E marte, 16.04.2024, 12:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Halimi: Shtëpia buzë uji

E diele, 27.06.2021, 11:50 AM


Nexhat Halimi

shtëpia buzë uji

gjithmonë fjeti buzë ujit të thellë

E në tryeze asnjë pikë në darkat e vona të javës

pa ditë të diele

unë pi flakë në eshtra të familjes sime

të kthyer nga gjelbërimi me shkumës

e druri i gjatë i thyer përpihet nëpër fyell

prej zjarri e kujtimi nga fanarët e thyer nga shiu

i fundit

në dritë të mermertë të natës ngjitet lejleku

shtëpia buzë uji

nëpër rripa të terur në erë

pa verë

e në një pyll pa bimë e pa yll copën e vet të qiellit

kërkon një trëndafil e një fyell

me mua

pa mua

në tryezë gjela të prerë rrush i zi  e alga të  drunjta

tash presin

e asnjë mysafir

mijtë thyejnë arra në dollapë të verdha

udhëtim e rrathë

në rrethin e zjarrtë të shuplakës

pret malin e gështenjave gjarpri i padukshëm

lëkura i teret në erë

ngatërrohen rrugë nëpër gishta

udhëtimet hijet rrathët

cijatin mijtë në bërryla

pullaz i vrarë reje ëndërron bukuri te zezë

të prerë në këmishë të vdekjes

nesër harroj dhe vdekjen time nga gjaku e guri

mijtë zgjohen e teren

në parandjenjë

deri në kornizë nga loti jugu

i mbathur në eshtra të familjes sime

e në kryeneçësi të lashtësisë

në darkat e varfra koka nëpër varëse kërkon kokën

e shtizën gjak

gjaku ashtnohet në hark

ç' vijnë syrit tim

bien e mbesin lulet zjarr i gjelbër

jeta s'vdes

s'të dua më vetëm pse të dua

kafkë e qiri

sende të lashta në dhomë

thikë të prera në tryezë të bukës

varëse për këmishë me burime gjaku

të tharë nën jakë ashti

sharje në sallatë ditësh të marte

gjarpërime gjarpri në kokë me vdekje e shami

në gjysmështizë

kafkë e qiri

penj të kuq të zi

mbeturina të hajes

e pijes

dashuri të shtatë të dielash të thamë

në harqe zjarri

lakuar për emër e kapelë

ujë i thellë deri në krahë të fotografisë së hirit

e asgjë s'e mjeshtëron zogun

ndër degë me qiell të thyer në kornizë

bie shi

kalben mollë e patate

sende të lashta në dhomën time merimangë

gjithmonë

vetëm

kurrë

me ditë s'ka shi

e fjetur buzë lumit në mjegull

ja sesi tërhiqesh daulle nëpër vetëtimë

e me ditë s'ka shi

thatësi pinë lulet në gur

lejlekët janë kositur nga gjelbërimi

në gjunjë

zjarri shpërthen në tryezë kokash të çelura

gjakut të piksur

nga darkat e kapërcyera

lehin qentë

dritaret mbyllen nga jashtë

kafshimi i egër

frikë e pakositur buzë lumit të rrethuar

kokë e bisht

askund më breshkë në atë pyll

të matur me harqe

ndër degë e jakë gjatë natës derdhet hi

në asht

ujin e thellë e pi

në breg thikë

vdes trëndafili nga gjaku asaj nofulle

pa ag tashmë

rrufeja gjuan gurin

zbritën të ta vrasin etjen

mijtë grimcojnë  qetësinë në tavan

unë hetoj në hi vërshim

rrufetë gjuajnë kokën në breg

e gjarpri e zë lejlekun në molo të agimit

pa prejardhje

kthehem para zjarri

në një kohë tjetër të shkundur ndër erë

shi s'ka me ditë në jalli

vera humb flokët

bregu ngjitet në dritare

në tryezë të bukës

eshtrat e familjes sime kthehen ne fyej e thikë

e s'ka për be lule në hark

nga katër anë

zbritën të vrasin shtëpinë e verën

prej zjarri

ndoshta vetë u vranë ja varret e tyre

deti i çelur algë

mëngjesi ja apo varri im i lashtë

gjaku i çelur algë

në dritare të hapur nga jashtë bleron lulja

nga mal i kaprollit me një bri të thyer

vetëm sa vjen ujë të pi

në sytë e mi

ç' je zog i bukur a erë me furi

druri i gjatë i gjelbër në kaltri udhëtimi

kthehet me shkumës përsëri

prej ballit bien gjethet

o cilit fund i the fillim në zbritjen e gjatë

malit përherë të mbuluar me borë

deri në gur të prerë në drurin e gjakut

tash secili udhëtar

kërkon copën e vet të qiellit

e rri deti te njeriu

tërësisht lakuriq

gjaku në dritare të hapur nga brenda bleron bimësi

degëzon degëz e mimozës

shi je a rrufe në asht të trupit tim

ku të pret zjarrkthimi

cilin fëmijë e thirre në emër të babait

koka ku mbet

shiu s'është çdo gjë e ngado pyll

drunjtë e prerë në një kohë

të ligë me shi

rrufetë nga kurthi gjuajnë poshtë qëllojnë lart

koka ku mbet

stuhitë nga shtëpitë gjak

bien eshtrat

prej meje e teje e udhëtimit të çuditshëm

çdo gjë

shiu bekoi vetëm barin

druri s'agoi më në kthimin e zjarrit

nga parandjenja

e prerjes për tryezë të ndonjë insekti të fryrë

ne përsëri njihemi nga shiu

e lejlekët

shiu e lejlekët

ne përsëri njihemi nga shiu e lejlekët

ja tashmë i mungojnë lumit dhe fluturojnë

në formë të v-së dhe me sytë nga jugu

mungesa është e madhe e dhembja e fjetur

deri në ardhjen e serishme të pranverës

fluturojnë me krahët e lodhur në krahë të erës

e kopshtet lule vyshkur  në vete qajnë

kot e ndez fanarin e gjakut te dritarja jote

kot nisem te ti dhe nuk arrij asnjëherë dot

i shikoj sytë në qelin e thyer të dritares

e më pikin dy pikë lot në frymën e fanfarës

veç pse shpirtin e përndezëm  unë e ti

veç pse s' vdesim presim të shihemi përsëri

ja avullit të dritares çelen rrugë të gjata

e hapen ndërmjet pandërprerë peizazhe  kot

ja ne përsëri njihemi nga shiu e lejlekët

fijet e mjegullës së zezë

të dua krejt e cullak e ndoshta të vras

ndërmjet dhembjes e zjarrit të gjallë

lule dua për lule e për kokë dua veç kokë

apo rrëzohem në tokë mbahem për tokë

gjithmonë për ty  në mall

e parandiej vetminë e  kalasë së vjetër

me fanarin për dritë të anijes nga etja tjetër

i shtrirë në një dërrasë gjysmë tashmë i fjetur

të vërej nga zbret nga shtesat e gurit

të mbuluar fijesh të mjegullës së zezë

zot cili ia ka arritur ta mbyll derën me rezë

kaq vjet i mbyllur në një dhomë të vogël

në lojë të të krisurit për qjef end një gogël

e silueta jote me aromë të fortë bliri

lëshon mjekër të bardhë për degë ulliri

vjen e shpërndanë pleqëri të thellë bliri



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora