E enjte, 28.03.2024, 04:18 PM (GMT)

Kulturë

Armela Hysi: Artistja dhe piktorja Amantia Rrokaj

E diele, 18.07.2021, 11:37 AM


Brikena Qama dhe Amantia Rrokaj

Artistja dhe piktorja Amantia Rrokaj

Nga Armela Hysi

Kushdo që njeh ndopak historinë e lashtë të gadishullit tonë njeh dhe qendrën e banuar të Amantias, një organizim politiko-shoqëror e kulturor ilir, zanafillat e detajeve historike të së cilës datojnë përreth shekullit të pestë para erës sonë. Por ky shkrim i përkushtohet një perëndeshe të kohës sonë, me emrin e lashtë Amantia, një artisteje të re, piktore dhe krijuese e arteve vizive, atu e së cilës është krijimtaria me materiale të ricikluara. Këto materiale të cilave Amantia Rrokaj u jep frymë dhe jetë të re, tanimë, si pjesë e kompozimeve të saj, e artit të saj dhe mishërimit të mbijetesës - që merr shpirt në çdo pasazh që një artist krijon - tek Amantia, kanë trajtën më thelbësore të vërtetësisë dhe simbolikën më të lartë.

Këto shënime siç i përjetova këto dy ditët e fundit, do të mund t’i ndaja në tri nën pjesë; tre stacione të vogla me peshën reale të jetës... Ndërsa telefonova në mëngjesin e së enjtes poeten Brikena Qama dhe e ndjeva se qe e prekur emocionalisht, pyetjes sime për gjendjen e saj momentale, iu gjegj me një tjetër pyetje: - A të kam folur për Amantian? – Pikërisht këtu nisi prezantimi im me Amantiën dhe artin e saj të ndriçuar e fuqidhënës. Brikena ka veshur bukur me tekstet paraqitëse e artikujt përkatës ekspozitën që Amantia zhvilloi me mbështetje të Swiss-Albania Event në shtatorin e kaluar, dhe po kështu ekspozitën e re që do të marrë jetë në Sarandën e kaltër, rreth datave 25 korrik – 10 gusht në ambientet e Bar-Restorant “Limani”, afishet informatike të cilës kanë qarkulluar tashmë në rrjetet sociale. Po kështu si poete u frymëzua për të shkruar një nga poezitë më të bukura të saj, kushtuar Amantia Rrokajt duke e titulluar “Tango në kavalet” dhe gërshetuar kështu dy pasionet e mëdha të Amantiës. Titull që pagëzoi me atë rast dhe vetë ekspozitën në fjalë. Një histori suksesi, pra,  me shumë komponentë frytdhënës dhe emërues të përbashkët: artin...

Por le të flasim pak për Amantia Rrokajn: nënë e grua e përkushtuar. Bashkë me bashkëshortin e saj krijuan një familje të ngrohtë me tre fëmijë që rrisin me dashuri. Prindër emigrantë në Athinë. Familjarë të devotshëm. Studimet dhe në vazhdim profesioni i saj në vite kanë pasur subjekt stomatologjinë dhe më konkretisht mbulimin teknik të mjeteve përbërëse... veçse, ja: që të njihnim si publik emërtimin Ami Art, art-nënshkrimi me të cilin Amantia debuton përpara publikut me pikturat e krijimet e saj plot talent e fantazi, do të duhej (si përherë tek arti i vërtetë) pak më shumë dhimbje njerëzore... Sakrifikim për hyjë hokatarë, trill i jetës, apo thjesht një histori njerëzore? Kjo e fundit padyshim. Veçse të thjeshtë a të ndërlikuar në kompleksin tonë njerëzor, na bënë përherë dhe sigurisht, reagimi me të cilin vendosim të përzgjedhim vazhdimësinë e udhës sonë gjatë peripecive që ofron jeta. Diku mes identitetit vetjak, jetës, familjes, punës, emigrimit dhe ekuilibrimit të secilës e të gjitha statuseve bashkë, atëherë kur mendohej se të tërë drejtimet kanë krijuar procesin e tyre të shëndetshëm të evoluimit, në vend të lundrimit të qetë në ullukët e parashtruar të jetës, vjen një diagnozë e rrallë, Parkinson, veçanërisht për moshën e re të Amantiës. Një vorbull tufanike që rrëmben këdo që e provon, dhe edhe nëse zbret ndonjëherë njeriun, këtë e bënë befas e në territore të panjohura, të pa hartografuara, ndoshta rrëqethëse. Intervista e Amantiës në ABC News Albania, dëfton me qetësinë e saj karakteristike e befasuese karakterin fisnik të kësaj heroine të ditës së sotme dhe të gjithë atyre që e mbështesin dhe ndihmojnë, familjes së vet në radhë të parë, siç dëfton dhe mrekullinë e jetës përballë fatit të pajustifikueshëm. Një Frida Kahlo e ditëve tona, që edhe pse s’besojmë dot sigurisht në ri-mishërimin e njerëzve, (përpos deklaratës mitike me të cilën Frida u largua nga kjo botë që shprehte më së miri dëshirën për të mos ardhur më kurrë) besojmë dhe njohim me mallëngjim ri-mishërimin e artit dhe talentit. Amantia e sotme e mëse gjysmë shekulli më pas, vizaton dhe kompozon me belbëzima pasazhesh të kaluara riciklimi, ri dhuron jetë dhe ngjyra objektesh që kanë ndryshuar strukturë e buzëqeshje, për të veshur tanimë atë të Amantiës. Dhe të gjithë adhuruesit e artit viziv një çast meditimi e shijimi personal e kolektiv.

Prandaj stacioni i tretë i këtij shkrimi dhe kësaj historie na jep një biletë për udhëtim me trenin e dashurisë njerëzore dhe kjo është ajo fuqi dhe ajo fitore që askush e asnjë sëmundje nuk mund t’ia shkul Amantia Rrokajt dhe gjithë ç’ajo personifikon në një shoqëri të çartur si kjo e jona sot. Të gjitha e secila nga punimet që ftoheni të shijoni dhe përvetësoni në ekspozitën e re të artistes, janë një copëz shpirti që ajo e fal kur dhimbjet e trupit janë të padurueshme. Sepse me anë të artit shpresat marrin në dorë drejtimin, me kurajë, në vend të dëshpërimit. Teksa një mrekulli e vogël lind, t’i bashkohet mrekullisë së madhe të artit, që Krijuesi fal tek njerëzit tej kodit gjenetik që fal tek çdo gjallesë, duke dhuruar më të epërmen e vetive të tij. Blini ose porositni nga interneti një nga punimet e Amantia Rrokajt për të parë dritën e saj, dhe do të keni një copë shkëlqimi të syve të saj t’u jap kurajë për jetën. Mbi vdekjen nuk ka fituar asnjë qenie biologjike, por mbi jetën të gjithë ata shpirtra që gjejnë kurajën të vallëzojnë mes furtunës më të rëndë të jetës së tyre, të mësojnë tangon që ndrojtja shoqërore ua mohoi gjer atëherë, të vizatojnë syrin e ciklonit, madje t’i japin ngjyrën e syve të tyre, duke e çarmatosur e dobësuar fuqinë e tij, për të gjithë njerëzimin... Kjo është historia e vogël e Amantias, historia e madhe e njerëzimit. Historia me të cilën ftohemi t’i vëmë një epilog të mrekullueshëm të gjithë ne.


Armela Hysi

Athinë

Korrik 2021



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora