E enjte, 28.03.2024, 10:08 PM (GMT)

Kulturë

Anton Nikë Berisha: Rreth shtatë poezive apo poemës së parë shqipe për shtatë mëkate mortare të Gjon Buzukut

E diele, 25.07.2021, 03:45 PM



RRETH SHTATË POEZIVE APO POEMËS SË PARË SHQIPE PËR SHTATË MËKATE MORTARE TË GJON BUZUKUT

Nga Anton Nikë Berisha

Dhjetë tekste të tjera të Buzukut1

Duke lexuar veprën “Meshari” të hartuar nga Gjon Buzuku2, përveç katër Psalmeve origjinale, tashmë të përmendura e të analizuara në pjesën e dytë të studimit, kam veçuar edhe këto dhjetë tekste që duhet të jenë hartuar nga ai ose janë përshtatje të lira të tij.

Teksti i botuar në fletën trembëdhjetë (13), që është fleta e parë e ruajtur e kopjes së vetme të gjetur deri më sot të “Mesharit”, është një psalm kushtuar paqes shpirtërore, një nga dukuritë më të qenësishme të besimit e të njësimit me dashurinë e Hyjit. Të gjitha gjasat janë që edhe në faqet e tjera të fillimit (që mungojnë) të “Mesharit” të Buzukut, duhet të ketë pasur tekste të hartuara nga ai.

Këto dhjetë tekstet afrohen me shumë përbërës me katër tekstet e emëruara nga Buzuku si psalme, për arsye se mënyra e perceptimit dhe e të shprehurit në to është e ngjashme ose e njëjtë. Buzuku e përqendron vëmendjen tek tërësia e tekstit dhe e mesazhit që del prej tij e më pak te simbolika dhe metaforika e fjalëve ose e shprehjeve të veçanta që ai përdor.

Në këto dhjetë tekste vërehet një shqipe e përpunuar dhe e lartësuar; ndërlidhje e kujdesshme e pjesëve që bëjnë tërësinë, po dhe e vetë qëllimi të hartimit të tekstit përkatës.

Përveç teksteve: “E paqnë tand neve na ep ?dë jetë tanë” dhe “Gjithë popullinë e kërshtenë ?dë Arban?t” në tetë tekstet e tjera shqiptohen kryesisht çështje të mëkatit si armiku kryesor i përshpirtshmërisë dhe i njësimit me Hyjin e me mbretërinë e Tij. Kjo gjë bie në sy sidomos në tekstet që u kushtohen shtatë mëkateve, që bëjnë shtatë poezi apo një poemë kushtuar mëkateve përkatëse dhe pasojave që rrjedhin prej tyre.

Në këto dhjetë tekste rrëfimi i Buzukut është herë i qetë e herë dramatik, ose këto dy forma gërshetohen midis tyre, varësisht nga mënyra që autori i qaset dhe e shpreh dukurinë që lidhet me besimin në Hyjin dhe me nderimin e urdhrave të Tij. Ato dëshmojnë për forma të ndryshmetë të shprehurit. Dallohet sidomos përsëritjet që kanë funksion të caktuar, pra janë të menduara

nga autori, siç është vepruar edhe në tekstet e katër psalmeve të hartuara nga ai.

Në vijim po ndalem më përafërt në shtatë tekstet apo poemën e parë në gjuhën tonë për të ndriçuar veçantinë dhe rëndësinë e tyre, qoftë në rrafshin biblik liturgjik, qoftë në atë shprehës poetik.

Tekstet po i jap në dy forma:

1) Në formën që i botoi vetë Buzuku në “Mesharin” e tij, pra tekstet e botuara në formën e tekstit në prozë, dhe

b) Në formën e vargjeve, e cila është e ngjashme me atë të Psalmeve të BV, siç kam vepruar edhe me katër psalmet – poezitë e Buzukut, të analizuar në pjesën e dytë të studimit.

Shtatë poezi apo poema e parë shqipe

Kur analizohen me vëmendje shtatë tekstet për shtatë mëkatet mortare të botuara në fletët 65 – 69 të “Mesharit” të Gjon Buzukut, veçmas mënyra shtjelluese dhe shprehëse poetike e tyre, atëherë mund të thuhet se Buzuku është poeti ynë i parë që botoi poemën e parë në gjuhën tonë, që e njohim deri më sot. Në të vërtetë, këto shtatë poezi, e përforcojnë dhe e lartësojnë edhe më tej figurën e Buzukut si poetin tonë që i botoi tekstet e veta.

Këto shtatë tekste të hartuara ose të përshtatura në mënyrë krejt të lirë nga Buzuku mund të merren e të vështrohen në dy mënyra kryesore:

1) Si shtatë poezi më vete, që u kushtohen shtatë mëkateve konkrete, dhe

2) Si shtatë poezi që përbëjnë një tërësi, që bëjnë një poemë prej 128 vargjesh.

Në cilën do mënyrë që t’i marrin dhe t’i vështrojnë këto shtatë tekste: si krijesa më vete, ose si krijesa që bëjnë një tërësi më të madhe shprehëse poetike, një poemë, ato dëshmojnë për një qasje të mëvetësishme të dukurisë së mëkatit e të degëzimit të tij në jetën e përditshme, për një gjuhë të sigurt, të zgjedhur dhe të ngritur që ka përdorur autori ynë.

Falë pikërisht shtjellimit të teksteve, të sistemit shprehës poetik të përdorur dhe të gjallërisë së komunikimit edhe me lexuesin e sotëm që ato mund të nxitin, përligjin një rrafsh të ngritur të poezisë sonë të botuar më 1555.

Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë në rrafshin e parë – si tekste të mëvetësishme, si shtatë poezi, që bëjnë objekt trajtimi shtatë mëkatet dhe pasojat e tyre për jetën e njeriut, mund të thuhet se këto janë poezitë e para të shkruara në gjuhën tonë me vargun e lirë që kanë një objekt poetik të njëjtë dhe që dëshmojnë vlerën e tyre edhe në ditët tona. Poezitë, dashur e padashur, të kujtojnë grupet e Psalmeve të BV, siç janë shtatë psalmet e pendesës (6, 32, 38, 51, 102, 130, 143), pastaj psalmet e diturisë, psalmet e lavdërimit, psalmet personale etj.

Secila prej këtyre shtatë poezive ose pjesëve të poemës vëzhgon një mëkat më vete dhe shqipton aspekte të veçanta të tij si dhe pasojat që ai mund të ketë në jetën e përshpirtshme të besimtarit, kur zë të lëkundet ose të shmanget nga rruga e drejtë e Hyjit dhe dashurisë së Tij.

Në qoftë se këto shtatë tekste i vështrojmë: si krijime që bëjnë një tërësi më vete, një poemë, që njësohen jo vetëm për objektin e vështruar e të shqiptuar, po para së gjithash për shtjellimin, për sistemin shprehës dhe për gjuhën që përdoret në to, për figuracionin, për ndërlidhjen midis tyre në rrafshe e në përbërës të ndryshëm, atëherë vlera e tyre bëhet edhe më e madhe – një krijesë e menduar dhe e konceptuar në shtatë pjesë, shtatë tablo shprehëse poetike, që si qëllim kryesor ka njohjen me mëkatet dhe me pasojat e tyre në jetën e njeriut.

Në krye të këtyre shtatë teksteve kushtuar shtatë mëkateve, që po i jap në vijim, Buzuku ka vënë këtë tekst: “Këtu ? sosnë të dhjetë ordhënatë qi ? Sinëzot janë ordhënuom na ato me mbajtunë.

Shtatë kate mortare tash vinjën me ? promendunë” (përmendun).

E AJ QI DO ME ? BUKURUOM

I pari kat mort?r

anshtë superbja qi madhështonetë n?er?,

e aj qi do me ? bukuruom.

Kush madhështonetë ? së vobegut

e ? së vorfën?t,

e nukë flet me shojt, as me fqinjët,

as nukë ecën me një shoq,

përse shoqi nukë k?,

e k? si dhunë me të me ecunë.

E kush do me ? b?m m? i bukurë

se nukë e k? b?m Zotynë.

E kush nukë le me shkuom

fjala e njaj plaku për të dërejtë ?daj të,

kinëse aj k? e aj s k?.

E aj qi lypën lavd;

e aj qi do me klenë vutë ? krye tryesësë.

E aj qi këqyretë ?dë pasëqyrë.

E aj si për plak as për m? të mirë n?er?

se anshtë vetë s k? qyrë.

E kush ?bë këtë mëndyrë fëjen,

aj fëjen ?dë të parët kat motr?r3.

POR E K? TË MJERËNË SHPIRT ?DË FYT

I dyti kat mort?r

ký anshtë mënia qi n?er?

nukë mundë shufrenjë as një grimësë,

por e k? të mjerënë shpirt ?dë fyt.

Aty s k? qyrë qish aj flet,

e flet s? çudi e dhun?

i vinjënë ?dë mend aqë i thotë.

E aty në ditëtë

kun një kshill të njëj shoqi,

aj pr atë mën? at? ja qet jashtë;

aj për mën? ?vret,

aj kujton keq, aj qish mundë,

por keq se nukë mundën m?,

prashtu aj nukë kursene.

E për shumë mot aj në ? mëniftë,

aj m? me shoq s’foli as nukë pajtoi.

E këtu kush të fëjen,

fëjen ?dë të dytët kat mort?r4.

M? MIRË DESH ME FOLË DHUN?

I treti kat mort?r,

ký anshtë tue prituom n?er?

?dë arësye të shpirtit,

as ?donjë të mirë aj nukë bani,

mos ?bë meshë, mos kryq,

mos me ?digluom Ungjillë shenjtë,

mos me ? rëfyem,

mos me ? kunguom ?bë herë;

mos për shpirtit të parëvet bani mirë,

mos për shpirtit t atyne

qi at? mirë kanë b?m.

M? mirë desh me ?denjunë

se Pater noster e Ave Mër? me thanë.

M? mirë desh me folë dhun?

se me lutunë Tenëzonë;

e aj bije ?dë këtë kat,

qi parë se punënë e shpirtit

sheh punënë e kësaj jete.

E kështu kush fëjen ?bë këtë mëndyrë,

fëjen ?dë të tretët kat mort?r5.

KUR ATA PATNË KEQ, TI U GËZOVE

I katërti kat mort?r

anshtë k? qi i thomi na envidheja.

E këtu fëjen n?er?, kur shoqnë e fqinjënë

nukë e do n?er? porsi vetëvetëhenë.

Aj qi b?n mën?,

aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë;

kur shoqi k? mirë,

at? i ?dotë keq;

e at? mirë, nukë i ?dotë mirë;

mos për shëndet, mos për të mirët,

mos për gazëmend, mos për të pasunit.

Kur ata patnë keq, ti u gëzove.

Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove.

Kur ata klenë sëmutë,

ti nukë i vizitove,

e m? të pëlqyem pate

kur gjegje keq për ta se mirë.

E kush ?bë këtë mëndyrë fëjen,

aj fëjen ?dë të katërt kat motr?r6.

E PARË LIJ SHPIRTINË ME I VOTË KEQ

I pesti kat mort?r ký anshtë:

Kush anshtë i shtrenjtë,

e m? do me pasunë

?r e vist?r e gj? ?bë këtë jetë

se jetënë e amëshuome.

E parë lij shpirtinë me i votë keq

se me dhanë një bagët? për shpirtit të t?.

E at? qi anshtë eçim e unëtë

parë e lij me ju kalbunë copa bukë

se me e dhanë at? qi k? nevojë.

Mirë se ata qish të kalbetë

përzanë nukë anshtë,

në mos dafsh kapshatënë ? gojet sote.

E shumë të mirë ?bë këtë shekullë

mundë banje, e nukë ban:

E ?bë këtë mëndyrë kush fëjen,

aj fëjen ?de e pesët kat mort?r7.

AJ TUE KLENË GINË POR HA

I gjashti kat mort?r

k? anshtë kur ha n?er? e pi tepërë,

e i ban keq. E kët? kati fëjen aj

qi kurajtë k?atro temporatë nukë ?gjënon,

këreshmëtë nukë ?gjënon,

vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukë ?gjënon;

gjashtë herë në i piq? me ?granë, haj;

mbassi k? drekunë, e të i vin përapë ?,

aj tue klenë ginë por ha;

aj k? p?të e ?granë,

e për lakëm? të fytit djerie mos i viell,

aj me ata të ginë nukë kondend.

E ký tue fëjyem ?bë këtë mëndyrë,

fëjyem k? ?dë e gjashtë kat mort?r8.

TUE KUJTUOM, TUE ? AMBËLTUOM

I shtati kat mort?r k? anshtë:

Tue kujtuom për kat

porsi njani burë o jetëra gruo,

qi kurajtë të ginë nukë di;

po e k? mallëkuom Zotynë,

e kurajtë me njëqind vetë

ajo me ?fjetunë një natë,

ajo si të mos kish fjetunë as me një burë.

E ashtu edhe shumë bura janë.

E këtu mundë fëjenjë n?er?

tue kujtuom, tue ? ambëltuom

?d ata të kujtuom ?dë mend të t?;

e kur ata të kujtuom

nukë desh me e bduom ? vetëhej,

tue b?m kun tjetërë punë.

E aj qi k? të vednë,

epur bie ?dë kat me tjetërë;

ashtu edhe gruoja në fëjeftë,

fëjen ?de e shtatët kat motr?r9.

Forca komunikuese dhe ndikuese e teksteve

Në qenësinë e tyre këto shtatë tekste të Buzukut janë hartuar kryesisht mbi bazën e një modeli, qoftë për mënyrën e qasjes së objektit, qoftë për gjuhën dhe sistemin shprehës poetik, për llojin e vargut etj. Secila krijesë (poezi), ka pak e shumë, gjatësi të njëjtë (pos asaj që i kushtohet mëkatit të gjashtë që ka 14, të tjerat kanë nga 17 deri në 21 vargje) dhe vështron aspekte të mëkatit përkatës dhe të pasojave. Me një fjalë, mënyra e përftimit dhe e shtjellimit të tekstit të poezive ose të pjesëve të poemës, gjakon të njëjtin qëllim: ndriçimin e përbërësve kryesorë të secilit mëkat, meqenëse secili prej tyre, ka veçantinë e vet, jo vetëm për mënyrën e shfaqjes dhe të dëshmimit, po dhe të pasojave. Tekstet e tyre cilësohen me shumësinë e mesazheve dhe me mundësinë e madhe të ndikimit në marrësin, në lexuesin ose në dëgjuesin (kur janë kënduar në meshë ose në ndonjë rast tjetër). Pikërisht mënyra e konceptimit dhe e shtjellimit të tekstit kushtëzon që ai të lërë një përshtypje të fuqishme, pra të mbërrihet qëllimi: të kuptohen pasojat e mëkatit dhe të thellohet domosdoja e besimit dhe e mbështetjes në mëshirën e Hyjit dhe në dashurinë e tij.

Në këto tekste poeti ynë shqipton krenarinë (mendjemadhësinë), mërinë, mosbërjen mirë tjetrit (mungesën e veprimit), mosdashjen e tjetrit, ballafaqon pasurinë materiale me jetën e amshuar të shpirtit, veprimet e pamatura, mëkatin edhe duke menduar keq për tjetrin. Në mënyrën të veçantë Buzuku shqipton pasojat e mëkatit për jetën e individit, për rrethin familjar, për të afërmit, po dhe për mjedisin shoqëror në përgjithësi.

Rrëfimi i Buzukut është bindës dhe argumentues. Me një fjalë, ai i shqipton dukuritë sipas modelit të Biblës apo të literaturës biblike liturgjike, ku qartësia dhe argumentimi janë formë e qenësishme e teksteve dhe e mesazheve të tyre.

Mëkatet dhe pasojat e tyre Buzuku i vështron në formën e kontrastit, me ç’rast teksti përligj sa rëndësinë, veçantinë dhe pasurinë e të shprehurit, po aq dhe forcën dhe mundësinë e komunikimit dhe të ndikimit në marrësin. Kështu, fjala vjen, shqiptohet mburrja dhe krenaria e të pasurve përballë të varfërve e të mjerëve ose shprehet dhuna kur ata ecin me njerëz që nuk janë si ata ose kur punët e shpirtit vështrohen përmes botës lëndore e pasurisë materiale; kur për lakmi të fytit i bëjnë keq vetit dhe tjetrit; ose kur bëjnë mëkat qoftë edhe me të menduar nga fillon çdo gjë, që pastaj mund dhe të përmbushet përmes veprimit konkret.

Buzuku i vështron shtatë mëkatet mortare të ngjizura me jetën konkrete, me rrethanat në të cilat ata shfaqen më së shpeshti, duke përmendur herë – herë edhe shkaqet e lindjes së tyre. Pra, mëkatet vështrohen në ndërlidhje e në ballafaqim me dukuritë e tjera të jetës e të veprimit të njeriut e jo të shkëputura nga rrjedha jetësore dhe nga vështirësitë dhe të papriturat.

Mëkati armiku i brendshëm

Secila prej shtatë poezive të Buzukut kushtuar shtatë mëkateve nis me shenjëzimin “mëkat mortar” dhe mbaron po ashtu me pasojën “mëkat mortar”. Çdo mëkat mortar lind nga bota e brendshme e njeriut, nga vetëdija e tij. Kur njeriu e bën mëkatin e lehtë, nuk e humb hirin hyjnor. Në të kundërtën, kur e bën mëkatin e rëndë, mëkatin mortar, shkakton humbjen e hirit hyjnor, domethënë mëkati është vdekjeprurës për shpirtin, siç thuhet në Letrën e parë të Gjonit: “Ka mëkate që çojnë në vdekje” (1 Gjn 5, 16).

Mëkati vdekatar nënkupton shmangien e rrugës së Hyjit dhe urdhrave të tij ose rrënon dashurinë në zemër dhe e largon krijesën nga Hyji që e ka krijuar, po dhe e largon nga dashuria dhe nga mirësia për të afërmin. Në Psalmin 51,6 thuhet: “Kundër teje, kundër teje kam mëkatuar. Ajo që është e ligë para syve të tu, atë e kam bërë unë”. Pra, mëkati është në kundërshtim të plotë me hirin hyjnor dhe më mirëqenien njerëzore. Në Letrën drejtuar romakëve, Shën Pali shkruante: “Atje ku është braktisur mëkati, ka mbipeshuar hiri” (Rom, 20.

Buzuku e dinte se mëkati, sidomos mëkati i rëndë apo vdekatar, është fajësi e madhe ndaj ligjit të

Zotit, e bërë me vetvullnet dhe si i tillë sjell pasoja të rënda: e zhvesh shpirtin nga hiri hyjnor dhe zhbën mundësinë e përjetimit të dashurisë dhe të mëshirës së Hyjit. Po ashtu e zhbën rëndësinë e veprimeve të mira paraprake për arsye se shkëput marrëdhënien me Hyjin dhe mbrojtjen nga Ai.

Mëkati mortar kushtëzon dhe dënimin me jetesë në ferr. Shën Toma i Akuinit thoshte se kur vullnesa përqendrohet drejt një gjëja që është në kundërshtim me dashurinë e Hyjit, ndaj të cilës jemi të përcaktuar si qëllim kryesor, mëkati, për objektin e vet përkatës, bëhet mortar, që domethënë është kundër dashurisë së Hyjit. Mëkati vdekatar është me pasoja për arsye se çdo mëkat dhe blasfemi (mallkim) do t’u falet njerëzve, po blasfemia kundër Shpirtit nuk do të falet (Mat 12, 31).

Së këndejmi, arsyeja pse Buzuku i quan shtatë mëkatet e përmendura mëkate mortare dhe i bën objekt shqyrtimi nuk është gjë e rastit. Mëkati është nisma e së keqes jo vetëm drejtuar kundër Hyjit, po para së gjithash kundër vetë njerëzve, kundër të afërmeve, me një fjalë kundër jetës.

Duke i shqyrtuar dhe shprehur në këtë mënyrë mëkatet si dhe duke ndriçuar pasojat e tyre në rrafshin shpirtëror, Buzuku u bën të ditur besimtarëve, po dhe njerëzve në përgjithësi, që secili ta kuptojë rrezikun nga mëkati dhe të bëjë përpjekje të vijueshme për t’i shmangë ata në mënyrë që të jetë në pajtimësi të plotë me mëshirën e Hyjit dhe të ketë mbështetjen dhe mbrojtjen e përhershme të Tij. Buzuku e dinte se drita e Hyjit, e parrënueshme dhe e patejkalueshme, është në gjendje të ngadhënjejë mbi ço të keqe e të ligë dhe mbi çdo errësirë. Për të përjetuar këtë dritë dhe fuqinë e saj, njeriu duhet ta ketë zemrën e pastër për ta parë atë dhe për ta shndërruar në një lumë drite që do t’ia lehtësojë e pasurojë jetën konkrete, po dhe jetën pas vdekjes, jetën e pasosur për arsye se fryti i shpirtit duhet të jetë: “[...] dashuria, gëzimi, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria; kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Gal 5, 22 – 23).

Me një fjalë, Buzuku ishte i bindur se mëkati është dukuri që vjen nga brendësia e njeriut, prandaj (edhe në rrethanat më të vështira kur të dëshmojë ligësinë e vet), pikërisht nga brenda ai duhet ta luftojë atë, duke u mbështetur në dashurinë e Hyjit të gjithëpushtetshëm, për t’iu shmangur pasojave të mëdha në jetën tokësore dhe në jetën pasvdekjes.

Mesazhet poetike si stolisje të tekstit

Në tekstet për shtatë mëkatet dhe pasojat e tyre Buzuku herë – herë përdori edhe një gjuhë

figurative, që dëshmon për vlerat poetike të tyre.

Duhet thënë se Buzuku nuk i hartoi këto shtatë poezi apo këtë poemë për shtatë mëkatet me qëllim që të dëshmojë talentin e tij si poet, siç vepruan poetët e mirëfilltë më parë ose më vonë. Qëllimi kryesor i tij qe dëshmimi i pasojave të mëkateve mortarë, domosdoja e shmangies së tyre dhe nevoja e njeriut për t’u mbështetur në Hyjin, në dashurinë dhe në mëshirën e Tij.

Përkundër faktit që në shtatë tekstet e hartuara nga Buzuku vlera poetike e tyre përligjet në rrafshin e makrostrukturës së tekstit, ajo vërehet edhe në disa vargje e shprehje të veçanta që kanë më shumë se një kuptim, pra ofrojnë dhe kushtëzojnë një mundësi shumësore leximi dhe receptimi, gjë që i cilëson tekstet poetike të mirëfillta. Këto shprehje ose vargje me konotime të ndryshme – me degëzime kuptimesh – në të shtatë tekstet e tij, u japin atyre një vlerë të veçantë.

Nga poezia “E aj qi do me ? bukuruom”, që merr në vështrim kryelartësinë – mendjemadhësinë, duhet veçuar vargun kuptimisht të pasur: “e aj qi do me ? bukuruom”, që na fut në botën e njeriut që ndihet mendjemadh në jetë dhe në punët e shpirtit e të besimit në Hyjin. Kryelarti e çmon si veprim dhune të ecë bashkë me të varfrin: “e k? si dhunë me të me ecunë”, ai gjakon që përherë të vihet në krye të tryezës dhe të shikohet në pasqyrë, të shërbejë si shembull, si pasqyrë për të tjerët10“e aj qi do me klenë vutë ? krye tryesësë. / E aj qi këqyretë ?dë pasëqyrë”. Pra, kryelarti gjakon të bëhet më i bukur sesa është dhe sesa e ka krijuar Hyji: “E kush do me ? b?m m? i bukurë / se nukë e k? b?m Zotynë”.

Edhe në poezinë “Por e k? të mjerënë shpirt ?dë fyt”, Buzuku përdor një shprehje me konotim të pasur: “por e k? të mjerënë shpirt ?dë fyt”, që dëshmohet edhe kur: “e flet s? çudi e dhun?” dhe bën aq keq sa nuk mundet më shumë: “por keq se nukë mundën m?”.

Një qëndrim dhe sjellje e tillë bën që kryelarti të ketë e të ndjejë urrejtje ndaj tjetrit dhe të mos flasë e të mos pajtohet me të:

E për shumë mot aj në ? mëniftë,

aj m? me shoq s’foli as nukë pajtoi.

Edhe në poezinë “M? mirë desh me folë dhun?” Buzuku e thekson përsëri çështjen e të folurit të dhunshëm, shenjë e nismës së largimit nga dashuria dhe mëshira e Hyjit “M? mirë desh me folë dhun?”. Buzuku përdor edhe një shprehje kuptimisht të pasur, që lidhet me qenësinë e besimit të secilit në Hyjin: në vend që t’i kushtojë kujdes botës hyjnore, që përcakton jetën shpirtërore, mbështetet në punët e jetës konkrete, të botës materiale:

qi parë se punënë e shpirtit

sheh punënë e kësaj jete.

Të shprehurit figurativ kontrastik dëshmohet edhe në poezinë “Kur ata patnë keq, ti u gëzove”, ku poeti Buzuku ballafaqon botën e brendshme të mëkatorit përballë atij që jeton afër Hyjit dhe e çmon dhe e do fqinjin e tij:

Kur ata patnë keq, ti u gëzove.

Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove.

ose

e m? të pëlqyem pate

kur gjegje keq për ta se mirë.

Këtë mënyrë të shqiptimit Buzuku e përdor edhe në poezinë “E parë lij shpirtinë me i votë keq”, ku mëkatari, që ka shmangur rrugën e Hyjit dhe nuk i përfill urdhrat e tij, lejon që shpirti të jetojë në ligësi: “E parë lij shpirtinë me i votë keq”, pra çmon më shumë arin e thesaret se jetën hyjnore.

e m? do me pasunë

?r e vist?r e gj? ?bë këtë jetë

se jetënë e amëshuome

ose kur nuk shqetësohet për të afërmin, sidomos për të varfin që s’ka as bukë të hajë: “në mos dafsh kapshatënë ? gojet sote”.

Shqiptimin kontrastik të mëkatit dhe të pasojave të tij Buzuku e zbatoi edhe në poezinë “Aj tue klenë ginë por ha”, ku shprehet pangopësia e njeriut të hajë e të pijë pa masë: “aj tue klenë ginë por ha” përballë atij që nuk ka fare. Ky mëkat mortar shprehet edhe në përmasa të skajshme – vetëm për lakmi të fytit: “e për lakëm? të fytit djerie mos i viell”.

Buzuku e vështron mëkatin edhe në rrafshin e të menduarit, siç ndodh në poezinë: “Tue kujtuom, tue ? ambëltuom”, që përkon plotësisht me parimin biblik: edhe të menduarit keq është mëkat. Poezia është një përsiatje e thellë filozofike e teologjike, që ndriçon botën e brendshme të njeriut, përkatësisht të besimtarit: përmbushje e qejfit të vetvetes, krijimin e një bote jashtë realitetit konkret, po dhe jashtë dashurisë së Hyjit; i sheh gjërat të “ëmbëltuara”, sipas dëshirës dhe gjakimeve vetjake: “nukë desh me e bduom ? vetëhej”, e jo sipas hirit të Hyjit:

tue kujtuom, tue ? ambëltuom

?d ata të kujtuom ?dë mend të t?;

Përkundër kësaj, njeriu ka brenda vetes së tij forcën – edhe kjo dhuratë e Hyjit – që ta largojë e ta shmangë nga vetja e tij të keqen dhe ligësinë, mëkatin “e kur ata të kujtuom” dhe t’i kthehet rrugës së drejtë të Hyjit dhe t’i shfrytëzojë të mirat e dashurisë së Tij.

²

Se Buzuku kishte prirje për hartimin e teksteve poetike dhe se në to përdorte një gjuhë të pasur e figurative, dëshmojnë edhe përkthimet cilësore të disa teksteve, sidomos të Psalmeve dhe të Këngës së këngëve të BV.

Po sjell vetëm disa shembuj nga Kënga e këngëve (çështja e përkthimit të psalmeve në “Mesharin” meriton një vëzhgim më vete) që përligjin këtë aftësi dhe cilësi të Buzukut:

“Jam e z?shkë, ma jam bukurë formuam11

(KK 1, 5)

²

“M? shkoi dimëni, e shiu shko?,

m? ngre? e dashura eme, e eja12 (KK 2, 11)

²

“Hinje se k? vjen tue shkuo përmb? malt,

e tue këcyem përmb? sukat;

mbi këtë mënyrë nshtë i dashuni em,

porsi kaprolli o meng? i sutësë.

Hinjë se jet mbas murit,

tue pasunë qyrë ? fën?eshtrashit,

tue pasunë qyrë ? birashit të murit.

E muo më foli i dashuni em,

tue me thashunë: ?gre? mama eme e bukura, e eja.

Hinje se dimni shkoi, e shi? vote.

E hinje se luletë zunë me u dukuni përmb? dh?t,

e hera me kiem ? afëruo;

e zani i turtullit u gjegj ?dë dh?t tanë;

fiku z? me lëshuom të t?të,

e ?dhitë zunë me b?m grestenë,

e lëshuomë erënë e endet tyne.

Ngre?, e eja, e dashura eme,

e e bukura eme, ?ite ti.

Polumbi em ?dë palsët të gurit,

ndë e ?fshehunat të gjirdhevet,

dëftomë të klenëtë tat,

banmë u t? të të gjegjem zanë tand;

përse zani uit anshtë i amblë,

e të panëtë tat anshtë të dëshëruom13.

(KK 2, 8 – 14)

²

“Kush ë kjo qi vjen porsi drita qi zbardhetë,

e bukur porsi ana, e zg?edhunë porsi dielli,

e madhe porsi ?shtëria qi anshtë trajtuam për luftë14

(KK, 6, 1o)

²

“Dora e djathtë e t? anshtë muo për?denë krye tem,

e djathta e t? muo të më shtrëngonjë15.

(KK 8, 3)

1-(Pjesë nga studimi monografik “Gjon Buzuku poeti ynë i parë”. Pellegrini Editore, Cosensa 2016.

2-Shin më gjerësisht për këtë në studimi  tim monografik “Meshari – vepër e hartuar nga Gjon

Buzuku”. Studim. Con una sintesi in italiano. Fondazione Universitaria “Francesco Solano” & Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë“Faik Konica”, Prishtinë 2014.

3-“I pari kat mort?r anshtë superbja qi madhështonetë n?er?, e aj qi do me ? bukuruom. Kush madhështonetë ? së vobegut e ? së vorfën?t, e nukë flet me shojt, as me fqinjët, as nukë ecën me një shoq, përse shoqi nukë k?, e k? si dhunë me të me ecunë. E kush do me ? b?m m? i bukurë se nukë e k? b?m Zotynë. E kush nukë le me shkuom fjala e njaj plaku për të dërejtë ?daj të, kinëse aj k? e aj s k?. E aj qi lypën lavd; e aj qi do me klenë vutë ? krye tryesësë. E aj qi këqyretë ?dë pasëqyrë. E aj si për plak as për m? të mirë n?er? se anshtë vetë s k? qyrë. E kush ?bë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ?dë të parët kat motr?r”.

4-“I dyti kat mort?r k? anshtë mënia qi n?er? nukë mundë shufrenjë as një grimësë, por e k? të mjerënë shpirt ?dë fyt. Aty s k? qyrë qish aj flet, e flet s? çudi e dhun? i vinjënë ?dë mend aqë i thotë. E aty në ditëtë kun një kshill të njëj shoqi, aj pr atë mën? at? ja qet jashtë; aj për mën? ?vret, aj kujton keq, aj qish mundë, por keq se nukë mundën m?, prashtu aj nukë kursene.E për shumë mot aj në ? mëniftë, aj m? me shoq s’foli as nukë pajtoi. E këtu kush të fëjen, fëjen ?dë të dytët kat mort?r”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 65.

5-“I treti kat mort?r, k? anshtë tue prituom n?er? ?dë arësye të shpirtit, as ?donjë të mirë aj nukë bani, mos ?bë meshë, mos kryq, mos me ?digluom Ungjillë shenjtë, mos me ? rëfyem, mos me ? kunguom ?bë herë; mos për shpirtit të parëvet bani mirë, mos për shpirtit t atyne qi at? mirë kanë b?m. M? mirë desh me ?denjunë se Pater noster e Ave Mër? me thanë. M? mirë desh me folë dhun? se me lutunë Tenëzonë; e aj bije ?dë këtë kat, qi parë se punënë e shpirtit sheh punënë e kësaj jete. E kështu kush fëjen ?bë këtë mëndyrë, fëjen ?dë të tretët kat mort?r”.

6-“I katërti kat mort?r anshtë k? qi i thomi na envidheja. E këtu fëjen n?er?, kur shoqnë e fqinjënë nukë e do n?er? porsi vetëvetëhenë. Aj qi b?n mën?, aj qi kujtoi keq shoqit e fqinjësë; kur shoqi k? mirë, at? i ?dotë keq; e at? mirë, nukë i ?dotë mirë; mos për shëndet, mos për të mirët, mos për gazëmend, mos për të pasunit. Kur ata patnë keq, ti u gëzove. Kur ata patnë mort, ti nuk i anëkove. Kur ata klenë sëmutë, ti nukë i vizitove, e m? të pëlqyem pate kur gjegje keq për ta se mirë. E kush ?bë këtë mëndyrë fëjen, aj fëjen ?dë të katërt kat motr?r.”

7-“I pesti kat mort?r k? anshtë: Kush anshtë i shtrenjtë, e m? do me pasunë ?r e vist?r e gj? ?bë këtë jetë se jetënë e amëshuome. E parë lij shpirtinë me i votë keq se me dhanë një bagët? për shpirtit të t?. E at? qi anshtë eçim e unëtë parë e lij me ju kalbunë copa bukë se me e dhanë at? qi k? nevojë. Mirë se ata qish të kalbetë përzanë nukë anshtë, në mos dafsh kapshatënë ? gojet sote. E shumë të mirë ?bë këtë shekullë mundë banje, e nukë ban: E ?bë këtë mëndyrë kush fëjen, aj fëjen ?de e pesët kat mort?r”.

8-“I gjashti kat mort?r k? anshtë kur ha n?er? e pi tepërë, e i ban keq. E kët? kati fëjen aj qi kurajtë k?atro temporatë nukë ?gjënon, këreshmëtë nukë ?gjënon, vëngjillë qi ordhënuom anshtë nukë ?gjënon; gjashtë herë në i piq? me ?granë, haj; mbassi k? drekunë, e të i vin përapë ?, aj tue klenë ginë por ha; aj k? p?të e ?granë, e për lakëm? të fytit djerie mos i viell, aj me ata të ginë nukë kondend. E k? tue fëjyem ?bë këtë mëndyrë, fëjyem k? ?dë e gjashtë kat mort?r”.

9-“I shtati kat mort?r k? anshtë: Tue kujtuom për kat porsi njani burë o jetëra gruo, qi kurajtë të ginë nukë di; po e k? mallëkuom Zotynë, e kurajtë me njëqind vetë ajo me ?fjetunë një natë, ajo si të mos kish fjetunë as me një burë. E ashtu edhe shumë bura janë. E këtu mundë fëjenjë n?er? tue kujtuom, tue ? ambëltuom ?d ata të kujtuom ?dë mend të t?.; e kur ata të kujtuom nukë desh me e bduom ? vetëhej, tue b?m kun tjetërë punë. E aj qi k? të vednë, epur bie ?dë kat me tjetërë; ashtu edhe gruoja në fëjeftë, fëjen ?de e shtatët kat motr?r”. Shih E. Çabeji, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 67.

10-Kujto, fjala vjen, princeshën në përrallën e vëllezërve Grimm “Borëbardha”, kur i drejtohet pasqyrës t’i thotë se ajo ishte më e bukura në botë. Shih më gjerësisht punimin Hyrje në poetikën e përrallës. Në librin tim “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, (Rilindja, Prishtinë, 1998, f. 159 – 198.

11-Eqrem Çabej, “Meshari” i GjonBuzukut.(1555.Pjesa e dytë, vep. e përm., f. 25.

12-Po aty, f. 25.

13-Po aty, f. 333.

14-Po aty, f. 15 – 17.

15-Po aty, f. 25.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora