| E marte, 22.06.2021, 07:00 PM |
LIBRI PËR MISIONARIN E PAPËRKULUR
Nga
Prof. Prend BUZHALA: (Pjesa e XXIV)
Autori
i librave “At Pjetër Mëshkalla S.J.” (1993) dhe “Një monument nën dhé” (2004),
bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1991”
(1993) Fritz Radovani na vjen me botimin e dytë të librit “At Pjetër Mëshkalla
S.J.” Nëse letërsia shqipe, e përgjithësisht edhe literatura diskurzive, e
krijuar në Shqipëri e në Kosovë, deri në vitet ’90, përshkohej nga tematika e
Luftës së Dytë Botërore dhe të “periudhës së ndritur të socializmit”, me
“pastërtinë ideologjike”, me një sistem të veçantë motivacioni, shpesh duke
kaluar në një letërsi sterile; zhanri dokumentar dhe ai letrar, që erdhen gjatë
dy dakadave të fundit, sollën një frymë tjetër çliruese. Edhe té ky libër e
lexojmë dhe e ndjejmë frymen e po atij homazhi dokumentar i të njejtit lartësim
të figurës atdhetare e të dalluar kundër diktaturës që shfaqen në botimet e
përparshme të këtij autori.
Lartësimi i
shembëlltyrës, sinteza të kontekstit kohor
E
tash, na vjen edhe një liber i kujtesës dokumentare që të na ndihmojë në një
gjë: si ta mundim atë terr të së keqes brenda nesh. E jep biografinë për jetën
dhe veprën e At Pjeter Mëshkallës S.J. (1901 – 1988), intelektual, atdhetar e
prift shkodran, i burgosur disa herë nga diktatura komuniste. Kësaj radhe,
autori e ndanë librin në nëntë pjesë. E nis me lartësimin e portretit të tij si
atdhetar, meshtar jezuit, qendresën e Tij etiko – jetësore, besnikërinë e Tij
ndaj bindjeve të Tija të palëkundshme filozofike, fetare e njerëzore, duke
dhënë, po ashtu, edhe sinteza të kontekstit kohor të ngjarjeve, nëpërmes
kujtimeve e të evokimeve (teksti ballor “Ai ishte” dhe po këte frymë e vazhdon
me “Pjesen e Parë”).
Po
në frymen e këtij dokumentacioni, për ta parë edhe në një plan tjetër
shembëlltyren vepruese të këtij jezuiti shqiptar, në pjesen e dytë jepen pjesë
nga trashëgimia letrare e shkrimore e At Mëshkallës (poemat “Kanga e Isaisë”,
“Krishtlindje në Shkoder”, “Nanë ktheu”.., dhe gjashtë pjesë të poemes “Hipokrizia”..,
etj. deri në 1982.)
Në
pjesen e tretë autori trajton biografinë e shkurtë të At Mëshkallës. Duke e
nderthurë, shpesh e shpesh, refleksioni me komentin lirik, sintezen përshkruese
me faktin, portretin e shembëlltyrës me kontekstin historik e shoqëror, edhe té
kjo pjesë shquhet modaliteti dokumentar i Fritz Radovanit. Ja si e përshkruan
fundin e jetës së At Mëshkallës: “Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodres,
pa dallim feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN,
Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij, Dijetarin mendje ndritun
e puntorin e palodhun për unitetin e Atdheut... Shqipja me kthetrat e Saja ka
skalitë në një shkamb: Edhe një Hero ma pak!”.
Pjesa
e katërt (“Ai nuk perkulej!”) jep shkallë – shkallë vendosjen e regjimit
komunist dhe luften e këtij regjimi kundër klerit dhe fesë përgjithësisht,
ballafaqimet dhe qendrimet e At Mëshkallës kundrejt qendrimeve zyrtare, në
shtypin e kohës...
“Ai
nuk thehej!” paraqiten vitet ’50, ’60 të diktaturës kundër fesë, sidomos të
viteve 1967, kur u mbyllen përfundimisht kishat dhe Shqipnia shpallet shtet
ateist...
Radovani,
prandaj ka të drejtë të konstatojë: “Padër Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që
pat profetizue maparë. Ai pau me sy çka paralajmëroi diktatorët: Me të vërtetë
hangrën kokat e njeni – tjetrit dhe këtij nuk patën çka me i ba. Ai dhe Ideali
i Tij , Fitoi” së këndejmi na vijnë edhe ideostilemat vlerësuese të Fritz
Radovanit (“Ai nuk përkulej”, “Ai nuk thehej”, “Ai fitoi”) që dalin nëpër
pjesët e veprës.
“Padër
Mëshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët, Ai gjithmonë e kudo i mposhti
ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashoq që mund të kenë pasë
historia e Shqipnisë. Ata para figurës së Tij ishin të pafuqishëm dhe për
mjeshtrinë e flligtë të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjen e,
sidomos, kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër
pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e
Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Mëshkalla. Qendrimi i këtyne burrave zbuloi
misterin...”
Prandaj,
letërsia dokumentare e Fritz Radovanit mund të përkufizohet si bioprozë
karakteristike që vjen në letërsinë tonë me pluralizmin e temave, ideve,
procedimeve shkrimore, rrymimeve letrare, me procesin bashkohorë të shumësisë
së zhanreve.
Posi
tek libri “Një monument nën dhé”, edhe tek kjo monografi endëzohet e
strukturohet rrëfimi në veten e parë, i cili paraqet një modalitet të veçantë
të së vertetës.
Mbase,
këte trajtë dokumentare personale e subjektive të rrëfimit në veten e parë,
dëshron ta paraqesë si frymë etnie të veçant të shekujve të kaluar për brezat
që vijnë. Edhe pse ky i martirizuem e “amanetxhi” është katoliku shqiptar, më i
përafert me habitusin e tij specifik, si
është Shkodra; autori për asnjë çast nuk i largohet jetës së pandashme të binomit të tij “Atdhe”,
Shqipnisë, Shqipërisë; Trojeve Etnike. Ai nuk i ik fatit të njeriut shqiptar në
kohë të turbullta e as pikëtakimeve të religjioneve, zakoneve, varreve, festave,
flamurit e gjuhës së përbashkët. Të dhënat, faktet dhe refleksionet mbështeten
dhe strukturohen jo vetem mbi një bazë të gjërë e të shumëllojshme dokumentare,
por autori jepet i tëri edhe mbas të dhënave më të padukshme e mbas nuancimeve
që rrallë na bien në sy në jetën e përditshme a në literaturë. Së këndejmi, do
të thoshim, autori i jep shumëzëshmërinë kësaj vepre dokumentare, e që përbën
një polifoni të vërtetë të zhanreve
dokumentare – publiçistike, polifoni e këndshikimeve të pasura, mbasi tek e
vërteta ai arrinë shkallë – shkallë, po si një arkeolog që i heq ngadalë
shtresat që e mbulojnë thesarin e tij dokumentar; që i heq me durim bashkat e
gënjeshtrave mbi ngjarje dhe personalitete.
Autori
duhet përgëzuar edhe për gjuhën e kuptueshme e të thjeshtë, pa ndërlikime
refleksionesh të errëta a frazash boshe. Gjuhën që e përdor autori Fritz
Radovani në të gjitha veprat e tij të letërsisë dokumentare, (si e ka vlerësuar
autori i këtij shkrimi kritiko – letrar në një rast tjetër), është ajo e
sensibilitetit të njohur ligjërimor shkodran; i njeriut shkodran, që ka
trashëguar traditat atdhetare, fetare, etnike e popullore të mesit, i identitetit etnik euroshqiptar. Kjo gjuhë
është testimonia illyrica et testimonia albanica e martiriumit dokumentar të Radovanit.
Porse libri i shkruar në këte trajtë letrare, asesi nuk do të thotë se
kundërshton standardin letrar të
shqipes. Standardi gjuhësor, gjithsesi, është diçka tjetër, aspak i
kontestueshëm. Është shpirti i dokumentit dhe i formimit dëshmues të autorit.
Ndryshe, do të vritej ky shpirt dokumentar.
Dhe ky shpirt dokumentar frymon si i tillë vetëm në trajten e shkrimit që e ka
dhënë Fritz Radovani.
Historia
që vëzhgohet e dokumentohet në këte monografi, është ajo më e reja, që i gërmon
këto rrënjë shqiptare e fetare, që e gërmon harmoninë shqiptare përballë
fytyrës së krimit dhe egërsisë së ndërhyrjes së armiqve shqiptarë, sllavëve, të
cilët injektuan ideologji përçarëse. Parametër i këtij gjurmimi gjithnjë është
humanizmi, Njeriu, fytyra njerëzore.
Drita
dokumentuese, e hedhur nëpër minjerat e kujtesës e të katakombeve të historisë
më të re, përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Prandaj, lënda e
shtrirë dokumentare strukturohet nga referencat e shumta, nga kujtimet,
rrëfimet, dëshmitë, ditarët, reportazhet, letrat, korespondencat, të
gërshetuara me rrëfimin biofiksional e me pasazhet lirike narrative; që e
shtyjnë autorin të japë një precedimor karakteristik të thurjes së librit.
Prandaj, aty, sa e lexojmë eseun
dokumentar në trajtën e hibridizimit të zhanreve, sa lexojmë thënien
dokumentare – realiste të përshkrimëve, kroniken dhe monologun e brendshëm, një
procedimor – kolazh, ku përvijojnë linjat kronologjike – dokumentare .
Nëse
preciziteti dhe saktësia janë imanencë e dokumentit historik, atëherë Radovani
arrinë që ato t’i shëndërrojë në substancë të përmbajtjes së vetë letersisë së
tij të dokumentit.
Zagreb, Maj 2006.
Prof. Prend BUZHALA.
Shenim nga F.R.:Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Ju falemnderes i Nderuem Prof. Buzhala.
Melbourne, Qershor2021.