E enjte, 28.03.2024, 09:54 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Genc K. Hoti: “Bandat e diversantëve”, ilaçi për të fshehur trashëgiminë ekonomike të Sigurimit të shtetit

E marte, 02.12.2008, 12:53 PM


Genc K. Hoti
“Bandat e diversantëve”, ilaçi për të fshehur trashëgiminë ekonomike të Sigurimit të shtetit

 

Nga Genc K. Hoti

 

Në propagandën e Enver Hoxhës, thuhej se arma e Sigurimit të Shtetit na paska qenë shkaktarja e dështimit të planeve antishqiptare të imperializmit amerikan, atij anglez dhe të gjithë imperializmit botëror të marrë së bashku, pasi kjo armë, nën mësimet e partisë dhe veprave të sh. Enver ishte bërë tmerr për armikun dhe ishte e pakalueshme. Por a ka ndonjë të vërtetë tjetër dhe si është ajo? Pikërisht pse ka një të vërtetë krejt tjetër për tjetër, me motive krejt të tjera aplikimi ku bota e fshehtë e relacioneve midis të panjohurave e gris maskën e mashtrimit politik duke na dhënë pamjen e vërtetë të masakrës antishqiptare 10 vjeçare të luftimit të “diversantëve”. Momentet që diskreditojnë këtë propagandë janë:

1-Mënyra e formimi i PKSh-se,

2-Bombat në Kanalin e Korfuzit,

3-Organizimi i “bandave të diversantëve”,

4-Vjedhjen e 300 tonëve të arit të grabitura përgjatë viteve 1943-1956 nga ana e brigadave partizane dhe Sigurimi i Shtetit.

Të ndalemi tek të ashtuquajturat “banda të diversantëve” dhe çfarë mbuluan ato ne realitet; ku qëndronte e fshehta e tyre dhe perse u sajuan. Po të shtrojmë pyetjen se: ku ka qenë shtrirja më e madhe gjeografike e tyre, njerëzit do të përgjigjeshin: Mirdita apo Dibra dhe është ky fakt që diskrediton propagandën komuniste shqiptare. Së pari kanë qenë zotërinjtë Reginald Hebert, Julian Amery dhe Dejvid Smajli, me grupet e tyre, ata që vendosën Enver Hoxhën në krye të PKSh-se dhe qeverisë të formuar në Përmet dhe Berat më 1944-n. Së dyti, libri i Nikolas Bethel tregon vetëm njërën anë të së vërtetës: faktin që Kim Filbi operacionin e Hamit Matjanit e raportoi tek sovjetikët dhe këta të fundit njoftuan shqiptarët; të njëjtin informacion na e jep edhe Juri I. Modin në librin e tij Shokët e mi të Kembrixhit, f. 204, vetëm se ai e shtron si hipotezë. Libri i Nikolas Bethel-it, atje ku bën fjalë për bandat, tregon se këto banda na paskan qënë në jug dhe pikërisht në rrethet Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec, Lushnjë dhe tepër-tepër pak në veri, Mirditë e Dibër (raporti për ne është 1:15); çka do të thotë: në qoftë se në Shqipëri janë asgjësuar 358 banda me rreth 2000 diversantë (shih Turhan Shilegu, Lufta e klasave në Shqipëri 1948-1953, f. 105) nga këto 23 janë në Veri dhe 335 janë në Jug, 134 diversantë në Veri dhe 1866 në Jug. Atëherë çfarë kërkon të mbulojë propaganda e sotme jashtëshqiptare me “sinqeritetin” e saj dhe propaganda shqiptare me vetëlavdërimin e vet? Këtë gjë marrim përsipër të zbulojmë në këtë artikull. Propaganda jashtëshqiptare, me “sinqeritetin” e saj fsheh:

1-Vendosjen e Enver Hoxhës në pushtet nën siglën e komunizmit,

2-Forcimin e pushtetit të Enver Hoxhës dhe komunistëve brenda vendit,

3-Eliminimin e kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës jashtë shtetit: a-partinë e mbretit, b-partitë antizogiste dhe antikomuniste, c-intelektualët antikomunistë jashtë vendit;

4-Eliminimin e kundërshtarëve politikë brenda vendit: a-grupin e deputetëve, b-mbeturinat e partive antikomuniste në Shqipëri, c-klerin katolik shqiptar - kjo ka qenë më kryesorja e të gjitha kryesoreve. Kleri katolik shqiptar ka qenë progjerman dhe produkt i shkollave austriake dhe gjermane; ka qenë elementi më progresiv në historinë milionavjeçare të popullit shqiptar, tipikisht krijuesi i kombit shqiptar me katër përfaqësuesit e saj kryesorë: Imzot Nikoll Kaçorri, Imzot Luigj Bumçi, Padër Gjergj Fishta dhe Padër Anton Harapi, d-elementët progresivë pa parti të shkollës gjermane. 5-Përdorimin e bandave për zbulimin e kundërshtarëve të infiltruar në inteligjencën zbuluese dhe kundrazbuluese britanike, ku rezultoi Kim Filbi. Ky i fundit zbuloi Enver Hoxhën si njeri i anglezëve dhe Enver Hoxha zbuloi agjentin sovjetik në drejtimin e një dege të Inteligjent Servisit. 6-Grabitjen e 300 tonëve të arit, pasurinë e popullit shqiptar të grumbulluar gjatë 300 – 400 vjetëve punë, “dhuratë” e Enver Hoxhës për mbajtjen në pushtet si dhe kollonë e pestë në lëvizjen komuniste ndërkombëtare.

Të gjitha këto vërtetohen me punimet e mëposhtme, te cilat janë shkruar për të mbuluar të vërtetën dhe jo per ta zbardhur ate: 1-Riginald Hebert, Fitorja e hidhur. 2-Nikolas Bethel, Tradhtia e madhe, 3-Julian Amery, etj, Kujtime që nuk shlyhen, 4-Dejvid Smajli, Me detyrë në Shqipëri, 5-Juri I. Modin, Shokët e mi të Kembrixhit; 6-Kim Philby, Lufta ime e heshtur; 7-Turhan Shilegu. Lufta e klasave në Shqipëri, 1948-1953.

Propaganda shqiptare vetëlavdëruese mbi mrekullinë që mban emrin Sigurimi i shtetit fsheh: 1-Qenien e komunizmit dhe të Enver Hoxhës, vepër të anglezëve, 2-Luftën Civile në Shqipëri përgjatë viteve 1943 – 1953; libri i Uran Butkës mbi luftën civile në Shqipëri 1943-1944 ka nevoje t’i nënshtrohet kritikes historike pasi me atë lloj analize kohore ai u fal komunisteve enveriste 99% te krimit; 3-Pushtimin e Shqipërisë së Veriut dhe transformimin e banorëve të atyre anëve në skllevër të shtetit komunist përgjatë viteve 1943-1985; 4-Vjedhjen qikllopike që shteti shqiptar komunist i ka bërë vendit të tij për hesap të anglezëve dhe jugosllavëve 1943-1953; 5-Krijimin e një historie të paparë për një popullatë të paparë dhe këtu duhet ndalur për të kuptuar rolin e Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, e cila në vitin 1990 u sulmua nga një individ duke ja përmbysur konkluzionet 18 vjeçare të ekzistencës së saj dhe duke e konsideruar si institucion antimaterialist dhe inekzistent. Ne e kemi konsideruar këtë akademi si institucionin armik numër një te popullit shqiptar.

Të gjitha këto vërtetohen edhe vetë me librin: Turhan Shilegu, Lufta e klasave në Shqipëri 1948-1953. Çfarë ka ndodhur në realitet në këtë periudhë që përmend ky autor dhe që e fsheh prapa nocionit luftë klasash (kjo nuk ka qenë lufta klasash, por lufte civile e vërtete, luftë individuale, për hesape individuale dhe vjedhjen e popullit shqiptar): a-Reforma agrare ishte dhe është poshtërsia më e madhe dhe e parë që PKSh-re i bëri klasës së fshatarëve dhe kjo nuk është kuptuar akoma edhe sot. Shumë u fol për këtë reformë, por asnjëherë nuk u tha se kush përfitoi prej kësaj reforme. Domethënia e gjithë reformës agrare konsistonte në kënaqjen ekonomike të 13,88 % të familjeve fshatare në territorin e Shqipërisë. Por duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër në këto shifra, çka e zbeh saktësinë e tyre. Nga 21 544 familje pa tokë ka shumë familje në Veri të Shqipërisë që nuk mund të kenë pasë tokë pasi nuk kanë qenë familje bujqish, por familje blegtorësh dhe kjo për jetë e mot. Prandaj shifra 13, 88 % e familjeve pa tokë duhet marrë me rezervë në sasi, por si fakt interpretativ. E themi këtë pasi edhe më vonë këto familje blegtorësh nuk kanë pasur tokë në posedim jo se nuk i dhanë, por se nuk kishin nevojë.

Pas gjithë këtyre shtrohet pyetja: A ka vallë ndonjë rast të tillë në botë dhe a mund të quhet akti i sipërm reformë agrare? Pikërisht në këtë pikë fshihet mashtrimi që PKSh-ja aplikoi mbi fshatarësinë shqiptare. Në qoftë se para reformës 128 961 familje kishin 1,8 ha tokë për secilin, pas reformës 70 211 familje patën 2,2 ha tokë për kokë, çka do të thotë se për 0,4 ha tokë populli shqiptar u fut në kontradiktë me vetveten. Formula magjike “Divide et Impera” (Përça e Sundo) ishte lajtmotivi aplikativ i kësaj reforme e cila realizoi atë që nuk kishte realizuar pushtimi 500-vjeçar osman: prishjen e unitetit të fshatarësisë sonë. Ishte ky përfundim që realizoi Enver Hoxha në Shqipëri prej nga iu krijua terreni i nevojshëm i sundimit absolut të tij. Kur analizohet e kaluara 50 vjeçare e popullit tonë është e domosdoshme të pajtohet kjo e kaluar edhe me karakterin e shqiptarit. Le të thonë ç’të duan, por që në emër të barazisë shoqërore të nënshtrosh 133 674 familje në favor të 21 544 familjeve të tjera do të thotë të jesh jo vetëm i trashë dhe idiot, por edhe i poshtër. Sot pas 45 vjetëve ne, autorët e këtij punimi, na vjen turp që jemi shqiptarë dhe të quhemi të njëjtë me ata që bënë reformën agrare. Kjo duhet pasur parasysh kur nxirret ligji për tokën, por pikërisht kjo nuk u mor parasysh nga parlamenti i vetëquajtur pluralist më 1991. b- Shkatërrimi i fshatit në fushën ekonomike u paralelizua me shkatërrimin politik të pluralizmit. Goditja e parë u dha brenda në parlament të quajtur me emrin hipokrit: Kuvendi Popullor. Më 26 mars 1946 ju hoq mandati deputetëve R. Danit dhe K. Prelës. Në dhjetor 1946 ju hoq dhe dy deputetëve të tjerë: Sh. Bejës dhe Z. Haxhirit; kurse në fillim të vitit 1947 edhe 8 deputetëve të tjerë. Seancat gjyqësore të zhvilluara në tetor 1947 dhe në 1948 u shoqëruan me një shfrim të urrejtjes së disa qarqeve kundra të akuzuarve. E paharruar do të mbetet në veshët e spektatorëve thirrja histerike e gruas të Prokurorit të Përgjithshëm: Në litar!

Por terrori politik do të vazhdonte paralelisht në gjirin e PKSh-se. Në nëntor 1947 vritet Nako Spiro. Thanë dhe thonë se vrau veten, por duke parë ngjarjet e mëvonshme e quajmë të papranueshme këtë version. Në fakt Nako Spiro u vra nga drejtuesit e PKSh duke hequr qafe të dytin e katërshes kundërshtare dhe duke e akuzuar për projugosllav. E gjithë kjo në kohën kur koka e PKSh-se flirtonte me armikun e kombit shqiptar. E gjithë veprimtaria politike e PKSH-se në këtë periudhë kohore ishte e lidhur me Jugosllavinë dhe erdhi koha kur këta të fundit vendosën ta bëjnë Shqipërinë republikë të 7-të dhe të sakrifikonin Enver Hoxhën. Të paktën kështu është deklaruar për 40 vjet për sa kohë që qe gjallë Enveri. Por ne mendojmë se gjithçka fshihet pas asgjësimit të dy kundërshtarëve të tjerë të Enverit ku loja me jugosllavët mori karakterin e kontradiktave për të fshehur superfuqinë e spiunazhit botëror. Të gjitha ngjarjet politike të ndodhura në intervalin kohor 1945-1948 janë të lidhura pazgjidhshmërisht me anglezët të cilët, me anë të jugosllavëve, krijuan distancën propagandistike me nxënësin e tyre. Meqenëse “kontradikta” me jugosllavët do të shoqëronte në aparencë Shqipërinë për 37 vjet pas Kongresit të I vlen të vëmë në pah se ato nuk kanë ekzistuar kurrë. Gjithonë PKSh ka bërë lojën e jugosllavëve dhe ata asnjëherë nuk e kërkuan Shqipërinë për republikë të 7-të. Në këtë mënyrë, në emër të antititizmit, në Plenumin e IX-të të PKSh-re (13-24 Shkurt 1948) përjashtohen nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror K.Xoxe dhe P.Kristo, si dhe dënohen Plenumet e II-ta dhe të VIII-ta të K:Qëndror. Të gjitha këto bëheshin për të qetësuar masat popullore sidomos atë të Veriut që shikonin tek jugosllavët armiqtë e tyre shekullorë. Loja u luajt aq bukur sa edhe sot ka kosovarë, mirditorë, etj, që bëjnë be për kokën e Enverit pa e kuptuar se ai i kishte tradhtuar qindra-mijëra herë.

c- Gjëja e parë që bënë komunistët e rinj në fushën e letrave qe mohimi i krijimtarisë patriotike e lëvruar nga studiuesit antikomunistë. Të parët që ranë viktima ishin autorët e revistave Fryma, Shkëndija, Kritika Letrare, Leka, Përpjekja shqiptare, Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndoit ku spikasin emrat e Ernest Koliqit, Myzafer Pipës, Arshi Pipës e shumë të tjerë. Dy të fundit përfunduan burgjeve ku i pari vdiq i masakruar nga komunistët. Pastaj radha e persuktimit i erdhi lirikut më të madh botëror të shekullit të XX-të Lasgush Poradecit, mbijetimi i të cilit krah për krah komunistëve të rinj ishte sfida më e plotë e traditës shqiptare ndaj antishqiptarizmës. Krah tyre u përndoqën Mitrush Kuteli dhe Petro Marko vetëm e vetëm pse nuk pranuan t’i shërbejnë me ndërgjegje regjimit komunist. Këto katër vjet shërbyen për të piketuar dhe asgjësuar antisllavistët më të përmendur ku gjithçka përmblidhej nën pamjet e klerit katolik. Asgjësimi fizik i 8 patriotëve klerikalë dhe dy studiuesve te tjerë te kësaj fushe ka qenë puna më e ndyrë e Enver Hoxhës dhe e regjimit komunist të tij. Kemi një kushtëzim të veprimtarive antishqiptare të komunistëve në fushën e letërsisë me atë të klerit. U mohuan me radhë: Ndre Zadeja (1890-1945) një klerik antipolitik, por tepër atdhetar dhe kjo e mori në qafë. Ja kushtoi jetën fesë dhe librave shqip. Vuri në themel të krijimtarisë së vet qëndresën e shqiptarëve kundra pushtuesit. Qe krijuesi i traditës melodramatike në letërsinë shqipe, themeluar mbi veprat e Gjergj Fishtës. Lazër Shantoja (1892-1945) ishte një letrar shumë i kulturuar dhe shkrimtar me shumë talent. Qe jo vetëm poet dhe autor i disa shkrimeve në formë kujtimesh, shënimesh e mbresa të ndryshme, por dhe një përkthyes ku shkëlqeu në shqipërimin e veprave të poetëve romantikë gjermanë. Më pas u përndoq deri në pushkatim me akuzën e pjesëmarrjes në Këshillin e Regjencës, Padër Anton Arapi (1888-1946) një letrar françeskan i njohur si gojëtar i përkryer. I përmendur është fjalimi i mbajtur me 15 shtator 1936 në mitingun e përmortëshëm të transferimit të eshtrave të Çerçiz Topullit e Muço Qullit nga Shkodra (botuar në gazetën “Demokratia” në 3 tetor 1936). Të njohura janë ligjëratat e mbajtura mbi Shqipërinë, njëra prej të cilave u mbajt përpara ministrit të jashtëm italian në vitin 1939 dhe tjetra në teatrin “Kosova” më 1944. Ndoc Nikaj (1864-1946) i pari romancier shqiptar dhe i pari studiues historian që shkroi një histori mbi Shqipërinë. Autori i romanit “Shkodra e Rrethueme” dhe i mbi 400 veprave letrare. Me asgjësimin e Ndoc Nikajt komunistët dhanë të kuptojnë se pariteti i letrave shqipe paskëtaj do t’i përkiste vetëm atyre në Shqipëri. Gjon Shllaku (1901-1946) drejtues i revistës “Hylli i Dritës” pas 1939. Një ndër figurat luftëtare më të vendosura kundra pushtimit fashist të Shqipërisë. Donat Kurti (1903-1947) njëri nga autorët e “Visaret e Kombit” (vëll. IV), studiues i folklorit shqiptar. Bernardin Palaj (1894-1947) ishte një shkrimtar dinamik që u mor kryesisht me mbledhjen e folklorit shqiptar. Qe njëri nga autorët e “Visaret e Kombit” (vëll. IV). Vepra e tij u botua më 1937 duke kurorëzuar me sukses punën e tij sistematike në fushën e folklorit. Qe figura kryesore e grupit të shkrimtarëve që i ra ndesh penetrimit të huaj shpirtëror i cili ndikonte negativisht, sipas tij, në nevojat shpirtërore dhe kulturore të popullit. Vinçenc Prennushi (1885-1949), kryepeshkopi i Durrësit, autori i librit me lirika poetike “Gjethe e Lule”. Së bashku me mikun e vet Shtjefën Gjeçovi vuri bazat shkencore moderne të studimit të folklorit shqiptar. Ka qenë dhe një përkthyes i përmendur në gjuhën shqipe i shumë veprave europiane. Injoranca komuniste e akuzoi më vonë si një krijues me agresiviteti maksimal, poet të dobët sentimental e fetar. Benedikt Dema (1895-1972) është një ndër figurat më enigmatike të kësaj plejade dhe të shkencës shqiptare. Nën presionin persekutues të shtetit punon në heshtje të plotë për një fjalor shqip-shqip me rreth 1 600 faqe duke zbërthyer dhe përmbajtjen e çdo fjale përsa i përket karakterit shkencor të çdo fjale. Ja rrëmbejnë studimin e tij duke i shkurtuar edhe jetën. Me punën e tij titanike dikush u bë akademik në Shqipëri dhe pas vdekjes nje shkolle mori emrin e këtij pseudoakademiku. Nikolla Mazreku (1910- pas 1992) është i vetmi studiues klerik shqiptar që mbeti gjallë nga kasaphana enveriste në Shqipëri. Kundërshtar i vendosur i pushtimit fashist të Shqipërisë më 1939. Është i përmendur për etydin filozofik antifashist drejtuar klerikut italian Fulvio Cordiniano më 1940 me titull: “Skandali “Cordiniano” dhe mbrojtja e kombit shqiptar”, botuar me pseudonimin Nikë Bërxolla. Në një farë mënyre në ato kohë nuk u prek vepra e Padër Gjergj Fishtës edhe pse ai ishte ndoshta i vetmi kollos antisllav në fushën e letrave shqiptare. Por kjo nuk i pengoi studiuesit komunistë të mëvonshëm t’i bashkëshoqëronin një sërë epitetesh deri në “spekulant të ndjenjave patriotike” ose, në kuadrin e analizës së kryeveprës “Lahuta e Malsisë” u akuzua si propagandues i antisllavizmit duke vënë në plan të dytë luftën kundër pushtimit osman. Ishte e qartë si drita e diellit se për të ngritur injorancën e komunistëve të rinj në nivelin e politikave dhe kërkesave popullore duhej ulur përfaqësuesi më në zë i këtij populli. Dhe pikërisht këtë rol luajtën shkrimtarët dhe studiuesit komunisto-enveristë që panë tek Gjergj Fishta pengesën më të madhe për lavdinë e tyre. Koka më e dallueshme e letërsisë së realizmit socialist e quajti Fishtën një klerik reaksionar (vëmë bast me jetën tonë se autori i kësaj çmendurie nuk e di kuptimin e fjalës reaksion në funksion të individit), i cili u përpoq për të krijuar një epos unikal, por dështoi; pasi Fishta, sipas tij, ishte i huaj për shpirtin dhe aspiratat e popullit, njëra anë; ndërsa, ana tjetër, eposi i Fishtës përshkohej nga një frymë shoviniste antisllave, krejt të huaj dhe e papranueshme nga muza shqiptare. Puna mbërriti deri atje sa u akuzua vepra e Fishtës (Lahuta e Malësisë) e bashkëshoqërueshme nga një frymë e ftohtë e poezisë klerikale dhe latine.

d- Sot mund të konsiderohet i lehtë evidentimi i krimeve të PKSh-se dhe të Enver Hoxhës, por vëmë re se ka një frenim në këtë drejtim. Akoma nuk po propagandohen rezultatet e këtyre krimeve, duke u kënaqur me disa deklarata në formë tullumbacesh me përjashtim të rehabilitimit të 22-ve të pushkatuar me bombën e ambasadës sovjetike dhe të 24-ve të dënuar me 10 tetor 1947 në kuadrin e gjyqit të deputetëve.

Në parim dy janë veprimet kriminale të PKSh-se gjatë atij katër vjeçari: pushtimi i Shqipërisë së Veriut, gjë që u shoqërua me krime të përbindshme në kurriz të popullatës vendase dhe asgjësimi në total i inteligjencës kohore ku përfshihej edhe kleri katolik, armiku kryesor i sllavizmit e detyrimisht dhe i PKSh-se. Të flasësh sot për revoltën e Koplikut dhe të Postribës është pak si e vështirë jo vetëm për faktin e asgjësimit të pjesmarrësve, por dhe nga propoganda e fuqishme e PKSh-re (në vazhdim PPSh-së – PSSh-së) e cila i fshihte qëllimet e veta pushtuese duke folur në emër të popullit. Megjithatë ekzistenca e disa pjesëmarrësve jashtë shtetit në diasporën shqiptare është e mjaftueshme për të hedhur poshtë pretendimet e komunistëve të rinj mbi lëvizjen e Koplikut dhe Postribës. E vërteta është krejt ndryshe dhe përmblidhet në tendencën suksesive për të pushtuar Shqipërinë e Veriut, akt i cili u ndesh me një rezistencë të popullatës të udhëhequra nga krerët popullorë. Janë këta të fundit që u akuzuan si kriminelë dhe strukturat luftarake popullore të udhëhequra nga ata, banda. Për dijeni të lexuesit shumë nga këta “banda” dhe “kriminelë” ishin ata që luftuan kundra turqve osmanllinj më 1910-1912 dhe kundra invazionit serb. Për të mos e zgjatur me interpretime duam t’i kujtojmë lexuesit të sotëm shqiptar mbrojtjen me gjak të Vermoshit i cili falë heroizmit të Preng Calit (është i vetmi udhëheqës popullor, mbas Skëndërbeut, që ka shpëtuar toka shqiptare nga invazionet e huaja) nuk iu dorëzua kërkujt të huaji deri sa enveristët duke e prerë në besë Prengën realizuan pushkatimin e tij (kjo është vepër e Mehmet Shehut) dhe pushtimin përfundimtar të Malësisë së Madhe. Kryengritja e Koplikut (janar 1945) dhe ajo e Postribës (shtator 1946) janë shprehje e vazhdimit të politikës me mjetet e dhunës kundra një popullate të mbrojtur vetëm nga kanuni i Maleve dhe gjokset e malësorëve trima. Koha kur historia do të flasë vetëm me fakte po afron. Jemi në momentin që periudha 1945-1953 të quhet periudha e pushtimit të Shqipërisë së Veriut nga ana e enveristëve me gjak dhe hekur. Veçoria e PKSh-se në këtë periudhë ka qënë se krimet i ka bërë paralele dhe pa asnjë radhë logjike politike. Ky fakt nuk lidhet vetëm me interesat politike të Jugosllavisë, PKSh-re, por dhe me interesat egoiste të Enver Hoxhës. Vrasja e intelektualëve të nderuar shqiptarë në ato vite më tepër i nënshtrohen interesave të Enverit se sa atyre politike. Fshehja e fakteve reale dhe publikimi i fakteve të rreme ishte metoda e kalimit të interesave nga vetjake në ato partiake. Në fushën e krimit ndaj intelektualëve, dy ishin veprimet më të para të komunistëve në Shqipëri: asgjësimi i intelektualëve të njohur për çështjen kombëtare e njohës, sidomos, të Enver Hoxhës dhe asgjësimi i kokës së klerit katolik. Sado ateist të jetë njeriu kur ndeshet me krimet e përbindshme të komunistëve të rinj në dëm të klerit katolik, pa dashur ndjen një dhimbje në shpirt dhe dëshirën për të drejtuar sytë nga qielli me lutjen: Sa më larg tyre, O Zot! Puna e lavdërueshme e Gjon Sinishtës mbi këto krime na jep mundësinë të njihemi saktësisht me të gjithë hapësirën e vepruar mbi klerin katolik. Nën kapitulli “Kisha katolike nën komunizëm” i kapitullit të II-të, “krishterimi në Shqipëri” është një sintetizim i mrekullueshëm i këtyre krimeve dhe poshtërsive te sigurimit te shtetit shqiptar te atyre viteve. e- Në kongresin e I Mehmet Shehu foli veçanërisht për Sigurimin e Shtetit si një armë vendimtare e padiskutueshme në ruajtjen e fitoreve të arritura. Referuesi i atribuoi këtij sigurimi sukseset në zbulimin e grupit “tekniko-intelektual”, të grupit të “Deputetëve” tradhtarë, të grupit të “Ballit Kombëtar”, kapjen e shumë agjentëve të spiunazhit të huaj, asgjësimin e bandave të armatosura të reaksionit etj, etj.

Të gjitha këto i takojnë periudhës 1944-1948.

Vazhdojmë më tej: Pika e fundit në fushën politike të kësaj periudhe(1948-1952) ishte eliminimi i anëtarëve të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror. Pa dyshim më i rëndësishmi jo vetëm për këtë periudhë, por për të gjithë kohën e sundimit të PPSh-së, ka qenë Tuk Jakova. Goditja e Tukut erdhi fillimisht duke mos u përmendur në fjalimet e Enverit. Kështu p.sh në fjalën e mbajtur para popullit të zonës elektorale Nr 60 të qytetit të Tiranës (14 qershor 1949) Enveri përmend emrin e vet, atë të Qemal Stafës, Vojo Kushit, Misto Mames dhe të Mehmet Shehut edhe pse vetë nuk kishte luftuar asnjë orë nëpër rrugët e Tiranës. Ka shumë mundësi që në vend të emrit të Mehmet Shehut të ketë qenë ai i Tukut, por kur u botuan veprat e plota të Enverit u ndryshua funksioni i propagandës duke kaluar nga e vërteta në mashtrim. Por në Plenumin e IX të K.Q. rë PPSh-së (19 shkurt 1951) Enveri filloi një lojë të re politike duke ulur figurën e Tuk Jakovës dhe duke ngritur atë të Mehmet Shehut, Por mbas dy ditësh ai nxori në shesh metodën e vet të asgjësimit të Tuk Jakovës. Ishte Mehmet Shehu ai që u përdor si mashë për të kapur “gabimet” e Tukut prej nga ne nxjerrim përfundimin se komploti ishte realizuar nga Enver Hoxha me anë të Mehmet Shehut. Të gjitha akuzat që ju bënë Tukut në Plenumin e IX lidheshin me ngjarje të kaluara dhe me njerëz të eliminuar fizikisht e politikisht nga Enveri, për të cilat do të flasim në vazhdim. Eliminimi i menjëhershëm i Tuk Jakovës duhet të paraqiste një domosdoshmëri të konsiderueshme për politikën antipopullore të Enver Hoxhës. Prandaj Plenumi i IX-të e përjashtoi Tukun nga Sekretariati i K.Q. të PPSh-së dhe Byroja Politike duke e lënë anëtar të K.Qëndror. Në fakt figura e Tuk Jakovës ishte e nevojshme për të kapërcyer krizën politike të atyre viteve dhe pas konsolidimit të Enverit në pushtet ai u bë i panevojshëm. Goditja e Tuk Jakovës ishte epilogu i eliminimit politik të një sërë anëtarësh të K. Qendror si Abedin Shehu, Njazi Islami, Nexhip Vinçani, Shyqyri Këllezi të dënuar në Plenumin e V të K. Qendror më 20 shkurt 1950. U asgjësuan edhe disa elementë që kishin marrë pjesë në luftimet e kryera gjatë periudhës 1943-1944 si Hamit Keçi e Gjin Marku. Nuk është e vështirë të kuptohet se politika e Enverit nënkuptonte eleminimin e të gjithë kundërshtarëve të vet politikë të cilët paraqesin rrezikshmërinë më të vogël për kolltukun perandorak të tij. Plenumi i IX-të i K. Qendror përjashtoi nga ky komitet dhe partia edhe dy grupe të tjera njerëzish: Sali Ormenin e Beqir Ndoun si dhe Manol Konomin dhe Theodor Hebën. Manol Konomi u përjashtua për mosfirmosje të dokumenteve që çonte në pushkatim 22 njerëz të akuzuar për vendosjen e bombës në ambasadën sovjetike, gjë të cilën e bëri Omer Nishani dhe për të cilin akt Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor do të vriste veten pas heqjes nga detyra. Me këta njerëz plotësohet imazhi i veprimit politik për periudhën që po analizojmë duke e kthyer K. Qendror në një objekt kryesor pastrimesh. Ky komitet në prag të Kongresit të II nga 21 anëtarë u reduktua në 17 dhe nga 10 kandidatë vetëm në 6. Komunistët enveristë po pastronin radhët e partisë së tyre nga elementët kundërshtarë duke e futur demokracinë me dhunë në kacekun e Eolit. Periudha paraardhëse (1945-1948) ishte ajo që përgatiti terrenin politik të veprimeve të këtij lloji nga ana e PPSh-së. Nga 200 komunistë që kishin formuar PKSh e pretenduar kishin mbetur 129 (deklarata e Tuk Jakovës në Kongresin e I-rë). Ku kishin shkuar 71 anëtarët e vjetër?

Poshtërsia kriminale e komunistëve shqiptarë arrin kulmin kur lavdërohet Sigurimi i Shtetit; ai sigurim që ishte i larë në gjak deri në fyt. Ishin këta sigurimsa që më 1950 vranë anëtarin e Komitetit Qëndror Njazi Islamin dhe i krijuan Enverit mundësinë e ngritjes së versionit të bindshëm se ai vrau veten. Ishin këta sigurimsa që vranë Sali Ormënin, një anëtar tjetër të K. Qendror dhe formuan alibinë sikur ai kishte vrarë veten në një pyll afër Elbasanit. Vetëvrasja u bë e vetmja ngjarje që justifikonte krimet e PPSh-së në ato vite të largëta. Demokracia akoma nuk kishte dhënë shpirt plotësisht dhe Enveri e kishte të pamundur të realizonte aso kohe burgosjen e tyre masive siç veproi në vitet 60-70. Me njerëzit e rangjeve më të ulëta u veprua në mënyra të tjera, duke mos krijuar imazhe përsëritëse. Enveristët e kishin pasur në instink ligjin hegelian të dialektikës: sasia nuk duhet ta kapërcente kufirin e lejuar. Për të eliminuar një sërë elementësh, jo vetëm kundërshtarë politikë, por dhe njohës të mirë të së kaluarës së tij, Enver Hoxha provokoi hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike (1951). Me këtë bombë Enveri zhduku Manush Peshkëpinë, njeriun që i njihte të kaluarën rinore të tij dhe 21 të tjerë. Nënshkrimin e aktit juridik ju kërkua ta bënte Manol Konomi, pastaj Omer Nishanit. Sot komunistët e rinj mund të krenohen se i kanë bërë krimet e tyre brenda akteve ligjore me vullnet popullor.

Krimet më të dukshme të PPSh-së në këtë periudhë janë të lidhura me klerin katolik, i cili në këtë periudhë nuk goditet më vetëm si element njerëzor, por edhe si Kishë Katolike. Drejtuesit e kësaj kishe u akuzuan si qytetarë të Vatikanit dhe si agjentë të tij në Shqipëri. E bukura është se këtë gënjeshtër Enveri e bëri në qytetin e Shkodrës, banorët e të cilit e dinin mirëfilli se Kleri Katolik Shqiptar historikisht ka qenë antiitalian dhe rrjedhimisht Enveri fliste në tym. E gjithë kjo propagandë ishte paraprirë me akuzën se Kleri katolik ishte antishtetëror dhe mundohej të ngrinte popullin në këmbë kundër qeverisë me luftë të armatosur. Për këtë tezë shërbeu provokacioni i Sigurimit të Shtetit në Kishën e Françeskanëve me anë të oficierit Pjerin Kçira, i cili ishte autori i futjes së armëve në këtë kishë me urdhër nga lart. Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme e detyroi sigurimin e shtetit ta dënonte oficerin e vet me 15 vjet burg, por deklarata e tij në atë gjyq nxorri në shesh lojën e komunistëve të rinj. Atëherë ata në fund të 1948 e pushkatuan duke mbuluar, bashkë me të, edhe punën e poshtër e cila doli bllof.

E ashtuquajtura “lufte klasash” e ka zanafillën pikërisht te “bandat e divesantave”, lidhjen e tyre me Inteligjent Servisin britanik, tradhetine e kesaj te fundit ndaj të parave dhe masakrimin e tyre nga ana e Sigurimit te Shtetit shqiptar i cili ne realitet ka luajtur vetem me një portë, dhe kjo pa portier. Është kjo arsyeja perse Enver Hoxha e zhvesh sigurimin e shtetit shqiptar nga merita e sukseseve kundra ketyre bandave duke ia dedikuar Partise, dmth vetvetes. Ne ketë drejtim ai duhet te kete plotësisht te drejte pasi ka qene ndërlidhësi dhe urdhëruesi i krimeve ne Shqipëri te realizuara nga lidhja e fshehte Inteligjent Servis - Sigurim i Shtetit Shqiptar. Në të vërtetë Kim Filbi e ka kryer veprimin ne lidhje me “bandat e diversantëve” vetëm një here, ne rastin e Hamit Matjanit, rast i cili zbuloi Enver Hoxhën ne sytë e sovjetikeve dhe Kim Filbin në sytë e Inteligjent Servisit. Ai rast ka qene një diskreditim i dyanshëm, por qe nuk u propagandua asnjëherë ne përmasën e vet; gjithmonë është folur për spiunin sovjetik qe kishte depërtuar ne inteligjencën britanike dhe asnjëherë për Enver Hoxhën, për te cilin Stalini ka dyshuar, ndërsa Hrushovi e dinte sakte këtë pune. Është kjo arsyeja perse ne mbledhjen e 81 partive ne Moske, me 1961, i tha hapur Enverit qe je shitur tek imperializmi për 30 aspra.

Përfundime: Analiza e propagandës mbi bandat e diversantëve tregon mbi ekzistencën e dypushtetit në Shqipëri, njëri prej të cilëve krejt i paparë dhe tej masës sekret. Asnjeri deri më sot nuk ka bërë fjalë për pushtetin real që zhduku dhe persekutoi kryeministra, ministra, anëtarë të Byrosë politike, Komitetit Qendror, pushtetarë të komitetit ekzekutiv, klerikë të të gjithë lloj ngjyrave, njerëz të thjeshtë, kundërshtarë apo simpatizantë të komunizmit enverist, zhdukjen e lagjeve të tëra, fshatra të njohur e të panjohur (mund të përmendim Oroshin dhe rrugicën ku u pretendua themelimi i partisë më 1941) bashkësia e të cilave jep një shifër alarmante për opinionin shqiptar dhe botëror, i cili në raport me popullatën përbën shifrën më të madhe në botë për të gjithë kohërat e ekzistencës së diktaturave: raporti për ne është një me tre; nje e katërta e pushkatuar dhe tre te katërtat te burgosur dhe internuar. E bukura është se ky pushtet, i fshehte, kriminal, sadist, vazhdon edhe sot duke trashëguar pasuritë e pronareve legjitime, duke kryer terror verbal e juridik mbi popullin shqiptar, me ta ne krah edhe prokuroria e gjykatat. Kjo pasoje ende nuk është pasur parasysh nga pushteti e duket se do te jete edhe sfida kryesore e momentit për mazhorancën dhe institucionet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora