E shtune, 18.09.2021, 06:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Tahir Bezhani: Prend Buzhala - Zërat jashtë vetvetes

E diele, 18.07.2021, 11:06 AM


Vështrim libri: ”Zërat jashtë vetvetes”, vepër përmbajtjesore me realitetin e kohës, dje, sot e nesër

SINTEZA FILIOZOFIKE PËR JETËN, SHPREHUR NË VEPRËN  “ZËRAT JASHTË VETEVETES” TË PREND BUZHALËS

(Prend Buzhala: “Zërat jashtë vetvetes”-Tregime me pak fjalë, botoi  “Lena” Prishtinë, 2021)

Nga Tahir BEZHANI

Kur të lexosh një vepër, e ajo të prekë ndjesitë, si lexues nuk mund  të ndalesh për asnjë moment pa i thënë pak fjalë përshtypjeje nga ai libër. Autori i librit, z. Prend Buzhala, është personalitet i njohur i letrave shqipe në mbarë trojet shqiptare e jo vetëm. Lexuesi  kur ka në duar leximin e ndonjë vepre të z. Buzhala, percepton figurën e tij karshi vetës, penën e tij të mprehtë e mendjen e kthjellët për të gjitha gjinitë letrare, duke u nisur nga poezia, romani, tregimi, proza poetike, kritika letrare, publicistika etj, i shkëlqyer gjithmonë në letërsinë tonë më të re, duke lënë gjurmë të pamohueshme edhe për studime të gjeneratave të ardhshme. E gjithë  veprimtaria e këtij krijuesi sublim, pena e të cilit përherë është zhytur thellësive të shpirtit të popullit të tij, duke gjurmuar e  hedhur në dritë të gjitha vuajtjet nëpër shekuj; si dhe aspiratat, deri te liria e shumëpritur, pas qëndresës së gjatë dhe  luftës së përgjakshme. Pra, z. Buzhala, është një studiues i thellësive  shpirtërore dhe i ndjenjave të pastra njerëzor.

Me zotësi e përgjegjësi ka lëvruar thellë aspekte psikologjike e historike për të dhënë gjithë mundin dhe dijen e tij prej një pene me vlera të rralla.

Nga ky këndvështrim e kam lexuar, kuptuar e shijuar përherë veprimtarinë e  këtij krijuesi me renome brenda e jashtë vendit tonë. Nga opusi i tij i gjerë shtrohen si kritere dëshirash tematikat gjithëpërfshirëse nga jeta dhe ngjarjet e përjetuara nga ky popull me plot vuajtje.

I tillë është edhe libri më i ri me ”tregime me pak fjalë,” e që në realitet, janë rrëfime poetike që burojnë nga ndjeshmëri e mendimeve të thella nga autori Prend Buzhala, janë epikurante ndjesitë e  thellësive shpirtërore. Fillim e mbarim, ky libër me këto lloje tregimesh të shkurta, karakterizohet me një elegancë përshkrimi ku trajtohet jeta e njeriut nëpër kohë e situata, duke përdorur një stil modest e kuptimplotë nga një krijues me përvojë në prozë e poezi, e në esencë, jep mesazhe të fuqishme, për jetën njerëzore. “Më në fund, jeta më mësoi që frutat e hidhura aq shumë u dashka shijuar për të parë të duhurën në jetë, për ta kuptuar se ç‘është e vërteta”. Me këtë thënie autori i librit “Zërat jashtë vetvetes”, dëshmon se e njeh bukur filozofinë e jetës së popullit të vet dhe rrugën kalivareve të historisë shumëvjeçare, nëpërkëmbjeve të pushtuesve të pamëshirshëm  gjithmonë.

Brumosja e këtij libri me fije të holla të filozofisë dhe dijës krijuese, vjen si rezultat i një përfshirje të gjerë nga i gjithë spektri filozofisë së  popullit nëpër shekuj, një begati historike, trashëguar nga mitologjia, duke përfshi edhe përrallat me shkathtësinë e fantazisë. Një këso ndërthurje vjen si forcë intelektuale nga Prend Buzhala, i cili edhe njëherë, si gjithnjë, vë në pah aftësinë personale të njohurive gjithëpërfshirëse në lëmin e filozofisë letrare si shkencë.

Nga ky këndvështrim, Prend Buzhala, në këto “tregime me pak fjalë,” pra proza poetike, determinon ose përimton mrekullueshëm edhe aspektin e traditës e trashëgimisë popullore ndër breza, si imanente e kulturës, e vetëqenies sonë kombëtare.

Të gjitha tregimet e përfshira në librin “Zërat jashtë vetvetes”, në 134 faqe, meritojnë trajtesë të veçantë për faktin se nga secili rrëfim mësojmë një diçka të re, fitojmë një porosi për jetën si rezultate të një kohe ose kohëve të kaluara.

Është veçori në këtë rast e këtyre tregimeve ku bie në sy talenti e mjeshtëria krijuese, duke përballur kohën me kohë, për të nxjerrë konkludimet e bëmave e të pa bëmave në situata relevante kohore.

I pakalueshëm është tregimi “Vetëm rrëfimi i fundit ishte i drejtë,” ku autori me imagjinatën krijuese, na paraqet një kohë, apo secilën kohë të sundimeve absurde, ku gjithmonë bëhen shkelje apo nëpërkëmbje të masës (klasës) së ulët njerëzore. Dialogu mes të verbrit dhe sakatit prekë palcën e mos durimit dhe paraqet sekuencën e mllefit absolut ndaj të padrejtave në një shoqëri. Mjafton të kuptojmë këtë aspekt të interpretimit metaforik nga i verbëri-sakatit në dhomën e qëndrimit, kur pyetet nga sakati, çfarë vërejte në qytet: ”bukuritë e qytetit, krismat e armëve pas secilës vrasje që ndodhte, sirenat e policisë, lypësit e qytetit, njerëz bjerraditës, të papunë si krushq të një dasme...”. Ndërsa, sallat parlamentare dhe bankat, ishin spitale ku shëroheshin të sëmuret-përfundonte rrëfimin i verbëri me sakatin.

Komenti lidhur me peshën dhe rëndësinë e të rrëfyerit artistik në këtë “tregim me pak fjalë,” siç i quan autori, mendoj se është i tepërt, kur  mesazhi i shëmtisë së një klase sunduese është vënë në koherencën e një shoqërie.

E cekëm më lartë se të gjitha tregimet nga ky libër me vlerë, meritojnë analizë të veçantë për arsyen e rëndësisë artistike në brendinë e librit. Megjithatë, i pakalueshëm është tregimi “Shënime për një fyell të humbur”, i cili është mjaft sinjifikativ, përmbajtjesor, aktual dhe filozofik.

Lexuesi, do shtronte pyetjen: Cila është saga e fyellit të humbur dhe mesazhi që pason? Ose: një sarkazëm e fortë e aktuale e kohës

Prend Buzhala, i librit “Zërat jashtë vetvetes,” jo vetëm se depërton thellë në problematiken e gjithëmbarshme të popullit të tij, por edhe më tej se vetvetja, prezanton psikologjinë, ndjeshmërinë për gjërat e trashëgimisë dhe përjetimet e hidhura gjatë rrugëtimit tonë historik. Për më shumë, bie fjala, ”Shënimi për një fyell të humbur”, jo vetëm se trajton atë vegël frymore si pjesë të traditës e kulturës sonë me shekuj, por thekson edhe xhelozinë për ta pasur e ruajtur si instrument që nga Ilirët, përmes të cilit këndoheshin këngët më të bukura të dashurisë e jo vetëm. Përmes një ekzagjerimi, rrëfim artistik-letrar, tregon sagën e humbjes së fyellit, diku në plazhet e bregdetit kroat dhe gjetjen e të njëjtit në muzeun e Austrisë, pas shumë e shumë vitesh. Jo pa shkas, autori i librit, Prend Buzhala, imagjinon gjetjen e fyellit në këtë muze. Me këtë metaforë, ndërton mendimin alegorik mbi shoqërinë për mosinteresimin e ruajtjeve të gjërave (veglave me rëndësi historike për traditën tonë), si rasti me lahutën, të cilën e përvetësuan serbët si të tyre. Dialogu me personelin e muzeut në Vjenë,  kur i thotë pronarit të fyellit, se “tash po e kuptoj arsyen se si e keni humbë lahutën”, prezanton një alegori të fortë dhe mesazh të denjë për pushtetarin tonë e jo vetëm, për mos vigjilencën që kemi ndaj kulturës dhe traditave tona shekullore.

Marrë si tërësi, libri më i ri i Prend Buzhalës, ”Zërat jashtë vetvetes”, trajton tema të larmishme, të gjithëmbarshme të jetës sonë, duke u nisur nga ajo e sociales, rrugëtimeve plot sakrifica, përmes sfidave të papara, deri tek liria e fituar me mund e gjak të madh. Nuk ka ndonjë segment të jetës që nuk është trajtuar përmes kësaj vepre letrare, që për mendimin  tim, përbën vlera të pakontestueshme në fushën e artit letrar. Çdo fitore me sakrifica të mëdha, duhet të ruhet me kujdes të veçantë. Vetëm realiteti e bënë një vepër të madhe, të qëndrueshme, jetëgjatë dhe të lexueshme, duke lënë pas vetës mesazhe për brezat në vijim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora