E enjte, 25.04.2024, 08:31 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano II)

E marte, 02.12.2008, 02:03 PM


 Nikollë Lesi

 

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano

 

“Anija” e Shengjinit dhe Rafti në Tiranë

 

Sapo arritëm në qytetin e Lezhës, Nano në timon si shofer e unë në vend të parë të benzit të tij na rrethuan mijëra qytetarë. Fillova të hap derën dhe në momentin që po dilja kryetari Nano më tha “Futu brenda! Do të vijë unë të të hap derën. E, ç’është një lider partie para një lideri të shtypit të lirë !” foli duke qeshur dhe vrapoi para njërëzve për të më hapur derën. Dola i skuqur nga ky lloj sherbimi i Nanos dhe thashë me vete “Ore, mos nuk e njoh mirë këtë Nanon dhe jam gabim që e quaj një politikan mosmirënjohës?”.Turma dhe britmat nuk të linin vend të mendoje gjatë, pasi nxituam për tu futur brenda në sallën e pallatit të kulturës. Ishte gusht 2001. Pjesëmarrësit ishin të ndarë gjysëm për gjysëm; një pjesë nanoistë dhe tjetra metistë. Megjithatë Nano i hipnotizoi të dyja palët me një fjalim populist, aq sa edhe metistët u bënë me Nanon. Sulmoi qeverinë dhe kryeministrin Meta hapur e në prani të medias. Pra sulmi filloi. Kisha mbetur në kurth. Mes Nanos dhe Metës në një lojë pafund, së cilës do ti dilte tymi në KPD në e Dhjetorit 2001. Pas takimit në qytet dreka na priste tek restorant “Diella” në Kune Vainë, një vend perrallor që natyra e kishte bërë ndër shekuj, ndofta në një ditë krishtlindjesh. Gjatë drekës ishim duke trokitur gotat e para të rakisë kryetari i bashkisë Gjok Jaku, deputetët e PS së Ndrec Pema e Agustin Marku si dhe Marash Ndoka, prefekt i qarkut. Më bie telefoni. Prapë kryeministri Meta. “Si e kam kryetarin tim ?!” më pyeti Meta gjithë shpoti. Nanon e kisha në krah të majtë dhe krejt afër meje. Si finok që është e nuhati se dikush me rëndësi duhej të ishte në telefon. Unë flisja, por as Nano nuk bisedonte me njëri, pasi veshët i kishte tek biseda ime, që gjithsesi mundohesha të ishte e shkurtër. ” E ka nisur keq sulmin ai që ke në tavolinë majtas teje” ngriti zërin Meta nga ana tjetër e telefonit. Me sa duket dikush në tavolinë i kishte raportuar kryeministrit në Tiranë se kush ndodhej në drekë dhe si ishte vendosur edhe tavolina ! Për të mos e zgjatur bisedën aq shumë pasi asnjë nuk pipëtinte në tavolinë meqënëse Nano e kishte mendjen tek ajo çka komunikoja unë, atëhere iu përgjigja kryeministrit Meta : “Flasim në Tiranë. E kam anijen në det ! Kur ta ankoroj atëhere flasim “. Nuk e kisha mbyllur akoma telefonin kur kërcen kreu i tavolinës , pra Fatosi. - “ Ore paske anije në Shëngjin ti?! Me naftë, cigare apo me çfarë e ke? Unë vij të të bëj fushatë në Lezhë, kurse ti me Metën keni anijet në det ?!” bërtiti dhe e kullufiti një gotë dopio me raki. Eh, ç’rashë në sherr me këtë “anijen”, të cilën do ta sqaroj më vonë e që mbetet një histori për të qeshur sa herë e kujtoj. Nano u tërbua. Tavolina filloi të rrënohej. E qeshura e nanoistëve u zvënit. Karkalecat e pjekur nga Diella u mbetën në duar. As nuk i hanin, as nuk i ulnin në pjatë. Ndërkohë Nano i fut dhe një dopio. Erdhi në formë. Të pranishmit filluan të qeshnin nën buzë, por më parë se të qeshnin shikonin kryetarin Nano nëse qesh ai apo jo. Sapo ai rrukulliste ndonjë gotë e qeshura mbushte restorantin natyror “Diella”.

 

-“Sa anije ke në det ?” më pyet papritur zoti Nano.

 

-“Dy !”- iu përgjigja për ta mikluar.

 

“ Njërën ti dhe tjetrën unë ! e mbylli këtë histori ai pa pyetur se ç’ishte ajo puna e “anijes” që i thashë Metës në telefon. Numërova dhe sa orë duhej të mbaronte votimi . Ishte e premte. Epo, thashë edhe dy ditë duhen. I pëshpërita në vesh.

 

“Të hënën vij të takoj për anijen !”- i fola në vesh. Gazi shpërtheu. Nuk pihej më, por defrehej. Filloi kenga. Vetëm orkestër nuk kishte. Pasi kishte kaluar nja tre orë pije e ngrënie afër detit një telefon i bie kryetarit Nano.

 

“Do ta shkatërroj ! Ka për ta parë ai mut ! bërtiste e ulërinte Nano , aqsa krejt tavolina ngriu. “Diçka e madhe do të ketë ndodhur” më thotë një nanoist nga e djathta. Ndërkohë Nano ishte larguar paksa nga tavolina, por gjithsesi dëgjohej se çfarë thoshte. Nuk kishte nevojë të mbaje veshët ngrehur, pasi ai bërtiste e shante më fjalorin me të fundit. “Ore trapa ! Kush kujtoni se jam unë ! Do t’ju shkrijë. Si, si guxoni të pushoni Dhimitraq Raftin?! As nuk më rruhet për PS e as për KPD. Do t’ju q….nenat ! “ e mbylli bisedën, nuk dihet se me cilin foli dhe erdhi , rrufiti dhe një teke tjetër. U ngrit dhe iku. Ika dhe unë. Nuk kisha kaluar Fushë Krujën, pasi po mendoja se ma bëri dy herë mut fushatën e qershorit 2001. Njëherë me KQZ në në qershor kur iu telefonoi kundër meje e tani në fundkorrik dy ditë përpara votimit të përsëritur. Më ra telefoni. Ishte Nano.

 

“Mos harro anijen time ! Të pres në zyrë për pjesën që më takon !”- foli dhe pa pritur përgjigje që ti sqaroja se si ishte puna e asaj “anijes” së Lezhës e mbylli telefonin. Epo mirë, mendova në çast, ia jap unë “pjesën e anijes “ të hënën ! Në Tiranë kishte filluar sherri ende pa mbaruar rezultati final i votimeve. E majta plasi sherrin mes vetes. Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Telekomit Dhimitraq Rafti nga kryeministri Meta i vendosi skalionet në PS përballë njëri tjetrit . Kryetari i PS së nuk donte t’ia dinte më për fitore apo humbje të socialistëve. I ishte prekur njëriu i tij, zoti Rafti, njëriu i Telekomit. E diela erdhi shpejt dhe në darkë rezultati doli me diferencë të madhe për mua. Fitova. Të nesërmen, ende pa shkuar ora 9 e mengjezit, kur me merr Fatos Nano.

 

” Dua anijen time në zyrë ! Mos u vono “, dhe siç e ka për zakon të mbyll telefonin për të mos patur mundësi për ta sqaruar. Më mirë po shikoj edhe njëherë proces verbalet e qendrave të votimit të zonës, thashë me vete, se mund të na prishë prapë punë tek KQZ ja e tij. I pashë. Ishin të “blinduara”. Ndërkohë gazeta “Shekulli” kishte shpërthyer në sulm total kundër rikandidimit për kryeministër të Ilir Metës. KPD ja ishte caktuar për tu mbledhur në gusht. Skalionet në PS ishin rreshtuar për betejë. Gramoz Ruçi ishte në anën kryeministrit Meta. Edhe Dokle. Edhe plot të tjerë që sot janë diku afër Nanos. Punën e “anijes” ende nuk e kisha sqaruar me Nanon. E takova të henën , pas ditës së rivotimit në zonën time në hotel Rogner. Ishte me Malajn .

 

-“Anijen !” - ngriti zërin Nano dhe më zgjati një puro. E mora dhe iu përgjigja duke qeshur.

 

-” Anija” u kthye në bazë !”.

 

-“Ore, ç’bazë ?!- me tha -Nuk jemi tek filmi “Ballë për ballë”, por më jep pjesën time “ ngriti zërin dhe vështroi me syzet e trasha gjithë tërsellëm. ” Unë të jap mandatin e ti merr edhe anijen ! Epo kjo nuk shkon ! ” tha prapë zoti Nano, aq sa të tjerët kthyen kokën.

 

-“Anija” ishte mandati, o zoti Nano. Ma fute në qershor me Celibashin . Tani jam në molo. Jemi 1 me 1” ia ktheva dhe ula në tavolinën përballë.

 

-“Shiko, çfarë shkedhate qenka ky Lesi ! Ma futi ! Si nuk e pikasa këtë gjë që t’ia hiqja prapë mandatin tek Celibashi” iu drejtua ai Arben Malajt dhe shikoi nga unë.

 

Kaq ishte historia e “anijes” së Shengjinit.KPD ja e 20 gushtit 2001 ishte dueli i parë, tashmë publik mes Metës dhe Nanos. Malaj ishte në mes. KPD arët ishin pozicionuar. Kryetari i PS së humbi thellë. Kontradiktat dalin në publik. Beteja filloi hapur. Meta gabon në strategji. Nano sulmon dhe bën masakër mbi ministrat e qeverisë së PS së. Angjeli, Muçi e Fino nuk guxonin të hapnin televizorin në darkë në shtëpitë e tyre. Nano grushton mbi ballin e Metës, kurse ky i fundit hesht, turbullohet, tërhiqet. Kryetari i PS së shfrytëzoi mungesën e dritave elektrike, papunësinë, gjithçka që i dilte përpara. E bëri qeverinë si Senatin e Romës së lashtë para vrasjes së Jul Cezarit. Mjeshtër i madh për të sulmuar e shkatërruar gjithçka . Qeveria u kthye në një thes me miell që sa herë i binte nxirrte pluhur ! Gramoz Ruçit i përmendi se ishte veshur me fustan në vitin 1996 për të ikur nga Shqipëria nga arrestimi i Berishës dhe se i kishte pantollonat me shurrë Salarie, kur e bëri sekretar të Përgjithshëm të PS. Dokles së varfër çfarë nuk i sajoi për dhenderrin. Nano gjatë javës sulmonte e dërmonte në Shqipëri, kurse në fundjavë qetësohej në Athinë e në Korfuz. Biznesmeni i Durrësit vazhdonte të paguante për ti bërë qejfet e kryetarit të PS së, aq sa Agim Isaku dhe Dhimitraq Rafti i thonin atij se po na e merr në qafë kryetarin. Zakonisht , pasi merrte energji në Greqi kryetari Nano vinte ditën e martë dhe rrinte deri te premten. Vendi po futej në kaos politik për fajin e sherrit në mazhorancë. Opozita rrinte. Priste se çdo ti dhuronte pozita nga sherrnaja. Në nentor 2001 mua më ndodhi një sherr në hotel Rogner me një pjestar të biznesit Hasanbelliu nga Durrësi. Pushkët u bënë gati. Mënjëherë më vjen në shtëpi zoti Nano, tamam ditën që do të sulmonte në Pezë të Tiranës zotin Meta si një “fashist”. Natyrisht që e falenderova për vizitën. Donte ta shfrytëzonte politikisht. Duke u ndarë më thotë diçka në vesh.

 

-“Do ta përdorë ngjarjen tënde në Pezë sot” tha dhe iku. E plasi në Pezë. Unë isha bërë hero në Pezë nga Nano. Kaq i duhej përdorimi i ndodhisë time. Motorat gjigand të Nanos zakonisht punojnë më tërë kapacitetin në momentin kur ai është më ngushtë dhe në fund të pusit. Kur është në majë ai shkatërron vetveten. Megjithatë erdhi KPD ja e dhjetorit 2001 për të cilën nuk kam se ç’të shtoj për pjesën publike të saj. Me kërkon kryeministri Meta që të shkojë në vilën e tij për darkë. Në vilën qeveritare gjeta kryeministrin Meta, ministrat Mustafa Muçi, Anastas Angjeli, Sokol Nako, kryetarin e Bashkisë Edi Rama dhe gruan e kryeministrit Monikën. Situata ishte e akullt. Meta nuk fliste. Siç duket po mendonte dorëheqjen. Muçi e shkriu akullin .

 

-” Unë e lë postin kur të duash e si të duash. Por Nano nuk do të ndalojë këtu. Ai synon Presidencën që i mbaron Meidanit në shtator 2002”- tha Ministri Muçi. Mënjeherë reagon Angjeli.

“Ç’post të lemë ! Ne u shkrimë për këtë vend e Nano më thotë hajdut ! Jo, ore. Dhembë për dhembë do ta luftojmë. Do ti nxjerr unë llogarinë bankare që ka në Zvicër. Ma thanë ato të Bankës Botërore kur isha në Amerikë. Do t’ia çjerrë maskën atij maskarai që luan me jetën e fëmijëve të mijë ! Ne punojmë këtu, kurse ai shetit me kurva në Athinë” bërtiste Angjeli.

