| E diele, 11.07.2021, 06:47 PM |
Arsyeja e vërtetë e vajtimit të pareciprokuar të liderëve politikë të Kosovës për Srebrenicën
Nga
Kastriot Myftaraj
Ditën
e sotme të gjithë liderët politikë të Kosovës, si ata në pushtet dhe ata në
opozitë janë bashkuar në një vajtim për Srebrenicën. Ata janë vënë në garë me
njëri-tjetrin për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur pikëllimin e tyre.
E kjo gjë më sjell ndërmend atë anekdotën, sipas së cilës burrat e një
familjeje me njerëz të mangët nga trutë shkuan për të pame, si thuhet në
Kosovë, pra në një pritje mortore, në një familje burrat e së cilës nuk i
kishin respektuar duke iu shkuar për të pame kur të parëve iu kishte vdekur
babai. E kam ditur që do të kishte ardhur për të pame për babën tim, por e
pengoi qeni i vet që lehte në oborr, thonte djali i madh i familjes së
parespektuar për të vdekurin për të cilin tani kishte shkuar për të pame. Aq
shumë e shprehën pikëllimin e tyre të ardhurit e papritur, saqë ata u bënë për
fshatin objekt talljeje të përzier me keqardhje.
A
e mendojnë sadopak liderët politikë të Kosovës sesi kuptohet nga bota vajtimi
në Kosovë për Srebrenicën dhe rezoluta e pak ditëve më parë e Kuvendit të
Kosovës për të, kur Bosnjë-Herzegovina nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as është
paraqitur (nuk them “miratuar”) ndonjë rezolutë në Kuvendin e
Bosnjë-Herzegovinës për dënimin në mos të gjenocidit serb në Kosovë, së paku të
krimeve serbe atje? Kosova u bë vendi i parë në botë që dënon gjenocidin e
ndodhur në një shtet që nuk e njeh atë si shtet të pavarur dhe që nuk ka
shprehur të njëjtën gjë për gjenicidin e ndodhur në shtetin tjetër, pra në
Kosovë, nga e njëjta forcë, serbët!!!
Arsyetimi
se boshnjakët muslimanë do ta kishin njohur Kosovën, si dhe do ta kishin dënuar
me rezolutë gjenocidin serb në Kosovë, por i pengojnë serbët e
Bosnjë-Herzegovinës, nuk duket më bindës se arsyetimi i pengimit nga qeni i
shtëpisë tënde që leh në oborr, për të shkuar për të pame në një mort në
katund.
Deputetët
boshnjakë muslimanë do të kishin paraqitur në Kuvendin e Bosnjë-Herzegovinës
një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pastaj le të mos miratohej
për shkak të kundërshtimit të serbëve. Deputetët boshnjakë muslimanë ia kishin
dhe ia kanë këtë detyrim Kosovës sepse në Kosovë njihet minoriteti boshnjak,
madje boshnjakët kanë edhe ulëse të rezervuara në Kuvend dhe
zëvendëskryeministrja e Kosovës është një boshnjake. Fakti që nuk e kanë bërë
këtë gjë është domethënës.
Sigurisht
që nuk pritet as që deputetët boshnjakë muslimanë në Kuvendin e
Bosnjë-Herzegovinës të tregojnë sadopak mirënjohjeje pas rezolutës së Kuvendit
të Kosovës për Srebrenicën dhe të reagojnë duke paraqitur në Kuvendin e
Bosnjë-Herzegovinës një rezolutë ku të kërkohet dënimi, në mos i gjenocidit, së paku i krimeve të
Serbisë në Kosovë. E di që kjo rezolutë nuk do të miratohej dot për shkak të
kundërshtimit të serbëve të Bosnjë-Herzegovinës. Por le ta bënin boshnjakët
muslimanë si akt mirënjohjeje. Nuk do ta bëjnë as këtë dhe kjo është
domethënëse. Edhe në Kuvendin e Kosovës ka serbë të cilët nuk pajtoheshin me
rezolutën prandaj nuk morën pjesë në votim. Madje ironikisht atyre iu bashkuan
edhe disa deputetë muslimanë sllavishtfolës.
Nuk
vlen as arsyetimi se qëndrimi i pareciprokuar ndaj gjenocidit serb në Bosnjë
është në interes të Kosovës sepse kështu nxitet dënimi i gjenocidit serb në
Kosovë. E kundërta është e vërtetë. Bota do të thotë se kur gjenocidin në
Kosovë nuk e njohin as boshnjakët të cilët ju po i respektoni kaq shumë si
viktima të gjenocidit serb, përse duhet të merremi ne me këtë gjë.
Sjellja
e liderëve politikë të Kosovës me vajtimin e pareciprokuar për Srebrenicën
tregon se në vetëdijen e tyre është ngulitur thellë në mendjen e tyre.
Shpjegimin më të të saktë e kam gjetur në fjalët e politikani islamik
shqipfolës të Kosovës, i cili në një bisedë në Tiranë më ka thënë një herë se
boshnjakët janë muslimanë më të mirë se shqiptarët e Kosovës prandaj ne
(shqiptarët e Kosovës) nuk duhet të presim nga ata që të dënojnë gjenocidin
serb në Kosovë apo që të tregojnë vullnetin e tyre për njohjen e pavarësisë së
Kosovës. Nëse duam që boshnjakët të sillen me reciprocitet me ne, vazhdoi ai,
duhet që të bëhemi muslimanë të mirë sa ata.
Nuk
gjej dot shpjegim më bindës. Liderët politikë të Kosovës sot po vajtojnë për
Srebrenicën jo si shqiptarë por si muslimanë shqipfolës.