Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri: Vazhdimësia…

| E hene, 21.06.2021, 07:33 PM |


Vazhdimësia…

Kapitull nga libri “Vajz’ e valeve”

Nga Timo Mërkuri

Nuk mund të mbyllet ky libër pa evidentuar edhe dy kolosë të këngës himarjote, bashkëkohësit tanë, Dhimitër Varfi dhe Katina Beleri, jo vetëm si vazhdues të veprës së Neço Mukos, por si artistë që i dhanë kësaj kënge atë finesë, harmoni dhe ëmbëlsi shpirti që ka sot .

Dhimitër Varfi është vazhduesi më i denjë i Neço Mukos në kultivimin dhe përpunimin e këngës himarjote.

Tregojnë për Dhimitër Varfin se, atë ditë të largët të vitit 1930 që lindi, mamia që e priti, duke dëgjuar të qarët e tij, tha:- O zot, ky djalë do bëhet ose psallt ose këngëtar. Dhimitër Varfi u bë edhe psallt edhe këngëtar. Madje ca më shumë, u bë një marrës i papërsëritshëm i këngës himarjote.

Edhe ky është një nxënës i Pano Kokaveshit. Veçse një nxënës që ja kalon mësuesit.

Tregojnë se kur ishte djalë i ri, reth 17-18 vjeç këndonte me shokët në ditën e Pashkës së Madhe. Aty kalonte dhe e dëgjoi Pano Kokaveshi, ndaloi hapin dhe pasi mbaroi kënga, ju drejtua me fjalët profetike, gati urdhëruese:- Ti more djalë, shumë shpejt do bëhesh marësi i këngës himarjote, por vazhdo e këndo çdo ditë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Dhimitri filloi të punojë këpucar bashkë me Panon, duke u bërë dy nga mjeshtrat më të mëdhenj si këpucarë, me emër dhe kërkesa dhe nga Vlora e Saranda. Aty , te këpucaria ishte shkolla muzikore e Dhimitër Varfit me “mësuesin” e rreptë dhe të dashur Pano Kokaveshin. Realisht Pano Kokaveshi nuk ishte pjestar i grupit të Dhimitër Varfit, por ishte ai që e drejtonte këtë grup në fillimet e tij.

Dhimitër Varfi renditet dhe vlerësohet si ndër këngëtarët më të shquar të iso-polifonisë së Bregut të gjysmës së dytë të shek. XX. Ndër këngët e arta të repertorit të tij janë këngët e grupitë të Neço Mukos. Në grupi e tij iso-polifonik bënin pjesë :Dhimitër Varfi-marrës, Spiro Dhimaleksi -kthyes, Llambro Kiço -hedhës si dhe iso nga Leko Leka në fillimet e veprimtarisë në vitet 47-50 si dhe: Dhimitër Varfi – marës, Llambro Gjomema-marës, Andrea Dhimojani- kthyes, Thodhori Goro -hedhës si Pano Naçi, Simo Kallushi- iso në vitet pas 1950.

Grupi i Dhimitër Varfit doli në skenë i afirmuar në vitet 1950, periudhë kur bëri edhe inçizimin e parë në radio, duke vazhduar të jetë pjesmarës në katër festivale kombëtare.

Merita e Dhimitër Varfit dhe grupit të tij qëndron në faktin se ai « lëmoi » mermerin e monumentit « Kënga Himarjote », duke e bërë atë më fin dhe më harmonik në detajet e tij me tërësinë, dhe për pasojë më të ëmbël, më shpirtëror. Në qoftë se Koço Çakali, si marës kishte një zë metalik, zë « gryke » Dhimitër Varfi kishte një zë gjoksi, ose më saktë, një zë shpirti, të ëmbël e të ngrohtë.

Grupi i këngës himarjote karakterizohej nga një harmoni e shkallës së lartë. Elementët thelbësor të kësaj kënge evidentoheshin qartësisht për periudhën kur kjo këngë u këndua.

Marrësi i saj Koço Çakali, kishte një zë metalik lirik dhe emërtohej nga shoqëria PATHE si tenor (amator) me diapazon të gjërë. Koçua dallohej për kulturë të lartë inerpretimi, fantazist i melodive dhe edukatë muzikore, jo vetëm për iso-polifoninë por edhe për këngët e tjera me karakter lirik, operistik, parodik dhe epik që inçizoi apo këndonte.

Kthyesi i këtij grupi Andrea Bala, ishte një bas i thellë, që të kujton gjëmimet e rënda të maleve të Vetëtimës, të cilat parathonë stuhi apo dëbore të madhe. Kontrasi i madh midis tij dhe marrësit përbënte asokohe një dukuri në “modë” për iso-polifoninë, e cila korri një sukses të padiskutueshëm, por që më von u pa si një pengesë për evolimin e kësaj kënge. Kthyes tjetër i këtij grupi ka qënë edhe vetë udhëheqësi artistik Neço Muko, por që më shumë ka mbushur mungesën e Andreas se sa ka arritje të vetë artistike.

Elementi i ri i futur tërësisht në këngën himarjote, falë gjenisë së Neço Mukos , është hedhësi i kësaj kënge. Themi element i ri, se kënga himarjote, ashtu si edhe kënga labe në tërësi, nuk ka patur hedhës kaqë funksional, ndonëse ka patur prerës. Ky inovacion, mendojmë se erdhi pikërisht kur disa këngë u inçizuan të shoqëruara me instrumenta muzikorë, se nuk mund të konceptohej nga specialistët e PATHE kënga pa istrumenta. Dhe pikërisht, kur këngët u shoqëruan nga këto instrumenta dhe kënga shtihej, atëherë dilte në pah kërkesa harmonike për një hedhës, i cili do të “imitonte” zërin e tretë në muzikë, por natyrisht në një formë tjetër, krejt të natyrshme, që vetëm iso-polifonia himarjote e ka edhe sot e kësaj dite në një formë të përsosur, duke u vijuar edhe nga kënga pilurjote. Ky hedhës ishte Pano Kokaveshi, i cili ishte këngëtari me i ri i këtij grupi dhe që pati fat (për vehte dhe për ne) të ronte e të na i transmetonte gojarisht këto inovacione që bëri grupi i këngës himarjote.

Nuk po vijojmë me ison, sepse kemi folur edhe më parë , por ndoshta duhet të theksojmë intimitetin dhe misterin që Neçua i ngarkoi isos së këtyre këngëve dhe që e ndryshoi dhe e bëri magjike këtë iso.

Po të bëjmë një krahasim me grupin e Dhimitër Varfit, që interpretoi po këto këngë, por në një kohë tjetër e në një mënyre tjetër, do të shikojmë se tek grupi i dytë do të kemi një nivel artistik gati hyjnor, të krahasuar me nivele operistike botërore.

-Të tre elementët bazë të këtij grupi, marrësi, kthyese dhe hedhesi, janë të tre tenorë me zë koke dhe që shkrihen në një harmoni perfekte. Me një vëmëndje të vogël edhe isot e këtij grupi janë tenorë dhe shkojnë në unisom me tre të parët.

Marrësi i saj Dhimitër Varfi është një nga këngëtarët më të fuqishëm të iso-polifonisë, i papërsëritshëm deri më sot.

Ai është shpërthyes, lartësor, heroik dhe epik njëkohësisht dhe me një ritëm e kadencë të brendëshme, që rrallë mund të përsëritet.

Kthyesi i këtij grupi, Andrea Dhimojani, është i kundërti i Andrea Balës, duke qënë njëkohësisht edhe vazhdues i tij, i ëmbël, i lehtë, i harmonishëm dhe i “kronometruar”, duke e çuar iso-polifoninë në një interpretim me “dirigjent” të padukshëm.

Hedhësi i këtij grupi, Thodhori Goro përbën tenorin tempo ritëm, që në momente të veçanta mund të mbulonte edhe “mungesën” e marrësit. Shfaqet rrallë, me atë “hajde de-në” e tij, por që të kujton majën ose kulmin, dhe pas kësaj kënga s’kishte ku të ngjitej më. Është “shkollë klasike” për të gjithë hedhësat e tjerë të këngëve iso-polifonike, në përgjithësi dhe atyre burrërishte në veçanti.

Tek grupi i Dhimitër Varfit kemi edhe katër “iso”, të cilët kanë harmoni të përkryer dhe të veçantë, me një tingull gjysëm note dhe hundor, e tillë që e bën të dallueshme ison himarjote në çdo vend e në çdo kohë..

Te grupi i Neço Mukos, hedhësi i ngjan prerësit ndërsa te Dhimitër Varfi, hedhësi është në një shkallë klasike, i specializuar dhe i përsosur në rolin e tij që evidenton jo vetëm dhimbjen që mbart kënga por edhe finesën e kësaj dhimbjeje, të derdhur në këngë.

Thyesi është në harmoni të plotë me grupin,aqë sa të mos dallohet veçantia e tij, ndërsa te grupi i Neço Mukos, thyesi është si « kundrapedali » i grupit.

Te grupi i Dhimitër Varfit mbizotëron harmonia e zërave në shkallën më të lartë, sa që nuk dallon ndërhyrjen dhe ndërprerjen e njer-tjetrit.

Për këto novacione , për kontributin në këngën iso-polifonike himarjote dhe për aktivitetin e tij të gjërë dhe cilësor Grupi i Dhimtër Varfit është nderuar e vlerësuar edhe nga organet e pushtetit lokal.

Me Vendimin nr 105 datë 26.11.2012 Këshilli i Qarkut Vlorë ka nderuar me titullin “Nderi i Himarës”, Grupin e këngës himarjote të vitit 1952, të përbërë nga Dhimitër Varfi, Llambro Gjomema, Andrea Dhimojani, Thodhori Goro, Pano Naci, Simo Kallushi, Leko Leka

Atë ëmbëlsi që kultivoi Dhimitër Varfi te kënga himarjote e përçoi më tejë me interpretimin e saj Katina Bejleri.

Katina Beleri, mbesa e Koço Çakalit, ka lindur ditën që ka vdekur Koçua në gusht të vitit 1964, si për të vazhduar misionin artistik të familjes. Rastësia vazhdon edhe me faktin se, duke patur drejtues artistik djalin e Koço Çakalit, dajon e saj, u ngjit në skenën e Festivalit Folklorik Gjirokastër në vitin 1983,( atëherë nxënëse e vitit të tretë gjimnaz ) me këngën « Llaj çobani », këngë e kënduar dhe inçizuar nga Koçua në Paris. Qysh nga ajo ditë, ecja e saj në rrugën e këngës iso-polifonike ka qënë një ecje triumfale, nëpër skenat e vendit dhe të botës, duke mrekulluar publikun me magjinë e ëmbëlsisë së zërit të saj dhe të melodisë të këngës himarjote. Ka interpretuar të gjitha këngët himarjote, dhe në bashkëpunim me grupe dhe këngëtarë të tjerë shumë këngë iso-polifonike të Bregut dhe të Labërisë.

Në qoftë se Dhimitër Varfi i dha këngës himarjote përsosmërinë, Katina Beleri i dha kësaj kënge atë ëmbëlsi, që të depërton në shpirt dhe të bën të lotosh, ndërsa je duke e dëgjuar. Interpretimin e Katina Belerit mund ta quanim « qershia mbi tortën » e këngëve himarjote. Embëlsia e zërit të saj mund të krahasohet me ëmbëlsinë e valëve të Jonit kur vijnë e shtrihen mbi rërën e plazheve të Himarës, në një mbrëmje vere.

Kënga himarjote është me fat që pati dhe ka korifej të tillë, që nga gjëmimtari Neço Muko me shokë , te gdhëndësi fin Dhimitër Varfi e deri te e ëmbëla Katina Beleri që na e sollën sot aqë të përsosur dhe magjike.

Madje në një përsossmëri të tillë, sa që edhe zoti vetë nuk ka ç’i shton më tepër kësaj kënge*.

*-Perifrazim i fjalës së kompozitorit grek Miki Teodoraqis.