E shtune, 18.09.2021, 05:20 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Arsyeja e vërtetë e vajtimit të pareciprokuar të liderëve politikë të Kosovës për Srebrenicën

E diele, 11.07.2021, 06:47 PM


Arsyeja e vërtetë e vajtimit të pareciprokuar të liderëve politikë të Kosovës për Srebrenicën

Nga Kastriot Myftaraj

Ditën e sotme të gjithë liderët politikë të Kosovës, si ata në pushtet dhe ata në opozitë janë bashkuar në një vajtim për Srebrenicën. Ata janë vënë në garë me njëri-tjetrin për të gjetur fjalët e duhura për të shprehur pikëllimin e tyre. E kjo gjë më sjell ndërmend atë anekdotën, sipas së cilës burrat e një familjeje me njerëz të mangët nga trutë shkuan për të pame, si thuhet në Kosovë, pra në një pritje mortore, në një familje burrat e së cilës nuk i kishin respektuar duke iu shkuar për të pame kur të parëve iu kishte vdekur babai. E kam ditur që do të kishte ardhur për të pame për babën tim, por e pengoi qeni i vet që lehte në oborr, thonte djali i madh i familjes së parespektuar për të vdekurin për të cilin tani kishte shkuar për të pame. Aq shumë e shprehën pikëllimin e tyre të ardhurit e papritur, saqë ata u bënë për fshatin objekt talljeje të përzier me keqardhje.

A e mendojnë sadopak liderët politikë të Kosovës sesi kuptohet nga bota vajtimi në Kosovë për Srebrenicën dhe rezoluta e pak ditëve më parë e Kuvendit të Kosovës për të, kur Bosnjë-Herzegovina nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as është paraqitur (nuk them “miratuar”) ndonjë rezolutë në Kuvendin e Bosnjë-Herzegovinës për dënimin në mos të gjenocidit serb në Kosovë, së paku të krimeve serbe atje? Kosova u bë vendi i parë në botë që dënon gjenocidin e ndodhur në një shtet që nuk e njeh atë si shtet të pavarur dhe që nuk ka shprehur të njëjtën gjë për gjenicidin e ndodhur në shtetin tjetër, pra në Kosovë, nga e njëjta forcë, serbët!!!

Arsyetimi se boshnjakët muslimanë do ta kishin njohur Kosovën, si dhe do ta kishin dënuar me rezolutë gjenocidin serb në Kosovë, por i pengojnë serbët e Bosnjë-Herzegovinës, nuk duket më bindës se arsyetimi i pengimit nga qeni i shtëpisë tënde që leh në oborr, për të shkuar për të pame në një mort në katund.

Deputetët boshnjakë muslimanë do të kishin paraqitur në Kuvendin e Bosnjë-Herzegovinës një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe pastaj le të mos miratohej për shkak të kundërshtimit të serbëve. Deputetët boshnjakë muslimanë ia kishin dhe ia kanë këtë detyrim Kosovës sepse në Kosovë njihet minoriteti boshnjak, madje boshnjakët kanë edhe ulëse të rezervuara në Kuvend dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës është një boshnjake. Fakti që nuk e kanë bërë këtë gjë është domethënës.

Sigurisht që nuk pritet as që deputetët boshnjakë muslimanë në Kuvendin e Bosnjë-Herzegovinës të tregojnë sadopak mirënjohjeje pas rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Srebrenicën dhe të reagojnë duke paraqitur në Kuvendin e Bosnjë-Herzegovinës një rezolutë ku të kërkohet dënimi,  në mos i gjenocidit, së paku i krimeve të Serbisë në Kosovë. E di që kjo rezolutë nuk do të miratohej dot për shkak të kundërshtimit të serbëve të Bosnjë-Herzegovinës. Por le ta bënin boshnjakët muslimanë si akt mirënjohjeje. Nuk do ta bëjnë as këtë dhe kjo është domethënëse. Edhe në Kuvendin e Kosovës ka serbë të cilët nuk pajtoheshin me rezolutën prandaj nuk morën pjesë në votim. Madje ironikisht atyre iu bashkuan edhe disa deputetë muslimanë sllavishtfolës.

Nuk vlen as arsyetimi se qëndrimi i pareciprokuar ndaj gjenocidit serb në Bosnjë është në interes të Kosovës sepse kështu nxitet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. E kundërta është e vërtetë. Bota do të thotë se kur gjenocidin në Kosovë nuk e njohin as boshnjakët të cilët ju po i respektoni kaq shumë si viktima të gjenocidit serb, përse duhet të merremi ne me këtë gjë.

Sjellja e liderëve politikë të Kosovës me vajtimin e pareciprokuar për Srebrenicën tregon se në vetëdijen e tyre është ngulitur thellë në mendjen e tyre. Shpjegimin më të të saktë e kam gjetur në fjalët e politikani islamik shqipfolës të Kosovës, i cili në një bisedë në Tiranë më ka thënë një herë se boshnjakët janë muslimanë më të mirë se shqiptarët e Kosovës prandaj ne (shqiptarët e Kosovës) nuk duhet të presim nga ata që të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë apo që të tregojnë vullnetin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nëse duam që boshnjakët të sillen me reciprocitet me ne, vazhdoi ai, duhet që të bëhemi muslimanë të mirë sa ata.

Nuk gjej dot shpjegim më bindës. Liderët politikë të Kosovës sot po vajtojnë për Srebrenicën jo si shqiptarë por si muslimanë shqipfolës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora