Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Emin Azemi: Shkrimtari Nasi Lera nderohet me çmimin ''Beqir Musliu''

| E enjte, 22.07.2021, 07:00 PM |


SHKRIMTARI NASI LERA NDEROHET ME ÇMIMIN LETRAR “BEQIR MUSLIU”

për vitin 2021

Nga Emin Azemi

Juria në përbëre Ibrahim Kadriu (kryetar), Sadete Tërnava dhe Emin Azemi (anëtarë), nga një listë me tetë emra të mundshëm, zgjodhën  sivjet për çmimin “Beqir Musliu”, shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Nasi Lerën, duke u mbështetur në një varg veprash të tij të botuara, me të cilat e pasuroi dhe vazhdon ta pasurojë letërsinë tonë.

“Nasi Lera është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan; vepra e tij, është e lidhur me botën tonë; e shpreh këtë botë dhe i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe të komunikimit artistik që nxit teksti poetik”, vlerëson shkrimtari dhe studiuesi, Anton Nikë Berisha

Më datën 24, Gjilani pati festë letrare. Si çdo vit, edhe sivjet ky qytet juglindor i Kosovës, nderon shkrimtarët për të arriturat e tyre me çmimin të shquar letrar “Beqir Musliu’. Ars klubi me të njëjtin emër, i udhëhequr nga shkrimtari Sabit Rrustemi, po përkujdeset rreth ndjekjes së veprimtarisë letrare të krijuesve, duke identifikuar tek ata vlerat më të spikatura, që do të hyjnë pastaj në një përzgjedhje më të ngushtë për t’u vlerësuar me Çmimin e njohur letrar ‘Beqir Musliu’.

Sivjet ky nder i takoi shkrimtarit dhe përkthyesit nga Tirana, Nasi Lera. Për ndarjen e këtij çmimi vendosi juria profesionale e përbërë nga Ibrahim Kadriu (kryetar), Emin Azemi dhe Sadete Tërnava (anëtarë).

Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi u bë në Bibliotekën e qyteti të Gjilanit ‘Fan Noli’. Të pranishëm ishin edhe familjarët e shkrimtarit Beqir Musliu.

Për të nderur laureatin e sivjetmë, kishte ardhur edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi shkrimtarit nga Shqipëria, Nasi Lera, çmimin letrar “Beqir Musliu”, i cili jepet për arritje të larta letrare.

Duke e uruar fituesin e sivjetmë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky çmim bashkon sot dy cepa të tokave tona, ku kufiri akoma i ndan shqiptarët mes vete, por duke ecur përpara drejt një bashkimi. Zaten, theksoi ai, Sabit Rrustemi, tash e tridhjetë vjet, Gjilanit i ka dhëne epitetin një qendre kulturore dhe emrat sikur i juaji kanë bërë që ne, përmes shkrimeve shqip dhe në rasti tuaj, edhe përmes përkthimit të autorëve të mëdhenj, ta kuptojmë më mirë veten tonë, gjë që dëshmon se libri dhe dija mbeten gjithmonë kërkesë e jetës.

Duke e falënderuar poetin për gjithë kontributin dhe krijimtarinë e tij letrare, Haziri tha se në murin e çmimit të madh letrar ‘Beqir Musliu’, një çmim ky unik në Gjilan dhe Kosovë, tash e tutje do të jetë i vendosur edhe emri Nasi Lera.

Haziri nënvizoi se çmimi letrar ‘Beqir Musliu’ ngërthen në vete jo vetëm një gjini letrare, sepse ne kemi themeluar qendrën kulturore evropiane e cila në vete do të ketë bibliotekën, muzeun e qytetit, galerinë dhe institucionet e tjera kulturore, që do të ndërlidhen me emrin e Beqir Musliut, i cili Gjilanin e ka bërë krenar kudo ku flitet dhe shkruhet shqip.

Kryetari i Ars Klubit “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi, duke u ndërlidhur me vlerësimet që u dhanë, në një prononcim për mediat tha se laureati i sivjetmë, shkrimtari dhe përkthyesi, Nasi Lera, paraqet një nder për qytetin tonë Gjilanin dhe një mirënjohje të madhe për letërsinë, e cila po njihet edhe më mire përmes vlerësimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta, siç po ndodh sivjet edhe me shkrimtarin Nasi Lera.

Shkrimtari Sabit Rrustemi evokoi kujtimet e viteve të hershme të rinisë prej kur ishte njohur me krijimtarinë letrare të Nasi Lerës në periodikun letrar të Kosovës, duke u shprehur i kënaqur që pikërisht klubi letrar që ai drejton sivjet po e vlerëson një prej prozatorëve më të veçantë të letërsisë shqipe.

_________

Nasi Lera

KUR HYRA NË GJILAN PATA NDJESINË SE PO HYJA NË KORÇËN TIME

“Kur më lajmëruan se isha vlerësuar me çmimin “Beqir Musliu” përjetova një emocion të veçantë, emocion që e kisha përjetuar shumë vite më parë, kur u botua, në Prishtinë, romani im “Të jetosh kohën” dhe vëllimi me tregime “Dita e tretë”.

“I nderuari z. kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, të nderuar anëtarë të jurisë së shpërblimit “Beqir Musliu” z. Ibrahim Kadriu, zonja Sadete Tërnava dhe z. Emin Azemi, të dashur djem të shkrimtarit të nderuar Beqir Musliu, më lejoni qe ta ndiej veten anëtar të familjes suaj. E ndiej veten shumë të nderuar dhe do ta ndiej veten edhe më të nderuar kur ju të vini në shtëpinë time ashtu si do vij dhe unë në shtëpinë tuaj, jo vetëm me libra por shpirtërisht… Kur hyra në Gjilan pata ndjesinë se po hyja në qytetin tim.

Këtë nuk e them për t’u dukur se ja tani duhet thënë një fjalë e mirë, sepse të kanë vlerësuar, jo; këtë e them sepse me të vërtetë e ndjeva sikur hyra në qytetin tim të lindjes, në Korçë, pasi kam lindur në Korçë. M’u duk e njëjta atmosferë, e njëjta ngrohtësi, dhe aq më shumë kjo atmosferë dhe kjo ngrohtësi m’u forcua edhe më shumë kur u takova me njerëzit që po më prisnin në hyrje të bibliotekës, kur u takova me kryetarin, nënkryetarin e komunës, kur u takova me drejtorin e bibliotekës etj.

Gjithmonë kam dashur të komunikoj me njerëzit, gjithmonë kam dashur të vij e të vizitoj Kosovën. Sidomos kur m’u botua romani dhe vëllimi me tregime. Doja që patjetër të vija në Kosovë, por ishte e pamundur; dëshira ime nuk varej nga unë; dëshira ime që të sendërtohej varej nga dikush tjetër mbasi të tilla ishin, si të thuash, ligjet që… i tillë ishte kufiri shtetëror që na ndante ne në Shqipëri dhe ju në Kosovë. Pavarësisht se ky kufi shtetëror nuk ndante kurrë dhe nuk ka për të ndarë ndonjëherë komunikimin e madh e të sinqertë shpirtëror që kishim me njëri-tjetrin, kështu që letërsia që zhvillohej këtu në Kosovë vinte në Shqipëri, po edhe letërsia që zhvillohej në Shqipëri vinte në Kosovë.

Shpeshherë kam diskutuar dhe kam kërkuar edhe kur kam punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë që asnjëherë të mos ndahej letërsia që zhvillohej në Kosovë nga letërsia që zhvillohej në Shqipëri, që asnjëherë të mos bëheshin krahasime kush është më e goditur: letërsia që zhvillohet në Kosovë apo letërsia që zhvillohet në Shqipëri. Të dyja letërsitë ishin një letërsi e vetme, ishin letërsi shqipe, ishin letërsi shqiptare dhe secila jepte kontributin e vet simbas tematikave dhe shqetësimeve krijuese që kishin vetë krijuesit me temën që ndesheshin në jetën e tyre të përditshme.

Më kujtohet që në Shqipëri kishte një mendim shumë të mirë për poezinë e poetëve që jetonin në Kosovë. Kështu mund të them se poezia e Ali Podrimjes, poezia e Azem Shkrelit, e Beqir Musliut, Agim Gjakovës (megjithëse Agim Gjakovën e kishim një kohë të gjatë në Shqipëri), Eqrem Bashës, Ramadan Musliut, Ymer Shkrelit, Ibrahim Kadriut, Sabit Rrustemit, Teki Dërvishit ishte një poezi e tillë që e ngriti edhe më lartë gjithë poezinë shqipe, që hyri dhe që zuri vendin që meriton në gjithë historinë e letërsisë dhe të poezisë shqipe.

Po kështu, krahas poetëve, një brez i fuqishëm prozatorësh i dhanë prozës shqipe peshën e rëndë të artilerisë letrare. Emri i Anton Pashkut, Nazmi Rrahmanit, Mehmet Krajës është i dashur për lexuesit shqiptar.

Kritika letrare është ndër zhanret më serioze dhe më të mprehta në mendimin shqiptar. Emri i Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit, Mensur Arifit, Ali Aliut, Prend Buzhalës apo edhe e mikut tim Anton Nikë Berishës janë emra të cilët lexuesi u beson për thellësinë e mendimit dhe paanshmërinë e tyre.

Në letërsi nuk hyhet me dhunë, në letërsi hyhet me mjeshtëri, talent, përkushtim, kulturë, mundim dhe nderim për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre në lartësimin e emrit të letërsisë shqipe. Vetëm duke e nderuar njëri-tjetrin mund të nderosh emrin tënd. Vetëm duke u ndodhur pranë njëri-tjetrit mund të çash në shtigje të reja. Shtigjet e letërsisë janë të pafundme; është i lumtur ai krijues që zgjedh për të çarë shtegun më të vështirë, shtegun që ecën paralel me shtigjet e ndritur që kanë çelur të tjerët.

Ju faleminderit!”

________

ANTON NIKË BERISHA

NJË VEPËR E PASUR LETRARE QË PËRLIGJ NJË JETË NJERIU

“Shkrimtari Nasi Lera është njëri nga prozatorët tanë bashkëkohorë më të shquar. Me një varg përmbledhjesh me tregime dhe romane të botuara, ai e ngriti dhe e pasuroi prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme.

Kur i qasësh dhe vendos ta vlerësosh veprën letrare të Nasi Lerës, atëherë mendimi i parë që të lindë doemos është se ajo është fryt i një pune dhe zotimi të vijueshëm për rreth 60 vjet; një krijimtari që në qenësinë e vet bën jetën e vetë autorit. Kjo krijimtari ka shkuar duke u pasuruar e duke u ngritur pikërisht në rrafshin e artit e të komunikimit që ka nxitur (shkaktuar) dhe nxit në vazhdimësi me marrësin.

Nasi Lera është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan; vepra e tij, është e lidhur me botën tonë; e shpreh këtë botë dhe i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe të komunikimit artistik që nxit teksti poetik.

Kumtesën timen për veprën letrare të Nasi Lerës, i cili sot me meritë  po e merr shpërblimin letrar “Beqir Musliu”, e lidh, jo rastësisht me dy mendime të Ernest Hemiguejt.

I pari lidhet me botën që e përfton Nasi Lera përmes strukturës gjuhësore shprehëse, përmes gjuhës poetike. Bota e veprave të tij përafrohet me njëmendësinë (realitetin) ku jeton dhe vepron krijuesi, po përmes artit të mëvetësishëm ajo bëhet më e pasur dhe më e veçantë dhe me një mundësi ndikimi estetik të dukshëm. Shkrimtari i shquar, shkruante: “Në të gjitha tregimet e mia unë përpiqem të jap ndjesinë e jetës së vërtetë, jo thjeshtë ta përshkruaj jetën ose ta kritikoj, por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”.

Kjo është një cilësi që i përshkon të thuash të gjitha veprat letrare të Nasi Lerës. Pra, ato nuk janë imitim i asaj që ndodh ose në jetën konkrete, po krijesa të mëvetësishme që ngrihen përmes shtjellimit të menduar dhe përmes gjuhës së zgjedhur, përmes një teksti të përpunuar, nga i cili dalin kuptime të shumta.

Teksti i tij nuk synon informacionin e rëndomtë, të thjeshtë, po shumësinë e mesazheve që nxitin përsiatje të ndryshme. Vepra e tij ngrihet mbi parimin e poetikës së Aristotelit: vepra letrare shqipton të mundshmen dhe të vërtetën artistike, që nuk është cilësi vetëm e veprave letrare.

Ndodh kështu për arsye se e mundshmja dhe e vërteta artistike ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për të dëshmuar imagjinatën krijuese dhe për të krijuar një botë sa të mëvetësishme, po aq dhe të vlefshme e të rëndësishme për pasurimin shpirtëror të marrësit.

Mendimi i dytë i shkrimtarit të madh, Heminguejt, ndërlidhet po ashtu me veprën që e ka krijuar dhe po e krijon ende Nasi Lera: “Kur të shkruarit bëhet vesi kryesor dhe kënaqësia më e madhe, vetëm vdekja mund t’i japë fund.”

Natyrisht se kjo u ndodh krijuesve të mëdhenj, atyre që janë të lidhur ngushtë me krijimin e veprave të artit të fjalës, të nevojës që të komunikohet përmes artit me dukuritë e botës e të veprimit të njeriut dhe e pasurojnë atë nga brenda.

Veçantitë që i përmenda më lartë përligjen në mënyra të ndryshme qoftë në tregimet, qoftë në romanet e Nasi Lerës. Në të dy llojet letrare ai dëshmoi krijuesin që di si i qaset një objekti poetik, di si ta shtjellojë atë në mënyrën poetike, sidomos të dëshmojë kujdesin e  madh që i kushton të shprehurit, përkatësisht gjuhës poetike, e cila kushtëzon në mënyrë të pandërmjetme komunikimin dhe ndikimin estetik.

Në qenësinë e vet proza e Nasi Lerës është një gjurmim i vijueshëm i dukurive të botës konkrete dhe i dukurive të botës së brendshme të personazheve, që dëshmohen në rrjedha të ndryshme të veprimit jetësor. Veçmas i shpreh shqetësimet, dramat dhe tragjiken që i cilësojnë dhe i përcjellin personazhet.

Këtë botë sa të veçantë e të ndërliqshme Nasi Lera e pasuron me romanet, ku bota e njeriut tonë shqiptohet në aspekte e në rrjedha të ndryshme dramatike, po njëherit përftohet një botë përmes tekstit, një botë poetike, e cila është më komplekse dhe më e qenësishme sesa nga ajo konkrete. Kjo botë e krijuar përmes artit të fjalës, ka atë cilësi dhe atë vlerë që ndikon fuqishëm estetikisht në marrësin dhe në përtëritjen e shpirtit të tij.

Nasi Lera e shqipton sidomos realitetin që ndërlidhet me botën e brendshme, ku fshihen dukuri nga më të veçantat dhe më misterioze. Këtë botë autori e vështron poetikisht në lidhje të ngushtë me rrethanat dhe kushtet jetësore. Pra, dramat që ngërthejnë personazhet në veprimin e përditshëm, janë shkaktari kryesor i dramave, i tragjikes dhe i pësimeve të brendshme.

Duhet thënë se këto dy bot njësohen mjeshtërisht në tekstin poetik, duke u shndërrohet në një botë të mëvetësishme. Në thelbin e tyre, këto dy botë përafrohen dhe bashkekzistojnë edhe atëherë kur i ndan koha, vendi, hapësira, edhe kur janë në pajtim ose në kundërshtim midis tyre.

Kjo strategji e rrëfimit poetik dëshmohet, fjala vjen,në romanin “Orët e qytetit të vogël”,  “Nata e premierës”, “Të gjithë premtojnë Parisin” e të tjerë, ku shpaloset drama dhe tmerri i realitetit konkret të njeriut tonë, shpesh dhe vetëdija e tij e fjetur.

Një veprimtarinë e Nasi Lera, një vend me rëndësi zënë edhe përkthimet e  shumë veprave të letërsisë botërore, përkatësisht  përkthimet e shkrimtarëve nobelistë, si E. Heminguej, A. Kamy, J. Saramago, G. G. Marquez, A. Zhid, Le Clezio, M. V. Llosa, J. Kavabata, Kenzaburo  si dhe të autorëve të mëdhenj si M. Kundërsa, M. Duras. M. Turnie, Akutagava, S. De Bavuar, M. Gallo, D. Merezhkovski etj.

Këto përkthime kanë vlerë të madhe jo vetëm për faktin se ato lidhen me disa nga veprat më të rëndësishme që u krijuan në fushën e artit të fjalës, letërsisë, po para së gjithash për përkthimin cilësor, për gjuhën e pasur poetike dhe të mënyrës së të shprehurit shqip”, tha Anton Nikë Berisha, në fjalën e tij mbi krijimtarinë e shkrimtarit Nasi Lera.