E hene, 20.09.2021, 02:15 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Latifi

Blerim Latifi: Rast i pashembullt në analet e diplomacisë

E diele, 11.07.2021, 06:14 PM


Blerim Latifi:

Ministrja Gërvalla ka bërë shumë gabime prej se është vënë në krye të diplomacisë tonë. Fjalimi i saj në Këshillin e Sigurimit, ku foli për bombardimin e Beogradit nga gjermanët në vitin 1941, ishte pa sens diplomatik dhe meritonte gjithë kritikat që mori. Intervista e saj në gazetën zvicerane ku ajo foli me gjuhë të pakujdesshme për Gjykatën speciale, po ashtu ishte huqje e madhe. Qëndrimet e saj të mëhershme publike ndaj krerëve të UÇK-së, fatkeqësisht, kanë shumë ngjashmëri me ato të Beogradit dhe ajo është dashur të tërhiqet prej tyre me të marrë detyrën e ministres së jashtme. Diskursi i saj kritik ndaj Kosovës në forumet ndërkombëtare nuk përkon hiç me detyrën e saj si përfaqësuese e shtetit në ato forume. Është rast i pashembullt në analet e diplomacisë. Por, akuzat e djeshme se ajo në Forumin e Dubrovnikut e paska shfajësuar BE-në dhe e ka fajësuar Kosovën për mosliberalizimin e vizave, nuk qëndrojnë. Në fjalimin e saj nuk përmendet askund liberalizimi i vizave dhe kjo është një gabim i ministres Gërvalla. Ajo duhej ta potenconte fort këtë çështje dhe jo të merrej aq shumë me historinë e marrëveshjeve brenda Bashkimit Evropian dhe idenë e Mini-shengenit. Gjithashtu do duhej të kishte sensin e aktualitetit dhe të problematizonte faktin se aktualisht Bashkimi Evropian e ka ngrirë procesin e përfshirjes së vendeve të Ballkanit perëndimor, e jo të kënaqej me ofrimin nga BE të perspektivës abstrakte të integrimit për këto vende.

Një aspekt tjetër qesharak i përfaqësuesve tanë është se vazhdimisht në takimet ndërkombëtare flasin në emër të vendeve të Ballkanit perëndimor. Edhe në fjalimin e fundit Gërvalla e përsëriti këtë gabim qesharak.

Këshilltarët politikë nuk janë shpikur kot, por kur edhe këshilltarët politikë janë amatorë e axhaminj, gabimet politike dhe skandalet bëhen përditshmëri.

__________

Një komb i ngritur mbi filozofinë

Kur themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ulën të shkruanin kushtetutën e kombit të ri amerikan, mbi tavolinën e tyre të punës ndodheshin tri libra, nga të cilët do të merreshin idetë themelore: "Traktati i dytë mbi qeverinë civile" i filozofit anglez John Locke, "Fryma e ligjeve" e filozofit francez, Charles Montesquieu dhe "Politika" e Aristotelit. Nga Locke u mor koncepti mbi të drejtat natyrore, koncepti paraardhës i të drejtave të njeriut, dhe ideja e qeverisë së kufizuar; nga Montesquieu u mor doktrina e ndarjes së pushteteve dhe balancës midis tyre, ndërsa nga Aristoteli ideja e sundimit të ligjit.Kështu, kombi i ri, që do të përcaktonte fatet e botës moderne, po rrënjosej në truallin e filozofisë. Etërit themelues të tij ishin mendje të iluminizmit europian, filozofisë e cila përfaqësonte dhe ende përfaqëson revolucionin më të madh intelektual në historinë e njerëzimit.Superioriteti i Amerikës nuk qëndron thjesht tek fuqia ekonomike dhe ushtarake, por edhe tek vizioni i saj moral për botën, i dalë nga iluminizmi, e të cilit ende nuk i bëjnë dot konkurencë fuqitë tjera të mëdha, si Rusia e Kina.

__________

Një pjesë e madhe e mediave në Kosovë e kanë bërë shprehi që për çdo problem të kësaj shoqnie të sigurojnë konsultimin me fundamentalistët injorantë dhe, për pasojë, ta degradojnë deri në fund debatin publik, i cili, në mungesë të nivelit intelektual e kulturor, pashmangshëm kthehet në një platformë publike te helmimit të vetë shoqnisë. Secili që merr vesh sadopak nga shoqnia moderne, e di se fundamentalistët nuk janë pjesë e zgjidhjes së problemeve, por pjesë e problemeve që duhen zgjidhur.

__________

E ka thënë më shumë se një shekull më parë Robert Michels, por vlera e vështrimit të tij mbi psikologjinë e servilëve është e qëndrueshme edhe sot. Kur zgjidhet një lider i ri partie a shteti, të parët që hidhen në veprim janë servilët e puthadorët që nuk munden ta kuptojnë jetën pa një shef mbi krye. Ata të parët fillojnë ritualet e glorifikimit e ngritjes në qiell të liderit të ri, sajojnë legjenda e mite mbi të , derisa një ditë ai zgjohet në mëngjes dhe nuk e njeh më veten.Me kohë muzika e servilëve fillon t'i pëlqejë dhe një ditë ai e kupton se nuk mundet të jetojë pa të.

__________

Kurti qenka takuar në Athinë me liderin e partisë SYRIZA, Alexis Tsipras. Zyra e kryeministrit paska thënë se kanë biseduar për pandeminë. Po çfarë pandemie more.Gjëra ma të rëndësishme kanë trajtuar.Sigurtë janë shkri duke diskutu mbi sfidat globale të së majtës në luftën e saj të përjetshme me kapitalizmin.Veç Yanis Varoufakis u paska mungu aty, për t'i dhënë një ton ma radikal diskutimit marksologjik.

__________

Ja pra, kemi ardhur në këtë ditë kur duhet nënshkruar peticion qytetarësh për t'i bërë vend në Prishtinë një monumenti të Adem Jasharit. Për 22 vjet qeveritë komunale të kryeqytetit nuk e gjetën dot këtë vend.Turpi brina nuk ka! Por, një gjë dihet: lavdia e Adem Jasharit nuk ka nevojë për ne; ky shtet ka nevojë për emrin dhe lavdinë e tij!

__________

Hungarezët e vendosën Kastriotin në Budapest, ne tash duhet t'ua kthejmë nderin duke e vendosur aleatin e tij Janosh Huniadin në fushë betejën e tij në Fushën e Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora