Editorial
Vangjush Saro: Krimi sfidon shoqërinë shqiptare
E hene, 28.06.2021, 07:29 PM
Krimi sfidon shoqërinë shqiptare
Nga
Vangjush Saro
Ka
disa kohë që krimi rëndon në jetën e qytetarëve shqiptarë sheshit dhe në
mënyrën fyese. Në Shkodër, bizneseve iu vihen gjoba, ndërkohë që herë pas here
ka vrasje dhe larje hesapesh. Disa nga çunat “e fortë” diktojnë në jetën e
qytetit. Po ashtu në Elbasan, në Vlorë. Në Tiranë, ndërtimet e përbindshme dhe
aksidentet rrugore e “kurorëzimi i hakmarrjeve” mes bandave, janë bërë barrë
për qytetarët. Pa u rënë në qafë njerëzve të ndershëm e që shohin punën e tyre,
përgjithësisht tabloja vjen gri: “Të fortët” e pandëshkuar, zyrtarët e pahir,
biznesmenët e përkëdhelur, policët e llastuar e, më në fund, fëmijët e
çoroditur të gjithë këtyre zotërinjve, janë protagonistë edhe në këto
zhvillime.
Kudo
ka ngjarje, bota s’është e qetë; edhe në vendet më të zhvilluara dhe me
demokraci të konsoliduar, herë pas here ka fatkeqësi, shfaqen defekte dhe
probleme. Kudo ndërtohen kulla dhe ka aksidente e krime. Por në të njëjtën
kohë, në atë që themi “kudo” dhe me të cilën rëndom nënkuptojmë vende të
zhvilluara, ka gjithsesi një vëmendje, qoftë edhe minimale, për të mos ua nxirë
krejt jetën qytetarëve. Kështu, shteti luan vendit për ta nënshtruar krimin,
nëpunësit dhe urbanistët përpiqen të ketë përqark ca parqe e ndonjë kënd
lodrash për fëmijë. Ndodhin aksidente, edhe asish të rënda, por kryesisht për
shkaqe të kohës, të rrethanave në trafik, dhe jo për… kapriçiot e djemve të
Shefave të Policisë, biznesmenëve apo Deputetëve. Ndëshkimi vetjak dhe ai
politik nuk janë askund qëllim në vetvvete. Këto të gjitha përbëjnë një dallim
të madh.
S’më
vjen mirë ta them, por ne jemi një vend pa rregulla; ose, më e pakta, një vend
ku rregullat shpesh pështyhen. Jemi një vend ku politika u la shumë hapësirë
gangsterëve; ata më parë dalin nga burgu se sa dënohen. Dhe shpesh rruga është
pikërisht e aventurierëve dhe kapadainjve. Nuk dua të bëj pranëvënie që e vënë
në pozita të vështira qytetarin dhe shtetin tim, por le të shqyrtojmë çfarë
ndodh. Para disa kohësh, këtu në Vankuver, burri i një mikeshës sonë, edhe vetë
polic hetues, duke u kthyer nga një festë ku kishte pirë pak, la të kuptohej se
ai dhe makina e tij po bënin figurë jo të mirë në rrugë. Polici hetues u ndalua
sakaq nga kolegët. U seksuestrua makina, iu hoq licensa për gjashtë muaj, iu vu
gjobë e lartë, u detyrua polici hetues të ndjekë një kurs rehabilitimi, në
makinë iu montua një pajisje që s’lejon të ndizet ajo nëse ti ke pirë, etj.
Ndërkaq, nuk pamë ndonjë demarsh të tyre për të marrë dikë në telefon apo për
ta “rregulluar” punën. Pa masa dhe pa (sadopak) drejtësi, nuk ka shtet. Nuk ka
as jetë.
I
kërkoj ndjesë lexuesit për këto episode vetjake. Diku nga mesi i viteve 80, me
trupën amatore të Gjimnazit “Shefqet Guzi” në Gramsh, ku punoja në ato kohë, u
vu në skenë pjesa ime teatrale “Një copëz jetë”. Pjesa në fjalë ka në qendër
një djalë të ri, çapkën, i pashtruar, problematik për ndërmarrjen ku punon dhe
për rrethin shoqëror. Qasja e tij është e vështirë jo vetëm me shoqërinë, por
edhe me një vajzë të cilën në fakt ai e dëshiron. Për të mos u zgjatur, sjellja
e saj qortuese, por edhe duke iu përgjigjur interesimit të tij me mirësi, bëjnë
që djali të kërkojë nga vetja ekuilibër dhe qytetari. Pyetja ime është: Si u
shndërruan çapkënët në kriminelë? Si vazhdojnë të shndërrohen çapkënët në
kriminelë? Shikoni ç’pjesë e madhe e shoqërisë dhe rinisë është përfshirë në
këtë “derexhe”; (ndjesë për këtë barbarizëm). Nuk mund t’i ikim këtij epsodi
shumë të vështirë dhe që ia lodhi mushkëritë shoqërisë shqiptare. (“Mbyllni
sytë dhe shikoni.” Xh. Xhojs)
Sigurisht,
nuk duhet ta teprojmë; pamja ka edhe një sërë arritje pozitive dhe portrete që
nderojnë veten dhe vendin e tyre, në Shqipëri dhe në disa vende të tjera ku
kanë emigruar shqiptarët. Por, si i thonë fjalës, gjuha vete atje ku të dhemb.
Shkallimi i politikës, prirja për shkeljen e rregullave, marrëzia për ca fitime
më shumë, varfëria e gjithanshme, ndonjëherë thjesht përplasja me jetën, këto
të gjitha kanë krijuar precedentë të trishtë në shoqërinë shqiptare. Ç’është më
e rëndë, grupet kriminale kanë ngritur strehët e tyre jashtë vendit; në Mbretërinë
e Bashkuar ata kontrollojnë disa trafiqe, përfshi atë të klandestinëve.
Adoleshentë e të rinj nga Shqipëria, vijnë atje të “sponsorizuar” nga këto
grupe, që mandej iu diktojnë përfshirjen në rrjete e në krime gjithfarë.
Shembujt dhe pamjet mund të merrnin shumë radhë të tjera në këtë shënim. Për
një numër të lartë njerëzish, sidomos të rinj, burgu (jashtë e brenda vendit)
është bërë si shtëpia e dytë. Riatdhesimi, udhëtimet lart e poshtë, ikja nga
sytë këmbët dhe pastaj ndeshja me Drejtësinë në vendet respektive, janë një
tablo e zymtë. Ndonjëherë teprohet me racizëm dhe shqiptarët akuzohen edhe pa
bërë asgjë. Por ne, për të mirën tonë, duhet të qëndrojmë te ai realitet që u
përpoqa të “vizatoj” më sipër dhe të kuptojmë se ka ardhur koha për të ndryshuar
diçka e sadopak, për programe të veçanta edukimi dhe riedukimi.
Koha
është që shoqëria shqiptare të ndalet për të verifikuar jetën e vet, jetët e
qytarëve të vet. “Mësojmë duke u zbrapsur...” na mëson poetesha e madhe
amerikane E. Dikinson. Të rrëmbyer nga politika, nga përfitimet, nga
hakmarrjet, nga mëritë e pafund, zyrtarët e lartë dhe politikanët shqiptarë nuk
po dirigjojnë dot jetën e qytetarëve të vendit, ca më pak atë në Diasporë. Ka
vazhdimisht ndarje, sherre, luftë për pushtet e për ta shtyrë tjetrin tutje,
gjer… për të mos patur fare opozitë, që kështu të “mbretërojmë” në qetësi. Nuk
po kërkon askush një “deus ex machina”. Por mjaft së paku me nënvleftësimin e
tablosë problematike! Mendoj se duhet të heqë dorë nga “shfaqjet” Kryeministri
i vendit, demagogu dhe autoritaristi Edi Rama, për të cilin mund të aludohet me
vetëvlerësimin e një personazhi të Ç. Dikens (“Unë kurrë s’do të pushoj së
përgëzuari veten time.”) Mendoj se pamjet që u përpoqa të “vizatoj” më lart,
piktori ynë duhet t’i rivizatojë ndryshe. Nëse nuk mundet, ai dhe kabineti i
tij, ai dhe kolegët e tij, ai dhe Opozita shqiptare, atëherë duhet të pranojnë
dështimin, të rishikojnë rregullat, pluralizmin, aleancat, gjithë rrugën
gropa-gropa nëpër Tranzicion.