Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Libri për misionarin e papërkulur

| E marte, 22.06.2021, 07:00 PM |


LIBRI PËR MISIONARIN E PAPËRKULUR

Nga Prof. Prend BUZHALA: (Pjesa e XXIV)

Autori i librave “At Pjetër Mëshkalla S.J.” (1993) dhe “Një monument nën dhé” (2004), bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1991” (1993) Fritz Radovani na vjen me botimin e dytë të librit “At Pjetër Mëshkalla S.J.” Nëse letërsia shqipe, e përgjithësisht edhe literatura diskurzive, e krijuar në Shqipëri e në Kosovë, deri në vitet ’90, përshkohej nga tematika e Luftës së Dytë Botërore dhe të “periudhës së ndritur të socializmit”, me “pastërtinë ideologjike”, me një sistem të veçantë motivacioni, shpesh duke kaluar në një letërsi sterile; zhanri dokumentar dhe ai letrar, që erdhen gjatë dy dakadave të fundit, sollën një frymë tjetër çliruese. Edhe té ky libër e lexojmë dhe e ndjejmë frymen e po atij homazhi dokumentar i të njejtit lartësim të figurës atdhetare e të dalluar kundër diktaturës që shfaqen në botimet e përparshme të këtij autori.

Lartësimi i shembëlltyrës, sinteza të kontekstit kohor

E tash, na vjen edhe një liber i kujtesës dokumentare që të na ndihmojë në një gjë: si ta mundim atë terr të së keqes brenda nesh. E jep biografinë për jetën dhe veprën e At Pjeter Mëshkallës S.J. (1901 – 1988), intelektual, atdhetar e prift shkodran, i burgosur disa herë nga diktatura komuniste. Kësaj radhe, autori e ndanë librin në nëntë pjesë. E nis me lartësimin e portretit të tij si atdhetar, meshtar jezuit, qendresën e Tij etiko – jetësore, besnikërinë e Tij ndaj bindjeve të Tija të palëkundshme filozofike, fetare e njerëzore, duke dhënë, po ashtu, edhe sinteza të kontekstit kohor të ngjarjeve, nëpërmes kujtimeve e të evokimeve (teksti ballor “Ai ishte” dhe po këte frymë e vazhdon me “Pjesen e Parë”).

Po në frymen e këtij dokumentacioni, për ta parë edhe në një plan tjetër shembëlltyren vepruese të këtij jezuiti shqiptar, në pjesen e dytë jepen pjesë nga trashëgimia letrare e shkrimore e At Mëshkallës (poemat “Kanga e Isaisë”, “Krishtlindje në Shkoder”, “Nanë ktheu”.., dhe gjashtë pjesë të poemes “Hipokrizia”.., etj. deri në 1982.)

Në pjesen e tretë autori trajton biografinë e shkurtë të At Mëshkallës. Duke e nderthurë, shpesh e shpesh, refleksioni me komentin lirik, sintezen përshkruese me faktin, portretin e shembëlltyrës me kontekstin historik e shoqëror, edhe té kjo pjesë shquhet modaliteti dokumentar i Fritz Radovanit. Ja si e përshkruan fundin e jetës së At Mëshkallës: “Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodres, pa dallim feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij, Dijetarin mendje ndritun e puntorin e palodhun për unitetin e Atdheut... Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb: Edhe një Hero ma pak!”.

Pjesa e katërt (“Ai nuk perkulej!”) jep shkallë – shkallë vendosjen e regjimit komunist dhe luften e këtij regjimi kundër klerit dhe fesë përgjithësisht, ballafaqimet dhe qendrimet e At Mëshkallës kundrejt qendrimeve zyrtare, në shtypin e kohës...

“Ai nuk thehej!” paraqiten vitet ’50, ’60 të diktaturës kundër fesë, sidomos të viteve 1967, kur u mbyllen përfundimisht kishat dhe Shqipnia shpallet shtet ateist...

Radovani, prandaj ka të drejtë të konstatojë: “Padër Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue maparë. Ai pau me sy çka paralajmëroi diktatorët: Me të vërtetë hangrën kokat e njeni – tjetrit dhe këtij nuk patën çka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij , Fitoi” së këndejmi na vijnë edhe ideostilemat vlerësuese të Fritz Radovanit (“Ai nuk përkulej”, “Ai nuk thehej”, “Ai fitoi”) që dalin nëpër pjesët e veprës.

“Padër Mëshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët, Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashoq që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata para figurës së Tij ishin të pafuqishëm dhe për mjeshtrinë e flligtë të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjen e, sidomos, kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Mëshkalla. Qendrimi i këtyne burrave zbuloi misterin...”

Prandaj, letërsia dokumentare e Fritz Radovanit mund të përkufizohet si bioprozë karakteristike që vjen në letërsinë tonë me pluralizmin e temave, ideve, procedimeve shkrimore, rrymimeve letrare, me procesin bashkohorë të shumësisë së zhanreve.

Posi tek libri “Një monument nën dhé”, edhe tek kjo monografi endëzohet e strukturohet rrëfimi në veten e parë, i cili paraqet një modalitet të veçantë të së vertetës.

Mbase, këte trajtë dokumentare personale e subjektive të rrëfimit në veten e parë, dëshron ta paraqesë si frymë etnie të veçant të shekujve të kaluar për brezat që vijnë. Edhe pse ky i martirizuem e “amanetxhi” është katoliku shqiptar, më i përafert me habitusin  e tij specifik, si është Shkodra; autori për asnjë çast nuk i largohet jetës së  pandashme të binomit të tij “Atdhe”, Shqipnisë, Shqipërisë; Trojeve Etnike. Ai nuk i ik fatit të njeriut shqiptar në kohë të turbullta e as pikëtakimeve të religjioneve, zakoneve, varreve, festave, flamurit e gjuhës së përbashkët. Të dhënat, faktet dhe refleksionet mbështeten dhe strukturohen jo vetem mbi një bazë të gjërë e të shumëllojshme dokumentare, por autori jepet i tëri edhe mbas të dhënave më të padukshme e mbas nuancimeve që rrallë na bien në sy në jetën e përditshme a në literaturë. Së këndejmi, do të thoshim, autori i jep shumëzëshmërinë kësaj vepre dokumentare, e që përbën një polifoni  të vërtetë të zhanreve dokumentare – publiçistike, polifoni e këndshikimeve të pasura, mbasi tek e vërteta ai arrinë shkallë – shkallë, po si një arkeolog që i heq ngadalë shtresat që e mbulojnë thesarin e tij dokumentar; që i heq me durim bashkat e gënjeshtrave mbi ngjarje dhe personalitete.

Autori duhet përgëzuar edhe për gjuhën e kuptueshme e të thjeshtë, pa ndërlikime refleksionesh të errëta a frazash boshe. Gjuhën që e përdor autori Fritz Radovani në të gjitha veprat e tij të letërsisë dokumentare, (si e ka vlerësuar autori i këtij shkrimi kritiko – letrar në një rast tjetër), është ajo e sensibilitetit të njohur ligjërimor shkodran; i njeriut shkodran, që ka trashëguar traditat atdhetare, fetare, etnike e popullore të mesit, i  identitetit etnik euroshqiptar. Kjo gjuhë është testimonia illyrica et testimonia albanica e martiriumit dokumentar të Radovanit. Porse libri i shkruar në këte trajtë letrare, asesi nuk do të thotë se kundërshton  standardin letrar të shqipes. Standardi gjuhësor, gjithsesi, është diçka tjetër, aspak i kontestueshëm. Është shpirti i dokumentit dhe i formimit dëshmues të autorit. Ndryshe, do të vritej  ky shpirt dokumentar. Dhe ky shpirt dokumentar frymon si i tillë vetëm në trajten e shkrimit që e ka dhënë Fritz Radovani.

Historia që vëzhgohet e dokumentohet në këte monografi, është ajo më e reja, që i gërmon këto rrënjë shqiptare e fetare, që e gërmon harmoninë shqiptare përballë fytyrës së krimit dhe egërsisë së ndërhyrjes së armiqve shqiptarë, sllavëve, të cilët injektuan ideologji përçarëse. Parametër i këtij gjurmimi gjithnjë është humanizmi, Njeriu, fytyra njerëzore.

Drita dokumentuese, e hedhur nëpër minjerat e kujtesës e të katakombeve të historisë më të re, përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Prandaj, lënda e shtrirë dokumentare strukturohet nga referencat e shumta, nga kujtimet, rrëfimet, dëshmitë, ditarët, reportazhet, letrat, korespondencat, të gërshetuara me rrëfimin biofiksional e me pasazhet lirike narrative; që e shtyjnë autorin të japë një precedimor karakteristik të thurjes së librit. Prandaj, aty, sa e lexojmë eseun  dokumentar në trajtën e hibridizimit të zhanreve, sa lexojmë thënien dokumentare – realiste të përshkrimëve, kroniken dhe monologun e brendshëm, një procedimor – kolazh, ku përvijojnë linjat kronologjike – dokumentare .

Nëse preciziteti dhe saktësia janë imanencë e dokumentit historik, atëherë Radovani arrinë që ato t’i shëndërrojë në substancë të përmbajtjes së vetë letersisë së tij të dokumentit.

Zagreb, Maj 2006.

Prof. Prend BUZHALA.

Shenim nga F.R.:Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Ju falemnderes i Nderuem Prof. Buzhala.

Melbourne, Qershor2021.