E premte, 19.04.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Satira nga Sevdail Hyseni

E diele, 27.06.2021, 08:50 AM


Sevdail Hyseni:

Satirike

Rakia dhe pandemia

Nga frika e Koronës

Ju turra rakisë…

Desh sa nuk e humba

Rrugën e shtëpisë !

Iku gotë e parë

Mendova s’mjafton,

Ndoshta kjo e dyta

Pak më disponon !

Njëra pas tjetrës

Edhe gotat tjera…

Ngatërrova dritaren

Sikur t’ishte dera !

Seç fryu stuhia

Furishëm në flokë,

U ngrit dyshemeja

E më ra mbi kokë !

Vazhdova të pija

Sa u bëra tapë,

I thashë Koronës

Eja, guxo prapë !

Censura

Pas kaq dekadash

Tepër lemeritëse,

Na kthehet censura

Me ngjyra komuniste !

Jo, si n’atë kohë

Me “përshtatshmëri”,

Por, me një “pëlqim”

Nga të dhjerat parti !

E meqë partitë

Ndryshojnë në etapa,

Nuk mbetet njeri

Pa një bisht prapa !

Vetëm të pozitës

Nuk presin në radhë,

Ata hanë kokrra

Ulur nën dardhë !

Eh! Për të tjerët

Pa përjashtime...

Ngelin si ujku

Gjithë nën hetime !

Nëse kështu vazhdon

Censurë e pushtetit,

Na qoftë e mbarë

Rruga e kurbetit !

Droga në Gjykatë

Një banor mali

Bie në burg,

E ka shkel ligjin

Për një gojë bukë!

Ka vjedhur në ara

Dy-tre duaj kashtë,

I mbetën lopët

Pa bari në grazhd!

Gjykata e mori

Me ngut një vendim,

E dënoi fshatarin

Me tetë muaj burgim !

Kur hyn në burg

Nuk ishte vet...

Me një të burgosur

Nisi muhabet !

Ç’të keqe të solli

Këtu o fatzi?

Të rrish me mua

Së bashku n’qeli!

Më zuri halli

E kisha për idare,

Pa vjedhur kashtë

Nuk e pata qare !

Po t’i çka pate

I tha fshatari,

Më kapën me drogë

S’më eci zari!

E më dënuan

Plot tre muaj,

Në këtë qeli

Burgun ta vuaj!

Fshatari i hutuar

Tha dreq o punë,

-Ti të dënohesh

Më pak se unë?!

Eh! Mik i dashur

Dëgjo ti Balshën,

Ata në Gjykatë

Nuk e hanë kashtën!

Dinjiteti

Në botën mizore

Të çmendur krejt,

Njeriut s’i ka mbet’

Një gram dinjitet!

Veçmas n’pandemi

Kur jemi në zor,

Politika qorre

Po na bënë horë !

Na ka zhveshur keq

M’u në pikë të hallit,

E na prapë jetojmë

Me duf t’idealit!

Se do të bëhet mirë

Do ta kemi n’mend,

E humbëm bariun

Na ikën dhe dhentë!

Tani meqë jemi

Te guri e huri…

Na rroftë dinjiteti

Me kokën nga muri !

Karakteri

Njoh disa persona

Me emër e mbiemër,

Të qelbur nga koka

Deri në thembër!

Ata janë krijesa

Pa shtyllë kurrizore,

Lloji më i ndytë

I racës njerëzore!

Po, ja që pushteti

I ngriti me votë,

E tani na sillen

Me bishtin rrotë!

Nuk njohin njeri

Asnjë pa dallim,

Veçse interesit

Që e kanë fiksim!

Këtë lloj karakteri

Tullumbac të fryrë,

Ta zësh me nder jush

Ta pshurrësh në f’tyrë!

Mirëpo, pandemia

Me maskë e doreza,

I mbron pa dyshim

Këto faqe të zeza!

Nepotizmi

Në fjalorin tonë

Fjala nepotizëm,

Shkurt do të thotë

“Me” familjarizëm!

Njoftësia ka qenë

Gjithë me favore,

Një nga problemet

E vjetra shoqërore!

Po nuk pate lidhje

Me ndonjë parti,

Mbetesh i papunë

Deri në pleqëri !

Nëse nuk i thua

Derrkucit dajë,

Buzën do ta kesh

Gjithnjë në vaj!

Nuk të vjen rendi

Për një vend pune,

Po s’e pate nipin

Kryetar Komune !

Nuk mund të gjesh

Kryetar e deputet,

Që s’e ka punësuar

Familjen e vetë!

Lidhjet familjare

Vazhdojnë me nder,

Si në projekte

Edhe në tenderë !

Lidhje pas lidhjesh

Partiake, pushtetare,

U kap nga prapa

Shoqëria shqiptare !

Këto lidhje tani

Janë bërë dukuri,

Ku ka nepotizëm

Pa pasur hajni?!

Ato nuk dallohen

Si dita me natë,

Rroftë familjarizmi

Edhe në Gjykatë!!!

Un(i)teti

Ku mbeti uniteti

Që u tret për fije,

Na ndjek hasmëria

Nga prapa si hije !

Përçarja, hakmarrja

Veset inatkeqe…

Nuk na lënë rehat

Si morri n’musteqe !

Mbi Atdheun tonë

Të cunguar fare,

Ndjenjat primitive

Lodrojnë ashiqare!

Këndej në Luginën

E njohur për sherr

Më lehtë kopili

Të vihet në derë!

Sa për Unitetin

Si të themi ndryshe,

Kërkon të ushqehet

Me qumësht dallëndyshe !

E me vezë këndesi

Që s’gjenden për farë,

Përveç në godinën

E Këshillit Kombëtar !

Pa i lënë anësh

Pushtetet lokale,

Të kapura n’afera

Tenderë e skandale!

Shqiptari – Shqiptarit

Për një gram pushtet,

I kërcen si mëzati

Edhe nënës së vet!

SHKARKIMET

Lugina po zhvishet

Nga kompetencat komunale,

Për të mbetur thjesht

Një bashkësi lokale !

Shkarkimet kur vijnë

N’kohën pandemike,

Rëndojnë më shumë

Mbi baza etnike !

Shteti vesh e zhvesh

Figurat zgjedhore,

Për t’mos pas ndikim

N’organet shtetërore !

Më shumë ka autoritet

N’zyre t’vendit ofiqari,

Se sa me nder jush…

N’komunë kryetari !

S’na ka mbetur tjetër

N’këtë Luginë me vlerë,

Vetëm për të ngritur

”Kullë” rëre në erë !

Vaj gurbetçari

Një djalosh nga Bujanoci

Acarohet me gjithë mend,

Në mungesë të rehatisë

Nuk e zinte vendi – vend!

Sa nga shteti e pushteti

Me zyrtarë e mercenarë,

Nuk e gjente një vend pune

Të jetojë si qytetarë!

N’pamundësi t’i rri karshi

Kësaj orgjie politike,

Që nuk ngopet me të këqija

Si viruset pandemike..!

Merr valixhen për të ikur

Si shumë t’rinj me lot për faqe,

Duke lënë një poezi

Jo më pak se katër vargje!

Vaj o vendi im, vaj...

Vetes sime n’vesh i thash,

Seç më vjen të qeshë e qaj

Mut të gjeta, mut të lash!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora