Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Përkujtesë për Teki Dervishin, mjeshtrin e letrave

| E premte, 02.07.2021, 08:05 PM |


PËRKUJTESË PËR TEKI DERVISHIN, MJESHTRIN E LETRAVE

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Ishin vitet `60-a. Banda Tito-Rankoviq, ndërmori fushatën e fundit të "spastrimit të shkollave, nga arsimtarët nacionalistë", anekënd Kosovës, proklamuan, me bujë goditjen e tyre banditeske. Aksioni i dytë ishte arrestimi i qindra intelektualëve e, deri edhe nxënës të Shkollave të mesme, me theks të veçantë gjimnazistët.

I lindur në një kohë zezonë, Teki Dervishi u maturua hershëm. Inteligjenca e tij, ndjenja e zhvilluar e lirisë, e përballi me pushtetin serb, qysh si gjimnazist. Në mesin e të arrestuarëve, edhe gjimnazisti 17 vjeçar, Teki Dervishi. Edhe pse ai nuk ishte gjimnazisti i vetëm i burgosur, ndodhi diçka e veçantë. Mbi Tekiun, në qelinë, birucën e burgut, u ushtrua dhunë e tepëruar.

Lajmi i përhapur, në tërë Kosovën, se poeti i ri, Teki Dervishi, është goditur në kokë dhe, për rrjedhojë, ka humbur vetëdijen, ishte më shumë se lajm, ishte alarm, që lëndoi zemrat e shqiptarëve të Kosovës, në veçanti, të rinisë së saj.

Ne, nxënësit e Gjimnazit të Pejës, mbanim një lidhje me Gjakovën, familjen e Tekiut. Miftar Tahirsylaj, nga Isniqi i Deçanit, ishte nxënës në Gjakovë, ndërsa nipi i tij, Hazir Tahirsylaj, ishte nxënës i Gjimnazit në Pejë. Nga ai mësuam se "Tekiu po merr trajtim mjekësor. Familja nuk ka asnjë takim me Tekiun, por, rroba dhe ushqime kanë dërguar në burg".

Mungesa e vizitave, për të burgosurit politikë, deri në fund të gjykimit, ka qenë e zakonshme, qoftë me muaj apo vite. Familja dërgonte ushqimet më të mira, për anëtarin e saj, por, policia i jipnin fare pak nga ato dhe këtë nuk arrinte ta mësonte familja. Ndërsa policia, kishte raste, që ua dërzonte rrobat e përgjakura familjes, me qëllim të torturimit psikologjik e shpirtëror të saj.

Rast unik, i dënuari më i ri në moshë, u dërgua në vuajtje të dënimit në burgun-ishull të Goli Otokut, të Kroacisë, i njohur për famëkeqësinë e tij, si burgu i torturës, si burgu më i rëndë në ish-Jugosllavinë komuniste. Zakonisht, në Goli Otok, kanë vuajtur burgun kundërshtarët politikë të Titos, pas prishjes me Stalinin, në vitin 1948. Dominonin në numër, ushtarakët malazezë, që llogaritën në 8 (tetë) mijë syrësh, vujtarakë të ishullit

Klubi letrar i Gjimnazit të Pejës, ku bënin pjesë edhe Jusuf Gërvalla e Ibrahim Rugova, guximshëm, por, mjeshtërisht, pa përmendur emrin e Tekiut, organizoi orë letrare. Megjithatë, ky organizim nuk i shpëtoi syrit vigjilentë të UDB-së. Edhe pse u morën në pyetje, disa nga lexuesit e krijimeve të tyre, ishte parashikuar kjo dhe i kishin të gatshme krijimet tjera, të cilat ishin larg politikës. Por, përgjimi u shtua dhe askush nuk ndjehej imun, i sigurtë nga arrestimi i mundshëm.

Në vitin 1968 isha regjistruar student, në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Isha në konviktin-barakë, ke Ibrahim Rugova, atëbotë, student, me ç`rast më kishte rezervuar banimin tek Ai. Në hollin e barakës-konvikt, po kalonte studenti i vonuar, për arsye objektive, Teki Dervishi, së bashku, me një vajzë. Ibrahim Rugova, duke ditur dëshirën time të madhe, për ta takuar njeriun, për të cilin, dikur, kishim derdhur lotë syri dhe zemre, njëherësh, më tha: "Takoje Teki Dervishin!"

Ibrahimi i rrëfeu Tekiut dhe shoqes së tij, për lëndimin, dhimbjen që kishim përjetuar, ne dhe gjimnazistët tjerë në Pejë dhe Kosovë. Përmendi orën letrare, kushtuar atij dhe përgjimin, deri në hetime, të UDB-së. Tekiu u tregua shumë i përzemërt me mua dhe më tha se tani që u bëmë fqinjë, do të kemi rastin të takohemi dhe të bisedojmë.

Proza e Anton Pashkut dhe krijimtaria e Teki Dervishit, veçohen për shumçka, në letërsinë dhe gazetarinë e Kosovës. Prandaj, edhe referenca - proza pashkiane, apo shkrimet në shumësinë e lamive, si për artin, kulturën, shkencën, edukatën, filozofinë, ku shpërfaqej veçantia dhe opusi intelektual, i poetit, shkrimtarit, dramaturgut, studjuesit, gazetarit Teki Dervishi.

Si Pashku, ashtu edhe Dervishi, shkruanin, pa u merakosur, nëse mund t`i kuptonin edhe shtresat, të cilat nuk e kishin nivelin, për t`i kuptuar ata. Shkrimet për religjionin të Teki Dervishit, po ashtu ishin të shpenguara, pavarësisht nëse shumësia e besimtarëve, mund ta paragjykonin. Vërtet, ithtarë kishte në botën akademike, por, atyre u mungonte guximi i Teki Dervishit, për t`u shprehur hapur, për atë që mendonin dhe besonin!

Krijimtaria e Tekiut, në veçanti ajo poetike, ishte sfiduese e revoltuese, sepse ai ishte sfiduesi i hershëm i pushtetit jugosllav. Ishte një pendë për lakmi, ishte një pendë rebeluese dhe shumë e guximshme, për kohën dhe rrethanat.

Eleganca krijuese e Tekiut, ishte unike. Vizioni poetik, që të lodhte dhe, herë-herë, të torturonte, njëjtë, siç e mundon, deri në mërzi, provincialin Teatri i operas!

Publicistika e Tekiut, tejkalon konturet e gazetarisë profesionale, ajo përbenë një univers artistik. Tekiu la gjurmë krijuese si poet, shkrimtar, dramaturg, studjues, publicist i shquar, i dëshmuar edhe si drejtor i gazetës kombëtare "Bota sot", vite me radhë.

Pa hamendje, Teki Dervishi ishte një intelektual i kompletuar. Dhe, sot, në 10 vjetorin e shuarjes së tij fizike, gjithësesi i mungon letrave shqipe; mungon vijimësia e pendës së tij të artë, sepse ai ishte shkrimtari i brezit të artë shqiptar. Teki Dervishi, meritueshëm, është quajtur korifeu i letërsisë shqiptare.

Rrjedhimisht, si intelektual i madh, i kombit shqiptar, Teki Dervishi i mungon shumë Kosovës sot. Ngushëllohemi, njëherësh, krenohemi me veprën e tij jetësore dhe krijuese, të lënë brezave shqiptarë.