Mendime
Enver Bytyçi: Pse Greqia do ta njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës?
E marte, 06.07.2021, 07:33 PM
Pse Greqia do ta njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës?
Nga
Enver Bytyçi
Ka
një histori të dyzuar dhe një eksperiencë të hidhur në marrëdhëniet midis
shqiptarëve dhe grekëve. Në shumicën e kohës në Greqi ka dominuar urrejtja ndaj
shqiptarëve, e ndërkohë në periudha të caktuara ka pasur një qasje shumë
pozitive nga ana e Athinës zyrtare. Tradicionalisht e nga pikëpamja e
sentimentit grekët janë më shumë pro-rusë, sesa pro-perendimorë. Por
politikisht ata kanë zgjedhur gjithnjë Perendimin. Kjo sepse sponsorët kryesor
i shtetit grek ishin perendimorët, sidomos anglezët. Por edhe se trashëgimia e
vjetër greke vlerësohet si vlerë perendimore. Në këto rrethana, edhe shqiptarët
kanë mbajtur qëndrime të ekuilibruara me grekët. Madje themeluesi i shtetit
shqiptar, Ismail Qemali, hodhi idenë e krijimit të një federate ose konfederate
shqiptaro-greke.
Kur
ish-kryeministri grek, Simitis, vendosi në mars 1999 të mbështesë sulmet e
NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, dëshmoi se politika greke nuk
mund të asocohej me atë të Milosheviçit, edhe pse Radovan Karaxhiç mbante
fjalime në sheshët e Athinës e Selanikut për "miqësinë greko-serbe".
Madje thoshte se "miq të Serbisë janë Zoti në qiell dhe grekët në
tokë"! Ishte një akt i paprecedentë pjesmarrja greke në sulmet anti-serbe
të asaj kohe. Solidariteti i qeverisë greke me NATO-n nuk u mirëprit nga
shumica e opinionit qytetar, të cilët protestuan kundër bombardimeve mbi caqet
ushtarake e policore të Serbisë.
E
dyzuar në qëndrimet e saj, Greqia prej 13 vitesh nuk e njeh pavarësinë dhe
shtetësinë e Kosovës. Por dje ministri i Jashtëm Dendias ka dhënë sinjale të
qarta për njohjen e saj. Ai përmendi tri arsye parimore të aspektit të njohjes
së Kosovës.
Së
pari tha që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë I 22 korrikut 2010
ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare
dhe për pasojë mendimi i Dendias shkon drejt asaj se "Derisa shtetësia
është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk i mbetet Greqisë dhe shteteve
të veçanta ta gjykojnë ndryshe"! Dendias njohu vendimin e Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë e për pasojë dha argumentin themelor pse Greqia
mund ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. Kjo pikëpamje shkon krejtësisht
kundër linjave diplomatike serbe.
Së
dyti, kjo qasje e re në politikën e jashtme greke për Kosovën, sipas Dendias,
argumentohet me faktin se "ndryshe nga rasti i Qipros, Kosova nuk u bë e
pavarur nga ndërhyrja e forcave të jashtme, por për shkak të shpërbërjes së
Jugosllavisë"! Kjo parashtresë e ministrit grek të Punëve të Jashtme nuk
ishte thjesht argument për njohjen nga ana e qeverisë greke të pavarësisë së
Kosovës, por ishte gjithashtu sinjal se të njëjtën gjë do ta bënte edhe Qipro.
Sipas tij, Qipro nuk ka më arsye të paragjykojë shtetësinë e Kosoëvs. Të pranosh se "Kosova është e pavarur
për shkak të procesit të shpërbërjes ish-Jugosllavisë", d.m.th të hedhësh
poshtë tezën serbe, sipas së cilës "Kosova është pjesë e Serbisë"!
Së
treti, ministri Dendias tha në deklaratën e tij për medien greke se
"Greqia nuk mund të lejojë një vrimë të zezë në rajon", duke theksuar
se vendi i tij është për stabilitet dhe jo për cënimin e paqes. Kjo do të thotë
se mos njohja e shtetësisë së Kosovës përbën rrezik për stabilitetin rajonal.
Dhe për këtë arsye njohja e saj është kontribut për paqen. Një sinjal i tillë
nuk ka thjesht karakter politik, por edhe gjeopolitik. Koncepti se
"zgjidhja e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohja e shtetit të
Kosovës i shërben stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon e në Europë"
është themeli i qëndrimeve politike ndaj shtetësisë së Kosovës. Pranimi i këtij
koncepti nga ana e Athinës është një kontribut i padiskutueshëm për rajonin dhe
politikat europiane e të NATO-s.
Tri
argumentet e mësipërme vlerësohet se do të çojnë në njohjen e shtetësisë së
Kosovës pas 4 shtatorit 2021. E kondicionoj njohjen greke me 4 shtatorin, për
shkak se në marrëveshjen e Uashingtonit ka një klauzolë, sipas së cilës për një
vit as Serbia nuk do të lobojë kundër njohjeve të Kosovës, as Kosova nuk duhet
të bëjë përpjekje për njohje. Greqia, në përpjekje për të respektuar të drejtën
dhe marrëveshjet e tilla ndërkombëtare, do të përpiqet që njohjen e shtetësisë
dhe pavarësisë së Kosovës ta bëjë në pajtim me to. Por njohja do të ndodhë dhe
sipas meje kjo do të ndodhë në shtatorin e ardhshëm.
Njohja
e Kosovës nga ana e Greqisë e dobëson qëndrimin kundër të shteteve të tjera të
BE-së, të cilat nuk e kanë njohur atë. P.sh, detyron Qipron të ndryshojë
politikën e saj kundër Kosovës. Ndërkaq, është e ditur se Mbreti I Spanjës
është nipi i ish monarkut grek dhe për pasojë edhe Spanja do të ndryshojë
qëndrimin e saj. Ndërkaq Rumania dhe Sllovakia do të ndjeheshin në minorancë
dhe nuk mund të rezistojnë pa fund. Në fakt të tri këto shtete prej disa muajsh
po sillen ndryshe me Kosovën.
Njohja
e pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë është një sukses historik në
kontekstin europian dhe euro-atlantik, sepse kjo njohje çon në pranimin e
Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së dhe NATO-s. Pas kësaj Kosova nuk e ndjen
më nevojën për marrëveshje me njohje reciproke me Serbinë. Ajo i ka dyert e hapura
për t'u integruar në Bashkimin Europian dhe Aleancën Atlantike. Në këto kushte
do të jetë Serbia ajo që do të pranojë vullnetarisht shtetësinë e Kosovës,
sepse Beogradi do të izolohet plotësisht në rajonin ballkanik, nëse deri
atëherë nuk do të jetë në pushtet Edi Rama, i vetmi aleat pa kusht i Serbisë në
Ballkan.
Ndërkaq
ka mundësi që Dendias të hedhë hapin e njohjes së Kosovës me formulën e
respektimit të së drejtës dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë,
me qëllim që nesër, pas një vendimi të kësaj gjykate për limitimin e vijës
detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, Tirana zyrtare të mos ketë argument për ta
kundërshtuar atë vendim. D.m.th që Greqia të imponojë me të njëjtin standard
një vendim të tillë ndaj Shqipërisë. Por ky fakt, nëse qëndron, nuk e bën më
pak historik një vendim të Athinës për njohjen e shtetit e të pavarësisë së
Kosovës!