E merkure, 24.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Berluskoni: Duam votën e Shqipërisë për në OKB

E marte, 02.12.2008, 11:29 AM


Silvio Berlusconi
Nga Andi Tela & Robert Rakipllari

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, flet hapur kur është fjala për çështjen e votës së Shqipërisë në OKB. Sipas tij, projekti italian për reformën në OKB është dhe në interes të Shqipërisë dhe Italia pret të bashkëpunojë me Tiranën në Nju Jork. Kreu i qeverisë italiane pohon se projektet energjetike janë tema qendrore të bisedave të tij me Kryeministrin Berisha gjatë vizitës sot në Tiranë. Berluskoni zbulon planin italian për prodhimin e 30 për qind të energjisë në Itali nga burime nukleare dhe në këtë aspekt lihet i hapur bashkëpunimi me Shqipërinë. Në axhendën e vizitës së sotme, Berluskoni përmend firmosjen e katër marrëveshjeve me kompani italiane për projekte energjetike në Shqipëri. Shefi i qeverisë italiane komenton gjithashtu në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Panorama” edhe integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO, liberalizimin e vizave si dhe qëndrimin e prerë pro pavarësisë së Kosovës. 

 

Z. Berluskoni, çfarë domethënieje ka vizita juaj në Shqipëri vetëm pak kohë pasi ministri juaj i Jashtëm, Fratini, ishte në Tiranë? Në çfarë niveli do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë në këtë moment?

 

Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë, investitori i parë për numrin e sipërmarrjeve me dhënie kapital, donatori i parë bilateral dhe absolutisht i treti në tërësi pas Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore. Dhe ndër-shkëmbimi është në rritje të vazhdueshme. Këto që përmenda tashmë tregojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera në të gjitha fushat. Jemi miq dhe vizitohemi shpesh. Miqësia jonë ka lindur nga afërsia gjeografike, rrënjët historike dhe, konkretizohet në bashkëpunimin ekono-mik dhe sintoninë mes dy qeverive edhe në politikën ndërkombëtare.

 

Gjatë mandatit tuaj të mëparshëm, ju keni vizituar Shqipërinë në vitin 2002 duke premtuar se do të jeni një avokat i saj në Evropë. Aktualisht Shqipëria ka fituar statusin e një vendi kandidat për në NATO dhe pret nënshkrimet e fundit për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit. Kur mendoni se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Sa ndikon këtu kriza botërore dhe Traktati i Lisbonës në raport me detyrat që duhet të plotësojë Shqipëria?

 

Shqipëria bën pjesë në familjen madhe evropiane. Për këtë nuk ka dyshime. Italia beson se Tirana gradualisht duhet të hyjë në institucionet evropiane. Roli ynë si avokatë të Shqipërisë në Evropë është lehtësuar shumë nga progreset që janë bërë nga qeveria dhe nga forcat politike shqiptare në planin e reformave, siç është bërë e njohur nga institutet kryesore ndërkombëtare. I referohem Raportit të fundit të Progresit bërë nga “Transparency International”, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Tashmë është e rëndësishme që hapi i reformave të përshpejtohet për të arritur një integrim të plotë euroatlantik. Çdo vend gjykohet sipas meritave të veta; perspektivat e bashkëngjitjes së Shqipërisë në BE varen në radhë të parë nga vetë Shqipëria, që duhet të tregohet e gatshme për takimin e komuniteteve.

 

Shtypi shqiptar ka komentuar interesin e Italisë për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri. Qeveria dhe Parlamenti shqiptar ka nisur dhe miratuar disa ndryshime në legjislacion, që mundësojnë ngritjen e këtyre centraleve. Sa të realizueshëm e shikoni këtë projekt?

 

Unë po i referohem faktit se Kryeministri Berisha shumë shpesh ka përmendur qëllimin e qeverisë së tij për të marrë pjesë, bashkë me qeveri të tjera të zonës, përfshirë Italinë, për financimin e impianteve nukleare. Nga ana jonë, linjat programuese të planit tonë energjetik kombëtar parashikojnë të arrijnë në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme një prodhim të 30 për qind të nevojave me burime nukleare, nga të cilat gjysma me origjinë nga jashtë. Besoj se janë kushtet për një bashkim interesash italo-shqiptare.

 

Por njëkohësisht disa kompani italiane janë duke investuar dhe propozuar projekte për prodhim energjie nga era dhe hidrocentralet në Shqipëri, duke parashikuar edhe eksportin me kabllo përmes detit. Cila është arsyeja që interesi i këtyre firmave shfaqet në vitet 2007-2008?

 

Loja e madhe e zhvillimit të Shqipërisë do të luhet në vitet në vazhdim në tryezën e bashkë-mbështetjes energjetike, siguria dhe vazhdimësia e së cilës janë kushtet themelore për rritjen ekono-mike të vendit. Sipërmarrjet italiane, me teknologjinë dhe eksperiencën e tyre, janë kandiduar në mënyrë të natyrshme si partnere ideale për qeverinë shqiptare. Me rastin e vizitës time në Tiranë, do të firmosen katër marrëveshje ekonomike mes qeverisë shqiptare dhe grupeve italiane, mes të tjerash edhe për një rigazifikim (pasurimin e gazit) në zonën e Fierit dhe një transport nënujor për Italinë për një vlerë prej një miliard eurosh, e më pas një park në jug të Vlorës dhe një kavo nënujore ndërlidhjeje elektrike me Italinë, për një tjetër miliard më shumë.

 

E kalojmë energjinë. Në vizitën e tij të fundit pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve mes dy vendeve, zoti Fratini theksoi se një vend të rëndësishëm në platformën e bashkëpunimit mes dy vendeve do të zërë edhe agrikultura. Ku bazohet kjo zgjedhje?

 

Italia e ka për zemër zhvillimin e Shqipërisë. Në fakt, kontributi i Bashkëpunimit për Zhvillim të Ministrisë sonë të Jashtme nga viti ’91 deri më sot ka qenë prej më shumë se 650 milionë eurosh, të cilave duhet t’i shtohen iniciativat e shumta të administrimeve të tjera private. Agrikultura është themelore për zhvillimin e Shqipërisë. Zonat rurale janë ende të përjashtuara nga zhvillimi i viteve të fundit. Edhe këtu ka një mundësi të rëndësishme bashkëpunimi mes sipërmarrjeve tona të agro-elementeve dhe të peshkimit.

 

Që në mandatin tuaj të parë keni folur për Korridorin 8, por kjo çështje nuk ka arritur ende t’i imponohet axhendës evropiane. A mbetet po kaq i rëndësishëm ky projekt për Italinë dhe si mund të hyjë në rrugën e realizimit?

 

Korridori 8 mbetet për ne një prioritet në programet e zhvillimit të rrjeteve të mëdha trans-nacionale evropiane, si mjet i rëndësishëm transporti mes portit të Adriatikut Meridional (Bari, Brindisi dhe Taranto), pra regioni del mezzogiorno (të ashtuquajturat rajonet e jugut) dhe zonës ballkanike, e më pas si mjet integrimi ekonomik dhe stabilizimi kompleks i zonës. Besoj se në këtë pikë duhet të kalohet nga të ashtuquajturat studime të realizmit, në konkretizimin e përshkrimit të një projekti që mirëkuptohet nga të gjitha vendet.

 

Ndaj Shqipërisë aktualisht po zbatohet marrëveshja e lehtësimit të vizave, por sipas sondazheve të kryera, konsullatat evropiane vazhdojnë të jenë skrupuloze në dhënien e tyre. Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë, z.Fratini u shpreh se Shqipëria ka shanse reale që të përfitojë liberalizim të regjimit të vizave pas qershorit 2009. A e shihni të mundur një zhvillim të tillë dhe të paktën a mund të ketë shanse për një marrëveshje preferenciale për vizat ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në këmbim të dritës jeshile për projektet energjetike që Italia është duke projektuar në Shqipëri?

 

Sinqerisht nuk shikoj asnjë lidhje mes çështjeve të vizave dhe asaj të projekteve energjetike, që janë me interes të përbashkët. Mes të tjerash, më 1 janar ka hyrë në fuqi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, që vlerëson çdo marrëveshje bilaterale mes shteteve. Rrjeti diplomatik-konsullor italian në Shqipëri është i pari mes vendeve Shengen për lëshimin e vizave dhe numrin e praktikave. Vizat e dhëna janë në rritje konstante dhe të dukshme, ato gratis madje janë katërfishuar. Komisioni Evropian ka miratuar qershorin e kaluar një udhëzim për liberalizimin e vizave për autoritete shqiptare. I vlerësojmë reformat e ndërmarra deri tani nga Tirana, si diagramet dixhitale, kartat e para të identitetit dhe pasaportat biometrike. Shpresoj se reformat do t’i mundësojnë Shqipërisë të arrijë nivelin e liberalizimit.

 

Deri në vitin 2000 shqiptarët kryesonin renditjen e krimeve të kryera nga emigrantët, ndërsa në 2007-ën zbritën në vendin e tretë. Aktualisht në Itali jetojnë 420 mijë shqiptarë. Rreth 15 mijë prej tyre janë të regjistruar në dhomat e tregtisë, ndërsa 10 mijë të tjerë studiojnë në universitete. Çfarë premton qeveria juaj në integrimin e mëtejshëm të këtij komuniteti të dytë për nga madhësia në Itali?

 

Mbi 400 mijë shqiptarët e vendosur në Itali përfaqësojnë një komunitet të vlerësuar për punën e tij dhe nga më të mirintegruarit. Politika konstante e besimit dhe miqësisë së Italisë për Shqipërinë ka lehtësuar hyrjet e ligjshme, sidomos për punë dhe bashkimet familjare. 85 mijë nxënësit shqiptarë që ndjekin shkollat italiane përfaqësojnë 15 për qind të totalit; në universitet të regjistruarit janë 18 mijë, jo 10 mijë. Integrimi vazhdon me punën, familjet, mes martesave të përziera. Ne i favorizojmë të huajt që vijnë në Itali për të punuar dhe që jetojnë duke respektuar ligjin, sipas një kriteri të ndarjes së të drejtave dhe detyrave.

 

Çështja e reformës në Këshillin e Sigurimit në OKB, pra zgjerimi me anëtarë të rinj vazhdon të mbetet i hapur. Qeveritë shqiptare kanë luajtur mes Italisë dhe Gjermanisë përsa i përket çështjes së votës, gjë që ka shkaktuar edhe pezullimin apo zvarritjen e disa projekteve të rëndësishme ekonomike me donacione italiane. A vazhdon të mbetet kjo çështje në axhendën tuaj të bisedimeve me z.Berisha?

 

Reforma e Kombeve të Bashkuara nuk është vetëm ajo e Këshillit të Sigurimit, në fakt është një temë qendrore. Italia mbetet kundër rritjes së anëtarëve të përhershëm. Duhet të gjenden zgjidhje të tjera, më demokratike dhe të karakterizuara nga një përfaqësim më i madh i anëtarësimit të grupeve rajonale. Kjo sipas nesh është edhe në interes të Shqipërisë dhe presim që mbi këtë bazë të bashkëpunojmë me Tiranën në Nju Jork.

 

Megjithëse Italia është donatori kryesor për Shqipërinë si dhe partneri kryesor tregtar, biznesi italian nuk është pjesë e privatizimeve të sektorëve strategjikë në Shqipëri që ka kryer Shqipëria gjatë viteve të fundit. Mjafton të kujtohet rasti i privatizimit të kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike, ku ENEL-i u përjashtua për probleme teknike. A keni ndonjë pretendim ndaj qeverisë shqiptare në këtë drejtim?

 

Italia vazhdon të mbajë të palëkundur pozicionin e partnerit të parë tregtar për Shqipërinë. Ndër-shkëmbimi kompleks në nëntë muajt e parë të vitit 2008 i ka kapërcyer një miliard euro. Fakti se kompanitë italiane nuk kanë marrë pjesë në proceset e privatizimit të viteve të fundit, nuk do të thotë se Italia nuk do të luajë një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipërmarrja jonë është në linjën e parë, për shembull, në zhvillimin e parqeve industriale.

 

Cili është qëndrimi i qeverisë suaj për Kosovën, a e konsideroni tashmë pavarësinë të pakthyeshme dhe a e konsideroni zgjidhje planin 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, të refuzuar nga udhëheqësit politikë të Kosovës?

 

Faktet flasin qartë. Italia e ka mbështetur hapur planin Ahtisari, duke favorizuar pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet diplomatike me të që nga 21 shkurti i kaluar. Edhe në planin multilateral dhe bilateral, në terma bashkëpunimi, impenjimi ynë është i pamohueshëm. Kjo i detyrohet edhe linjës së përgjegjësisë që ka mbajtur Shqipëria gjatë krizës, si faktor ekuilibrues për të gjithë zonën e perspektivës evropiane.

 

Berluskoni, 5 orët e qëndrimit në Tiranë

 

Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni do të vijë sot në Tiranë, në vizitën e parë në vendin tonë që nga koha, që rimori postin e Kryeministrit në zgjedhjet e këtij viti. Në vizitën disa orëshe në Shqipëri, kreu i qeverisë italiane do të zhvillojë takime me krerët e shtetit dhe në fund do të jetë i pranishëm në një drekë të shtruar nga Presidenti Topi. Sipas axhendës zyrtare, Berluskoni do të mbërrijë në Rinas në orën 11.00 të paradites së sotme dhe ndalesa e parë e tij do të jetë pikërisht në godinën e Këshillit të Ministrave. Në orën 11.20 do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes, e shoqëruar nga nderimet e Gardës së Republikës dhe në 11.30 do të nisin takimet mes dy kryeministrave. Konferenca e përbashkët për shtyp është planifikuar në orën 12.30, ndërkohë që pak minuta para saj do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje dhe akte mes dy vendeve, mes të cilave dhe ajo e ngritjes së centralit bërthamor. Në orën 13.20 kreu i qeverisë italiane do të pritet nga Presidenti Bamir Topi në një takim që do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave. Më pas, kreu i shtetit do të shtrojë një drekë, ku të pranishëm do të jenë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës njëherësh edhe kreu i PS-së, Edi Rama. Për herë të fundit një drekë e këtij formati është shtruar në verën e kaluar, kur në Tiranë erdhi Presidenti i SHBA-ve, Bush.

 

Projektet energjetike Tiranë-Romë

 

Financial Times

 

Projekte të mëdha energjie, përfshirë atë që është afishuar si ferma më e madhe e erës në Evropë, do të jetë në tryezë për firmë kur Silvio Berluskoni, kryeministri italian do të takojë Sali Berishën, homologun e tij shqiptar në Tiranë. Kriza e vazhdueshme e energjisë në Shqipëri dhe ambicia e Berishës për të krijuar një qendër energjie rajonale në vendin më të dytë të varfër të Evropës kanë hapur një treg të ri për shumë kompani italiane.

Ka edhe një lloj urgjence për zotin Berisha, i cili përballet me zgjedhjet në qershor dhe ka nevojë të bindë shqiptarët e lodhur nga ikjet e vazhdueshme të dritave se kjo gjë do të zgjidhet. Z Berisha po ofron terma tërheqës për investitorët, përfshirë kontrata të gjata qiraje në tokën e pronësisë shtetërore për një vlerë simbolike nën politikën e tij “Shqipëria një euro”.

Njerëzit e përfshirë në projekte, megjithatë, sugjerojnë se ata mund të përballen me vonesa të gjata, shqetësimin e korrupsionit, mungesën e transparencës në miratimin procedurave, debatet me pronarët e tokave dhe pengesën nga ambientalistët shqiptarë.

Një nga kompanitë e përfshira pretendon se zyrtarët shqiptarë kanë kërkuar ryshfete, edhe pse Tirana insiston se ndjek procedurat e Bashkimit Evropian.

Sipas programit zyrtar, ministri shqiptar i Energjisë, Genc Ruli, do të nënshkruajë dy projekte energjie - një kontratë 1 miliard euro (£820m, $1.2bn) për grupin italian “Falcione Group” për ndërtimin e impiantit të pasurimit të gazit afër Fierit në jug të Shqipërisë dhe një naftësjellës të nëndetshëm në Itali; dhe një marrëveshje 1.15 miliardë euro për “Moncada”, një firmë siciliane ndërtimi, për një fermë ere në gadishullin e Karaburunit dhe një kabull energjie përmes Adriatikut në Itali.

Deficiti i energjisë në Itali dhe problemet e brendshme në ndërtimin e infrastrukturës së re e bëjnë Shqipërinë një opsion tërheqës për nxjerrjen e elektricitetit.

Propozimi i “Moncada”-s për fermën e erës 500 MW, përfshin 250 turbina dhe afishohet si më i madhi i Evropës.

“Falcione” duket se ka mundur një projekt rival të propozuar nga “ASG Power”, një kompani me bazë në Zvicër e zotëruar 75 për qind nga Agim Gjinali, një sipërmarrës kosovar.

Ai propozon një impiant të shkallës së lartë të pasurimit të gazit që do të marrë gaz me anije nga Afrika veriore dhe Katari dhe më pas do ta çojë atë në Itali dhe do ta përdorë për industrinë shqiptare.

Për më tepër grupi “Marseglia” tha se z. Berluskoni do të presë shiritin e fermës së erës dhe projektit të linjës nënujore të energjisë që tashmë e ka aprovimin e Shqipërisë. Zyra e z. Berluskoni ka mohuar se një ngjarje e tillë mund të jetë planifikuar. “Marseglia” më vonë tha për “Financial Times” se do të kishte vetëm një takim me përfaqësuesit e kompanisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora