E enjte, 28.03.2024, 01:15 PM (GMT)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Diktatori

E merkure, 03.12.2008, 07:33 PM


Bahri Myftari

 

Djaj të lumtur

 

DIKTATORI

 

            Përfundimisht, mjekët vendas po e po, por edhe dy të huaj, të ardhur nga një prej klinikave më të përmendura të botës, pas përpjekjeve dhe përkujdesjeve tejembanë shembullore ndaj pacientit të tyre, u dorëzuan. Nëpërmjet një raporti plot përgjegjësi ata vunë në dijeni kryeministrin se Shëndeti i diktatorit kishte marrë tatëpjetën, veçse nëse bënte  ndonjë çudi zoti, të cilin ai, diktatori, kurrë s’e pati besuar.

            - Edhe zoti na duhej tani, - foli nëpër dhëmbë ky ateist i thekur qysh në vitet e para të rinisë.

            Kështu, kryeministri në detyrë urdhëroi për të qenë të gatshëm në çdo rast, për të përballuar të keqen e madhe. Nisën përgatitjet përkatëse dhe  u vendos një regjim përgjimi i hekurt, veçanërisht natën, kur gulçimat, ofshamat e diktatorit ishin të llahtarshme  dhe situatën e merrte në dorë garda. Koha pati ngecur në vend, ndonëse po rrumbullakosej gjysma e vitit dhe atij nuk po i dilte shpirti. A thua t’i ishte mbërthyer aty, matanë dhëmbëve. Në një ndër netët e rënda, gjenerali që organizonte përgjimin, thirri urgjentisht kryeministrin.

            - Vdiq? – pyeti me ankth kryeministri.

            - Jo, jo. Zoti kryeministër, për çudi, disa herë natën më bëhej se ju donte juve. Në të gdhirë u bë e qartë se ju kërkonte juve.

            - Më kërkonte mua?!

            Po atë ditë kryeministri, me të shpejtë dhe i shqetësuar, u ndodh pranë shtratit të shefit të tij. Deri më atëherë kurrkush nuk pati guxuar ta mendonte se do të vdiste diktatori, i cili, tanimë, ishte leqendisur e bërë kockë e lëkurë.

            - Më ke premtuar se do të jesh njeriu i vazhdimësisë, - i tha diktatori duke shtuar –se rruga e nisur nuk do të ketë kthim... se...

            Kryeministri, më tepër për hir të bashkëfolësit, kurseu fjalët dhe pohoi me kokë.

            - Mirëpo, unë nuk të besoj, - foli përsëri diktatori, - kam dëgjuar e lexuar për ca reforma që ke ndërmarrë, me gjasë, në shërbim të zhvillimit, përparimit, mirëqenies e progresit. – Heshti pak e pastaj vazhdoi:

            - E pse gjithë këto? Për kë? Për këtë popull! Dije, pra, urrejtja dhe mallkimi i tij më ka mbërthyer në fyt. Si thua ti, e meritoj unë këtë? Ky paskësh qenë shpërblimi i mundit tim gati shekullor? Më shikon sesi jam katandisur. Dikush nuk po më lë të vdes. Dikush po më mban peng. Dhe a e di cili është?

            - Cili? – pyeti kryeministri.

            - Ti, askush tjetër, veç ti....

            - Si mund ta besoni?! Unë që pretendoj t’iu zëvendësoj. Unë që iu respektoj, që iu jam betuar për vazhdimësinë e rrugës...

            - Me fjalë, po, me fjalë..., - e ndërpreu. – Se, nëse do të kishit nisur sadopak të realizoni diçka prej asaj që jeni betuar, unë do të shkoja qetësisht për atje ku jam nisur. Por, me sa shoh unë, po ndodh e kundërta. Si mund ta besoj se po ndjek rrugën time, kur unë gati po harrohem kaq shpejt... Kërkund nuk e dëgjoj emrin... as shtypi, as radiot e as televizionet nuk më përmendin më. Edhe portretin, madje as atë portret ku kemi dalë bashkë, nuk po e shoh më. Ç’ bëhet kështu? Gati si të mos kisha ekzistuar fare? Ju nuk duhet ta lejoni këtë. Unë duhet të kujtohem vazhdimisht, unë nuk duhet të harrohem kurrë. Sa më shpejt ta harrohem unë, aq më e shpejt do të jetë rënia jote, rënia e pushtetit tënd. Dy rrugë janë përpara: dashuria për zhvillim, reforma, me  demek, dashuria për këtë mut popull dhe, e dyta, mbajtja e pushtetit. Dy rrugë krejt të kundërta, dy rrugë që nuk bashkohen kurrë. Përzgjidh tani! Mirë që nuk më shëron dot, por më krijo mundësinë të vdes sa më shpejt...

            Nuk mund të vazhdonte më se e mbërtheu një kollë ngjethëse, mbytëse që të kallte tmerrin. Dhe, me anë të dorës, i bëri me shenjë të largohej.

            Sakaq, kryeministri u gjend jashtë, Kishte menduar se për punët e kryera do të merrte përshëndetje, lavdërime, por mbeti i befasuar, i zhgënjyer. U kujtua për mbledhjen e kabinetit dhe në moment shpejtoi për atje. Anëtarët e këtij kabineti, ministrat, sipas radhës, zunë të raportonin për çka kishin bërë dhe, ç’ është e vërteta, të gjithë meritonin admirim.

            Por, ja që këtë radhë eprori i tyre ua kurseu lavdërimet, madje, lëshoi    një psherëtimë, shenjë mërzie, e cila si të ishte virus gripi, ngjiti mbi secilin. Pastaj tërhoqi mënjanë ministrin e policisë dhe  mes tyre u zhvillua kjo bisedë:

            - A mund të më thuash përse Ai, - dhe bëri me kokë për nga portreti i diktatorit, - u harrua kaq shpejt, ndonëse ende është gjallë?  -pyeti kryeministri

            - I vdekur, po i pakallur, - bëri shaka ministri. – Nejse, çfarë t’i mbajmë mend atij: varfërinë, injorancën, internimet, burgjet, vrasjet, pushkatimet? Shyqyr që po e harrojmë!      

            - Veç qeverisi gjatë dhe ky është sukses, është meritë. Plakesh nëse zë e numëron vitet që qeverisi ai. Më thuaj, a nuk është për ta patur zili?

            Ministri, i cili e njihte eprorin se, për rastin konkret, kishte një opinion tjetër, e humbi paq.

            Ndërkohë, gjenerali që organizonte përgjimin, i ndërpreu një çast;

            - Zoti kryeministër, -  tha ai, - mjekët e huaj, sipas kërkesës sonë të përsëritur, e përfunduan relacionin e ri dhe sapo e prunë. Ata nuk shohin asnjë mundësi shërimi, ashtu si dhe janë shprehur deri tani. Veçse shtojnë që Ai, - dhe nderoi përpara fotografisë të varur në mur -  edhe lëngimet do t’i ketë të tejzgjatura. Mundet që me këtë hall të madh të mbyllim vitin.

            - Këtë e kam në dorë unë, - tha kryeministri. I dha leje gjeneralit dhe, sakaq, iu drejtua ministrit:

            - Të vura re. Përse u trembe, përse u trembe kur thashë se shpirtin e tij e kam në dorë unë? Ku të vajti mendja?...

            Ministri as jepte, as merrte. Në të vërtetë, edhe pse nuk guxoi të pohonte atë çka dëgjoi prej gojës së kryeministrit, prapëseprapë dukej haptazi se i kishte vajtur mendja për më të keqen. Se kryeministri...

            - Qetësohu, -  i tha tjetri, - diçka unë duhet të bëj. Ai s’ka pse të vuajë dhe të lëngojë kaq shumë. Për atje ku është nisur, le të vejë pa këtë torturë të tanishme.

            Pasi heshti pak, e pyeti ministrin:

            - Në kohën e tij sa dënime jepeshin mesatarisht në muaj? Kur them dënime, kam në mend nga burgimet e deri në varjet, pushkatimet...

            - Të kësaj natyre, - tha ministri, - deri në tridhjetë, madje, përqindja më e madhe u takon varjeve dhe pushkatimeve.

            - Kemi rënë shumë poshtë, - tha kryeministri. - Na është bërë gjaku ujë! As vrasim, as presim e as dënojmë dot. Kështu nuk ecet. Ku vemi? Me këtë stil pune, me këtë qeverisje, vitet që udhëhoqi  e që qeverisi Ai, ne nuk do t’i gëzojmë dot një ditë. Më beso!

            Ministri guxoi dhe e pa shefin e vet në sy. Po atë çast iu ngatërrua me të portreti i diktatorit. Përshëndeti ushtarakisht si kurrë ndonjëherë dhe u largua.

            Ndërkaq, pas asaj bisede të kobshme, për muaj me radhë vendin e pllakosën krimi, vrasjet, burgosjet. Shumë nga të ashtuquajturat reforma të mëdha përfunduan në flluska. Angazhimet për shtetin ligjor, për të drejtat qytetare, për shërbimet ndaj qytetarëve, u kthyen në batuta humori a mërzie. Nga të katër anët, në qytete e fshatra, shpërthyen përplasjet, grevat, protestat. Aty ku ato dilnin jashtë kontrollit, nuk mungonte përgjakja e rrugëve, e rrugicave. Informatorë të shumtë e të kudondodhur; ndër ambiente të mbyllura, lokale e klube, madje edhe nëpër familje ishin shfaqur fotografi të diktatorit. Më pas ato u dukën hapur edhe nëpër sheshe. Demonstrues të shumtë i ngrinin lart pankartat e fotografitë, me qëllim, për t’i ruajtur prej turmës që turrej ta përqafonte a ta puthte.

            Disa punishte të fshehura në thellësi të qyteteve a nëpër shtëpi private nxorën në treg, veçmas për rininë, bluza e kanotiere me portretin e diktatorit. Një grup ithtarësh të diktatorit, që kurrë nuk e gjykuan atë për të tillë, madje ishin të gatshëm t’ia vishnin atë epitet edhe kurvarit më të degjeneruar, por jo atij, kurrsesi  jo atij, shkuan deri atje a krijuan një parti me një emër ndjellës: PDPP, që do të thoshte Partia e Dashurisë dhe e Përkushtimit Popullor.

            Tamam, kur vendi ishte mbërthyer prej kësaj situate tragjike dhe të përgjakshme, prej kësaj lufte të pashpallur,  gjenerali, që për shumë kohë  pati qëndruar te shtrati i diktatorit, tanimë po kërkonte me këmbëngulje të hynte në zyrën e kryeministrit.

            Pas pak ai u lejua.

            - Fol, - i tha kryeministri, kur ai u dha te pragu.

            - Ç’të them zoti kryeministër. Përgjatë natës pati një përmirësim të habitshëm. Bëri shaka dhe qeshi. A thua e kishte të siguruar hyrjen në parajsë?! Mirëpo, aty në të aguar...

            - Dha shpirt, - e ndërpreu kryeministri.

            - Ka lënë edhe një letër për ju, - tha gjenerali.

            - Ç’ rëndësi ka! Tani s’ka rëndësi asgjë.

            - Jo, ka rëndësi. Letra na drejtohet të gjithëve. Ai shpreh besimin se ju do të jeni njeriu i vazhdimësisë dhe e mbyll letrën duke iu deklaruar: burrë shteti!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora