Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilia S. Karanxha: Arti rilindas në Romë, Papati dhe Skënderbeu

| E marte, 13.07.2021, 09:00 PM |


ARTI RILINDAS NË ROMË, PAPATI DHE SKËNDERBEU

NGA ILIA S. KARANXHA

Në kontekstin e ngjarjeve të kohës  një aspekt mjaft i veçanë është  pozicionimi i Skënderbeut edhe si mbrojtës i fesë kristiane e në mënyrë të veçantë asaj katolike ku tek papët e Romës shikonte aleatët e tij më natyralë. Ndërsa papati nga ana e vet, aq të interesuar për luftën e përgjithshme kundra ekspansionit turk, tek Skënderbeu gjetën një kampionin të  vërtetë të mbrojtjes së kristianizmit.

Nuk ishte aspak e rastësishme që  në këtë periudhë në artin rilindas evropian figura e Shën Gjergjit që luftonte  e mposhte  kuçedrën u bë   mbizotëruese e në të njëjtën kohë  edhe shumë  popullore. Për grafistin e shquar gjarman Hans Burgkmaier(1473 - 1531), që na paraqet më 1507 një figurë përgjithësuese të luftëtarit kristian, e quan atë: “Divus-Georgius-Christianorum-Militum-Propugnator”. Tërheq vëmëndjen në këtë emërtim afërsia  me emërtimet   që papët i veshën Skënderbeut e që për një rastësi të çuditëshme të rrethanave edhe ai quhej Gjergj. Sado e pazakontë dhe e çuditëshme që mund të duket edhe lufta e madhe e Skënderbeut si mbrojtës i lirisë e i kristianizmit mbarte në vetvehte brënda saj edhe elementin si mbrojtës i kulturës e artit  rilindas  ku Selia e Shënjtë dhe papati ishin promotorët kryesorë të saj.

Lidhur ngushtë me këtë mëndësi të kohës nuk bën përjashtim as humanisti ynë Marin Beçikemi  i cili aty rreth vitit 1511 e njoftonte  mikun e tij të afërm Giovanni Britaniko se ishte  duke  përfunduar «një histori kristiane në 33 kapituj që së shpejti do të shikonte dritën e botimit» ( tres & triginita Christianae Historiae libros, qui brevi in lucem prodibunt). Lidhur ngushtë me këtë mentalitet do të paraqitej edhe ballina e veprës e porositur  gjithashtu  nga  humanisti ynë. Në rastin tonë konkret  nuk kemi  tamam  shën Gjergjin por  shënjtorin analog  shën Mihalin që gjithashtu lufton e fiton  kundra të keqes  i cili ishte i adhuruar edhe nga vetë Skënderbeu. Në këtë rast bëhet fjalë për variantin e shkurtuar të historisë së Skënderbeut e cila pas vdekjes të Marin Beçikemit u ble nga familja Engjëlli (Angeli) në Venedik dhe pas publikimit të saj 17-18 herë,  më 1584 u shpall po nga familja Engjëlli si një vepër e Dhimitër Frankut vdekur aty rreth vitit 1524.

Ballina e  veprës Christianae Historiae… të cilën e ka përmëndur Marin Beçikemi

Kontaktet e para të Skënderbeut me papatin e Romës sipas F. Nolit,  i cili  merr  nga Lavardin, i shikojnë  qysh kurr Skënderbeu ishte akoma nën urdhërat e sulltanit gjë e cila është e vështirë të provohet  për mungesë dokumentash.  Sidoqoftë pas disfatës turke në Nish (3 nëntor 1443) dhe mbas fitores të shkëlqyer të Skënderbeut në betejën e Torviollit, e para fitore e shqiptarve nën udhëheqjen e tij, mardhënjet mes Selisë së Shënjtë dhe Skënderbeut fillojnë të zyrtarizohen dhe nuk u ndërprenë asnjëherë deri në momentet e fundit të jetës së tij.  Duke lënë pjesërisht mënjanë aspektet historiografike të këtyre mardhënieve dhe vlerën e tyre në luftën e popullit shqiptar,  do të përpiqemi të gjurmojmë elementët  që kanë  influencuar në aspektin artistik edhe në ambientin shqiptar.

Mbas disfatës së rëndë të mbretit Ladislao në Varnë (10 nëntor 1444) e vdekjes të tij u mbyll në një formë të vajtueshme nisma e papës Eugjenio IV për luftën kundra turqve. Pa kaluar akoma një vit nga kjo ngjarje e trishtueshme për papën, Skënderbeu korri një tjetër fitore të shkëlqyer kundra turqve në Dibër (10 tetor 1445),  dhe  kjo ngjarje ishte si një fill i ri shprese në planet e papës për kryqëzatën e re i cili nxitovi t’i dërgojë Skënderbeut uratat e tij duke e çmuar jashtë mase këtë: “kampion të ri të mbrojtjes të Kryqit”.

Papa Eugenio IV

Në vazhdim të këtyre ngjarjeve papa Eugenio IV dërgon përfaqësuesit e tij në Shqipëri për të stabilizuar  më mirë mardhëniet dipllomatike me Skënderbeun. Në të njëjtën kohë edhe mbreti Alfonso i Napolit entusiast për fitoret e Skënderbeut angazhohet  të dërgojë përfaqësuesin e vet për t'i shprehur mirënjohjet e tij. Pritja e parë me gjithë nderimet e rastit të këtyre përfaqësuesve u bë në Durrës në fillim të janarit 1446. Nga pala shqiptare kishin dalë t'i prisnin kryepeshkopi i Antivarit dhe i Durrësit si dhe klerikë të tjerë të lartë të shoqëruar nga  një trupë kalorsish. Gjithë delegacioni u drejtua për në Krujë ku Skënderbeu i priti me nderime të mëdha e në kthimin e tyre i mbushi me dhurata.

Vizitat e kortezisë të karakterit dipllomatik nuk munguan as nga pala shqiptare dhe me këtë rast Skëndërbeu dërgon në Napoli kont Uranin e Zakaria Gropa ndërsa tek papa Eugjenio IV në Romë po për këtë qëllim shkuan Peshkopi Pietro Perlati e At Paolo Kuçia. Ç’do delegacion ambasadorësh kishte me vete 4 flamuj turq e plaçkë lufte të marra armikut por edhe  dhurata të tjera.

Këto ngjarje,  vizitat e dërgatës të papës dhe miqësia me mbretin Alfonso të Napolit, u festuan në Shqipëri me hare të madhe. Ishte një moment historik kur hidheshin themelet e lidhjeve të Skëndërbeut me Perëndimin pra hapat e para zyrtare të një njohje reciproke nga të dyja palët. Por duke lënë mënjanë edhe këtu seriozitetin e ceremonive diplomatike e bujarinë e Skëndërbeut del çështja e aspektit figurativ e folklorik të zhvillimt të tyre të cilat jo vetëm që do të paraqiteshin me të gjithë rëndësinë që e lypte rasti por edhe jo më poshtë se ato që zhvilloheshin në vëndet e tjera.

Mungojnë dokumentat për karakterin e dhuratave që u shkëmbyen por vështirë të mendohet se ato nuk kishin diçka që t’i lidhte me artin rilindas. Duke mos konsideruar dhurimin e plaçkës të luftës, që mbarte  materialisht simbolikën e fitimtarit, shumë interesant do të ishte fakti i karakterit të dhuratave që dolën nga vetë Skënderbeu për  mbretin Alfonso e në mënyrë të veçantë për Papa Eugjenin IV në këtë moment të parë të këtyre lidhjeve dipllomatike.

Shijet e ndjenjat artistike ekstravagante të Papa Eugjenios IV ishin të njohura e të jashtëzakonshme. Mitra papale që ai i porositi Lorenco Ghibertit(1378-1455) – thotë Pastori-  duhej të kishte qënë një mrekulli e vërtetë madhështie e me efekte të mahnitëshme ngjyrash. U përdorën për realizimin e saj 15 libbre arr, perla dhe gurë të çmuar për një peshë prej 5 libbre e gjysëm me shëmbëlltyrat në reliev të Jezu Krishtit, Shën Mërisë dhe ëngjëjsh; medalione e buste të vogla të evangjelistëve e kurorat e ëngjëjve e bënin akoma më të çmuar. Kjo mitrë do t’i shërbente papës si simbol i kthimit në katoliçizëm të kishës përçarse të Orientit e cila nuk u konkretizua deri në fund.  Papa Eugjenio IV i kishte porositur skluptorit Filarete të realizonte një nga portat prej bronxi në Shën Pietër me shumë motive fetare e mitollogjike. Në këtë kohë u ndërtuan shumë kisha në Romë u sistemua pjaca e Pantheonit ku u gjetën objekte arkeologjike me vlera të mëdhaja. Miniaturisti francez Giovani Faquet, Donatello dhe Vitore Pisanello punuan nën urdhërat e Papa Eugjenit IV. Pra dhe shkëmbimi i dhuratave me Skëndërbeun nuk mund të ishte jashtë këtij mentaliteti rilindas  dhe në përputhje me aritjet më të shquara në artin e kohës.   Le të kujtojmë me këtë rast se miti i dashurisë të  Ledas me mjelmen që tregohet në librin  e VI të veprës Metamorfosi të Publio Ovidi Nasone (43 pra Krishtit –  18 pas Krishtit  )  dokumentohet edhe në vulën e unazës (sigillo annullare ) të Skënderbeut qysh  nga  mezi i  shek.  XV. Pra  një legjende e famëshme e antikitetit që u  bë më pas dominante  në fund të këtij shekulli në artin rilindas Italian dhe me gjërë pavarsisht nga censuara kishtare. Piktorët më të famshëm të kohës nga  Leonardo da Vinci,  Michelangelo Buonoarroti,   Jacopo Tintoretto, tek piktori francez François Boucher  e shumë të tjerë deri në kohët moderne me  Sdalvador Dalli,  e trajtuan këtë legjende me variacione të ndryshme  në veprat e tyre të artit.

Imazhi i Ledas në vulën sekrete të Skënderbeut

Më 23 shkurt 1447 Papa Eugjenio IV mbyll jetën në Romë pas një papati tepër të trazuar e me shumë kundërshtarë. Në vënd të tij zgjidhet më 4 mars papa i ri Tomazo Parentuçeli, ish peshkop i Bolonjës, me emrin Nikolla i V (1447-1455). Historiani K. Frashëri e minimizon ndihmën e këtij pape për Skënderbeun vetëm në 5000 dukatë që përmënden në një letër të kardinalit Karvajal. Në të njëjtën kohë gabon kur e quan  se ai ishte i pari papë që vendosi mardhënje dipllomatike me Skënderbeun kur një gjë të tillë e kishte bërë para tij papa Eugjenio IV me anën e emërimit si nunc apostolik në Shqipëri të Mons. Paganino peshkop i Ulqinit.

Papa Nikolla i V

Janë të njohura gjithshtu cilësimet e vlerësimet e shquara të Papa Nikollës  V për Skënderbeun por siç na informon studiuesi A. Serra është injoruar gati nga të gjithë historianët fakti i një tjetër vlerësmi madhor që ky papë i bëri Skënderbeut kur morri vesh fitoren e shkëlqyer të Heroit tonë  më 27 shtator 1447 kundra trupave të Mustafa pashës. Sapo lajmi arriti në Romë papa Nikolla V e shpalli Gjergj Kastriotin “kampion i krishtërimit” dhe e propozoj në shtetet e federuara si komandantin e ri të Lidhjes antiturke. Nuk munguan ndihmat e tij gjatë rrethimit të parë të Krujës e sidomos me anë e shpalljes të bollës (urdhërit papal), ku njëlloj si gjatë vitit jubilar(1450), ju njihej çfaqësim i plotë nga gjynahet të gjithë atyre që me të holla ose personalisht do të ndihmonin Skënderbeun. Nuk janë më pak të rëndësishme ndërhyrjet e tij energjike për ta paqësuar Paolo e Nikiolla Dukagjinin me Skënderbeun(25 tetor 1452) apo kundra synimeve shkëputëse të disa klerikëve të lartë që kishin kërkuar mbrojtje nën umbrellën turke. Nevojat e Skënderbeut që luftonte perandorinë më të fuqishme të kohës kuptohet ishin shumë më të mëdha nga ato ç'mundi t’i ofronte papa Nikolla i V me gjithë predispozicionin e mirë të tij e vëmëndjen e madhe drejt ngjarjeve arbërore. Ngjarja më e jashtëzakonshme gjatë papatit të Nikolla V ishte rënja e Konstandinopojës në duart e turqve gjë që tronditi gjithë botën e krishterë. Ishte ky papë që dha kushtrimin në gjithë shtetet evropoane për fillimin e një kryqezate kundra ekspasionit oroman.  Mbas kësaj ngjarje kemi vizitën e parë të Skënderbeut si në Napoli tek Alfonsi V po ashtu edhe në Romë tek papa.

Këtë moment mund ta konsiderojmë si një  nga rastet me të përshtatëshme  e më të mundshme ku mund të  jetë realizuar portreti i tij   “al naturale”. Në këtë vit Skënderbeu ishte gati pesëdhjet vjet por edhe portreti në kodi i ashtuqojtur i Fenesteles na paraqet një  Skënderbe afër kësaj  moshe… nderkohë nuk duhet injoruar krejt edhe mundësia e realizimit të një portreti të Skënderbeut në Krujë kur nga mbreteria e Napolit apo nga papati mbritën delegacionet e para për  ta uruar e për ti shprehur mirënjohjen për fitoret dhe për luftën e madhe qe ai kishte nisur kundra armikut më të madh të kristianizmit…Është me se normale të mendohet që Papa ose vetë mbreti Alfons do të kishin një minimum  kurioziteti  që të dinin se kush ishte dhe  si dukej  ky luftëtar që ishte shpallur  «kampion i krishtërimit»

Portreti i Skënderbeut  në minjaturë

Kodi dorëshkrim,  i ashtu qojtur  kodi i Fenestellës, që përmban portretin e Skënderbeut, ruhet sot në Harvard University dhe mban  datën  5 nëntor 1465.  Praktikisht  kopje e një kodi prarendes    u realizua për intresat e dëshirat  bibliofile të Gherardo Maffei (1408 – 16.X.1466) i cili i shërbeu me shumë  devocion katër papëve duke nisur aktivitetin e vet qysh  nga Papa Eugjenio e deri tek Papa Pio II.  Ai ka qënë  një  bashkëmoshatar me Skënderbeun dhe i mirë informuar për atë që ngjiste në Shqipëri por edhe pjesmarës në të gjitha aktivitetet e Selisë së Shënjtë në raport me Skënderbeun. Në shënjë mirënjohje dhe vleresimi të punës së Maffei-t më  21 mars 1468  papa Paolo II emërton scriptor apostolicus  të birin e tij  Raffaele Maffei Volteranon(1451-1522) ,  pra gati 2 muaj pasi kishte vdekur Skënderbeu,  duke zënë kështu vëndin e të jatit të tij  Gherardo

Lidhjen e kodit tonë me familjen Maffei e ka bërë  Stan  Knight  i cili ka venë re   se kodi ynë ishte pjesë e kodit Saturnalia në ballinë të së cilës gjendet stema  familjare e Maffei-ve.  Kështu  meqënëse të dyja kodet janë identikë e të shkrojtur nga i njëjti shkrues e në të njëjtin vit  lindi ideja se  edhe kodi ynë që është datuar më 1465 duhet  t'i jetë  dedikuar të jatit të Volterano-s.  Duke u nisur nga këto premisa    minjaturën e  f. 1r të  kodit Saturnalia  ne duhet të shikojmë  Gherado Maffei të cilit i dhurohet kodi dorëshkrim nga një murg i Urdhërit Domenikan i njohur ndryshe edhe si Urdhëri i Murgjërve (ose Vëllezërve) Predikatorë (Ordo praedicatorum) pikërisht  ajo kategori murgjish  që u impenjuan më shumë në nxitjen e kryqëzatës.

Gerardo  Maffei mer kodin nga një murg domenikan

Nga faktet e mësipërme del qartë se  kemi të bëjmë me  një familje të  angazhuar në postet kyçe në kurien Romane  e cila  ishte gati vazhdimisht e informuar për atë që ndodhte në Ballkan e në Shqipëri. Është pikërisht  Raffaele Maffei ai që na komunikon  në veprën e vet Commentarii (Komentarët-1506)  se Skënderbeu pasi u kthye nga Roma...thuhet se vdiq i helmatisiur. Për më tepër në shkrimet e tij ndjehet atmosfera e një njohje nga afër e familjeve fisnike shqiptare të dëbura nga turqit dhe të vendosura në Romë. Në mënyrë të veçantë ai  përmënd  të vëllanë e Donikës,  Costandin Arianitin  të cilin Maffei  e njihte shumë mirë  e nuk  kursehet të shprehë konsideratat më të larta për atë.

Në botimet e ribotimet gjermane të Historisë  së Skënderbeut si plotësim i historisë  të Beçikemit (ndryshe Barletit) shtohej gati gjithmonë edhe shkrimi i Volteranos për Skënderbeun i cili tregonte  gjithashtu një respekt të madh për heroin tonë kur shkruan se...qe një burrë që pa pikë dyshimi, ishte një pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emrin Aleksandër.

Duke u kthyer tek hipoteza e një portretizimi të Skënderbeut gjatë fronëzimit të Papa Nikollës  V duhet të kemi parasysh  edhe mendimin umanist si dhe zhvillimet artistike gjatë qëndrimit të këtij pape në krye të Selisë së Shënjtë  të cilat morën një hov të ri. Mendimi bazë e më fisnik i tij ishte ta shndronte Vatikanin në një qëndër të reflektimit kulturor në mbarë botën. Për këtë u vetëshpall si kryetar i Humanizmit e Rilindjes Evropiane. Kërkoi që të favorizoheshin studimet dhe artet. I kushtoj një vëmëndje të veçantë restaurimeve të veprave fetare e profane. Mblodhi rreth vehtes artistët më të zotë të kohës si Leon Batista Alberti, Viturvio fiorentinin, piktorin Frate Anxheliko, Piero della Françeska, Benedeto Buonfiglio, Andrea del Castagno etj. Pasioni më i madh i tij ishte mbledhja e kodeve më të vjetër e kur nuk kishte mundësi t’i blente, për të cilat nuk kurrsente kurrë të hollat, një grup shkruesish, intelektualë të shquar të kohës të qojtur ndryshe librarii , ishin gjithmonë gati t’i kopjonin ato për papën. Për gjetjen e këtyre kodeve papa Nikolla V dërgonte emisarë nga të katër anët e botës por më shumë në viset e Greqisë e nuk është për të përjashtuar mundësia e kalimit të tyre edhe në trojet shqiptare, maqedone e epirote si qëndra me një kulturë të lashtë kishtare. Në bazë të mbledhjes të këtyre kodeve e me pasionin e tij të zjartë për dijet umane ai hodhi themelet e bibliotekës Vatikane e cila sipas koncepteve të tij duhej të ishte e hapur për të gjithë. Thuhet se ariti të mbledhë të paktën deri në 5000 kode me një shpenzim total prej 40.000 skudesh floriri. Papa Nikollës V i atribuohen gjithashtu meritat e lulëzimit të arteve të reja të dekoracionit e të arteve të vogla siç ishin ajo e tapesterisë dhe e zbukurimit të paisjeve kishtare të shënjta. Gjithçka që duhej t’i shërbente kultit duhej të ishte e bukur, e çmuar dhe e denjë me të vërtetë për të qënë Hyjnore. Kështu portretizimin e Skënderbeut brenda këtij ambjenti kultural e artistik  mund ta quajmè një realitet gati-gati  të pa mohueshëm.

Aty nga mezi i muajit mars të vitit 1455 vdes papa Nikolla i V dhe vëndin e tij e zë kardinali spanjoll Alfonso Borxhia i prezantuar me emrin Papa Kalisto III (1455-1458). Nga ky papë me gjithë moshën e kaluar, afër të 80-ve, është i mirënjohur zelli i tij i jashtëzakonshëm me të cilën ju përvesh dhe u betua për realizimin e Kryqëzatës kundra ekspasionit turk. Qysh në momentet e para, më shumë se parardhësit e tjerë, ai pati vlerësimet më të shquara për Skëndërbenë si një luftëtar i paepur në mbrojtje të krishtërimit si: vero athleta et propugnator nominis christiani apo fortissimo Christi athletae.

Papa Kalisto III

Ndër  letrat  që papa Calisti III i dëgonte Skënderbeut mund të lexohet :

Ne, o  bir i dashur gjthmonë kemi pasur një opinjon shumë të  mirët  për fisnikërinë tënde dhe e dimë se me çfarë ngulmim dhe se sa timirëshit në ato anë pothuajse i vetëm ti i je kundervenë Turqve shumë mizorë që përpiqen nëpërmjet  shtigjeve të vendeve të tua të depertojnë për të dëmtuar dhe  shtypur  besimtarët e  Krishtit; nuk është aspak e vogël  lavdija jote mes katolikëve, që  është bëre e shkëlqyer  nga gjithë ato beteja të mëdha  nga të cilat vazhdon të  dalësh  fitimtar. Për këtë të  nxitim  jo vetëm që të  vazhdosh të  ruash gjithmonë  kurajon tënde antike në mbrojtjen e fese së vërtetë por edhe ta shumëfishosh atë në mënyrën më të kulluar...Në fakt për trimërinë tënde të shquar dhe për veprat tënde të paharueshme , gjithmonë të konsiderojmë në shkallën më të lartë  si më i flakti  i besimit dhe i fesë së krishterë, mbi të gjithë princat  katolikë...Ti ndërkohë  vazhdo me  shpirt    lartë e të qëndrueshëm   e kujtoju mbi fitoret tënde të shkëlqyera dhe për lavdërimet, të cilat me lavdi të plotë e të përsosur  kudo që janë katolikët  janë festuar me lavdërime të mëdhaja, por ato do të arrijnë shkallën më të lartë ne se Fisnikërija Jote  nuk   thyhet nga  gjithë  ai tërbim e sulm i armiqve të egër, por ke rrojtur vlerat dhe kurajon tënde pa e humbur  besimin. Askush në fakt nuk ka mbetur aq i paditur  sa mos të  ngrere  deri në qiell me lëvdata të mëdha dhe të mos flasë për Fisnikërinë Tënde si një atlet i vertetë dhe mbrojtës i emrit kristian...Kemi vendosur të mos flasim shumë këtu për dashurinë tonë drejt teje,  në fakt sa do e madhe qoftë ajo, dëshërojmë të ta tregojmë me fakte...(vazhdon të flasë për ndihmat) ..Mbetet fakt që përkushtimi Juaj,  me të njëjtin qëndrueshmëri e trimëri, si një kalorës i pamposhtur dhe atlet i Krishtit,   në mënyrën më burrërore përballon sulmet…

Ndërsa  duke i shkrojtur Mbretit Alfonso të  Aragonës  do t’i thotë : E kemi kuptuar se me  sa  dashuri na rekomandon birin e dashur Fisnikun Skënderbe Zotin e Shqipërisë, i cili nga ana jonë ëshë jashtë mase i pëlqyer,  megjithëse për vullnetin tonë, për virtytet e  veprat e tij të shquara, për të cilat vleresohet në shkallën më të lartë jo vetëm përpara  nesh, por  edhe përpara gjithë  krishtërimit, jemi  bashkuar me atë në një lidhje dashurie që më shume se kaq nuk mund të bëhet. Shikojmë në fakt  që ai pothuajse i vetëm i kundërvihet me furi  turqve shumë të eger si një mur shumë i fortë që ju mbyll atyre hyrjet që të mos vërshojnë  kundra krishtërimit, as i injorojmë se sa shkatërime  ka pësuar ai dhe nënshtetasit e tij...

Të tilla vleresime  papa Callisto nuk i kishte shprehur  për asnjë nga princat  evropianë.

Në këtë periudhë, një fakt anësor në lidhje me artin, shënohet interesimi i papa Kalisto III për restaurimin e katedrales të Shën Nikollës në Lezhë por edhe lëshimin e indulgjencave (çfajësimeve) nga gjynahet për të gjithë ata që do ta vizitonin. Rasti duket mjaft  interesant mbasi thuhet se restaurimi i saj u bë me dëshirën e Skënderbeut. Nuk gjetëm gjithë materialet për të kuptuar se kush e bëri dhe në se restaurimi pati karakter thjesht arqitektonik apo edhe ikonografik. Sido që të jetë njërëz të artit duhen të jenë afruar me këtë rast në Lezhë por besoj edhe në Krujë. Këto vite përkojnë edhe me periudhën kur Skëndërbeut i lindi i biri, trashëgimtari i tij i ligjshëm, e ceremoni pagëzimi e festime të vogla apo të mëdha nuk ka si të mos jenë bërë.

Thirjet e zjarrta të Papa Kalistos III për një kryqëzatë kundra përparimeve të ushtërive otomane patën pak jehonë në oborret princore të Evropës të cilët ishin në luftra e konflikte të vazhdueshme midis tyre. Përpjekja e fundit e tij për një kongres në Romë mes fuqive evropiane ndërsa turqit po shtinin në dorë gjithë Morenë e Afrikën nuk pati asnjë rezultat. Më 6 gusht 1458 ai vdes dhe u varos në katedralen e Shën Pjetërit.

Vdekja e këtij pape nuk shojti mentalitetin brenda Selisë së Shënjtë për një luftë të përgjithëshme të kristianizmit kundra zgjerimit islamist otoman. Pasardhësi i tij Enea Silvio Picolmini i zgjedhur papë me emrin Pio II (3 shtator 1458 - 14 gusht 1464) me të njëjtin intensitet e pasion të Kalistos të III ju përvesh punës për realizimin praktik të kësaj ideje. Mes delegazioneve që shkuan ta uronin Papa Pio II për zgjedhjen e tij në krye të kishës katolike shënohen edhe Dukagjinasit të cilët në një formë të veçantë u mbajtën në bashkëbisedime me kardinal Besarion(1395 - 1472). Për stabilizimin e gjëndjes së rëndë politike në Shqipëri në këtë periudhë ndërhyrja e Papës për pajtimin e Dukagjinasve me Skënderbeun ishte vendimtare. Nga ky moment edhe lidhjet e Skënderbeut me Papa Pio II nuk u shkëputën për asnjë çast dhe Papa ishte gjithmonë i mirëinformuar për gjithçka që ndodhte në oborrin princor të Skëndërbeut duke u përpjekur gjithmonë të influenconte në dobi të tij e të luftës së madhe që ai bënte.

Papa Piu II

E kësaj periudhe është paqja e Skënderbeut me Turqit të cilën Papa nuk e priti aq mirë. Dalja e Skëndërbeut në Itali në mbrojtje të Ferantes I për trashëgiminë e fronit mbretëror të Napolit, vizita e mëparshme në Raguza, e lufta në Itali, kthimi në Shqipëri e paqja me Venecianët (20 gusht 1463), angazhimet e  Skënderbeut për Kryqëzatën e ethëshme që po pregatiste vetë Papa dhe një vizitë e dytë më 1464 në Napoli e bënë atë akoma më të famshëm  në Itali dhe në Evropë.

Duke shmangur trajtesën historiografike e të gjitha ngjarjeve të kësaj periudhë, të cilat ku më shumë e ku më pak gjejnë vënd në literaturën kastriotiane, në një linjë anësore në disa momente kyçe munt të gjurmojmë (e të supozojmë) kontaktet e mundëshme e manifestimet e Skëndërbeut me botën e artit rilindas. Në pranverë të vitit 1460 në oborrin e Skënderbeut vijnë delegatët e mbretit  Ferante të Napolit, që t’i luten për ndihmë e për t’i treguar mbi situatën tepër të vështirë në të cilën gjendej mbreti i tyre. Kërkesa për këtë ndihmë i vijnë Skënderbeut edhe nga të dërguarit e papës. Kështu për një obligim të karakterit moral  Skënderbeu filloj të bëjë hapat e para në këtë drejtim me qënë se situata e Shqipërisë nuk i lejonte një pjesmarje të menjëhershme. Tratativat për paqen me Turqinë shkonin përpara shumë ngadalë.  Në shtator të vitit 1460 dërgohet një kontigjent i parë i një trupe shqiptarësh në Itali dhe në gusht të vitit 1461 mbasi kishte sistemuar në një farë mënyre situatën e brëndëshme edhe Skënderbeu niset për në Itali. Etapa e parë është një vizitë e shkurtër në republikën e Raguza (gusht 1461) ku, për shkak edhe të ndërhyrjes të Pio II, ju bë një pritje madhështore, u firmosën akorde të bashkëpunimit me të cilat veç Venedikut edhe Raguza angazhohej të vigjilonte mbi Shqipërinë gjatë mungesës së tij. Më 25 gusht zbarkon në Itali e mer pjesë në mënyrë të rrufeshme ndër luftimet të cilat siç dihet sollën përmbysjen e situatës në favor të Mbretit Ferante. E kësaj periudhë është letra që ai shkëmben me princin e Tarantos  ku manifestohen pikpamjet e ndjenjat rilindase të Skëndërbeut.

Jo më pak të rëndësishme janë vizitat e ceremonitë ne Raguza që u shoqërua edhe nga një tjetër gjatë rrugës të kthimit (shkurt 1462). Akoma më e rëndësishme nga pikpamja ceremoniale duhet të ketë qënë vizita e Skënderbeut në mars-prill 1464 në Itali. Në Napoli, ai merr në dorëzim si dhuratë nga mbreti dy feude Monte Sant-Angelo e San Giovanni Rotondo në Pulie si dhe angazhimin për tributin vjetor prej 1200 dukatësh të akorduara nga mbreti. Më 14 prill 1464 i paraqet nderimet e obligimet feudale mbretit Ferante I. Shënimi i mbretit në lidhje me 'shpenzimet e Skëndërbeut' që folëm më lart jep pak informacion se përse munt të jenë përdorur këto të holla. Pavarsisht nga ky fakt, kjo vizitë në Itali ne krahasim me atë të mëparshmet më 1453 e më 1461 paraqitej më pak e tensionuar për Skëndërbeun dhe më ceremoniale. Ato në oborrin e Ferantes në Napoli nuk munt të jenë zhvilluar pa solemnitetin që impnonte koha e rregullat e oborrit por edhe momenti historik i betimit për besnikëri feudale. Zgjedhja e veshjeve, mënyra e paraqitjes, shkëmbimi i dhuratave, nderimet reciproke e gjithë proçedura ceremoniale mbartnin secila në vet vete simbolikën e artit rilindas. Për rëndësinë historike të ngjarjes ky moment munt të kishte qënë edhe një tjetër rast ideal kur munt të jetë bërë një portret mbi Skënderbeun. Portretizimi i Alfonsit V më pas Ferantes I e pasqyrimi i ngjarjeve që lidheshin me mbretërimin e tyre ishin detyra të përditëshme të piktorve, sklutorve e arqitektëve të pallatit. Skënderbeu ishte një pjesë e historisë së tyre e vështirë të mendohet se rasti u injorua.

Në këtë periudhë është sugjeruar edhe një vizitë në Romë “ad conspectum Pontificis” (në prezencë të Papës) Në këtë vizitë ai ishte i shoqëruar nga kryepeshkopi Pal Engjëlli por para tij dy delegacione të tjera të dërguar po nga Skëndërbeu kishin kapërxyer pragun e Shën Pjetrit pët t’u takuar me Papën Pio II. Ngjarjet e mëtejshme karakterizohen nga dy fitore të tjera të shkëlqyera të Skënderbeut në Shqipëri (gusht 1464) dhe pritjet e ethëshme e shpresëmëdhaja të fillimit të kryqëzatës të cilat në verën e këtij viti dukej se ishin vënë të gjitha në vijë që të mernin rrugën e Ballkanit e të Shqipërisë. Në konçistorin e 23 shtatorit 1463 Pio II deklaronte:

“Nuk na pëlqen të dëgjohet e thëna: Nisuni! Ndoshta tingëllom më bukur thirja: Ajdeni! Prandaj vendosëm të zbresim në fushë të luftës kundra Turqve e t’i ftojmë me shëmbullin dhe fjalën tonë princat e krishterë që të na ndjekin. Ndoshta, duke parë Atin e mësuesin e tyre, papën roman, zëvëndësin e Krishtit, plak dhe të sëmurë, të niset për në luftë, do të turpërohen të qëndrojnë në shtëpitë...E dimë që ndërmarja është shumë e rëndë për moshën tonë dhe ballafaqohemi me vdekjen pothuajse të sigurtë, por as e refuzojmë. Lemë gjithçka në dorë të Zotit! U bëftë vullneti i Tij! Një herë kemi për të vdekur nuk ka rëndësi se ku munt të ngjasë kjo, mjaft që të vdesim mirë”.

Skënderbeut në gjithë këto përgatitje mbarë evropiane  në planet e zhvillimit të luftimeve i ishte rezervuar një pozitë e rangut të parë. Sipas humanistit tonë Marin Beçikemi (alias Barleti), familja e të cilit ishte e lidhur me atë të Skënderbeut, pritej gjithashtu që do të shpallej edhe mbret i gjithë Shqipërisë ndërsa Pal Engjëlli kardinal. Jo të gjithë studiuesit janë dakord me këto zhvillime të prespekektivës për shkak të mungesës të dokumentave e pronuncimeve zyrtare  mirëpo në këtë rast fjala e humanistit tonë nuk ka qënë një legjende qytetare .

Më 18 maj 1464 papa Pio II, i dërmuar  nga sëmundja, largohet nga Roma, për të mos u kthyer më aty, e merr rrugën për Ankona ku do të priteshe bashkimi i ushtërive,  princave evropianë dhe flota venedikase për tu nisur për në  Raguza e Durrës që  ishin projektuar si dy pikat e para të zbarkimit. Mbas një pritje agonizante më 12 gusht në portin e Ankonës aritën dymbëdhjetë anije treremëshe të Venetikut për t’u bashkuar me pjesën tjetër të flotës. Pothuajse gjithçka që munt të bëhej ishte bërë. Kuptohet jo aq sa mendonte e dëshëronte Papa Pio II dhe sa ishte e domozdoshme për një ndërmarje të tillë. Por në këto momente Papa jetonte orët e fundit të jetës së tij. Kur anijet u dukën të hyjnë në portin e Ankonës, të pritura me aq padurim, me pikëllimin më të madh ai tha: “Deri tani më mungonte flota për t’u nisur, e tani jam unë që mungoj në flota”.

Tablloja e  Pinturichios  mbi  momentet e fundit të Papa Piu II  (1505 -1507)

Natën e  14 gushtit 1464 duke u gdhirë 15 gushti  ai vdes e bashkë me atë si vesa e mëngjezit shpërbëhet edhe gjithë makina luftarake e Evropës e ngritur më këmbë me një punë titanike prej tij. Humbja e papës ishte një humbje e shgënjim i madh edhe për shqiptarët të cilët në zhvillimet e prespektivat e kryqëzatës kishin ushqyer shpresa të mëdha. Ata mbasi kishin thyer kushtet e paqes të stabilizuara më parë me sulltan Mehmetin II mbeteshin pothuajse të vetmuar në linjën e parë të luftës kundër sulmeve  otomane.

Ngjarjet  aq të trazuara të Pio II e impenjimet e tij për kryqëzatën gjetën shprehjen më të lartë artistike në tabllotë e Pinturichios.  Këto tabllo në vaj gjenden akoma sot në ish-Bibliotekën e papës  bashkangjitur me katedralen e Sienës.  Gjatë papatit të Pio II zhvillimi i arteteve e kulturës umaniste pati në mbarë Evropën një shtytje të re që reflektovi mjaft edhe mbas vdekjes së tij. Këto zhvillime të reja të kulturës evropiane të lidhura me emrin e Enea Silvio Pikolmint kanë qënë gjithmonë bile edhe së fundi objekt studimesh në nivel akademik në qytete të rëndësishme të Italisë.  Ka mendime mes studiuesve se Perikopea e Ungjillit sipas Matheut e përkthyer nga greqishtje në shqip t’i takojë shek XV. Në këtë rast rilindja shqiptare e periudhës kastriotiane ka një argument më shumë pra një tentativë edhe në zonat e ritit orthodhoks për gjuhën amtare. Përsa i përket  ‘Formulës të pagëzimit” me pretendimet se ajo i përket vitit (1462) e shkrojtur sipas ngjasave nga kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli (1427-1469) duhet të shikohet si një krijim artificial që i përket mezit të shek. XVI më shumë si një kundervënje të vepres së Buzukut se sa një deshmi e shkrimit të shqipes në kohën e Skënderbut.

Zgjedhja e papës të ri Pietro Barbaro me origjinë nga Venetiku u bë më 30 gusht të vitit 1464 duke u prezantuar me emrin Papa Paolo II (1464-1471). Akoma pa marrë drejtimin e kishës papa i ri, kryqëtarët siç thamë më lart pothuajse ishin shpërndarë e reziku që kërcënonte Evropën jo vetëm që mbetej por bëhej edhe më i madh për derisa këta kundështarë ishin kaq të pavendosur e të përçarë. Ideja e kryqëzatës me një ton më të ulët kaloi edhe tek papa Paolo II por realizimi i saj si gjithmonë ndeshte në indeferentizmin, kontradiktat e rivalitetet mes oborreve princore italiane dhe atyre evropiane.

10- Papa Paolo II

Për Shqipërinë e shqiptarët periudha 1464-1468 e më tej shënon momentin kulmor të një ndeshje goliardike ku drejt saj tani fillon të lëvizë gjithë perandoria  turke me gjithë potencialin e saj njerzor e militar. Në rrethimet e Krujës mer pjesë vetë sulltani. Reziku që paraqiste një strateg i tipit të Skëndërbeut në një koalicion të ri evropian për ekzistencën e Perandorisë Otomane ishte konkret e nuk kishte si të mos perceptohej kjo e keqe nga Mehmeti i II. Pra lufta e sulltanit në këtë periudhë për shuarjen e qendresës shqiptare mbarte brenda saj edhe këtë element të ri.

Pak më shumë se 14 mijë burra- shkruan e arsyeton Cutolo- ishin vënë nën armë për të përballuar goditjen e një prej ushtërive më të fuqishme të kohës që kishte shkelur ndonjëherë ato toka dhe Evropa nuk arrinte të kuptonte që ai garnizon mbronte mbarë Krishtërimin kundra Islamizmit.”

Papa Paolo II që kuptonte vështirësinë e situatës u përpoq të influenconte  në favor të Skënderbeut. Në Romë e në Itali arinin lajme alarmante mbi situatën ballkanike e shpesh edhe të rema të cilat rritnin ankthin ndër popullsitë e gadishullit.  Mbritja e dytë e Skënderbeut  në Romë më 12 dhjetor 1466 ishte një moment solemn dhe në këtë vizitë  ju bë në Romë portretizimi i fundit  i cili në shënjë nderimi të perjetshm u vendos në pallati ku ai bujti në dhjetor 1467 -janar 1468.   Krahas mikpritjes Skënderbeu  hasi kësaj rradhe  edhe kundërshtimet e intrigat që iu bënë pikërisht nga venedikasit e në mënyrë të veçantë, nga Paolo Contarini, përfaqësuesi i tyre pranë papës. Sipas relacioneve  të diplomatëve milanezë mësojmë se"..venedikasit flasin vetëm keq për Skënderbeun, thonë se është më turk se turqit. Disa nga këta venedikas në këtë oborr pëshpëritnin se ka ardhur edhe si informator dhe spiun i turqve.."   Kthimi i Skënderbeut në Shqipëri për shkak të këtyre intrigave nuk ishte aspak entusiast edhe pse më pas papa Paolo II nuk mungoj t`i dërgonte ndihma.

Duke mbyllur këtë argument mund të themi se kontaktet e Skëndërbeut me Selinë e Shënjtë u zhvilluan në një moment kur artet, kultura e mentalitetet e reja humaniste kishin hyrë në një fazë të plotë lulëzimi. Skëndërbeu e pasuesit e tij i përjetuan aktivisht këto zhvillime të urtësisë njerzore por reflektimi i tyre në truallin shqiptar, për shkaqe që dihen, mbeti më shumë një dëshirë se sa realitet.

Romanshorn (Svizzera ) 9.VII.2021

Papa Paolo II