Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Papa Klementi XI me origjinë shqiptare - mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve

| E merkure, 21.07.2021, 07:37 PM |


PAPA KLEMENTI I XI ME ORIGJINË SHQIPTARE - MBROJTËS I IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE

Me rastin e 300-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë

Nga Frank Shkreli

Ky vit shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve midis Vatikanit dhe Republikës së Shqipërisë si dhe 300-vjetorin e vdekjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementit të XI me origjinë shqiptare nga ana e babait, i njohur ndryshe si Gjon Françesk Albani (Giovanni Francesco Albani). Me këtë rast, javën që kaloi, u mbajtën seminare në Romë dhe në Tiranë për të kujtuar këto dy përvjetore me rëndësi.

Sipas të dhënave nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit si dhe të programit shqip të radio Vatikanit, javën që kaloi me 12 korrik, 2021 nën drejtimin e të Ngarkuarës me Punë pranë Vatikanit, diplomates shqiptare, Majlinda Doda, në sallën prestigjoze Zuccari të Senatit të Republikës italiane, u organizua Konferenca me titull: “Roli i Papa Klementit XI për Rizgjimin e Identitetit Shqiptar dhe të Kulturës Italiane të Kohës.”  Në konferencën -- e cila u inaugurua nga Presidenti i Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinali Gianfranco Ravasi, me një përshëndetje edhe nga Presidentja e Senatit të Republikës italiane, Maria Elisabeta Alberti Casellati -- morën pjesë studiues të njohur arbëreshë, shqiptarë dhe italianë.  Ndër ta, Profesori arbëresh Françesco Altimari i Universitetit të Kalabrisë paraqiti studimin me titull: “Papa Albani për Rilindjen Kulturore shqiptare dhe arbëreshe".  Profesori shqiptar Gëzim Gurga nga Universiteti i Palermos solli referatin, "Mësimi i Gjuhës shqipe nën Pontifikatin e Papës Albani". Ndërkohë që Profesoresha italiane Carla De Bellis e Universitetit, "La Sapienza" në Romë foli për lidhjet e Papa "Klementit XI me Akademitë Romake.”  Ndërsa në fund të seminarit, në kujtim të këtyre dy përvjetorëve me rëndësi për historinë e marrëdhënieve të lashta dhe aktuale midis Vatikanit dhe Shqipërisë, artisti arbëresh, Franco Azzinari paraqiti pikturën unike kushtuar Papës Françesku dhe takimit të tij imagjinar me Papa Klementin XI (Albani), titulluar "Malli i Arbërit", duke prezantuar dy papë që kanë patur dhe kanë një dashuri e përkushtim ndaj popullit shqiptar e arbëresh.  Kardinali Gianfranco Ravasi u tha të pranishëmve se kjo pikturë do të vendoset në Vatikan,  simbol i marrëdhënieve, historikisht, të ngushta midis Vatikanit dhe shqiptarëve, me përjashtim të periudhës së politikës patologjike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që ishte më i interesuar të vriste fetarë dhe poetën.

Sipas informacionit nga Ambasada shqiptare, e Ngarkuara me Punë e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Doda njoftoi se konferenca e javës që kaloi – në kujtim të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan due të 300-vjetorit të vdekjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementi i XI -- është vetëm fillimi i disa aktiviteteve të tjera gjatë këtij viti. Diplomatja shqiptare, citohet t’u ketë thënë të pranishëmve se,"Këto manifestime hapen pikërisht me Papa Klementin XI -- i cili udhëhoqi Kishën Katolike për 21 vjet -- për të sjellë në vëmëndje lidhjet e lashta midis Vatikanit dhe Shqipërisë, interesimin e Klementit XI për popullin shqiptar e Shqipërinë e pushtuar nga turqit, përpjekjet për ruajtjen e identitetit, të gjuhës shqipe dhe fesë katolike, por për të venë në dukje edhe kontributin e tij në fushën e kulturës dhe të artit në përgjithësi", nënvijoi Përfaqsuesja diplomatike e Shqipërisë pranë Vatikanit.  Në atë konferencën e Romës, njoftohet se u fol edhe për marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, “I gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë”, siç u kishte thenë Papa Pali i VI mërgimtarëve shqiptarë në Romë (1968), me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar. Gjatë diskutimeve të konferencës në Romë, javën që kaloi, u theksua gjithashtu persekutimi i klerit katolik në Shqipëri gjatë regjimit komunist dhe u nënvijua edhe ndihma e Vatikanit për Shqipërinë pas shembjes së komunizmit zyrtar në vitin 1991 e deri më sot.

Ia vlen të kujtohet se 30-vjetë më parë u vendosën lidhjet diplomatike midis Shqipërisë dhe Vatikanit me 7 shtator, 1991, një përvjetor ky që u shënua gjithashtu me këtë rast. Përfaqsuesi i parë diplomatik i Vatikanit, ose Nunci i parë Apostolik në Shqipëri, ishte ipeshkvi indian, Ivan Dias, ndërsa Ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë Shënjte ishte Willy Kamsi, i cili i ka paraqitur Letrat Kredenciale Papës Gjon Palit II, pak para se ai të bënte vizitën historike të një Pape në Shqipëri, (25 prill 1993).

Ndërkaq, javën që kaloi në Tiranë u organizua gjithashtu një konferencë e dytë shkencore nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkpunim me Përfaqësinë Diplomatike të Papës – Nunciataura Apostolike në Tiranë – me rastin e këtyre përvjetorëve ku u theksua, nga folës të ndryshëm, se figura e Papa Klementit të XI -- Papës me origjinë nga Shqipëria e Veriut -- është një figurë identitare për kombin shqiptar, ashtu siç janë Gjergj Kastrioti -Skenderbe dhe Nëna Tereze. Në konferencën e Tiranës me temën, “Papa Klementi XI dhe Shqipëria” u diskutua, ndër të tjera, për Papa Klementin XI si një mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve. U theksua se burime të ndryshme të kohës së tij, flasin për krenarinë e Papa Klementit XI për prejardhjen e tij shqiptare. Folësit e ndryshëm në konferencën e Tiranës theksuan, ndër të tjera, lidhjet e ngushta që Papa Klementi XI kishte me popullin dhe Kishën Katolike Shqiptare të asaj periudhe historike. Për këtë subjekt dhe për lidhjet e tija me viset shqiptare folën akademikë dhe historianë të njohur, si Prof. Bardhyl Demiraj, Prof. Francesco Altimari, Dom Nikë Ukgjini, At Mikel Pllumbaj, Prof. Evalda Paci, Prof. Ardian Ndreca dhe Dr. Albin Saraçi, e t? tjer?.                

Sipas një njoftimi në portalin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kryetari i këtij enti të dijes, Skender Gjinushi theksoi mes shumë meritave të Papa Klementit të 11-të, “përgjithësimin e etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën për herë të parë si zëvendësues Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit”.  Në njoftimin e Akademisë mbi punimet e konferencës, thuhet se Z. Gjinushi foli edhe për disa iniciativa me rëndësi historike-epokale, që ka ndërmarrë gjatë jetës së tij Papa Klementi i XI -Albani, në favor të vendit të tij të origjinës.

Konferencën jubilare në Tiranë e ka përshëndetur edhe Arkipeshkvi Luigi Bonazzi, përfaqsues i Vatikanit në Shqipëri, i cili ka theksuar se Papa Klementi XI ka mbështetur Kuvendin e Arbnit dhe shqipen. Ai foli edhe për praninë e Selisë së Shenjtë në botën arbërore deri në ditët e sotme dhe theksoi faktin që Papa Klementi XI rridhte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte mbështes i Arbërit, thuhet në njoftimin mbi punimet e koneferencës jubilare në Tiranë.  Papa Klementi XI krenohej me prejardhjen me origjinë shqiptare, citohet të ketë thenë arkipeshkvi Luigi Bonazzi, duke theksuar se gjithmonë ka ekzistuar një lidhje e ngushtë mes Selisë së Shenjtë dhe popullit shqiptar.  Ndërkaq, një folës tjetër, Dom Nikë Ukgjini në kumtesën, “Mërqia - kisha e Kuvendit të Arbrit, në të kaluarën dhe sot”, tha se origjina e Papa Klementit është nga Laçi i Shqipërisë dhe solli dëshmi për zhvillimin e Kuvendit të Arbërit në kishën e Mërqisë në Lezhë.  Ai theksoi nxitjen dhe përkrahjen e Papa Albanit për Kuvendin e Arbërit në një kohë kur një nga tiparet dalluese të papatit ka qenë në të gjitha kohët, përpjekja e tij për të qëndruar pranë vështirësive e rreziqeve që u janë kërcënuar nga armiqtë e jashtëm, e sidomos gjatë pushtimit 500-vjeçar të perandorisë osmane, tha ai. Papa Klementi ishte figurë botërore kryesore e kohës, shtoi mes të tjerave Dom Nik Ukgjini, ndërsa paraqiti të dhëna për famullinë e Mërqisë në Lezhë, ku është mbledh Kuvendi i Arbërit, miratuar nga Papa Albani, Klementi i XI.

Sipas portalit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë edhe folësit e tjerë theksuan prejardhjen shqiptare dhe kontributet e ndryshme të Papës Klementit XI, përfshir Prof. Bardhyl Demiraj i cili në kumtesën, “Papa Klementi XI në kujtesën kolektive shqiptare”, nënvijoi kontributet e vazhdueshme të Klementit të XI për të bashkuar krishtërimin në Shqipëri, ku kisha katolike e ortodokse bashkëjetuan paqësisht, ndërsa theksoi se Papa Klementi luftoi edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Ndërsa Prof. Francesco Altimari në kumtesën: “Regeneratio albanica: roli i Papës Klementi XI për zgjimin e kulturës dhe të identitetit në botën shqiptare”, diskutoi për prejardhjen shqiptare të Papa Klementit-Albani duke u kujdesur posaçërisht për fatin e vendit të paraardhësve të tij, me prejardhje nga familja fisnike e Mikel Laçit. Familja e Papa Klementit XI u vendos në Urbino të Italisë dhe mori mbiemrin Albani, tha ai.  Prof. Altimari citohet të ketë theksuar në konferencën shkencore se në kohën e Papa Klementit pati edhe një rilindje të arbëreshëve, ku klerikët ishin të parët që nisën të shkruajnë në gjuhën shqipe.  Një tjetër folës, Àt Mikel Pllumbaj në kumtesën “Papa Klementi dhe Illyricum Sacrum”, foli për enciklopedinë madhore me 9 vëllime dhe 5500 faqe, ku flitet për historinë e ilirëve e arbërorëve ku sipas tij edhe aty Papa Klementi XI zë vend të rëndësishëm edhe si atdhetar shqiptar. Përmblëdhjen e shkurtë të raportit mbi punimet e konferencës mund ta lexoni në faqen e Alademisë së Shkencave , përfshir folësit e tjerë.

Siç vihet në dukje nga prezantimet akademike në dy konferencat jubilare me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Vatikanit dhe Shqipërisë dhe të 300-vjetorit të shkuarjes në amshim të Papës shqiptar, Klementit XI, lidhjet midis Kombit shqiptar dhe Vatikanit janë të lashta dhe vazhdojnë të përmirësohen pas periudhës së errët komuniste. Ato janë forcuar, sidomos, këto tre dekadat e fundit me vizitat e dy Papëve në Shqipëri: Papës Gjon Pali II në vitin 1993 dhe Papës Françesku në vitin 2014 dhe vizitave të zytarëve të lartë shqiptarë në Vatikan, gjatë viteve.

Konfrencat jubilare me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan dhe kujtimi i 300-vjetorit të vdekjes së Papa Klementit XI si dhe vizitat historike të Papës Françesku në Shqipëri në shtator 2014, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të Dytë në prill 1993 në tokën arbërore -- megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, përfshir Kishën Katolike Shqiptare, qoftë për arsye fetare ose politike, tregon se në këtë jetë gjithçka ngjallet e përtërihet.  Arsyeja, e vërteta dhe e drejta -- megjithëse, për fat të keq kishin humbur rrugën gjatë regjimit komunist në Shqipëri, tani mund të shpresojmë se -- më në fund -- e kanë gjetur rrugën dhe vendin që u takon në tokën e Arbërit dhe se e mira, më në fund, triumfon gjithmonë mbi të keqën dhe që Kombit shqiptar -- pas 30-vjet tranzicion të mundimshëm -- shpresojmë që t’i hapen shtigje të reja kah liria, e vërteta dhe drejtësia e përhershme. Shpresojmë, pasi shpresa vdes e fundit!

Papa aktual Françesku në një takim imagjinar me Papa Klementin e XI, vepër e artistit arbëresh, Franco Azzinari.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit

E Ngarkuara me Punë e Republikës së Shqipërisë, Majlinda Doda gjatë konferencës në Romë, kushtuar 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan dhe 300-vjetorit të vdekjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementit XI me Presidentin e Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinalin Gianfranco Ravasi

Pjesëmarrsit në Konferencën jubilare të organizuar në Tiranë nga Akademia e Shkencave në bashkpunim me Nuncin Apostolik, përfaqsuesin diplomatik të Vatikanit në Shqipëri.