Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Një shqiptar i harruar i Rilindjes Europiane

| E hene, 19.07.2021, 09:05 PM |


Blerim Latifi:

Një shqiptar i harruar i Rilindjes Europiane

Rastësisht më ra në dorë një libër i shkurtër i shkruar nga historiani kroat Andrija Mutnjakoviq. Libri i dedikohet jetës dhe veprës së Andrea Lleshit, skulptor dhe arkitekt shqiptar me prejardhje nga Durrësi.

I lindur pak vite para fillimit të kryengritjes së Skënderbeut ( 1435), ai i kaloi vitet e pjekurisë së tij në qytetet e bregdetit kroat. Një talent i vërtetë i Rilindjes Europiane, sot shenjat e punës së tij ende shihen në Katedralën e Shibenikut, në atë të Rabit, në Pallatin e Komunës së Splitit, në Llozhën e Ankonës në Itali dhe në dhjetëra vepra tjera publike në Dalmaci e Itali.

Andrea Lleshi gjatë gjithë jetës së tij e kishte ruajtuar ndjenjën e përkatësisë etnike e mallin për atdheun e humbur, dhe kjo dëshmohet edhe në pllakën e tij të varrit, të cilën e kishte gdhendur vetë para vdekjes, e ku shkruhet emri i tij, përkatësia etnike arbërore dhe vendlindja e tij, Durrësi. Varri i tij gjendet në Split.

Andrea Lleshi dhe shumë të tjerë si puna e tij që i ka mbuluar pluhuri i harresës, na e dëshmojnë se shqiptarët ishin pjesëmarrës krijues në kulturën e Rilindjes Europiane. Emrat dhe dëshmitë për veprat e tyre e tyre gjenden të mbyllura nëpër arkivat e vjetëra të Perëndimit, duke pritur që ndoshta një ditë të zbulohen, për të na dëshmuar edhe njëherë neve dhe Europës se shqiptarët ishin aty ku po zinte fill bota moderne europiane.

Se a do të vij kjo ditë, vështirë të thuhet, kur shohim se sa pak e sa keq investojmë në hulumtimet e vërteta shkencore, andej dhe këndej Morinës.

___________

Josep Borrell Miroslav Lajçak'ut: - Po i thirrim edhe njëherë në Bruksel Kurtin e Vuçiqin para pushimeve të Gushtit. Pas takimit po deklarohemi se palët, përkundër dallimeve, janë pajtuar se duhet ecur përpara dhe se e ardhmja e vendeve të tyre është në BE. Pastaj shihemi dikur në shtator dhe kqyrim me i thirrë prapë në Bruksel, ose, nëse moti është i mirë, shkojmë ne nja dy-tre ditë i shohim ata dhe shetitemi pak në Prishtinë e Beograd.

Lajçaku Josep Borrell'it: - Ide e mirë shef.Mundemi të ndalemi edhe në Shkup e Tiranë, meqë janë afër.

Josep Borrell Miroslav Lajçak'ut: - Ide e mirë, Miroslav. Shpirt kreativ je. Të lumtë!

___________

Është fakt i mirënjohur nga historia: urrejtja ma e madhe është midis atyre që dikur kanë qenë bashkë e janë nda keq, se sa midis atyre që nuk kanë qenë kurrë bashkë nën një kulm politik a fetar. Në Islam sunitët më shumë i urrejnë shiitët, me të cilët krejt në fillim ishin bashkë, por u ndanë sherri i mospajtimit se kush duhej të trashëgonte shpatën e profetit, e shumë me pak, ta zëmë, i urrejnë të krishterët ose pjestarët e feve tjera. Natyrisht shiitët ua kthejnë sunitëve me të njëjtën monedhë

E kemi mësuar nga historia mesjetare se çfarë u ndodhte heretikëve kur merrnin guximin të dilnin nga rreshti i dogmës zyrtare të Kishës. Inkuizicioni kujdesej që torturimi i tyre të ishte sa më maksimal.

Ose çfarë u ndodhte disidentëve në shtetet komuniste kur merrnin guxim të shpreheshin ndryshe prej partisë shtet.

Edhe ky mosdurimi, për të mos thënë urrejtja, midis VV-së dhe PSD-së i ka disa tipare të këtyre shembujve historikë. Një urti hebreje thotë: Urrehemi aq shumë, ngase jemi aq të ngjashëm!

___________

Kritika e Vuçiqit se Kurti është kthyer në çështje të shekullit të 19 do të pinte ujë nëse ai do të hiqte dorë publikisht dhe zyrtarisht nga çështjet e tyre të shekullit të 14, siç është Beteja e Kosovës dhe kërkesat që Kisha Ortodokse Serbe të ketë në Kosovë privilegje të shekullit të 14.

___________

I pashë në një portal të huaj disa foto që tregonin turma të mëdha afganësh që po iknin në drejtim të kufijve veri-perëndimorë të Afganistanit. Po thuhet se telabanët janë duke marrë kontrollin mbi gjithë territorin e tij. Pas njëzet vitesh amerikanët janë tërhequr, siç duket të bindur se ndërtimi i një shteti modern në Afganistan është një mision i pamundur. Një luftë e re civile duket se do të pasoj largimin e tyre dhe bota, me gjasë, sërish do të tronditet nga vuajtjet e njerëzve të pafajshëm: masakra që kryhen në emër të Zotit a të dreqit, qytete e fshatra që rrafshohen nga palët ndërluftuese, kolona të pafundme refugjatësh të terrorizuar që marrin rrugët për të gjetur strehë dhe siguri diku në Perëndimin e begatshëm, por të largët, dhe shtete rreth e rrotull që përpiqen të përfitojnë ndonjë gjë nga gërmadhat e Afganistanit.

___________

Në kohët e vjetra njerëzit përpiqeshin ta bënin zap tërbimin e natyrës duke ju lutur perëndive, duke ju bërë flijime e ngritur tempuj atyre.

Kur ia mbrriti epoka moderne njerëzit filluan të kërkojnë mjete të tjera për të njëjtin qëllim dhe kështu lindi besimi tek shkenca dhe teknologjia.Ky besim ka bërë hapa gjigantë në kontrollimin njerëzor të  proceseve e fenomeneve natyrore, por ja që, herë pas here, tërbimi i natyrës shfaqet si për të na paralajmëruar se sundimi i njeriut mbi të është vetëm iluzion.Ekologët thonë se vetë njerëzit janë fajtorë për këto shfaqje, ngase, sipas tyre, eksploatimi i shfrenuar i natyrës i ka shkatërruar ekuilibrat e saj, por ata harrojnë faktin se katastrofat natyrore janë shfaqur gjithmonë, edhe atëherë kur njerëzit kishin ndikim minimal mbi rendin natyror. Në botën e lashtë katastrofat natyrore, si përmbytjet e mëdha, tërmetet e pandemitë nxisnin lindjen e besimeve religjioze, ndërsa sot ato nxisin nevojën për të ecur më tutje në përsosjen e rendit teknologjik, të kuptuar si sundim njerëzor mbi natyrën. Se deri ku mund të shkoj kjo përsosje, këtë është vështirë ta dijmë. Edhe për një arsye të cilën iluministët e kishin injoruar dikur: teknologjia nuk mund të përdoret vetëm për t'i mbrojtur njerëzit, por edhe për t'i shkatërruar ata. Mësimi filozofik i kohës tonë është se në këtë botë e sigurtë mbetet veç pasiguria.

___________

Kështu ka qenë gjithmonë: kur je në opozitë s'ke çka bën tjetër përveçse me dalë në popull, me nejt me popullin, nëpër çajtore, oda, me shku n'varrime e n'dasma, e kur i shpeshton këto neja, gradualisht, njerëzit e popullit nisin me mendu se përnjëmend je duke u shqetësu për hallet e tyre dhe kontoja e votave fillon me u mbushë pak nga pak. Natyrisht kjo varet shumë nga aftësia për t'u dukur si njeri vërtet i brengosur për këto halle.Makiaveli e thotë qartë dhe saktë: është e rëndësishme si dukesh, e jo siç je në fakt, sepse populli gjykon në bazë të asaj që sheh.

Ndërkaq, atyre që janë në pushtet, u duhet të distancohen pak nga populli dhe, siç do të thoshte Demaçi, të shkojnë poshtë e përpjetë  anej-knej nëpër konferenca, takime e vizita ndërkombëtare, se "ashtu e lypin punët e shtetit".Për ta thënë troç dhe pa dorëza: kjo është një nga arsyet e forta pse njerëzit në këtë vend të izoluar e pa ekonomi, bëjnë turr e shtyhen me thonj e brylla për t'u kapur pas pushtetit. Ndërsa ata që rëndom i quajmë "interesi publik", "interesi i qytetarëve", "interesi i popullit" janë thjesht fraza që shërbejnë për t'i maskuar interesat dhe qëllimet egoiste.Natyrisht kjo tablo e zymtë nuk e përjashton faktin se ka njerëz që përnjëmend angazhohen për interesat publike, por shumicën e përbëjnë ata që saktësisht e bëjnë të kundërtën.Dikush njëherë ka thënë: idealistët e vërtetë janë specie e rrallë, tepër e rrallë, ndërsa zuzarët e maskuar si idealistë e popullojnë gjithë planetin!

___________

Ramushi veç maleve po rrin.Dje paska qenë në maje të Gjeravicës.Para disa ditësh na u shfaq në malet e Shalës në veriun e Kosovës me një ngarkesë indikative në shpinë.

Filozofi francez Pierre Teilhard de Chardin e ka një ese të shkelqyeshme "Nostalgjia për frontin". M'duhet me gjetë sot e me rilexu.????