 

Nano, President Republike?

 

Ndërsa ministri Angjeli bënte si i përvuajtur dhe njëkohësisht si i përkushtuar për sulm ndaj kryetarit të PS së, ministri Sokol Nako rrinte i menduar dhe po priste që të mbaronte ligjëratën anti Nano ministri i Financave. Edi Rama nuk pipëtinte. I hidhte nga një sy të tërëve dhe nuk fliste. Monika na shërbente me ndonjë portokall. Anastasi akoma ligjëronte për luftë.

 

He mo Niko, më drejtohet mua Angjeli, a e meriton Tosi që t’i japim një dajak të fortë?

 

Rri o Caci se po ka mbetur tek ty lufta ka mbaruar kjo punë, por Nano ka gjetur një mënyrë perfekte dueli. Ai po prek telat e njerëzve për punën e energjisë elektrike dhe varfërinë. Ti sonte na thua kështu dhe pastaj del që këtu për të marrë në telefon Tosin. Ai e ka fituar lojën deri tani, thashë dhe prita të merrja një përgjigje nga Edi Rama, i cili ishte zvogëluar e bërë sa një grusht.

 

Po rri ore ti, m’u hakërrye Angjeli, ti i ke hapur katër dritaret e gazetës “Koha Jonë” dhe TV KOHA jep natë për natë çfarë ai dërdëllit nëpër Shqipëri.

 

Ai del e u bën sallatë ! – ngrita zërin, dhe ti rri atje e jep magazina doganore. Hajde pra, dili ti përballë dhe thuaji ato çka di për kryetarin e PS së. Dil publikisht!

 

Pse ç’jam unë, budalla ! ndërhyri Angjeli. – Ai të bën me barrë pa qenë ! Unë e di se ka dollarë në një bankë në Zvicër, se po ia merr paratë që fiton në Durrës një femër në Greqi -insistonte Angjeli- A don me tepër o Niko ? Unë pa ia marrë hakun e prindërve të mijë në Sarandë, nuk rri !”- fliste dhe shikonte Metën nëse duhej apo jo më tepër të nxirrte çka dinte.

 

Praktikisht, ai e ka fituar betejën, foli dhe doli nga meditimi Edi Rama. –“Unë po iki. Natën e mirë !

 

Edhe unë po iki zoti kryeministër, nxitoi edhe Angjeli të merrte xhaketën e të ngrihej.

 

Prit, ku shkon? ndërhyri kryeministri, i cili nuk kishte folur deri atëhere. A i deklaron dot ato çka di për Nanon publikisht? insistoi Meta.

 

Unë i di të gjitha çka bërë ai pis, tha Angjeli dhe u ul prapë në kolltuk. Problemi është se ia vlen të fusim kombin në sherr tani? Ja dola e i thashë të gjitha. A e di se ç’të bën ai?! Nano nuk ka moral e mirënjohje. Unë i dhashë 350 mijë dollarë për fushatën në maj dhe ai i mori për vete në vend që t’ia jepte partisë për fushatë . E njeh ti , zoti kryeministër, se ç’është ai? lutej ministri.

 

Sa, sa dollarë i ke dhënë? pyeta mënjëherë, pasi u trondita nga ajo çka dëgjova.

 

Ja ! E dëgjoi ky tani dhe prit kur ta nxjerrë në gazetë. Edhe kjo më duhej, thoshte dhe më shikonte në dritë të syrit ministri. Jo, ore Niko, bëra shaka me ty!

 

U largova nga vila kryeministrore dhe vrapova njëherë në gazetë. U ktheva. Një mendje më thoshte që t’u thoja gazetarëve që të dilnin me një titull: “Angjeli, 350 mijë dollarë Nanos për fushatë”, por prapë e tërhoqa. Të hedh në gjyq dhe ta mohon. E, ku i dihet Angjelit ! Tani është në këtë breg e pas një ore ta bën me dorë në anën tjetër të bregut ! Ndërkohë Viti i Ri 2002 filloi për qeverinë si pas një varrimi në Sharrë të Tiranës. Kryetari i PS së Nano e kishte bërë gati “arkivolin” për qeverinë e tij të socialistëve. Priste t’i vinte gozhdët kapakut. Mjeshtër si Nano nuk kisha parë asnjëherë në politikën shqiptare. Paradite sulmonte qeverinë e PS së dhe në darkë i çonte fjalë Berishës që të heshte sa të rrëzonte Ilir Metën. Nano një ditë i premtonte një deputeti se do ta bënte ministër Rendi dhe të nesërmen gënjente një tjetër deputet. Çorbë e bëri PS në. Një e nga një filluan t’i ikin kryeministrit Meta njerëzit e tij në janar 2002. Për postin e ministrit të Rendit Publik ishin karikuar katër deputetë të PS së. Për ministër Kulture pesë deputetë. E kështu me radhë. Secilit deputet, kur e thërriste, i thoshte gjoja në konfidencë: “Kujdes, mos i trego askujt se do të bëj ministër!”. Dhe shumica e deputetëve të PS së, afro 45 veta, kishin veshur me mendje kostumin e ministrit, ndërkohë që vetëm 18 ministri ishin gjithsejt. Hiqi katër që ishin për aleatët dhe ngeleshin 14 ministri. 45 deputetë kishte gënjyer vetëm për 14 ministri! Si të mos mjaftonte loja e Nanos në kafenenë e parlamentit, unë dhe Ben Blushi, një njeri i rrallë për nga zgjuarsia, talleshim me ndonjë deputet që kishte mbetur pa post. Ç’të bënim . Ia jepnim një “post” ne të dy sejcilit deputet nanoist ! “Na e tha Nano mbrëmë tek Piaza” thonim, ndërkohë që as nuk e kishim takuar Nanon. Veç t’i shihje deputetët e mazhorancës në sallën e kafenesë së parlamentit. Sa hynte Nano, të gjithë kthenin kokën se cilit do t’i fliste të parit. Por si mjeshtër i madh kryetari Nano shkonte sa nga njëra tavolinë në tjetrën. Diku pinte një cigare, diku një kafe, tek një tjetër grup deputetësh tregonte ndonjë barceletë me femra. Mjeshtër i papërsëritshëm. Një herë po vinte tek tavolina ku ishim unë, Blushi dhe Ilir Gjoni. “Shih, kur të na mashtrojë” tha Blushi.

 

Ç’kemi çuna? tha dhe ul duke pirë një puro. U mendove ti Lesi për atë propozimin tim?

 

Ben Blushi më hasi me këmbë poshtë tavolinës me kuptimin se “të paska propozuar dhe ty për ministër?!”.

 

Po e mendoj, iu përgjigja, duke mos dashur t’i jap shpresë për një bisedë të bërë muaj më parë tek “Piaza”, ku më kërkoi që të më blinte 51 për qind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë”, TV KOHA dhe bashkërisht të bënim një kompani mediatike që të bënte ligjin në Shqipëri.

 

Nano iku në një tavolinë tjetër. Kishte plot deputetë që prisnin një fjalë të ëmbël nga goja e Nanos. Ishte në ditët që i duheshin votat për t’ia futur përfundimisht kryeministrit Meta.

 

Ohu, ta paska futur dhe ty! Ç’ministri të ka dhënë?! ngriti zërin Blushi duke qeshur me të madhe, pasi u largua shefi i selisë rozë. Ti tallesh me të tjerët, por ta paska futur dhe ty!”. Kaq deshi Ben Blushi dhe nuk durohej më pasi sa herë e takoja qeshte me të madhe, duke më thënë “zoti ministëri X !”. Ai e njihte Nanon më mirë e me nga afër se sa unë, ndonëse isha vetë që e kisha ndihmuar kryetarin e PS së kur ishte në burgun e Bençës. Ç’t’i thoja Blushit! Që zoti Nano më ka kërkuar 51 për qind të medias “Koha Jonë” ta blinte nën emrin e dikujt tjetër? Nejse. Kështu, Nano bllokoi disa herë kryeministrin Meta për të zëvendësuar ministrat që i ishin larguar. Nuk paraqitej ai dhe as deputetët që iu kishte premtuar për ministra. As Berisha nuk vinte me deputetët e opozitës. Lojë perfekte e Nanos me Berishën në distancë. Shkoja në parlament dhe gjeja një skemë perfekte të Nanos për ta inatosur kryeministrin e tij. Njëherë desh u bë numri i nevojshëm, por erdhi deputeti Lekë Cukaj dhe i thirri që të dilnin , pasi “ i kërkonte Nano për të pirë një xhin !”. Petro Koçi ishte më katarsist se vetë ai që e ka krijuar këtë fjalë. Ai e shoqëroi me shpirt kudo kryetarin e PS së në luftë kundër kryeministrit të socialistëve. Megjithatë zoti Nano ia shpërbleu pak më vonë, pasi mbaroi punë me të. E shkarkoi nga posti i shefit organizativ të PS së, bile urdhëroi shoqëruesit që ta zbrisnin edhe nga makina e selisë rozë. Në 8 shkurt 2002 Meta dha dorëheqjen e parevokueshme. U nxor asi spathi. Pandeli Majko kryeministër. Që në fillim mendja djallëzore e Nanos kishte projektuar një lojë të madhe. Kishte fiks 84 deputetë. Kaq duheshin për t’u zgjedhur President i Republikës në fund të qershorit të këtij viti, pasi mbaronte mandati i zotit Meidani. Çdo gjë në shërbim të këtij posti. Takime, bisedime, darka, premtime. Plot e përplot tasi! Por një pjesë deputetësh, të cilëve iu ishte premtuar posti i ministrit me kusht që të rrëzonin Metën, tani kishin mbetur pa karriken e ministrit. Ata kishin kaluar netët e gjata të dimrit me ëndërra ministrore. Kishin blerë kostumet e reja. Flisnin me komshinjtë se “Nano më ka premtuar minister”. Gratë e tyre flisnin me serbez e gjithë tangërllëk në zyrat ku punonin. Pra, gjithë ajo parapërgatitje ministrore kishte sjellë ftohje ndër radhët nanoiste. Majko vazhdonte të qeveriste, por nuk e pyesnin ministrat. Kryeministër de facto ishte Fatos Nano. Anastas Angjeli thurte intriga për t’u rikthyer në ministri. Anijës së Metës i ishte futur uji. Por Caci (Angjeli) nuk mund të rrinte dot pa qenë ministër. Në fillim të majit 2002 Ilir Meta shkon me të shoqen Monikën në ishullin e Korfuzit për pushime. Ndërkohë Angjeli kishte sponsorizuar avionin çarter të Marsel Skendos, bashkëpronar i TV Klan . Në avion për në Korfuz kishin hypur Anastas Angjeli, Blendi Fevziu dhe Aleksandër Frangaj. Nga ana tjetër Angjeli kishte telefonuar Fatos Nanon në spitalin e Athinës, ku po kuronte gishtërinjtë e prerë nga aksidenti automobilistik dhe i kishte kërkuar që të vinte në Korfuz për t’u takuar me Metën, i cili nuk komunikonte me kryetarin e PS së për arësyet që sapo kemi thënë. I ngritur nga spitali, me mjek tek koka dhe biznesmenin e Durresit kudo, Nano mbërriti nga Athina në ishullin e Korfuzit. Në Ishull kishte ardhur edhe Nikolas Geixh. Me të gjitha mënyrat që njeh Angjeli takimi Nano Meta nën vëzhgimin e Geixh u realizua. Aleksandër Frangaj ishte një prej negociatorëve potencial në këtë takim të Korfuzit. Takimi u bë në Royal hotel. Nano rrinte i sikletosur nëse Meta do të ishte në humorin që i duhej Fatosit në qëllimin për të cilin Angjeli Geixh synonin. Nano synonte të bindte Metën që të hiqnin Majkon nga kryeministër dhe të rikthehej përsëri Iliri në postin e kreut të Ekzekutivit me kusht që votat e Metës të shkonin për Nanon President. Votimi ishte i fshehtë dhe nuk kishte garanci. Takimi e theu akullin e dhjetorit 2001, por nuk vendosi gurët në kështjellën presidenciale të Nanos.

 

Duhet të pyesim edhe Edi Ramën për këtë gjë, kishte insistuar Meta.

 

Edi ishte pardje tek unë në spital në Athinë. Më solli dhe një buqetë me lule, ndërhyri Nano, duke parë stepjen e Ilirit, i cili nuk e dinte se Edi Rama kishte qenë në Athinë tek kryetari i selisë rozë , ndërkohë që në Tiranë shante kryesocialistin.

 

Si , Edi Rama ka qenë tek ju në Athinë? pyeti prapë Meta, duke mos i besuar vesheve. Po ai është kundër kandidimit tënd për President Republike? insistoi Meta.

 

Jo. Më solli lulet dhe më tha se ti duhet të jesh President i vendit. Bile vetëm Xhoana dhe Edi me kanë sjellë lule në spital në Athinë, e mbylli me shpoti fjalën Fatosi.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora