E premte, 29.03.2024, 10:37 AM (GMT)

Kulturë

Hamdi Hysuka: Shërbim artisti ndaj atdheut

E marte, 20.07.2021, 04:51 PM


SHËRBIM ARTISTI NDAJ ADHEUT, KOMBIT E TRADITAVE

Nga Hamdi Hysuka (Kryetar i klubit letrar “Pjetër Budi” Mat)

Këto ditë pranvere të vitit 2021 serisë së veprave poetike të anëtarëve të Klubit Letrar “Pjetër Budit” Mat iu shtua vëllimi “Lule Shqipërie”, i autorit emigrant Xhavit Gasa, i cili edhe pse jeton në Londër, shpirtin e zemrën i ka në Shqipëri. Janë njëqind poezi të shkruara me dhimbje e mall, me varg të butë, herë klasik e herë të lirë, me strofa të thjeshta dhe figura letrare të pa sforcuara me kode e metafora. Duke i lexuar ato shohim se poeti ka marrë me vete në Tamis të Londrës muzën poetike budiane, bashkë me mençurinë e rrethit familjar e shoqëror. Nëpërmjet fjalës artistike ka shpalosur krenarinë për vendin, ngrohtësinë e diellit, bukurinë e luleve... Vargje të tilla e bëjnë poetin human, i japin forcën e shpirtit për të mbetur i përjetshëm.

Udhëtimin poetik të Gasës e kemi ndjekur përmes vëllimeve “Jehonat e dhimbjes” 2009, “Trokëllima e poetit” 2012, “Të fala nga Londra” 2015 dhe “Shpirt e zemër në vendlindje” 2016, të cilët trajtojnë atdhedashuri, plagët e emigrimi, mallin për vendlindjen etj. Te rrëfimi i sinqertë shpirtëror takojmë realitetin e përditshëm bashkëkohor, me etje për të rregulluar binarët e jetës. Në të gjitha poezitë e librit, i pesti me radhë, ka mesazhe atdhedashurie, respekt e mirënjohje ndaj mërgimtarëve, dashuri ndaj prindërve etj. Jo rastësisht vëllimi nis me poezinë simbolike “Pararojë pranvere”, kushtuar fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, në të cilën lexojmë:

Mos ua numëroni vitet kur janë lindur,

mos pyesni për çertifikatë a pasaportë,

dëgjoni sa bukur flasin gjuhën shqipe,

sa bukur recitojnë e si shqiponja vallëzojnë...

Për të vazhduar me “Lule Shqipërie”, kushtuar emigrantëve tanë të shumtë kudo nëpër botë, pjesës më kontribuese në krijimin e vlerave materiale e shpirtërore të shoqërisë, të cilët kanë dhënë gjithçka, djerën, mundin, pasionin dhe ëndrrën që vendi ynë të jetë i denjë në familjen e madhe europiane:

Shkojnë e vijnë dallëndyshet,

fluturojnë pa pushim qiellit të kaltër,

brenda tyre plot petale, degë, sythe,

me vargjet e Filip Shirokës në krahë.

Që nga Austria e largët,

te Amerika simbol lirie,

në çdo cep të botës së madhe,

sot lindin, çelin petale lule Shqipërie.

Në çdo cep të planetit të tokës,

pranverat shqiptare çelin hareshëm,

i këndohet me gjuhën e Shqiponjës

atdheut të Skënderbeut dhe Nënë Terezes.

Krijimtaria letrare i thotë poetit emigrant që mos t’i mënjanojë pranverat e jetës, as detyrimet e rrethit shoqëror e familjar. Te ky poet dashuria e jetës është kthyer në ëndrra për liri dhe forcë shpirtërore, për të drejta njerëzore...

Duke jetuar me ëndrrat e brezave të rinj, poeti Gasa i është përkushtuar botës së fëmijëve, duke skalitur vargje për vlerat e edukimit të tyre:

Sot dua t’i ul një nga një yjet e qiellit kaltërosh,

dhe të stolis germat shqip këtu në Londër,

letrës së bardhë të qendis të bukrat vargje,

për filizat që atdheut kaq bukur i këndojnë!

Të ngjitem për ju dhe mbi ré t’i them diellit,

mos i kurse të lutem rrezet, plot me dritë,

të thur kurorë me gjithë ngjyrat e ylberit,

filizave që neser do jenë lisat e Shqipërisë!

Kthjelltësia poetike e Xhavit Gasës qëndron te të hedhurit dritë mbi përjetimet personale, shprehur prej kontrastit e krahasimeve, një bashkim mes të shkuarës e të tashmes, ajo që mund të kishte qenë e ajo që është. Transparent dhe i gjallë vjen komunikimi me lexuesin. Struktura e poezisë së tij është vargu i lirë, i përbërë prej tre ose katër strofave. Vetë titulli shpreh kuptimin e rrugëtimit poetik, të cilin ua kushton fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe, mësuesëve që punojnë atje me përkushtim për mësimin e gjuhës shqipe, në shkollat shqipe për emocionet që dhurojnë me recitime, këngë dhe valle shqiptare e që mësojnë gjuhën e bukur shqipe nën kujdesin e mësuesëve dhe stafit drejtues të këtyre shoqatave Zamira Ruspi, Lutfi Vata,Talat Pllana etj, gjithashtu poetit të parë shqiptar Pjetër Budit, emigrantëve shqiptarë kudo në botë, fëmijëve të vrarë në Siri, mësuesit të parë, Zyber Xhetani; mësuesit të letërsisë së viteve 1971-1975 në Kamëz, prof. Fehmi Shehrit; shkollës 9-vjeçare “Ali Xhetani” Zenisht, kunatës Rrufie Gasa, mbesës e nipit, Ennis dhe Harvey Gasa, mbresave nga Festivali Folklorik Kombëtar i Klosit, si dhe atyre që u flijuan për fjalën e lirë, kur hodhën hapat e parë të shkollimit.

Tashmë poeti Gasa rrugëton si simbol i ëndrrave me plot dhimbje, për një gëzim real që mund të na sjellë demokracia, stacion i ri jete. Motive të tilla lindin si obligim më vete, për të cilin në muzeun e kujesës shprehet:

Kjo copë letër e bardhë nuk më mjafton,

këto vargje qenkan pak për ty fjalëmençur,

monumetet janë të vogla para mirënjohjes,

mozaiku më i shtrenjtë në muzeun e kujtesës.

Ma mësove të mos kem turp para ndershmërisë,

mos të bëhemi të këqinjtë e pragut dhe rrugës,

të mos bëhemi kurrë natë e pabesisë,

të mos e zvogëlojmë sofrën e bujarisë!

Në asnjë çast Xhavit Gasa nuk e harron vendlindjen e tij, Zenishtin e Njësisë Administrative Lis të Bashkisë Mat, mallin për zenishtarët me të cilët u rrit, nostalgjinë për prindërit... Ligjërimi është e vërteta e tij, që vjen e shprehur qartazi nëpërmjet vargjeve metaforike me domethënie të thella te poezitë “Nëse këndej iu bie rruga”, “Dritë dhe shpresë”, “Borxh në shpirt”, “Mos t’i vrasim pëllumbat”, “Gjurmët”, “Durim”, “Mëngjezet” etj. Që në moshë të hershme rinore nuk ka pushuar së krijuari. Jo rastësisht malli, dhimbja, ëndrrat dhe dëshira për të bukurën përshkohen nga shqetësimi jetësor:

Te burimi mes rrasës së gurtë,

sa herë etjen kam shuar në vapë,

dhe pse jam larg, nuk e harroj kurrë

për kroin e fshatit kam shumë mall.

Ti pulbardhë fluturo mbi detra e male,

ulu dhe pusho atje në vendlindjen time,

të bëhem lundërtar, të çaj detra e oqeane

malli i emigrantëve më i madh se anija titanike!

Poezia e Gasës është me ngarkesa emocionale, por lexohet pa vështirësi, për të arritur në përfundim të ideve, apo të problemeve që trajton e shtjellon. Nuk thuhet kot që jeta është stuhi, e cila të hedh nga një breg në tjetrin E ka për nder që është nxënësi i prof. Fehmi Shehrit, mësuesit të letërsisë në vitet 1971-1975 në Kamëz, për të cilin shkruan:

Duke gërmuar kujtimet në baçen e vjetër,

gjeta dorën e ëmbël, një filiz të njomë mbolli

në baçe poetësh viteve të dimrit të egër.

.............

Dhe priste me dorën e ëmbël si baçevan i mirë,

të rritej filizi që mbolli në baçe poetësh,

të hidhte shtat e të mbushej me lule petaleçelur.

Dora e tij mjeshtrore dhe shpirti si kristali,

aq shumë ngrohtësi i dha filizit të njomë,

s’e thau tufani e acari, në çdo stinë bleron!

Xhavit Gasa i përket brigjeve këtej dhe andej detit, dmth Shqipërisë që e lindi dhe Londrës që e lartësoi. Nga ndarjet e brigjeve dhe udhëtimet Zenishti-Londër e kthim nuk i humb poezia dhe dashuria për jetën. Si zog shtegtar, ngarkuar me poezi, fluron e fluturon udhëtar i përmallshëm, që mban mbi shpinë çantë bagazhi me shkrime e libra.

Rrugëtimi i poetit vazhdon e vazhdon. Me dëshirë për të përqafuar realen, nëpërmjet poezisë “Dëgjojeni vajin e fëmijëve”, shpirti poetik shkon larg, deri në Siri, atje ku derdhet gjaku i tyre:

Cila nanë ju lindi, ju gjeneralë të vdekjes

nuk i dëgjoni të qarat e fëmijëve që çajnë qiellin,

tej për tej kaltërisë me lot dhimbjeje mbushin detin?

A nuk i dëgjoni mallkimin e nënave, o barbarë

nëse ju jeni bij nënash, ndaleni këtë barbarí

s’ngrihet lavdia mbi fëmijë të pafajshëm!

Përmbledhja poetike “Lule Shqipërie”, redaktuar me kujdes nga studiuesi i letërsisë, shkrimtari Behar Gjoka, tregon se poeti Xhavit Gasa i mbetet besnik mënyrës së tij të të shkruarit, me pjekuri krijuese, figura stilistike të metaforës, isimbolit, krahasimit etj. Duke qenë dëshmitar i kohës, me dialog e monolog të brendshëm ai shpreh realitetin, ndjen padrejtësitë historike, por shpirtin nuk e kthen në denoncim. Si i tillë ëndërron dhe punon për një jetë më të mirë, pa hakmarrje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora