E merkure, 24.04.2024, 07:04 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nikollë Lesi: Si i njoha Nanon dhe Berishën (Nano I)

E hene, 01.12.2008, 03:41 PM


Nikollë Lesi

 

Si i njoha Nanon dhe Berishën

 

Kapitulli i parë - Fatos Nano

 

Pse ka ndryshuar Nano?

 

Kishte kohë që përflitej nga shumë deputetë të mazhorancës se Fatos Nano ka tre vite që ka ndryshuar krejtësisht. “Është tjetërsuar !”-thonin nën zë dhe shikonin përreth tyre se mos i dëgjonte njeri. Edi Rama e përqeshte këtë metamorfozë të kryesocialistit duke treguar barcaleta për Fatosin. Pas martesës së dytë me Xhoanën ai ishte bërë më cinik, më i dhunshëm në marrëdhëniet me vartësit; më i dashuruar pas euros dhe dollarit dhe servil në plotësimin e çdo deshire të Xhoanës. Personalisht mendoj se para vitit 2001 nuk ka qenë ky që është sot, natyrisht nuk flas në sensin fizik, pasi ai ka plot 52 vite mbi supe. Siç thotë një analist i njohur i komenteve politike, Andi Bushati ” Nano ishte një politikan i sjellshëm, por tashmë i kthyer në kundërtën e tij”. Zoti Nano kishte dhënë disa herë prova mirëkuptimi, largpamësie dhe tolerance . Në vitet e para të pluralizmit ai projektoi një të majte perëndimore në përballje e përplasje me të vjetrit e PS së, të cilët bërtisnin për Europën, porse shikonin ende tek vitet e kohës së Ramiz Alisë. U desh burgu i Nanos që e majta të përbashkohej e të ngrihej politikisht. Burgu e privoi nga liria për të evoluar në krijimin e së majtës progresive. Nga burgu i Bençës, në Tepelenë, kryetari Nano shihte përtej dritareve të qelisë se PS ja kishte nevojë për reformim drastik në njerëz e në program. U humbën zgjedhjet e kontestueshme e të manipuluara të 26 majit 1996. Njeriu i burgosur Nano kërkoi reformim të udhëheqjes së PS së. Dërgonte asokohe letra nga burgu për t’i botuar në gazetën e partisë ku ai ishte kryetar, pra në “Zëri i Popullit”, por nuk ia botonin. Namik Dokle jepte urdhërin e prerë që asnjë shkrim apo letër e kryetarit të PS së të mos botohej, pasi “ ai nuk e di se ç’thotë se është në qeli !”. Shkonte në Bençë Rexhina Nano, një grua e mrekullueshme për nga virtytet e një femre të vendosur për të mbrojtur të drejtat e burrit të burgosur, dhe na sillte “Mocionin për Debat” të Nanos drejtuar kryesisë së PS së në korrik të vitit ‘96. Në darkë kundërshtarët e Nanos në PS më merrnin në telefon herë mua dhe disa herë Ben Blushin, i cili ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” , që të mos i botohet letra dhe as ndonjë gjë tjetër nga kryetari i burgosur, pasi, sipas tyre “ka rrjedhur”. Natyrisht gazeta “Koha Jonë” i botoi sepse ishte dhe mbetet përherë me opozitën në sensin e kritikës së gabimeve të çdo pushteti. Namik Dokle dhe Servet Pëllumbi konkuruan në kongresin e fundvitit ’96 me kryetarin e burgosur dhe për pak sa nuk e rrëzuan për t’i zënë vendin. Ndërsa Nano vazhdonte në solidaritet me Majkon, Islamin, Ruçin dhe gazetën “Koha Jonë”. Dyert e tjera në PS, si dera e burgut të qelisë, ishin mbyllur për këtë të burgosur politik. Ai rrinte në vetminë e qelisë, kurse kundërshtarët e tij në parti shëtisnin kryeqytetëve të Europës dhe kur ktheheshin deklaronin për median se “ishim duke kërkuar të drejtat e kryetarit të burgosur”. Shkonte në selinë e PS së një avokat dhe kërkonte ta mbronte Nanon kundrejt një pagese të lartë, kurse sot ai jurist është zyrtar i lartë në hierarkinë e Shtetit me firmën e vetë kryesocialistit. Me emrin e kryetarit të burgosur, të Vlorës dhe të gazetes “Koha Jonë” të djegur natën e 2 marsit 1997 e majta erdhi në pushtet në verën e atij viti. Berisha iku me një turp të madh mbi supe. Por mënjëherë në dyert e PS së u turrën një urdi njerëzish, të mirë e të këqinj, kundërshtarë e miq të tij. Donin pushtet, donin para e prona. Iu kishte ardhur në dorë Pushteti. Tani nuk kishte më radhë se kush ishte më i përkushtuar në devotshmëri ndaj së drejtës dhe viteve 1992 1997. Tani kush ishte më servil dhe sillte me tepër lekë i duhej kryetarit Nano. I etur nga mungesa e lirisë dhe i verbuar nga mungesa e dritës në qeli kryetari i së majtës në pushtet nuk shikonte përtej dritares së zyrës së tij në PS, e cila ishte dritarja e hyrjes në pushtet për këdo që i rrinte afër dhe rrotull. I burgosuri u bë kryeministër i vendit. Nga qelia direkt në krye të drejtimit të Shqipërisë. Bashkë me stafin e gazetarëve të viteve ’91 ’97 filluam të hidhnim kritikat e para ndaj pushtetit të ri të Nanos si kryeministër. Moria e bodigardëve dhe ulërima e sirenave të policisë që hapnin rrugën kur kalonte zoti Nano e bënin atë, me sa dukej, të ndihej realisht Zoti i Shqipërisë, aq me tepër që ish Presidenti Berisha ishte në fundin e humnerës së tij politike, të paktën nja tre vite pas të mbrapshtit vit ‘97. Aq sa ishte thellë i zhytur Berisha, po aq lart në qiell rrinte Nano. Kritikat e para të medias “Koha Jonë”, pasi media të tjera numëroheshin me gishta, sikur zgjuan tek kryeministri Nano reaksionin e të paprekshmit, aq sa në konferencën e FRESH it të Tiranës në fillim të vitit 1998 sulmoi hapur e pa mëdyshje gazetën “Koha Jonë” dhe botuesin e saj. “Nuk kam ardhur në pushtet për të larë borxhet e Nikollë Lesit” deklaroi zoti Nano i prekur e i inatosur nga kritikat e gazetës. E shihja atë natë në televizor fjalën e tij dhe akoma nuk u besoja syve nëse ishte vertete Fatos Nano që fliste kundër medias së parë të pavarur në Shqipëri. Borxhet gazeta i kishte krijuar, pasi na dogjën krejt gazetën me 2 mars 1997 si dhe kishim kaluar një kalvar vuajtjesh nga sulmet e pushtetit nga vitet ’92-’97. Nga muaji nentor ’96 gjer nga fundi i vitit ‘97 “Koha Jonë” botohej çdo ditë mbi 70 mijë kopje ose pothuaj sa dyfishi i tirazhit të të gjitha gazetave në vitin 2005. Nga muaji dhjetor ‘96 gjer me 30 qershor ‘97 gazeta shkonte në çdo pikë shitje, por nuk arkëtohej në financat e gazetës as 20 përqind e shitjes pasi ishte rrëmujë dhe luftë . SHIK-u i Gazidedes na dogji dhe qëlloi me armë mikrobuzat e mjetet e transportit të gazetës në muajt dhjetor 1996- shkurt 1997. Mos harroni se agjencia e transportit të gazetës kishte mbi 11 furgona transporti dhe që sejcila kushtonte diku tek 15 – 20 milionë lekë të vjetra. I gjithi ishte investim me paratë e gazetës me të madhe në vend. Në atë periudhë saliste merrnim taksi dhe furgona taksi , që dihet sa kushtojnë, vetëm e vetëm që të çonim gazetën “Koha Jonë” tek lexuesit. Po iu përmend vetëm një fakt: edhe për Tropojën që është në fund të dynjasë e ku çonim vetëm 200 gazeta paguanim mjet të veçantë me deshirën e mirë që lexuesit të kishin gazetën. Shtetit jo vetëm që nuk i shkonte në mendje të na ndihmonte, por përkundrazi na bllokonte, dhe shkatërronte. Në vend që shteti i pasluftës të na kompensonte djegien e gazetes, ai filloi sulmin për të na “djegur” në një mënyrë më “demokratike” , siç tashmë dëshmoi vepra e Nanos. Në fillim stafi i gazetarëve u turbullua nga ky sulm direkt dhe pa sens miqësor i kryeministrit Nano. Disa gazetarë që kishin punuar në vitet e vështira të saj nxituan të iknin me vrap, pasi ndjenin hakmarrjen Nano. Ata, si tiranas të vjetër, e kuptuan para meje se nga “kruajtja” me Nanon gazeta do të humbiste e do të sulmohej, pasi akoma populli e kishte idhull Fatos Nanon. Të paktën shumica ende kështu mendonte në fillimet e vitit ‘98. Fatkeqsisht kështu filloi të ndodhte. Shumë gazetarë ikën dhe u stabilizuan tek kabineti Nano, disa të tjerë u bënë drejtorë të rëndësishëm, ata që mbetën nxorën “shpatat” me pushtetin e Nanos. “Borxhet e Nikollë Lesit”, sipas Nanos, kishin ardhur se tirazhi i gazetës kishte shkuar me kryeredaktor Ben Blushin deri në 82 mijë kopje në ditë gjatë vitit 1997. Një tmerr i vërtetë për shtypshkronjën “Demokracia”, e cila “skuqej” nga tirazhi i lartë i “Koha Jonë”. Tirazhi botohej, por në kohën e luftës së vitit të mbrapshtë ’97 pothuaj asnjë lekë nuk arkëtohej nga pikat e shitjes së gazetashitësve, të cilët ose ikën më pas jashtë shtetit ose justifikoheshin se na “ I kanë vjedhur lekët gjatë muajve të luftës ! ”. E kujt ia mbante ato muaj që të shkonte e të merrtë lekët e gazetës në rrethe! Shumëherë policia dhe civilë të armatosur kishin djegur furgonat e gazetës bashkë me vetë tirazhin e prodhuar. Porse në shtypshkronjë borxhi shtohej për gazetën “Koha Jonë”. Shtypshkronja donte paratë, paçka se opozita bërtiste “Rroftë “Koha Jonë” ! Gjithashtu, më 2 mars 1997, redaksia u dogj krejtësisht nga forcat e SHIK ut dhe të policisë. Bile ka fakte se edhe eskorta presidenciale e Berishës mori pjesë atë natë në djegien e saj. Pra, financat e gazetës shkuan poshtë e më poshtë. Natyrisht, as unë e as ndonjëri nga gazetarët nuk pranoi të lypte tek dera e kryeministrit Nano apo zv/kryeministrit të asaj kohe Bashkim Fino. U kërkua që të ndërhynim për të marrë një kredi tek Banka e Kursimeve për të shlyer borxhet e shkaktuara nga ajo çka sqaruam, por zoti Nano ishte “ligjor” dhe nuk pranoi të shkelte “kushtetueshmërinë e parimeve të tij”, ndonëse borxhi i gazetës ishte sa shuma e një kamioni me cigare kontrabandë që kalonte një prej shoqëruesve të tij në Kakavijë vetëm në një natë !

 

Zoti Nano deri në mesin e vitit 1998 ishte në majën e Shtetit dhe në kreun e kontrabandës së cigarëve, kafesë dhe të naftës. Ndërsa ende në publik ai mbante dafinat e një njeriu të drejtë e të vuajtur në burgjet e Berishës. Duke qenë nga natyra krejtësisht dinak dhe, meqë nuk e kishim njohur ende, një njeri pa skrupuj moralë, ai manovronte bukur në fushën e politikës. Në shtatorin e vitit 1998, kur u vra Lideri i Lëvizjes së Dhjetorit ‘?90 Azem Hajdari, Nano manifestoi edhe një “veti” tjetër, të cilën nuk e kishim njohur: frikacakun. Ikën i veshur me rroba fshatari drejt e në Maqedoni. U struk i përmjerë atje, ndërkohë që duhej të rrinte e të drejtonte Shtetin e dhunuar. Një politikan që quhet Burrë Shteti nuk e braktis kurrë detyrën. Mund të thuash çfarë të duash kundër Sali Berishës, pasi edhe ai ka njëmijë e një të meta, porse në periudhën e vështirë të mars-qershor 1997 kurrë nuk e braktisi zyrën dhe Presidencën. Nuk themi që Lideri që quhet Burrë Shtetit të shkojë “si kovë pusi” apo për “dhjamë qeni”, porse duhet të gjente forcën për të gjetur shpëtimin e kombit. Nano e la Shtetin me 14 shtator 1998 në mëshirë të fatit. Erdhi kur pantallonat e lagura nga frika i ishin tharë në freskun e Maqedonisë. U lut tek Presidenti Meidani, porse nuk kishte më të drejtë morale që pa hequr brekët me erë m…. të vishte pantollonat e kryeministrit të ri ! Kështu që pësoi një “atak politik”, kryesisht për fajin e tij. Në krye të Ekzekutivit mbërriti Pandeli Majko, një njeri që e kishte mbështetur në vitet e vështira të burgut. Sakaq zotin Nano e braktisën përsëri Servet Pëllumbi, Namik Dokle dhe Ilir Meta. As Anastas Angjeli nuk ia hapte telefonin! Vetëm Ruçi i mbeti. Mbeti “rrugëve të Atdheut”, duke kërkuar “drejtësi” partiake. Dhe kishte të drejtë, pasi Majko dhe kundërshtarët e përhershëm të Nanos nxituan t’i merrnin PS në në fund të vitit 1999. Deri këtu nuk duhej të arrinin. Anti Nanot e kishin gabim. Nuk mund t’i merrej partia të cilën e kishte rritur vetë, bile edhe me burgun e tij. Në këtë rast, si botues dhe si deputet i dalë nga një zonë e lirë në Lezhë, por që asnjëherë atje nuk kishte fituar e majta, dola hapur e në mbrojtje të Nanos. Të mos harrojmë në momentet që ai nuk ka patur pushtet i kam qëndruar afër, natyrisht me median time, pasi darkat i hante me të tjerë. Kishte të drejtë dhe duhej mbrojtur, ndonëse Majko shpeshtoi hakmarrjen ndaj medias “Koha Jonë”, e cila kishte brenda saj tri “predha goditëse” për atë kohë; gazetën, radion dhe televizionin “KOHA”. Çdo natë televizioni që kisha në pronësi jepte të plota takimet e Nanos në bazën e PS së. Ishte një gazetare, Mimoza Picari, që rendte me vrap në çdo cep të vendit për ta dhënë atë që nuk ia jepnin të tjerët zotit Nano. Natyrisht nuk jam aspak i penduar, paçka se sot ndodhem në “llogore” tjetër, edhe për faj të kryesocialistit. Por kush më njeh nga afër unë rri në “llogoren time të pavarësisë”. Unë e kam deklaruar se nuk ma kushtëzon dot mendimin tim të lirë, as Fatos Nano e as Sali Berisha. As dhe të dy bashkë po të bëhen ! Pra në 1999, në këtë vit të vështirë politik, zoti Nano u kthye tek vlerat, të cilat, siç duket i mban në qilar kur është në krye të pushtetit dhe i nxjerr në fushë të hapur sa herë mbetet pa pushtet. Fitoi kundër Majkos, Pëllumbit, Metës, Poçit e Dokles, ndonëse me diferencë të frikshme votash. Iu rikthyen “miqtë”, “shokët” dhe urdia e sejmenëve. Thërrisnin “Rroftë Nano !” pikërisht ata që thonin “Poshtë Nano !” para kongresit. Falë një bashkëshorte të shkëlqyer që quhet Rexhina Nano, kryetari i PS së u kthye prapë në tolerant e në largpamës. I largohej sherrit dhe nxiste bashkëpunimin. Në krye të pushtetit erdhi një prej kundërshtarëve të tij më të fortë e me të rrezikshëm. Falë Nanos zoti Meta hypi atje, ku ai nuk e kishte ëndërruar, por që pati mundësi të shfaqte aftësi në menaxhimin kurajoz të Ekzekutivit. Por ditët e arta Nano Meta filluan të njohin errësirën. Nano shëtiste rrugëve të Europës, por që donin para të madhe për t’u përballuar në atë mënyrë që filloi ta shijonte botën në mënyrë të skajshme. Filloi t’i pëlqente Athina, bile ajo e mesnatës. Rrugët e Athinës në mesnatë janë të stërmbushura me njerëz. Aty gjen që nga i papuni i pagjumë e deri tek prostitutat. Athina e magjepsi të parin e selisë rozë. U deh nga kënaqësia, por u tha nga xhepat! Meta i bllokoi çdo kanal dogane në Shqipëri. Por Athina që të jetohej donte dhrahmi. Dhrahmitë filluan t’i mbaronin kryetarit dhe u kthye në Tiranë për një betejë tjetër. U nervozua. Një femër i kishte errësuar shikimin e syzeve të trasha. Prapë luftë në parti ! Ishte viti 2001. Vit zgjedhjesh. Gruaja e re, Xhoana, donte pushtet . Pushteti sjelle para. Paraja blen botën ! Nuk mund të rrinte më rrugëve të Athinës. Synonte më lart, më larg dhe më shumë .

 

Gruaja që ekuilibronte Nanon

 

Viti 2001. Ilir Meta, asokohe kryeministër, kishte vendosur të mos i bënte asnjë lëshim zotit Nano për ato çka ai kërkonte të realizonte me duart e Metës. Harxhet e shumta në Athinë zoti Nano donte t'i realizonte me biznesmenë, siç bën praktikisht tani që është kryeministër. Por asnjë tregtar nuk i ofrohej ato ditë ku ndodhej i braktisur e pa pushtet. Nuk kishte asgjë në dorë në emërimet e doganierëve, pasi vrimat i ishin mbyllur. Vetëm një biznesmen, i cili i ishte gjendur në ditë të vështira ia paguante çfarë donte zoti Nano. Ky quhej Leonard Koka, vëllai i kryetarit aktual të bashkisë së Durrësit. Zoti Koka, sic thonin, i jepte para në dorë dhe i fali një benz të blinduar. Akoma për këtë ka dosje në Prokurori. Kryetari i PS së ishte mësuar që t’ia paguanin gjithçka. Kënaqësia e tij mbetet kur e rrjep tjetrin. Ndërsa sot, herë pas here, bën sikur nuk e njeh Nard Kokën, pasi kanë dalë në skenë biznesmenët e ndërtimit dhe të fshatrave turistike. Bile hamendje të cilat mbeten të tilla thonë lart e poshtë se në arrestimin e Kokës ka gisht edhe Fatos Nano.E habitshme, porse edhe vertetë mbetet gjithçka tek Nano. Në kompromis të mosprekjes së bizneseve të Xhoana Nanos nga Berisha në pushtet, thuhet se Nano e shiti Nardin tek Saliu i rikthyer. Por le të rikthemi paksa ndër vite. Kishte hyrë viti elektoral dhe PS ja kërkonte një mandat të dytë. Jemi akoma në fillim të vitit 2001. Marrëdhëniet mes Nanos dhe Metës u përkeqësuan pas deklaratës në TV Klan të Arben Malajt se do të kandidonte për postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të qershorit 2001.

 

Unë duke qenë njëfarë miku i Metës zoti Nano kërkonte mënyra nga më të ndryshmet që të më ftonte për drekë. Donte që unë të negocioja mes tij dhe kryeministrit Meta për t’i pajtuar. Isha deputet i pavarur dhe pa asnjë angazhim direkt politik. Të paktën deri më 24 janar 2002. Pra nuk isha anëtar i asnjë partie politike. E kisha mbështetur Metën për punët e mira në rrjetin e infrastrukturës së vendit, ashtu siç e kisha akuzuar në media për korrupsion në çështjen e privatizimit të fabrikës së Birra Tirana. Megjithatë pas ndërhyrjes së deputetit Ramadan Hasanaj dhe Bashkim Fino pranova që të negocioj për të organizuar një takim mes Metës dhe Nanos për pajtim. Takimi u la në vilën kryeministrore në Durrës. I takova. Zoti Meta që në fillim krijoi një skenë të ftohtë akull. Ndërsa kreu i selisë rozë rrinte përballë Metës pa folur dhe më bënte me shenjë që të shkrija “akullin”. Falë aftësisë gazetareske ia arrita ti bëj të flasin me njëri tjetrin. Në këtë moment u largova për t’i lenë të lirë në bisedën e tyre politike. Ata u pajtuan. Nuk kaloi me shumë se një javë dhe rastësisht përballem me kryetarin e PS së në hotel Rogner. E përshendes dhe bëri sikur nuk më shikoi. I thirra , por ai ktheu kokën në anën tjetër. Bënte sikur nuk e linte perdja e tymit të cigares që thithte tërë kënaqësi. Pyeta një kolegun tim deputet, i cili kishte informacionin se ç’kishte ndodhur në vilën e Metës. A e di se si mu përgjigj?: “Në momentin që Nano e kalon lumin nuk të njeh më!”.

 

Kaluan pak muaj dhe prapë zjarri mes Nanos e Metës u rindez keq. Bile dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama filloi të përqeshte kreun e selisë rozë, të cilit i kishte mbetur vetëm bashkëshortja Rexhina Nano, e cila e shoqëronte kudo.Nano ishte acaruar në kulmin e fushatës elektorale të qershorit 2001. Donte ta shkatërronte kryeministrin Meta. Nuk i interesonte humbja e mundshme e së majtës. Tre ditë të javës gjatë fushatës i bënte në Shqipëri dhe katër të tjerat në Greqi. Asnjë nuk e dinte se ai ishte dashuruar keqas në Greqi me një femër tjetër, të ndarë nga burri e që kishte një djalë. Në Tiranë donte vetëm sherr . Rexhina e tërhiqte me kujdes drejt qetësisë dhe larg sherrnajës. Por asnjë nuk e dinte se ç’po bënte e çfarë ai po kurdiste në Athinë asokohe. As vetë Rexhina Nano. As djali i Nanos, Sokoli , një djalë intelegjent , nuk nuhaste asgjë se ç’po ndodhte me të atin .Të paktën kështu më kanë thënë njërëzit afër Fatosit. Fushata elektorale vazhdonte duke u përballuar kryesisht nga Meta, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Një femër i kishte zaptuar zemrën kryetarit të PS së, mu buzë brigjeve greke.

 

… E megjithatë zgjedhjet u fituan nga e majta, me kontenstime, por gjithsesi kurora e fitores u vendos mbi kokën e Nanos. Sindroma Malaj vërtitej koridoreve të PS së, meqënëse tashmë Nano ishte fituesi juridik i zgjedhjeve dhe donte ta eliminonte Ilir Metën nga rizgjedhja kryeministër. Ndërkohë disa zona ishin kontestuar si nga PD, ashtu dhe nga PS. Unë personalisht kisha pësuar një kolpo elektorale në Lezhë për fajin e PS së lokale, e cila kishte bashkëpunuar fshehur me PD në, pasi hija ime ishte zgjatur në “token” e tyre. Ndërkohë prisja verdiktin e KQZ. Avokati im në këtë proces Përparim Sanxhaku kishte bërë gati dosjen me shkeljet e gjetura, pasi fjala vjen në një qendër votimi numri i zgjedhësve ishte 677, kishin votuar 457 gjithsejt dhe proces verbali i firmosur nga PS dhe PD ishte për 978 pro kandidatit të PD së ! Ndërkohë që prisja të takoja zotin Nano para rezultatit të KQZ ai mu përgjigj në telefon: "Shko se ta jep mandatin Ilir Meta. Mua mos më telefono më !".

 

Natyrisht rezultati i KQZ me telefonin e kryetarit të PS së rezultoi negativ për mua. Celibashi kishte marrë telefonatën fatale nga kryetari Nano që “Lesi të mos fitoj !”. Por insistimi i Përparim Sanxhakut nxori fakte dhe faksimile tek Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi përsëritjen e zgjedhjeve. Ndërkohë kishte ndodhur që pas raundit të dytë në shumë zona akoma e majta nuk bënte numrin 84 deputetë. Me Dushkun kishte siguruar fiks 83 deputetë. Duhej edhe vota ime për të bërë numrin 84! Zoti Nano synonte postin e Presidentit të Republikës. Për këtë gjë duheshin 84 vota në parlament. Unë vazhdoja fushatën e dytë në zonën time elektorale, por këtë herë përjashtova nga komisionet të gjithë anëtarët e PS së që mi kishte caktuar PS ja lokale. I zënë me hallin tim elektoral nuk kuptoja se ç’po ndodhte në kulisat politike në Tiranë. Tre ditë para ditës së përsëritjes së zgjedhjeve në Lezhë më kërcet një telefon celular me numrin 007 në fund. E hap dhe dëgjoj zërin e Nanos. Dashamirës dhe plot humor. “Të pres tek zyra ime në PS më tha Të pijmë nga një xhin”. Ishte fillimgusht 2001. E di që asnjëri nuk e beson, por asnjëherë nuk kisha qenë në selinë e PS së. Asnjëherë në jetën time nuk isha futur brenda hekurave të portës së jashtme të PS, ndonëse e kam mbështetur kur ishte në opozitë, kur kishte të drejtë. Nejse. Shkova. Më priti tek dera Emin Barçi, shef i kabinetit të kryetarit të PS së, dikur vartës i imi si gazetar në vitet ’94 ’97. Në zyrën e Nanos gjeta edhe Gramoz Ruçin, i cili si me marifet u largua duke na lënë vetëm për vetëm. “Nesër do të vij në Lezhë për të bërë fushatë për ty. Nuk mund të rrijë jashtë parlamentit legjenda Lesi e gazetarisë së pavarur shqiptare” më tha dhe trokiti gotën me xhin. Pimë nja dy gota sejcili dhe u ndamë. Të nesërmen e kishim lënë që të shkoja unë prapë tek ai. Vajta. Më tha “ Hyp në benzin tim. Dua të bisedoj diçka rrugës me ty”. Ai shofer dhe unë si “kryetar i PS së” në vend të parë. Para dhe pas na shoqëronte urdia e sirenave të policisë. Ej, thashë me vete, çka ndodhur që u bë kaq papritur dashamirës me mua, ndërkohë që në hotel Rogner nuk e linte tymi i cigares për të më përshendetur ! E vrava mendjen, por asgjëkundi nuk më nxirrte. E kuptova se një interes i madh e kishte kapluar për mua. Rrugës, dikush e kishte lajmëruar kryeministrin Meta se Nikollë Lesi dhe Nano janë bashkë në një makinë për në Lezhë. Më bie telefoni celular. Makina ecte me shpejtësi drejt Mamurrasit. Ishte në telefon Ilir Meta. Nano fiku kasetofonin e benzit. “Me atë po shkon në Lezhë?” pyeti Meta. “Ehë, e kuptova!” tha kryeministri Meta dhe mbylli telefonin. Ç’kishte “kuptuar” ky Meta? Ndërkohë ndërhyri “shoferi Nano” duke më pyetur: “Ç’kishte shkërdhata? Pse të mori? Ça donte katundari nga Skrapari?”. Në moment e parandjeva lojën dhe sherrin e rinisur mes tyre. Puna si gazetar na e kishte rritur nuhatjen e sherrnajës. Makina ecte me më shpejtësi. “Kujdes së do të na rrëzosh!” ngacmova kryetarin shofer. “Ore më trego se pse të mori ai?” insistonte Nano. “Më pyeti se si ecën fushata” e gënjeva Gënjeshtarin e Madh. Bëri sikur e hëngri edhe ai. Ndonëse i kisha marrë masat për fitoren në Lezhë, pasi nuk do ti lija për të vjedhur më votat, porse gjithsesi “shoferi” im prishte punë, nëse i shkrepte për ta bërë. “Do të bëhemi bashkë ndërhyri Nano që ta rrëzojmë Metën?”. Atëhere mendova se ç’bëhet nëse e gënjej edhe unë zotin Nano! Asgjë. Sa ka gënjyer ky Nano, mendova në çast. Po ia “fus” edhe unë njëherë. “Po, do ta rrëzojmë Metën!” i ktheva përgjigje. Mënjëherë kryetari u bë një “shofer” i dëgjueshëm. Nxori një çamkakiz nga ato që i jepte të dashurësë tij të re. U përtypëm sikur po shkërmoqnim Ilir Metën nëpër dhëmbë ! Namin bëri në Lezhë kundër Metës, ndërsa mua më bëri heroi i medias së pavarur.Pikërisht në Lezhë filloi sulmi dhe strategjia Nano për rrëzimin e kryeministrit dhe marrjen e postit presidencial në vitin 2002, vit kur i mbaronte mandati zotit Meidani.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora