E premte, 29.03.2024, 09:11 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (VI)

E marte, 02.12.2008, 04:19 PM


Fehmiu, Xheva dhe familja Jashari

 

Përgjithësisht, ata ishin dy njerëz të cilët emocionet e forta thuajse nuk i shfaqnin kurrë dhe nuk krijonin mite. Miqtë i  kishin të shtrenjtë, e kishin dëshmuar këtë gjatë gjithë jetës së tyre dhe, mbi këtë dëshmi, mund të mbështeteshe pa asnjë  lloj droje. Mirëpo nuk krijonin mite, ose më saktë, nuk krijonin mite të tepërta, të cilët, më pas, ndoshta do të duhej  shumë mund për t’i shkulur.

 

Njëri nga dy mitet e tyre ishte familja Jashari. Saktësisht, ishte miti i parë i tyre, tjetri lidhej me Adem Demaçin.  Askush nuk do të mund të kishte menduar, as edhe më i guximshmi, se në ato tri kulla në Prekazin e Poshtëm, bri rrugës së  vjetër, do të ngrihej një legjendë. Kishin besuar në shumëçka, pasi e gjithë ajo që ishte shkruar në treqind vite, qëkur  ishin hedhur për herë të parë themelet e vatrës së parë e deri kur historia filloi të shkruhej ndryshe, ishte një shtëpi që  ishte shquar për dinjitetin e veçantë. Kishte qenë gjithmonë diçka që e kishte mbajtur këtë shtëpi në sinoret e ngushta të  një trashëgimtari. Një djalë do të linte pas vetes gjithnjë një djalë tjetër e më pas një nip. Brez pas brezi kështu, saqë  ishte e vështirë të mos i mbaje mend brezat që kishin shkuar. Tashti kishte ardhë radha për të trefishuar vetveten, dhe kjo  do të ishte e pazakonta e parë e Fisit të Jasharëve. Kur kishte qenë vetëm një djalë nga njëri brez në tjetrin, kishin  ruajtur dinjitetin e Fisit, përkatësinë e fshatit, kishin gdhendur emrin në kujtesën e njerëzve, ndërsa tash, të tre  bashkë, ishin bërë gati të gdhendnin gjithçka në kujtesën e kombit. Ishte hera e parë që jeta u kishte dhuruar këtë mirësi  të pazakontë për ta e të natyrshme për të tjerët; trefishimin e emrit dhe kjo nuk do të ishte thjeshtë një rastësi. Si  duket, koha kishte ardhur dhe ata e kishin thirrur kohën e tyre.

 

Adem Jashari ishte njeriu që do të bënte shndërrimin e historisë së një kombi. Nëse do të kishte qenë edhe ai fillikat,  trashëgimtar i vetëm, do ta kishte pasur më vështirë, por tashmë ishin shumuar ata që mund të mbanin armët dhe ishte  përndritur ideja që kishin pasur.

 

Ata ishin nisur në këtë rrugë me mendimin e qartë, logjikën e qetë, vizionin e saktë dhe me shpresën se janë në gjendje të  ndryshojnë kahun e lëvizjes së një populli. Fehmiu e adhuronte këtë gjë, e kishte pjesë të jetës së tij; i dukej sikur  ishte shkulur diçka nga vetja për të zënë vend pranë tyre. Adem Jashari ishte caku ku duhej mbërritur, ai deshi të bëhej  një mjet për këtë cak; Jasharët ishin logjika e rendjes së gjërave, ai deshi të ishte pjesë e kësaj rendjeje; Adem Jashari  ishte saktësia e shpirtit të popullit, ai deshi të ishte një copëz e tij; mes të dyve qëndronin shumë të përbashkëta dhe  nuk kishte asnjë të ndarë. Janë në njerëzit që nuk rrinë gjatë me njëri-tjetrin, por e thërrasin në kujtesë, kur është më e  domosdoshme, vizionin e tjetrit; askush nuk mund të bënte më shumë se Jasharët për kombin e tyre, ai përulej para tyre si  përpara askujt tjetër. Jasharët besonin tek virtyti, ai ishte pjesë e këtij virtyti dhe njëkohësisht, pjesë e besimit të  tyre. Askund nuk ngjizi më shumë ideja për të ecur drejt, pa dredha, ndershmërisht dhe deri në fund.

 

Fehmiu dhe Xheva nuk e kishin fatin të ishin pranë njeriut që e kishin mit. E kishin mitizuar natyrshëm, sepse ishte i  vetmi që i faleshin. Për ata dy njerëz që nuk e njihnin as përkuljen, ishte normale të faleshe ndaj mitit të tyre. Dy  njerëz që kishin qëndruar gjithë jetën me pamjen e njerëzve që nuk e njihnin drojen, kishin një shembull që duhej ndjekur.  Ai e dinte; nëse ai vetë do të ishte bjeshkë, Jasharët do të ishin vargmalet e përjetshme të kombit. Gjithnjë një bjeshkë,  sado e lartë, është pjesë e një mali. Në këtë rast, ishte pjesë e një vargmali.

 

Megjithatë, ata patën një fat tjetër; nga varmali i atyre që jetonin në Kosovë ishte shkëputur një pjesë dhe kishte zënë  vend përkohësisht pranë vendit ku jetonin. Në të gjithë mërgimin e lodhshëm, kjo ishte një nga fatbardhësitë e tij.

 

Lidhje shumë të afërta Fehmiu krijoi me familjen Jashari, e cila banonte po ashtu në Mynih. Ai e dinte se cilët ishin ata  që po luftonin në Kosovë, e njihte prej së largu pushkën e Adem Jasharit dhe gjithë jetën e tij e kishte patur dëshirën të  luftonte krah tij. Fehmiu dhe Adem Jashari lidhjet e tyre i kishin vendosur përmes Ramizit, por edhe i kishin forcuar me  njëri-tjetrin. Duke e respektuar në gjithë përmasat e duhura familjen Jashari, ai konsideronte gjithnjë se themeli i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte fillesën e saj pikërisht në qëndresën e kësaj familjeje, në dhjetorin e vitit 1991  dhe se e ardhmja e Kosovës do të lidhej me vazhdimësinë dhe shtrirjen e luftës. Respektonte, si një vëlla të madh Rifat  Jasharin dhe ai ishte njeriu që e përcolli dy herë për në luftë.

 

- "Fehmiu fliste drejt, nuk kishte dredha", - më tregonte Rifat Jashari. "Fjalët i kishte të pakta, mirëpo fjalë burrash.  Erdhi tek unë dhe filluam. Unë atëherë thoja se do të lirohet Kosova edhe me rrugë paqësore, Fehmiu thoshte se vetëm me  luftë dhe nuk kishte rrugë tjetër. Dhe luante gishtin, sikur prekte pushkën. Haj, haj, fol unë e fol ai, shkoi bukur gjatë,  por ai nuk hiqte dorë nga e tija. "Pushka i qan hallet, qarja i shton hallet", më thoshte. Unë, në fillim doja të besoja në  lëvizjen paqësore, Fehmiu besonte tek pushka. Ai kishte pasur të drejtë. Ai u bë si vëllai ynë i katërt. Dua të them diçka.  Ndoshta e di e ndoshta, jo. Kur ndodhi lufta në Prekaz (ai nuk e përmend rënien e njerëzve, sepse e mban brenda vetes) nuk  kam derdhur lotë. Ndërsa kur u vra Fehmiu, atëherë po. Nuk e di as vetë se si ndodhi kështu, por kështu ishte".

 

(Ndërsa ai fliste, më është kujtuar Ilaz Sokoli, i ati i një martiri tjetër, i Bedri Sokolit, që ishte në ballin e  demonstruesve të lëvizjeve të mëdha të nëntorit të vitit 1989. Më është kujtuar sepse edhe ai ka thënë të njëjtën gjë: - Më  është dhimbur djali, por jo aq sa Fehmi Lladrovci. Më shumë më është dridhur shpirti për Fehmiun dhe Xhevën.)

 

Duke pasur të shenjtë këtë Familje të madhe, mes tyre ai do të kishte idhujt e tij. Ademin dhe Hamzën. Njeri i  drejtpërdrejtë, siç ishte gjithëherë, ai nuk mund të heshtte kur edhe gurzit më të vegjël mund të rrokulliseshin mbi ta,  lëre pastaj kur mund të ishte fjala për gurët e mëdhenj.

 

"Një herë, më tregon Bekim Jashari, kur ishte pa ndodh ngjarja e marsit, kishte ardhë tek na një kushëri i largët bashkë me  një shok të tij. Nuk e di pse kishte ardhë, i kishte ra rruga andejpari apo kishte ndonjë hall. Ishin ba aksionet e UÇK-së  dhe njerëzit flisnin për to. Mirëpo dikush edhe i kishte sha djemtë. Njeriu që kishte ardhur me kushëririn e largët, si  duket kishte dëgjue vetëm me njerin vesh dhe po thotë se "hajt mor se ka gja prej këtyre punëve. E kush po mundet sot me ia  kthye pushkën serbit, lojë e tyne është kjo".

 

Ne ishim në shtëpinë tonë dhe nuk mund t'ia kthenim. Ishte edhe baca Fehë me Xhevën. Fehmiu duroi pak dhe iu kthye:

 

"A e din mor mik se në shtëpinë e kujt je? A e di se me kë po flet? Njeriu me të cilin po flet i ka dy vëllezër në UÇK. I  ka dy vëllezër dhe gjithë shtëpinë e farefisin. Mati fjalët mik, se nuk e ke mirë dhe tash të dalin hesapet gabim".

 

Dëshira e jetës së Fehmiut ishte të qëndronte krah Adem Jasharit. Të ishte pushkë pranë pushkës së tij, dhe ky njeri që  kurrë nuk kishte vënë asgjë mbi veten veç Kosovës, tani do të vendosë edhe njeriun, që kishte vendosë t'i dalë zot asaj. Më  ka takuar një herë, në shtëpinë e tij, kur ai sapo ishte kthyer nga Shqipëria, të shoh disa nga fotografitë e para të  Grupit të Drenicës. Më vonë, ato fotografi u bënë të njohura. Nuk njihja askënd, me përjashtim të Ilaz Kodrës, isha  përhumbur duke i parë ata burra të armatosur dhe dëgjova zërin e Fehmiut që më thoshte:

 

"Qe bacë, kush janë burra, këta janë ata që i dalin zot Kosovës, e sa për të tjerët, tash e shohim, koha i vërteton të  gjitha".

 

Edhe Jasharët kanë pasur nderimin e veçantë për të.

 

E kam vënë re shpeshherë Lulëzimin, birin e Ademit, se si i ndriste fytyra kur vinte tek ata baca Fehë apo kur fliste për  të dhe për Xhevën. Ishte ndjenja e respektit për vlerat e këtyre njerëzve, të cilët kurrë nuk kishin ditur të ndalen.

 

Një herë, kur Fehmiu dhe Xheva nuk ishin më mes nesh, ndërsa po flisnim me Lulin për vitet që kishin jetuar në një qytet me  Fehmiun, ai më pat thënë krejt thjesht: "Bali Adem e ka dashtë shumë bacën Fehë. Nuk ka kurrë burrë më trim e besnik  thoshte". Baca Fehë ka folë të njëjtat fjalë, si ka hyrë në vitin 1976, ato fjalë i ka folë edhe kur ka ra në burg, ato  fjalë i ka folë edhe kur është kthye në Kosovë, ato fjalë i ka folë edhe kur ka vdekë. Ai ka pasë principet e preme, të  sakta, nuk ka pa se mos i preket kush, por i ka shprehë principet e veta saktësisht".

 

Murat Jashari:

 

"Baca Adem ka pasë besim shumë të madh prej tij, deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Lufta në Kosovë ka pasë  shumë gjëra pozitive, por edhe negative. Në atë rast, kur kanë ardhë njerëzit tek bali Adem dhe i kanë thanë mos e prano  Fehmiun, kanë qenë negative. Nganjëherë ne i lartësojmë njerëzit vetëm kur vdesin, baca Fehë është njohtë për i tillë, qysh  kur ka qenë gjallë. Për familjen tonë ai ka qenë si Hamza, si Rifati, si Ademi, ka qenë një vëlla i tyre, një mixhë i joni.  Im atë, Rifati, nuk ka qa kur i është vrarë familja, por e kam parë tek qante kur është vrarë Fehmiu dhe Xheva.

 

Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë normale, edhe diplomatë, politikanë; por që t’i ketë këto të dyja një njeri, edhe  luftëtar, edhe politikan e diplomat, ato, në këtë luftë, i ka pasë veç Fehmi Lladrovci. Fatin e kishte edhe tek  bashkëshortja e tij, Xheva, që ishte edhe bashkëluftëtare e tij.

 

Baca Fehë ka qenë pjesëtar i familjes sonë. Pa qenë vëlla, nuk mund të thuhet se vetëm vdekja më ndan prej tij..."

 

Gjithë jetën e tyre, Fehmiu dhe Xheva kishin menduar dhe ëndërruar që familjet e luftës, familjet atdhetare, të ishin të  lidhura fort me njëra-tjetrën. Kishte qenë një ndër synimet e jetës së tij. Kishte qenë gjithnjë i bindur se Lisi i  Familjes JASHARI ishte i tillë që nuk mund të shkulej.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora