E diele, 19.09.2021, 10:31 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një copëz paqe në Adriatik

E marte, 22.06.2021, 09:00 PM


NJË COPËZ PAQE NË ADRIATIK

UDHËPËRSHKRIM NGA PËLLUMB GORICA

E pres çdo udhëtim (si çdo gjë tjetër të bukur) me harenë e një fëmije; kësisoj një gëzim që shpesh më lexohet në fytyrë. Sqimëtar drejt vendeve të bukura me vlerat e tyre historike, arkitekturore e turistike, e cila është një gjë jo thjesht e dobishme, që ndryshon ritmin e ditës dhe begaton jetën, duke të mbushur shpirtin me mbresa, por edhe si një çlirim nga zymtia e përditshme e jetës, nga rrokollima e padëgjuar e Pandemisë (si kurrë më parë). Cinizmi i saj gjunjëzoi dëshirën, vrullin e mënyrën e jetuarit, duke i mbyllur të gjithë në shtëpi. Ne ngjanim, si njerëzit që dikur internoheshin në një territor të kufizuar e vuanin pasojat e gabimeve të tyre, apo si ata zogjtë shtegtarë në kafaz, që nuk gëzonin as punën, veprimtaritë, gëzimet apo edhe një kafe miqësore. Çdo ditë dëgjoje lajme të trishtuara; kaq të infektuar, kaq të shtruar në spital, kaq të intubuar e të vdekur, aq sa shpesh të vinte ndërmend romani “Dashuri në kohën e kolerës” i Gabriel Garsia Markes, si një paralelizëm makabër i këtij terrorri psikologjik nga televizionet e gazetat, që rrisnin më shumë pasigurinë dhe frikën e të gjithëve. Pavarësisht çdo fatkeqësie, jeta me ngjyrat e saj, vazhdon dhe njeriu ka një pafundësi mundësish, por varet, sa i kap dhe sa përpjekje bën për t’i realizuar.

Dita është e bukur. Vetura jonë la pas Tiranën e rrëmujshme prej “xhunglës” së mijëra ndërtimeve shumëkatëshe dhe kaloi drejt Rinasit, ku si skifterë gjigantë, ulen e ngrihen avionët e Linjave Ndërkombëtare. Shkëmbehesh me makina dhe tek –tuk kamionë të tonazheve të rënda. Rruga gjarpëron nëpër fshatrat e mbledhur para kodrave, me shtëpi jo më shumë se dy-tri kate, që çelnin dyer e dritare, si shami të bardha mes gjelbërimit të rrethuar nga lule dhe të gjitha llojet pemëve frutore, teksa zgjasin degët përtej kangjellave. S’ka se si të mos ndjehesh i mrekulluar nga ajri, klima dhe dashamirësia e vendasve. Këtu njerëzit kanë shumë poezi, gjë që rrallë ndodh ta hasësh ditëve tona, sepse së paku në shpirtin e tyre zbukurohet jeta, puna, nderi, familja, sa çdonjëri mban mbi vete një ngjarje, histori, gëzimi apo edhe dhimbje, në një kohë të caktuar. Ata nuk shtiren, me makina luksoze dhe histori zhurmuese, as edhe kur toka e Ishmit hodhi vallen e dridhjeve të frikshme për një kohë të gjatë.

Ishmi njihet për mikroklimën e pasur, për shumëllojshmërinë e së bukurës së adhuruar. Gjurmët, dokumentet autentike, toponimet historike e fetare, flora dhe fauna e Ishmit shërbejnë sot si grafi e të kaluarës së largët dhe të afërt. Gjuhëtari i shquar, Eqrem Çabej, thotë se Ishmi është toponim i lashtë mëse 3 mijëvjeçar, i pagëzuar në gjuhën pararendëse Ilire me emrin “Isamus”, “Issam”, “Issemus”, “Ismus”. Vendasit të thonë se Ishmi e ka marrë emrin nga mbreteresha ilire Teuta: vend i “hijshëm’’ = Ishëm. Me këtë emërtim njihet edhe nga arkivat e Raguzës në shekujt XIV–XV nën sundimin e derës fisnike të Topiajve, gjë që e dëshmojnë kronikat e kishës bizantine të “Shën Nastasias”.

Jemi në Kodër Ishëm, prej nga duket gjithçka. Në njërën anë, në të djathtë, shtrihen hapësirat e Lagunës së Patokut, Kurbinit, shpatet e maleve përballë të Krujës dhe Dajtit, Lezha, Shëngjini e deri edhe Ulqinin i largët. Kurse në anën tjetër, në të majtë shtrihet Gjiri i Lalzit, me ndërtime të shumta turistike, që shprehin cilësinë e re të jetesës aty. Historia thotë se në fund të gjiut të detit, dikur ka ekziztuar një port Anijesh Ilire, i cili u rindërtua në Mesjetë nga turqit dhe u shkatërrua pas një rreshqitjeje masive.

Emri “Gjiri i Lalzit” vjen nga Mesjeta, kur një prift vendas me emrin Lalëz ndërtoi një kishë të madhe, me të madhen në Shqipërinë e Mesme. Qindra banorë vinin për vizitë dhe katekizëm. Qysh nga ajo kohë, për shkak edhe të pozicionit gjeografik, kodër - det, vendi mori emrin tek Kisha e Lalzit (e priftit Lalëz); ose tek kisha e Gjirit të Lalzit.

Reth Viteve 800, pas festimeve për shenjtorin Pjetër në Vatikan, një fortunë e madhe nxjerr në bregun e detit një anije me priftërinj, nga vende të Ballkanit duke ua kursyer jetën atyre. Disa vite më vonë, banorët vendas ndërtuan për nder të tyre një kishë të madhe, që e quajtën kisha e Shën Pjetrit e cila kohë më vonë u shkatërrua nga erozioni dhe baticat e detit. Prej saj nuk ka mbetur asnjë gjurmë (veç truallit) ku ajo u ngrit. Në vitin 1903 banorët, sërish në përkujtim të Shën Pjetrit, ndërtuan në kodrinë, vetëm 100 metra larg detit, kishëzën që ekziston edhe sot e kësaj dite e rrethuar nga varre; ndërsa brenda saj, veç vizatimeve dhe afreskeve modeste, gjendet ikona e Jezu Krishtit në kryq, një dhuratë simbolike e një ambasadori gjerman, që prej disa vitesh kalon pushimet e verës në plazhin e Gjirit të Lalzit.

Të ndjell vetiu të vështrosh edhe veprat monumentale, që të mrekullojnë me origjinalitetin e tyre. Por, kush e shëtit, ndesh vërtet vëshirësi që kjo zonë po kalon, si shumë të tjera bregdetare në Shqipëri, nga restorantet e komplekset turistike, që po kafshojnë çdo cep, sa më vonë duket se do bëhet ëndërr prekja e këtyre përthyerjeve, që sot të dehin me bukurinë e tyre.

Xhamia e Gjuricaj tej mase e bukur të fton për meditim. Qendra e Likmetës me arkitekturën e larmishme shndriste nën pushtetin e diellit. Kur makina kalon afër kalasë mesjetare të ndërtuar në vitin 1572 (madje i prekim muret e saj), nuk mund të mos përshëndesim në memorial gjeniun e pikturës, Ibrahim Kodrën mikun e Pikasos, por edhe të quajtur më pas “Pikaso i gjallë”. Dëshira e tij e fundit (të prehet aty) ku u lind, vend për të cilin ish krenar gjithë jetën, aty ku nisi të kërkojë të pamundurën larg, duke ngritur, jo vetëm emrin dhe peizazhin magjik që e frymëzonte, por edhe zërin e Atdheut në Botën Perëndimore.

Kodrat zgjaten drejt një kepi të shenjtë toke, si kulmi i një trekëndëshi dybrinjësh, në formë gadishulli i zhytur thellësive të detit Adriatik, më i madhi i bregdetit Shqiptar. Kepi mban emrin e një Hyjnie Ilire të detit, Rodonit; të ngjashëm me Poseidonin Helen dhe Neptunin romak. Redoni ilir, ishte biri i Zeusit, lajmërmitari i perëndive dhe udhërrëfyes i të vdekurve në Had. Dikur e quanin edhe “Sqepi i Skënderbeut”. Eruditi Moikom Zeqo, thotë se Redoni ishte Perëndia Ilirëve e përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash të mbretit Ilir Gent e ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve e Daorsëve.

Hyjmë në Kishën e Shën Ndoit, të ndërtuar sipas tilit Romano-Gotik rreth shekullit XII pas Krishtit. Duke e vizituar atë të duket se ndihesh si një fëmijë që hyn në një vend të fshehtë dhe ti i futur në përfytyrime rrethohesh mistershëm. Brenda saj gjendet edhe një pikturë e Rilindjes Italiane, këmba e statujës së Shën Françeskut dhe zambakët e dizenjuar në pllaka guri. Aty, tre afreske brilante: shqiponja dykrenore e flamurit të Kastriotëve; Mamica Kastrioti mbi një kalë; një lejlek, si simbol i zogjve, zbulojnë veç artit edhe kulturën e shqiptarëve, që jetuan në trevën e Ishmit. Sipas dokumenteve historike dhe legjendave, Gjergj Kastrioti e zgjodhi kishën, për qetësinë shpirtërore (thonë se këtu Gjergj Kastrioti ka mbajtur meshën e martesës).

Ngjitur me kishën, është manastiri i Mamica Kastriotit, ku ajo qëndroi e lumtur e shoqëruar nga gra, që s’u bënë kurrë robina të osmanëve.

Muret, kubet e larta të kishës, gurët, tullat e kuqe, kryqet e lashta, harqet dhe shtyllat e vogla, që ndajnë nga njëra- tjetra dritaret e saj, i frymëzojnë për më shumë shenjtërim vizitorët, nga vendi dhe Evropa e largët.

Vitë më parë Kepi i Rodonit ishte kthyer në zonë të ndaluar ushtarake, aq sa nuk mund të shkelte shumëkush. Tashmë, si kujtesë për ata që e kanë jetuar këtë periudhë, si edhe për ata që nuk e përfytyrojnë, të shfaqen tunele, qendra zjarri, bunkerë, një sistem fortifikues i Artilerisë Bregdetare të Ushtrisë Shqiptare, nga ku ruhej dhe kontrollohej territori, por fitohej kohë në rast agresioni, për t’i penguar desantët ndërmjet detit. Ato, të mbuluara nga ferrat dhe pëlhurat e merimangave që kapërthehen si flokë, janë shprehja më e qartë e denatyrimit dhe poshtërimit të Natyrës së tij.

Dallgët lozonjare të ngjajnë si një muzikë. Adhuron vargun e pandërprerë të tyre, kur thërmohen nëpër shkëmbinj të përkëdhelura nga vezullimet e diellit. Një udhëtim me varkë (që përkundej lehtë midis dallgëve), më ofroi pamje të tjera magjepëse. Shoh rrjetat e bardha të peshkatarëve që ulen e ngrihen vazhdimisht. I përkëdhelur nga magjia e jodit dhe ndjesia e Sirenave të fshehura, para syve u shfaq një peshkatar me pushkë sportive, që mbi ballë kishte maskën e zhytjes. Në brez i varej një kandil deti, një morenë e peshq. Veç kësaj, aty ku bregu i detit ishte i qetë si një kristal, pak plazhistë dhe dy tre çadra.Por, para syve të përplasen “dhunshëm” mbeturinat e hedhura kuturu. U trishtova nga kjo e vazhdoj të vuaj, duke menduar se duhet kujdesje për ta mirëmbajtur e pastruar këtë përlë bregdetare, gjë që do të ndikojë në zhvillimin e turizmit. Ika larg, për t’i mos i parë.

Të duhet vetëm pak të përshkosh të njëjtat shtigje në të cilat ka kaluar ‘‘Ati themelues i identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti’’, atje ku shihen mbetjet e një vendbanimi Ilir dhe një far detar në pikën me të lartë të Kepit të Redonit. Nën këmbën e Kepit kështjella e Gjergj Kastriotit. Muri i saj arrinte në një gjatësi prej 400 metrash, me kulla të rrumbullakta vrojtimi. Si shenjë hakmarrjeje për humbjet e tij të turpshme, Sulltan Mehmeti II pas rrethimit të Dytë e të Tretë të Krujës (1466-1467) urdhëroi shkatërrimin e gjithçkaje Arbërore; kështjellave e kishave; të mbjellave, prerjen e pemëve frutore, etj. Sot mund të shikosh muret e jashtme të anës së djathtë, kur kështjella u pushtua nga Venediku në vitin 1500, të cilët e rindërtojnë pjesërisht. Ato i mbijetuan shkatërrimit, por aspak përplasjes së stërkalave të dallgëve, duke i gërryer, aq sa gjysma e themeleve tashmë gjenden në ujë e gjysma tjetër në tokë.

****

Kepi i Rodonit nuk është ndonjë cep i fshehur në Ilirinë e Poshtme (apo në Alpet Shqiptare), as plazh mitik në Jonin Magjik, por në në Parajsën e Shqipërisë së Mesme, fare pranë; madje një hap larg Tiranës zyrtare. Magjia e paqtë e tij endet mes freskisë, pulbardhave që fluturojnë mbi dallgët e detit Adriatik, mes gjelbërimit fëshfëritës dhe dëshmive historike: Kishën e e Shën Ndoit dhe Kështjellën e Gjergj Kastriotit; në kaltërsinë e qiellit dhe në perëndimin e bukur të diellit…

Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejen me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora