e Leningradit (ish Dinamo e Leningradit), skuadër e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, e cila i vë në pozitë të vështirë klubet shqiptare përmes këtyre rezultateve: Admiraltejec - Partizani 2-2, Admiraltejec - Skenderbeu 1-0, Admiraltejec - 17 Nëndori 1-1, Dinamo - Admiraltejec 1-0.

Dhe askush nuk mendonte se mbas pak muajve, 1961, do të niste izolimi sportiv i Shqipërisë prej kampit komunist dhe natyrisht edhe zhdukja e olimpizmit shqiptar për shumë kohë. Për ne, maturantët shqiptarë viti 1960, ku në atë ngushtësi jete sporti na bënte të ëndërronim jo pak, do të mbetej në kujtesë më shumë se asgjë, filmi italian për Olimpiadën e Romës i shfaqur me bujë në kinematë shqiptare, një poezi sa filmike aq dhe sportive, të cilën e shihnim gati përditë në Kinema “Partizani”, duke kuptuar për herë të parë se çka ishte një Olimpiadë, ndonëse aty kishte munguar Shqipëria jonë.

Vasil Konomi, kryetari (presidenti) i KOKSH, do ta mbyllte shpejt edhe jetën e tij olimpike. Qysh atë dhjetor 1960 deri sa do të ndahet para kohe nga jeta më 11 gusht 1965, ai do të ishte thjesht vetëm kryetari i Bashkimit të Fiskulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë. Posti i Presidentit të KOKSH, që qe përdorur vetëm për praninë në Olimpiadën e Romës, ishte arshivuar tashmâ. Për historinë mbeten megjithate jo pak arritje të sportit shqiptar nën drejtimin e tij, natyrisht joolimpik, por thjesht bfssh-ist. Gjatë periudhës 1958-1965 u bë një hap i dukshëm përpara sidomos në ndërtimet sportive (Pallati i Sportit “Partizani” (“Asllan Rusi”), stadiumet e Durrësit, Vlorës, Korçës), pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të volejbollit, pjesëmarrja e suksesshme në Kupën e Kampioneve të Evropës po në volejboll, përurimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kupat e Evropës me klubet në futboll, madje me një fillim spektakolar (0-0 Köln (RF Germane), 1-1 Norköping (Suedi)). Dhe më tej: ringritja e Kombëtares së futbollit mbas mbi një dhjetvjetëshi thuajse e zhdukur nga historia dhe përurim i saj në kualifikimet e Kampionatit Evropian dhe atë Botëror. Madje duke përfshirë këtu edhe pak olimpizëm: pjesëmarrja e Shqipërisë në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike të Tokios: Shqipëria – Bulgari 0-1, 0-1! Natyrisht të sigurtë për eliminimin, sepse politika enveriane kurrsesi nuk do ta kishte çuar Shqipërinë në tokën “kapitaliste dhe luftënxitëse” të niponëve.

Të gjitha këto duken si pak, natyrisht. Pa harruar edhe ate, kryeveprën e vogël të Vasil Konomit, Kampionatin Ballkanik të Basketbollit organizuar në Tiranë në dhjetorin e vitit 1965, të cilin ai nuk ia mbërriti ta shijonte.

Të gjitha këto duken si shumë kur mendon izolimin e Shqipërisë që qysh nga ky fillim i viteve '60 do të përshkohej në uljengritjet e tij dramatike. Ishin vite kur Shqipëria udhëtoi misteriozisht për te porta e Olimpiadës, pa mbërritur megjithate kurrsesi olimpizmin. Duheshin edhe 12 vjet të tjera për të nisur olimpizmi i vërtetë shqiptar, si një vetëtimë “disa çastesh” edhe ai: Mynih 1972. Mandej do të zhdukej edhe ai për bukur 20 vjet të tjera, kohë kur do të përmbysej Regjimi…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora