E enjte, 28.03.2024, 08:13 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XV)

E merkure, 03.12.2008, 08:07 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

XV

 

Nji ditë në mëngjes, roja hyni në dhomë, pa asnji paralajmërim, më lidhi duert me zinxhirë, e pa më lejue me marrë plaçkat, më shoqnoi deri te “burgu i madh”. Mbas një kontrolli të imtë, më vendosën në dhomën nr.9. Përsëri pyetje të pambarim e dëshira me dijtë çdo gja që kisha pa e ndigjue gjatë dy muejve në spital, sikur të kisha qenë për pushime. Jetë burgu! Të nesërmen, fillova me u familjarizue me të gjithë. Katundarë, malësorë, nëpunës administrate, oficer: në përgjithësi, kjo masë heterogjene meritonte mëshirim e përkrahje. Shumë nga ata ishin krejtësisht të pafajshëm e naivë, deri në atë pikë, sa ende nuk kuptojshin pse gjindeshin në burg! Në rreshtin karshi meje, kishin zanë vend së bashku dy malsorë nga Luma, njeni plak e tjetri, nji i ri me dorën e majtë të shkatërrueme nga plumbi. Ishin njerëz të qetë, e kalojshin gjithë ditën me një llullë duhani, shpeshherë të zbrazët. Të dënuem me vjet të gjata burgimi, për kundërshtim me armë të brigadave partizane, pritshin çdo ditë “faljen”, ose një mrekulli tjetër që do t’i nxirrte prej burgut, me një thjeshtësi shqetësuese. Qetësia e tyne e jashtme me mahniste, një durim pa ankesa, një stoicizëm që vrehet vetëm te besimtarët e bindun. Ushqimi prej familjes ishte i rrallë, e burgu nuk jepte tjetër, veçse racionit të bukës së misrit e ujin, si në Mesjetë. Shëndeti keqësohej çdo ditë, por qëndrimi i tyne ishte i palëkundun. Ata shikojshin, heshtnin, e durojshin me dinjitet. Rrahjet e të burgosunve në burgun e Shkodrës, fillojshin mbas orës dhjete të mbramjes...në errësinë! Të gjithë shkojshin me urdhën në krevat, në orën nandë, e në dhomë biente qetësia e plotë, që prishej vetëm nga zhurma e rojeve të kuqe ose e të burgosunve të torturuem. Natën e parë, u dënue një plak shtatëdhjetë vjeçar nga qyteti, që i kishte dhanë dy qepë një malsori prej Mirdite. Për këtë shkelje të rregullores, ai u dërgue në qelinë e akullt, u detyrue me u zhveshë lakuriq, u lag me ujë të ftohtë në atë natë shkurti, e në qelinë e lagun, u rrah me dru, derisa nuk ishte në gjendje me folë. Britmat e plakut mbushën burgun, e krizma e shkopit mbi kurrizin e viktimës, ndigjohej e qartë. Mbas një ndëshkimi të këtillë, u lejue me u kthye në dhomë, i lagun, i ngrime, i nxime në fëtyrë e në trup. Me qëllim që poshtnimi të ishte i plotë, rojet e kuq nuk e lejuen me u veshë, derisa hyni në krevat! Asnjeni prej nesh nuk guxoi me u ngrejtë e me ndihmue. Pranë derës qëndronte roja me dru. Plaku erdhi në dhomë tue u dridhë, e i zhveshun, hyni në krevat me u ngrohë sa ma shpejt. Herë mbas here, ndigjoheshin dhambët që kërsitshin e fshamjet që nuk mund t’i përmbante. Dhoma jonë ishte e vdekun. Unë mbulova kokën prej turpit. Me ndjenjën e dobësisë për mungesën e guximit të duhun, më erdhi në mend skena e Gjethsemanit, e fillova me kuptue gjendjen shpirtnore të “dishepujve”, të frikësuem kur “Mësuesi” i tyne, rrahej me kamxhik, pa faj. Asnjeni nga “dishepujt” nuk pati guximin me protestue. Akoma ma keq! Edhe ma i miri në mes tyne, mohoi tri herë “Mësuesin”, megjithëse kurrë nuk e harroi, e gjithe jetën e deshti pa kufi!

 

*

 

Gjatë studimeve në shkollë të mesme, sa herë që binte fjala për fortesa, qeli, tortura, vrasje e varje në litar, pamja ma e randë, ma e shëmtueme, e ma e pakuptueshme që mbetej në kujtesën time, ishte fëtyra e gjestet e xhelatit që kishte krye “detyrën” e torturuesit, fëtyra e vrasësit që kishte guximin me dalë përsëri në botën e jashtme, që nuk ishte bota e tij. Çka mshehej mbrapa mburrjes që tregojshin kriminelët mbas kryemjes së krimit? Çka mshehej në atë mendje, në atë zemër, në atë ndërgjegje? Çka mendonte drejtori jonë, kur ballafaqohej me familjen, gruen e fëmijët e vet, që nuk e dijshin se burri e baba ishte nji kriminel? Qëndrimi burrnor i shumicës së burgosunve, ishte frymëzues! Mjaft nga ata vijshin nga “familje të mira”, të vjetra, me tradita fisnike, të parët e të cilëve ishin dallue, në nji menyrë ose nji tjetër, sidomos për trimni luftarake, për mikpritje e besë të dhanun, vlera tradicionale që kërkojshin sakrifica të mëdha landore e njerëzore. Qëndrimi i tyne ishte nji shkëndi heroizmi në këtë fushë mjerimi. Për këtë klasë shoqnore, rezistenca e vuejtja në burg, ishin nji duel me fatin që ata pranojshin ballëhapët, e që e shihshin si nji formë e stoicizmit bashkëkohor. Qëndrimi burrnor, për ata, ishte vazhdimësia e traditës së trashëgueme! Në dhomat e mëdha kishte edhe nji numër të konsiderueshëm elementësh të pavlerë, ishspiunë të fashizmit, katilë për profesion e agjentë të dyfishtë që, Sigurimi i mbante brenda, sepse nuk u besonte e njikohësisht, mbeteshin informatorë. Në praninë e këtij elementi, vetmia e burgut nuk kufizohej vetëm brenda katër mureve. Ajo u bante e padurueshme, edhe nga vetmia e vetimponueme, nga vetizolimi. Për fat, në të dy krahët e mi, kisha dy shokë të vërtetë, nji frat françeskan që kalonte orë të gjata tue lexue “Testamentin e Ri” në gjuhën franceze, e meditonte për çdo fjalë e frazë. Shoku tjetër ishte nji i ri dukagjinas, që kishte mbarue shkollën e mesme, ishte bashkë me “Lëvizjen Nacionalçlirimtare,” e zhgënjye nga sjellja e tyne në Dukagjin, ishte largue në mënyrë demonstrative, së bashku me vllaun. “Pushteti” e kishte dënue me dhjetë vjet burgim, Vllau i madh, ish-profesor i letërsisë shqipe, e për pak kohë edhe deputet i Dukagjinit, ishte pushkatue. Në shtëpinë e mbetun shkret, jetonte e vetmueme nana plakë. Ekzekutimi i vëllaut e kishte dërrmue shpirtnisht. Më tregonte vorfninë e paskajshme të familjes, e sakrificat e pambarim me edukue vllaun, derisa kishte mbarue shkollën. I revoltuem nga skenat e përditshme të jetës në qytet, e sidomos në Dukagjin, profesori i ri ishte hedhë me entuziazmin rinor në kampin e “Lëvizjes”, e kishte shërbye me besnikëri. Por sensi i besnikërisë ndaj popullit të vet, kishte qenë ma i zhvilluem tek ai, se besnikëria ndaj nji lëvizjeje politike. Shtypja e pamëshirshme e Dukagjinit, e kishte acarue. Në konfliktin e paevitueshëm, profesori i ri i qëndroi besnik vetvetes, refuzoi nënshtrimin, e pranoi vdekjen. Marku nuk ishte i qetë, sa herë që kujtimi i vëllaut e mbulonte si nje valë deti e fuqishme. Atëherë, shfrynte me fjalët ma të randa, por për fatin e tij të keq, nuk nxirrte loptë, nuk lehtësohej nga ai mal kujtimesh e nga urrejtja që ata sillshin. “Më këput shpirtin nana,” ankohej, “asht vetëm. Pa plang në shtëpi! As unë nuk e di si jeton!” Kur vinte plaka me e vizitue nji here në muej, ajo nuk ankohej. Fliste me ngadalë, bekonte djalin, e largohej. Dukagjinsi i ri kthehej i heshtun e tretë në mendime.

 

*

 

Nuk kisha pasë rast me pa nanën time, qysh nga dita e arrestimit, e pritsha me padurim ditën për takim. Kur roja thirri emnin tim, fluturova te dera e hekurave. Nana buzëqeshi, e buzëqeshën edhe vllau e motra që e shoqnojshin. U gezova shumë e buzëqesha gjithashtu.

- Si je me shëndet? – më pyeti.

- Jam mirë, - përgjegja. – Jam krejt mirë!

- Dukesh pak i zbehtë e i lodhun. A dëshiron gja?

- Asgja! I kam të gjitha.

Nana më shikoi me kujdes, e me nji za të plotë, më tha:

- Ndigjo! Mos u mërzit! Je në shoqni të mirë... Na do të bajmë çdo gja me të ndihmue. Mbahu!

Fjala në gojë m’u pre nga ky qëndrim dinjitoz i nanës plakë, pa mbështetje, e që luftonte për bukën e gojës. Tue shikue vllaun e motrën që ende buzëqeshnin, përgjegja shkurt I përmalluem:

- Falemnderit nanë! Nuk mërzitem, por kam kujdesin tuej. Shikoji! Janë ende të parritun mirë!

- Kujdesohem unë për ata, - më tha me nji ton të premë.

Nuk kishte vend për diskutime ma të gjata. Pyeta për motrat e familjet e tyne, e nana me siguroi se ishin të gjithë mirë. Në këtë takim të pritun kaq gjatë, nuk gjejsha fjalë me thanë. Guximi i saj civil më la gojëmbyllun. Roja fishkëlloi me bilbilin e na shkëmbyem lamtumirët tona, pa pasë mundësi as me i dhanë dorën njeni-tjetrit. U ktheva në dhomë e çuditërisht, ndihesha i kënaqun. Dinjiteti i nanës kalonte çdo kufi e ndihesha kryenaltë.

 

*

 

Regjimi i brendshëm policor kërkonte që të gjithë të kalojshim ditën e gjatë, të ulun mbi rrobet e fjetjes, pa lëvizë. Vizitat me njeni-tjetrin ishin të ndalueme. Çdo shkëmbim fjalësh me të tjerët, ishte i ndaluem. Bisedimet me za te ulët, lejoheshin vetëm me dy shokët në të dy krahët. Kur shoqnia me ata thellohej, përgjegjësi ndryshonte vendet e fjetjes. Frika e “konspiracionit” brenda në burg, kërkonte nji masë të këtillë! Frati françeskan që flente pranë meje ishte rreth katërdhjetë vjeçar, por tregonte nji kunorë flokësh të bardhë, para kohe. Ishte ndoshta njeriu ma i qetë i burgut. Mbas pastrimit të mëngjesit, hante nji copë buke të thatë, pa harrue me ba shenjin e kryqit e me thanë lutjet e përditshme, vetëm e para Zotit. Pa humbë kohë, hapte nji kopje të “Testamentit të Ri”, e lexonte me kambëngulje e vëmendje të plotë. Nganjiherë, më drejtohej për nji shprehje, për të cilën nuk ishte i sigurtë. Mbas nji përpjekje me gjetë fjalën e duhun në shqip, me nji laps të vogël shkruente përkthimin në copa letre. Punonte orë të gjata, pa folë, sikur të ishte aty i caktuem me atë punë. Kur lodhej nga puna e imte në dhomën me gjysëm dritë e pa ajër të pastër, frati shkëmbente disa fjalë me mue e me shokun e krahut tjeter. Nuk ankohej, nuk kerkonte gja, e kur nganjëherë dhimbjet e trupit e mundojshin, kërkonte infermierin e burgut për ndihmë. Në burg, ndihma ma e madhe ishte “këshilli mjeksor” që jepte infermieri Elez, me nji frymë mëshirë e mirëkuptim që vlente ma shumë se ilaçi vetë. Nji ditë, ai nguli kambë që frati të dërgohej në spital për operim. Jeta jonë ecte e qetë në sipërfaqe, por revoltimi i brendshëm rritej çdo ditë. Të kalosh orë, ditë e muej të tana pa asnji veprimtari, pa mbajtë kontakte të rregullta me të tjerët, pa punë, pa studime e pa shpresë se e nesërmja do të ishte ma e mirë, ishte vuejtja e ferrit mbi tokë. Nganjiherë kisha përshtypjen se jetojsha në nji boshllëk që më zente frymën, pa mund me u kapë për diçka, me ba diçka, me qenë diçka, e përfundojsha në nji gjendje shpirtnore, ku mërzitja e madhe më këshillonte me përbuzë gjithçka, e më hidhte në krahët e dëshprimit. Ky burg, i organizuem pa asnji konsideratë për të burgosunin si qenie njerëzore, kishte nji qëllim të caktuem: me mbajtë viktimat në nji gjendje të tensionueme, ditë e natë, me shkaktue sa ma shumë vuejtje shpirtnore me izolim të plotë, e vuejtje landore me ushqim të kufizuem, me pengue çdo mundësi zhvillimi normal të aftësive mendore e fizike, e me ngjallë tek i burgosuni, ndjenjën e thellë të dështimit. Ishte nji sistem i studiuem për vrasjen e çdo shpresë tek i burgosuni, se nji ditë do të merrte fund vuejtja e do të rifillonte jeta e re! Në këtë pikëpamje, “autoriteti”, disa herë, kishte sukses! Vrojtimet e mia në mes të kësaj masë që më shqetësonte e më dhimbsej njikohësisht, me shtyjshin me analizue fjalët e gjestet e tyne. Me kalimin e ditëve të gjata pa asnji veprimtari, përmbajtja e bisedimeve në atë dhomë, ishte aq e thjeshtë. Heshtjet e gjata ndiqshin tregimet; ishte prova ma e mirë se “landa” e bisedimit ishte shterrue. Atëherë, në fytyrat e tyne vrejsha nji shikim të humbun në hapësinë, e nji shprehje dëshprimi, që tregonte frikën e madhe të boshllëkut që ndiejshin brenda vetes, e që i konsumonte pa mëshirë. Në dhomë kishte edhe nji numër intelektualësh të përgatitun, e studentë në fazën e formimit të tyne intelektual. Për ata, ikja e kohës pa asnji veprimtari, ishte shqetësimi ma i madh. Thellësisht të tronditun nga keqtrajtimi fizik e poshtnimi i përditshëm që e ndiejshin me fuqi, ata e shihshin veten të zanun në kurthin e nji fati të pamëshirshëm, që kufizonte çdo mundësi zhvillimi e që kërcënonte me zhdukjen e tyne fizike. Ideja e vdekjes në burg i tmerronte, jo aq për vuejtjen fizike që ajo mund të sillte, sa për mohimin e mundësive të nji zhvillimi të plotë të potencialit të tyne, nga nji forcë brute që ata përbuzshin pa kondita, luftojshin pa rezerva, megjithatë, të ndërgjegjshëm se kishin humbë betejën në këtë ballafaqim. Me vdekë në burg, pa masë mundësi me reague e pa shpresë me u lirue, sidomos për ata ende në moshë të re, ishte padyshim, forma ma e vështirë e vdekjes. E nji padrejtësi supreme, gjithashtu! I ndërgjegjshëm për këtë padrejtësi të imponueme nga forca brute, e i paaftë me besue në ndërhymjen “hyjnore”, rrëshqita dalëngadalë në ateizëm. Përfundimi i parë ishte mohimi i qenies së Zotit si Krijues, me të gjithë atributet që feja i mvesh Atij: i plotfuqishëm, bujar, mëshirëdhanës, i drejtë, i pagabueshëm... Si ishte atëherë e mundun, që “Zoti” që besojnë milionat, të ishte aq i padrejtë ose i pafuqishëm, sa me lejue padrejtësinë që na dëshmojshin çdo ditë dhe aq i mbrapsht, sa me u tallë në nji mënyrë kaq të panjerëzishme me ne, tue na krijue si “njerëz” e tue na trajtue si “kafshë” të zgjebosuna, tue na pajisë me forcën e arsyes e madhështinë e ndërgjegjes e njikohësisht, tue na dënue me vdekë në burg, pa arsye e pa shpjegim, nji absurditet që na shkatërronte gjithçka?! Kjo thirrje e brendshme dëshprimi e revolte ishte pika kryesore e mosmarrëveshjes me fratin tim, që nuk pranonte dëshprimin. Ai i ishte nënshtrue pa kondita vullnetit të Zotit, që e shihte si burimi i vetëm i çdo të mire mbi tokë. Po e keqja? Ishte përgjegjësia e atyne që kanë humbë rrugën e drejtë, jo e Zotit, që nuk ka asgja të bajë me te. Sa lumtuni e madhe duhet të jetë gjetja e nji pikë mbështetjeje në jetë! Frati im ngulte kambë se Zoti i sheh gjanat ndryshe nga njerëzit e si rrjedhim, ai si frat gjykonte botën rreth vetes, vetëm nga ky prizëm. Unë nuk mund të kundërshtojsha këtë në teori, sepse edhe unë isha besimtar “sui generis” ne Krijuesin, por e gjejsha të pamundun aplikimin e saj, në problemet e jetës së përditshme. Nji pranim i këtillë donte të thonte, për mue, nënshtrim dhe kërkimin e “shpëtimit”, me rrugën e ikjes (lutjes ndoshta?) që eviton ballafaqimin, konfliktin e ndjenjën fisnike që fitohet nga përpjekja me u ba zot i fatit të vet. Si mund t’i nënshtrohesha plotësisht “vullnetit të Zotit”, në nji gjendje ku çdo minutë që kalonte, tingëllonte në veshin tim si nji thirrje për revoltë, urdhën suprem i ndërgjegjes sime të revoltueme, si nji revoltë kambëngulëse, e pakundërshtueshme e që kërkonte lirimin tim, pa shpresën e ndërhymjes nga “Providenca Hyjnore?!” Cnjerëzimit që më rrethonte e që bahej çdo ditë e ma i plotë, acaronte edhe ma tepër këtë thirrje. Nganjëherë kisha përshtypjen se po mbytesha në këtë pellg të së keqes së planifikueme. Për ma tepër, vorfnia materiale e të gjithë atyne që vuejshin e sidomos, e asaj pjesë të kufizueme viktimash që kuptojshin kurthet tragjike të gjendjes që kërcënonte jetët tona, ishte padyshim, njena nga gozhdat e forta e të dhimbshme të “kryqit” tonë. Ajo vinte në dukje, edhe ma shumë, vlerën morale të rezistencës së individit të revoltuem, si dhe monstruozitetin e “pushtetit popullor” që e shkaktonte. Këto çaste sublime të ndërgjegjsimit, i jepshin jetës nji kuptim: ajo duhej jetue sepse, kundrejt vdekjes asgjasuese, ajo përfaqësonte nji vlerë supreme, të pazëvendësueshme. Në këtë qëndrim shihsha formën ma të naltë të heroizmit civil. Në burgun tonë, kishte të rij e të reja idealiste që revoltoheshin kundër mbretënisë të së keqes në vendin tonë. Por drama e ditëve të vështira, nuk ishte hovi i të riut, i heroit të kurajos civile që përpiqej me pengue me gjoks, e pague me jetë ortekun përmbysës. Drama e ditëve të vështira ishte plogshtia, jeta e pajetë e masave amorfe që jetojshin vetëm me bukë e për bukë, e me frikë të pashërueshme. Ishte indiferenca e pashpresë... Kur tmerri bahej zot i vendit e skllavënia nji mbretneshë Medeane, asgja tjetër nuk plotësonte ma mirë planin e asgjasimit të dinjitetit njerëzor se, kjo moskokëçarje kanceroze, ashtu si bimësia e xhunglave ekuatoriale që, për miliona vjetë pa pushim ushqeu vetëm insekte e gjarpërij, me barishte vdekjeprurëse. Në xhunglën tonë, bisha mishngranëse sundonte e patrazueme, e plotfuqishme! Kur të burgosunit merreshin për ekzekutim në orët e para të mëngjesit, e thirrshin: “Kriminelë! Poshtë komunizmi!” ose “Nuk due me vdekë! Jam i pafaj!”, të gjithë heshtshin. E gjithë bota sikur flinte gjumin e vdekjes që nuk njeh jetën. E megjithatë, të burgosunit vazhdojshin me vdekë si ma parë, ma shumë se ma parë, si asnjihere tjetër si ma parë, pa u pa, pa u ndigjue, pa u qa e pa u vajtue! Shkretnue në shtëpia ku familjet shuheshin, të mjeruemet nana e gra te mbetuna të veja para kohe, përqafojshin fatin e jetës së tyne, që nuk kishte ma nji qëllim e përpiqeshin, me lotë që nuk ndaleshin, me largue perden e errtë që moliste ditët e tyne, të pafund e të pafat. Gjithçka në heshtje, nji heshtje që vriste pa mëshirë! Kishte diçka dinjitoze në kambënguljen mos me u nënshtrue, që shihsha tek shokët e mi që mendojshin. Shumë të tjerë urrejshin me kambëngulje. Problemi i tyne ishte i thjeshtë: pamundësia me u hakmarrë! Ata ishin emocionalë e të thjeshtë në mendimet e tyne. Zgjidhja e problemit ishte ardhja e ditës së hakmarrjes. Me këto “tipa” kishte pak fjalë e unë evitojsha bisedën, si murtajën që mund të sillte shkatërrimin tim. Por, “raca që mendon” më frymëzonte me nji besim, se “diçka” brenda guaskës së trupit, gjindet e gjallë, nji ndjenjë e nji aftësi me përballue situatën që imponohej, nji kundërshtar që kërcënonte, nji peshë monstruoze që asgjasonte. Kjo duhet të ishte edhe ndjenja e krenarisë së qenies njeri, brumi i kultivuem i herojve, kur mendojsha që të gjithë ishin të vetëdijshëm se, në rastin e nji krize çmendunie të “pushtetit”, ata do të vriteshin pa lanë asnji shenj, asnji gjurmë,...tragjikja e të privilegjuemve që mendojnë! Këtu, mendimi fetar bante hapin e madh cilësor! Për ata që e pranojshin, kishte “diçka! Që i shtynte me nënçmue realitetin, me nji bindje se nji tjetër botë përtej, ma e naltë, ma frymëzuese e ma premtuese, ekzistonte, nji botë që nuk ishte kjo që jetojshim, e imponueme me dhunë nga njerëzit. Për ata, kishte nji “realitet” që për thellësinë e bindjes dhe madhështinë e shpresës, merrte përpjestimet e nji besimi që lidhet, mbështetet, e justifikohet me fuqitë hyjnore, jashtë dorës së vdekshme njerëzore, përtej kambënguljes fataliste që shtypte. Nji rrugë e këtillë përbuzte sensin tragjik të jetës, që të tjerë e pranojshin ballëhapët!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora