| E merkure, 23.06.2021, 08:02 PM |
MEDALJONËT E LIRISË
(Bedri
TAHIRI, FLAKADANËT E LIRISË 6”, ArtClub “Rifat Kuka”j, Prishtinë, 2021)
Nga
Hamdi THAÇI
Në
radhën e krijimtarisë se tij të bujshme, prof. Bedri Tahiri këto ditë e ka
përfunduar edhe veprën e tij të 45-të, titulluar “Flakadanët e lirisë 6”.
Ky autor ka një stil të veçantë të shkrimit të librave të historisë. Kjo e
veçantë në veprat e tij, është, sepse ato janë të pajisura me burime të shumta,
arkivore historike dhe burimeve gojore nga thesari popullor, i cili është burim
i pashtershëm.
Shfrytëzimi
i burimeve gojore është një detyrë e rëndë për studiuesit, por është edhe shumë
e rëndësishme, kur dihet se rrethanat historike nëpër të cilat ka kaluar
populli shqiptar, shumë ngjarje dhe figura historike nuk janë ruajtur në
dokumente të shkruara. Ato të dhëna që nuk u ruajtën të shkruara, janë ruajtur
në kujtesën e popullit. Shfrytëzimi i këtyre burimeve nga thesari popullor
është i një rëndësie të veçantë, ngase burimet gojore janë njëri nga tri
burimet themelore, mbi të cilët mbështetet historia.
Prof.
Bedri Tahiri, sikur një bletë e vyer, jo vetëm për këtë libër, ka mbledhur
nektarin e faktografisë historike dhe ka ndriçuar të kaluarën e shumë
personaliteteve të historisë sonë kombëtare, duke mbledhur të dhënat historike
nga goja e popullit. Gjuha e rrjedhshme e autorit që përdoret në shkrimet e
tij, është një gjuhë që krijon një harmoni midis tekstit dhe lexuesit, duke
krijuar kështu një shije të veçantë për të njohur historinë e heronjve të
kombit tonë.
Është
interesant se në librat e historisë të këtij autori nuk ka personazhe, ata janë
të gjithë protagonistë. Kjo na bënë që librat e tillë t`i lexojmë, jo vetëm me
shije, por edhe me interesim të madh, sepse në çdo faqe e në çdo kapitull
mësojmë diçka të re e interesante.
Profesor
Bedriu, pa përtesë dhe pa u lodhur fare hynë në oqeanin e madh të kujtesës
popullore, ku edhe ringjallë emrat dhe personalitetet e historisë, të cilët nga
rrethanat historike nëpër të cilat kaloi populli ynë, gati se i kishte mbuluar
harresa. Ta themi kushtimisht, zbulimet e tij, janë përplot spektakle, të cilat
nuk janë as imagjinare e as të improvizuara, por janë historike, pra janë
ngjarje dhe personalitete reale, njerëz të sakrificës, që flijohen për liri e
për atdhe me këngë në gojë.
Autori,
edhe në këto raste, me një mjeshtri të rrallë historiografie, heronjtë e vet i
zhvesh me kujdes nga miti e hiperbolizimet, që shpesh, nga goja e popullit, nga
rapsodët e tregimtarët, u mveshën cilësi të jashtëzakonshme e hiperbolizuese,
jo nga mosdija, por nga dëshira për t’i bërë ata më të dashur e madhështorë.
Edhe në këto raste duhet një kujdes i shtuar i historishkruesit, që ta ruaj
identitetin esencial të ngjarjeve dhe personaliteteve, duke ua ruajtur meritat
dhe të bëmat, ku zakonisht përfundojnë me flijim, ose nëse shpëtojnë, ata
përfundojnë gjithmonë me nder. Autori,
Bedri Tahiri, si mjeshtër i penës dhe si besnik i faktografisë
historike, këtë e arrin me shumë sukses.
Në
serinë e “Flakadanëve të lirisë”, prof. Bedriu, ka zgjedhur një stil që
sa vjen e shtohet, rritë kontributin e tij për historiografinë kombëtare, duke
lidhur ngjarjet e historisë të periudhave më të vjetra, më saktësisht nga fundi
i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX, respektivisht ngjarjet e Luftës
Çlirimtare (1989-1999). Kjo kronologji e pashkëputshme historike tregon qartë
përpjekjet tona të vazhdueshme për liri e pavarësi, me synim të një ribashkimi
kombëtar.
Është
interesant se në familjet shqiptare është një traditë që është përcjellë me
shekuj, ku trimëria trashëgohet dhe përcillet brez pas brezi. Trimëria si
virtyt njerëzor e patriotik është e lindur, por edhe e kultivuar. Kështu prof.
Bedriu, sikur është zbuluesi i parë, ose së paku ishte i pari që në veprat e
tij ka zbatuar këtë formë të shkrimit, ku ka lidhur traditën familjare, përmes
personaliteteve historike që i përkasin të njëjtës familje, në periudha të
ndryshme historike, madje të dy, tre e më shumë brezave.
Në “Flakadanët
e lirisë 6” autori fillon më historinë e Ahmet Adem-Strofcit, trimit që me
“sëpatë mbrojti nderin e shqiptarisë”. Është interesant se autori i këtyre
historive, për lexuesin ofron edhe të dhëna gjeografike. Kjo është një plotësim
interesant i të dhënave, ngase këta e heronj e kanë vendlindjen dhe trungun e
tyre familjar. Pastaj, është edhe
krahina më e gjerë e fshatit prej nga rrjedhin ata, ku krahas familjes, fshatit
dhe krahinës, i bëjnë nder atdheut, në përgjithësi.
Kështu
fillon autori penartë me Ahmet Ademin, i cili e mbanë edhe mbiemrin Strofci,
prej nga e kishte prejardhjen. Strofci, fshat në shpatet lindore të Qyqavicës,
është vend i burrërisë, i trimërisë, i besës, i mikpritjes e i flijimeve
atdhetare. Edhe të Ahmet Strofci autori i gjen të gjitha këto virtyte njerëzore
e kombëtare, të cilat e radhisin në vargun e gjatë të heronjve të kombit,
historia e të cilit është ruajtur në thesarin e popullit, por prof. Bedriu i
ngritë përmendoren në libër, për të mos u harruar kurrë.
Autori,
sikur nuk dëshiron t`i mbetet borxh asgjë lexuesit, shpjegon në detaje edhe
etimologjinë e emrit të fshatit Strofc, por edhe të Artakollit, i cili nuk mund
të ishte ndryshe, përveçse ngjashëm me dy krahinat që është ngjitur me to,
Drenicën dhe Shalën. Si në ato, edhe në Artakoll ka “trima si zana”, që bëjnë
“deken si me le”. I tillë ishte edhe Ahmet Adem Strofci, heroi binjak me Ahmet Delinë e Prekazit, që i
del zot familjes se fqinjit, në stilin ”që nuk des për ketë kojshi, tybe s`des
as për robët e mi”. Me sëpatë mbron nderin e familjes shqiptare, dhe flijohet
si hero homerik, traditë mijëravjeçare e kombit tonë. Ahmeti , siç thotë
populli, ua la “këmbën e hairit” djemve, nipave e stërnipave, të cilët duke
ndjekur shembullin e tij, kurrë nuk do
të ligështohen para vështirësive në shërbim të atdheut.
Autori
duke lidhur veprimtarinë patriotike të trungut familjar të Ahmet Adem Strofcit,
arrin deri të lufta e fundit që shqiptarët, nën udhëheqjen e Adem Jasharit, e
bënë kundër Serbisë. Në këtë luftë, e cila u kurorëzua me çlirimin e Kosovës
nga Serbia, ishin radhitur edhe: Sokol Ademi, Ekrem Ademi, Bekim Ademi, Agron Ademi
dhe Burim Ademi, të gjithë këta nga trungu stoik i Ahmet Ademit. Kështu autori
me një punë titanike nxjerr në dritë, por të mos i lënë në mëshirën e harresës,
historitë e katër brezave të familjes se Ahmet Adem Strofcit.
“Flakadanët e lirisë 6” nuk përfundojnë me
historinë e kësaj familje heroike. Autori vazhdon të gjurmojë e të shkruaj edhe
për Flakadanët tjerë, gjithnjë duke pasur kujdes t`i lidh cepat e historisë dhe
brezat, nga koha më e vjetër deri të Lufta Çlirimtare 1998-1999.
Në vargun
e Flakadanëve autori na ofron histori krenare dhe njëherit të dhembshme për
trimin Fazli Çabra, një trim që flijohet në mënyrë homerike. Mirëpo, të mos
harrojmë, derisa prof. Bedri Tahiri e gjurmoi dhe e ndriçoi historinë e këtij
luftëtari, gati e kishte mbuluar harresa. Fazliu, bashkëluftëtar i Kamer
Loshit, i Azem Galicës etj. kishte shkëlqyar me gjakun e kuq që derdhi në tokën
arbërore. Prof. Bedriu është ai që vërtetoi se “gjaku nuk bëhet ujë”, sepse
heroin e nxori “nga vdekja e sigurt “ dhe e stolisi në librin e historisë
“Kamer e Murat Loshi”.
Heroi
i radhës që skalitet në pavdekësi nga pena e profesor Bedriut është edhe Nezir
Rrahman Zasella (1885-1945). Odisejada luftarake e këtij trimi është e gjatë,
më e gjatë se një jetë njeriu, kur i mendon gjithë ato luftëra e beteja që mori
pjesë ky burrë. Neziri ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, i Hasan
Prishtinës, në kryengritjen e vitit
1912, bashkëluftëtar i Azem Galicës, i Shaban Polluzhës etj. Luftoi kundër
Turqisë, kundër Serbisë se Parë e të Dytë, kundër kralit serb, kundër
Bullgarisë e Austro-Hungarisë e përsëri kundër Serbisë e Jugosllavisë. Sikur i
ati, ishte trim edhe i biri, Dibran Nezir Zasella. Pra, vazhdon tradita
patriotike edhe pas vdekjes se Nezirit më 1945.
Rifat
Banjska është heroi i radhës në “Flakadanët e lirisë 6”. Rifati, trim i
betejave të pareshtura, ku për komandant e kishte Azem Galicën e më vonë edhe
Shaban Polluzhën. Vetë fakti se ishte bashkëluftëtar besnik i këtyre dy ikonave
të luftës çlirimtare, flet për heroizmin e tij, i cili kulmon në aksionin e
vrasjes së naçallnikut serb të Mitrovicës nga heroina Shotë Galica, ku luajti
një rol vendimtar.
Një
histori në vete paraqet edhe Familja Prekazi në Mitrovicë, rrënjë e degë e
Ahmet Delisë. Këtu autori nja jep trungun gjenealogjik të kësaj familjeje,
pinjojtë e së cilës u dalluan në burrëri, trimëri, besë, luftë e punë,
gjithkund duke shkëlqye në punët e mira në shërbim të atdheut. Hys Prekazi,
bashkëluftëtar i Isa Boletinit, i Azem Galicës
dhe i heronjve tjerë të prirë nga
këta, si Ibrahim Prekazi, luftëtar, Et-hem Prekazi, nënprefekt në Drenicë e
Mitrovicë, Ehat Prekazi patriot e intelektual i dalluar. Nga kjo histori
brezash të familjes Prekazi, po thuaj se për një shekull nuk ka mbet ngjarje e
rëndësishme në historinë kombëtare ku Prekazët e Mitrovicës nuk dhanë
kontributin e vet të çmuar.
Autori
vazhdon me luftëtarin e lirisë e burrin e kuvendeve, Hasan Jasharin e Likocit, i cili si Oso Kuka
i Vraninës, nuk u largua nga vatrat stërgjyshore, derisa u përjetësua në Altarin
e Lirisë!
Mirëpo,
pena e stërholluar e shkrimtarit studiues Bedri Tahiri, me një përkushtim të
pashoq, portretizon dëshmorët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës, të cilët kurorëzuan përpjekjet tona shekullore, duke e sjellë Lirinë e
Pavarësinë e Kosovës. Kësaj radhe autori është ndalur tek disa nga emrat më të
shquar të kësaj plejade.
Kështu,
lexuesi do të mësojë për Adem Ramadan
Ademin e Galicës, ushtar i UÇK-së, i vrarë në Rrasë të Zogut, gjaku i të cilit
shkriu gurët e kufirit të mallkuar vëllandarës, duke stolisur më tutje librin e
vet me margaritarin e Luftës Çlirimtare, përsëri nga Prekazi, komandantin Ilaz
Kodra, anëtar i Grupit të Prekazit, në krye me Adem Jasharin, pra me njërin nga
themeltarët e UÇK-së, i cili flijohet pas 10 vjet luftërash e betejash.
Luftëtar që nuk e gjejmë as në legjendat homerike, fuqia e të cilit matet me
një ushtri. Ky është vet historia.
Vijnë
pas tij edhe Shukri Avdullah Qorri, rënë në Rrasë të Zogut, Ismail Beqir Loshi,
i vrarë në Mitrovicë, dhe Jetullah Rifat Gashi-“Komandant Drenica”, i cili i
dha jetë Rrasës së Kosharës, për çka edhe bashkëluftëtarët e quajtën Komandant
JETA, të gjithë trima që kishin lindur për pushkë, për luftë, për liri, të
cilës ia falen jetën.
Bedri
Tahiri i bëri emra në librat e historisë këta dëshmorë të kombit, ashtu siç ata
me gjakun e tyre e shkruan historinë e Atdheut.
Lavdi
për jetë e mot dëshmorëve të kombit, Medalionëve të Lirisë!
Prishtinë, 19 shkurt 2020